Emil Asdurian: MBI LIBRIN E KADARESË “Kur sunduesit grinden” (3)
MEDITIM MBI LIBRIN E ISMAIL KADARESË “Kur sunduesit grinden”
LUFTA
pjesa e tretë
(thika e heshtur deri në asht)
I.
Sheshi, ose më mirë fusha e betejës, qëndronte aty e fjetur, nën malin dykrerësh dhe zgjatej nëpër disa kodra fare të buta nga jugu dhe jugperëndimi, si të ish një kamarband zbukurimi rreth kërthizës së këtij shteti trumcak dhe diku pranë tyre, rrethuar me ushtarë të armatosur flinte tenda e Tij, Prijësit të madh.
Mjedisi politik duhet të përshkruhet, ashtu siç është, ishte, më shumë si një bindje e plotë bashkësish ndaj sundimtarit… me një seri të gjerë nënkulturash, me mendësi vlerash të ndryshme, që për më shumë se pesë shekuj kish qenë skenë përleshjesh mes atdhetarësh dhe huajdashtës, çrrënjosësish (radicals) dhe ruajtësish të çartur të traditës, çrregulluesish dhe prijësbesnikësh, këta të fundit në asnjë mënyre nuk pranonin të quheshin lëpirës. Shpirtin luftarak dhe atë të kundërshtimit, në një dyzim bizantin si dhe shumë të tjera, siç ish gatishmëria për të dhënë jetën dhe njëkohësisht puthadorshmëria e skajshme, shovinizmi dhe internacionalizmi, njerzishmëria dhe pashpirtësia, asketismi dhe hedonismi, pa asnjë çudi të pandarë. Të gjitha majisur dhe nxitur nga diktatura në emër të Unitetit etnik kombëtar, për të shkatërruar të gjitha lidhjet ndërnjerëzore, per të grimcuar deri në thërmijën më të pandarshme shoqërinë, degëzimet deri në rrënjët më të thella të mendesisë së saj. Çdo njeri i veçuar vetëm, përballë me gjithëfuqinë e shtetit. (1)
“Ah sikur paraardhës të kisha në ndonjë pikë të historisë së Francës!
Por jo, asnjë.
Dukshëm gjithmonë kam qënë i një race më të ulët. Kryengritjen s’mundem ta kuptoj. Raca ime kurrë s’u ngrit veç për plaçkitje: si ujqërit bishës qe s’e kanë vrarë ende. (2)
II.
Thonë që kur kish kaluar lumin dikur, kish humbur një sandalle dhe, ish aty që Athina e fshehur si një plakë, i kërkoi ndihmë ta mbarte deri tek bregu tjetër, vuri re se në këmbë kish dy gishta të ngjitur bashkë. Tjetër asgjë, as në qe më i shkurtër apo shtatlartë, me veprime të matura prej zonje të rëndë a i vrazhdë si burrë i egër me ballë të lartë, a i fshehur pas një ëmbëlsie të butë dhe të pafajshme fëmije, për të vrarë pabesisht në një hov makthi që as në ëndërr s’e lejoi t’i shfaqesh. Njeri fare i vogël në atë thelb shpirti, që gjithë jetën u përpoq ta shfaqë si të ish një pafundësi, stepë a qielli, a në mos sa një fushë e mjerë në rrëzë të një kështjelle majë një mali. Por asnjëherë siç qe me të vërtetë. Popujt, jo s’duhet të përdor një nocion të tillë, pasi ndërgjegja ose mendja shoqërore, për të cilën është folur diku, është më e përshtatshme dhe mendoj që në kushte të caktuara, siç ka provuar dhe arkiologjia e mendjes njerëzore, dhe për kombet e mëdha a superkombet, në parësivizmin e tyre, sillen si një mendje e vetme, të formojnë ate ç’i bën të veçantë. Por çuditërisht jo prijësit e tyre. Në më të shumtën provinciale, diku nga një qytetthfshat (Hamlet), se nga që s’mund të bënin asgjë për atë prej nga vini, shkruajtën sa të gjithë besuan se ishin kala ku kuçedra e jo mure guri e kangjella ruanin të fshehtat e tyre. Kurrë s’e thanë por, si dhe ata më të lashtit, vetes i provuan me gjak, qe s’ishin asgjë më shumë se ligje objektive të shoqërive që i lindën, se në të fundit dhe perënditë vdesin një ditë. Ligjet e natyrës jo. Pafajsia e një vetëvlerësimi të brishtë, nuk para shkon, por në një farë mënyre i afron më shumë me njeri-tjetrin, ngjitur në instiktet e nëngjegjes, që si për çdo kafshë natyrshëm shpërthen papritur të vrasë, në kundërmimin më të lehtë kërcënimi. Dhe për të ishin mësuar ta nuhasnin kudo si pre apo kalimtar i pafat në shtegun e tyre. Dhe kështu për të gjithë, por më shumë në vetvete, e pranonin që rrjedhshëm shkriheshin mes tyre në një. Sidomos në mënyrat e vrasjeve, kurthet dhe mbjelljen e frikës, me disa lloje drithrash, mardhënien me këdo pranë, larg dhe përreth përgjithësisht të dështuara. S’besuan asnjë asnjëherë veç vetes. Dhe po ajo pjesë mendjeje e egër mase, që pamjet dhe njerëzit bashkon në një thelb të përqëndruar të përbashkët, bën të njejtën dhe për kohët nga hapsira të tejlargëta, gjithashtu duke fshirë të zakonshmet si të pavlefshme, në një kujtim edhe ato që për nga shekujt s’ishin as të ngjashme dhe as të përafërta, të gjitha në një betejë pafund, në një përleshje përvoje. Dhe megjithatë, gjithkush e dinte, në mos e kish mësuar nga pësimi, qoftë edhe nga ai i të tjerëve, se po të vinte, qoftë dhe pa asnjë arsye, nuk kish Zot të të shpëtonte veç vetë Atij. Se mrekullitë, dhe nëse duhet të kryheshin kurrësesi, veçse nga Ai dhe askush.
III.
Ndër ato që e trembnin më shumë, siç çdo qenie e arsyeshme, që nuk do t’i dorëzohej fatit të saj, ish e panjohura, padija, ajo me erosin e saj të zi, (anti), e papritura e beftë, e paparashikuara. Siç e dinte, dhe e kish shkruar në më shumë se në një libër, ku midis të gjithave i vërtitje parasyve ai shkrim në ballë të portës: “Ibret Tashe”, se ish pikërisht për atë, për të cilën e zinte tmerri dhe rrënqethja shkonte deri në asht. Ndoshta ajo më e rënda, më makrabja, ajo më e pashpirt: ndarja e kokës nga trupi, e mendjes nga mishi, ku secila vuante veçmas, për çfarëdo arsye që të mendonte, qoftë edhe sikur njëra të ish mbi tokë dhe tjetra në ferr. Sytë e ngrirë, në kamare, të palëvizur, që lutje patën deri në shkëlqimin e fundit, nuk kërkonin trupin, por diçka tjetër, por t’i shpëtonin turpit. Aha, ndoshta ish kjo e vetmja që mund të shpjegonte në rastin më fatkeq të Pasternakut, përrbuzjen njollosëse të cilën i gjori e mori deri në varrà, (thonë se ende sillet si fantazmë netëve të ftohta të dimrit rreth monumentit të Pushkinit): “Ju jeni një shok shumë i keq, shoku Pasternak”! Mbylla në fytyrë përplasje dere, e cila s’do të hapej më, damkoste rëndë me çdo të pathënë, të cilën nuk mund ta hiqte dot asnjë llogjikë e akulltë. Njësoj si të thoje: “Pika ty, për atë ndërgjegje kombi qe hiqesh se je!”, se dhe vërtet ashtu ishte, se askush tjetër për atë rrahje të përbashkët që ndjejnë, por edhe vetë rrahja të ishin, siç janë, prapë dhe kjo s’i bën poetët më të mirë se çdokush tjetër. Lufta në çdo drejtim ish e humbur, Ai kish në dorë si jetë njerëzish por dhe veprash, historinë. Në një farë mënyre, ngado që të ktheheshe e të vërtiteshe, për t’iu shmangur, gjithmonë do të ishte aty. Si vulë e fudme aprovimi, si një përgëzim, si një ftesë për një darkë në pallatin e mbretit, një apartament dhuratë, një frigorifer apo tejkqyrës, qofte dhe një e dalë jashtështetit, gjithçka ndrydhte në vetvete një luftë më të rëndë se ajo e përjetësisë, thyerjen e ndërgjegjes. E dinte, që s’kish se si që kope e spiunëve, turma e provokatorëve, gumëzhitjen e përgjuesve, gjithpërreth te mos e kish lëshuar vetë Ai, si turmën rrugaçe të punëtorëve pararojë me fletë-rrufetë, as çirrmat për riedukim në gjirin e tyre, të suleshin të shqyenin, si dhe ata që mënjanë e benin sikur nuk shihnin, prenë në grahmë. Gjithçka, ndoshta edhe ajo histori e Gorkit me Ulianovin syzog, dhe ajo e telefonit midis Poetit dhe Hekurit, ishte si të qe një dramë-komedi që njeri me njerën dorë hodhi baltë me ç’të mundte mbi tjeterin, ndërsa tjetri heshti. Me fajin dërmues të sindromit KZ (Konzentrationslager), të mbijetuesit, kaq shumë të vetëdënueshëm, aq më tepër braktisja në nevojë e sivëllait poet, poetëve ose për mëkate dhe blasfemi të tjera, sa vetëm Ai mund të bënte mrekullinë dhe t’i falte. A me një buzëqeshje tinzare nën buzë, s’kish nevojë as ta përsëriste, se sa shumë, ndoshta dhe më shumë se Gorkit i kish dhënë, këtij djali plagëprishës që në sokak të tij u rrit, se si kurdoherë do ishte po Ai, që kur thika mbërrinte atje ku s’mban më, ta shpëtonte. Dhe këtë për të vetmen kënaqësi të vazhdojë ta vrasë dhe në vetminë e tij…
“Ah, ç’na bëre more Pasternak
bëj të ngrihem e bie prapë”!
…në përjetësi.
Ndryshe do e kish prerë dhe atë fare lehtë si t’i tekej!
Kur sunduesit grinden, ndeshja e tyre nuk mbaron kurrë. Ç’mbetet në fund, është vepra e poetit, rrahja e shpirtit të tij. Është ajo që ruhet thellë ne tru të njerëzimit. Rrëmojmë të gjejmë veten për të mos lënë askënd vetem.
(1) Totalitarianism and Political Religions/ Volume I: concepts for the comparison of dictatorships Edited by Hans Maier Translated by Jodi Bruhn, Routledge, 1996.
(2) Arthur Rimbaud, Lufta/ Stina në Ferr, VEPRA E PLOTË përkthyer nga frengjishtja nga Paul Schmidt, Harperperennial, 1975.