Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Luarasi: Si më sulmoi Shefqet Musaraj kur lavdërova Kadarenë duke e krahasuar me Heminguein

Ekskluzive/ Publikohen disa pjesë nga kujtimet e Skënder Luarasit të shkruara prej tij në librin, “Çkam parë dhe çkam dëgjuar” që nuk e pa kurrë dritën e botimit?! Si e mbrojti Luarasi romanin e Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pas diskutimeve të Trim Gjatës dhe Kudret Velçës të cilët kritikuan autorin lidhur me pritjen e mirë që i kishin bërë gjeneralit italian në shtëpinë ku bëhej dasma, ku sipas tyre, atë duhej ta kishin vrarë dhe çfarë ndodhi tjetër në atë diskutim krijues që u bë shkak që Luarasin ta përjashtonin nga Klubi i Lidhjes?!

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Edhe pse kishte luftuar me armë në dorë në Luftën e Spanjës në rradhët e brigadave internacionaliste së bashku me kryeministrin Mehmet Shehu, edhe pse ishte i biri i Petro Nini Luarasit, mësuesit të parë të shqipes i masakruar nga shovinistët grekë, edhe pse ishte një shkrimtar, historian dhe publicist i talentuar e erudit, telashet dhe peripecitë nuk iu ndanë për asnjë gjatë gjithë jetës së tij në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Por ato peripeci dhe telashe, profesorit të famshëm, Skënder Luarasi, iu shtuan së tepërmi gjatë viteve të fundit të jetës së tij, të cilat i vinin si nga drejtuesit e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ashtu dhe nga segmenteve të tjera të shtetit komunist të asaj kohe, të cilat e pengonin atë për të botuar studimet dhe librat e tij. Sulmet ndaj Luarasit arritën deri aty, sa në vitin 1965, atë ta përjashtonin nga Klubi i Lidhjes, për të vetmin fakt, se mbrojti romanin e Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në diskutimin krijues në Klubin e Lidhjes dhe u atakua me Shefqet Musarajan.

Nisur nga këto, Luarasi detyrohej t’u shkruante herë pas here udhëheqësve më të lartë të PPSH-së dhe qeverisë shqiptare, duke përjashtuar Enver Hoxhën, të cilit ai nuk iu drejtua kurrë për asnjë gjë. Por megjithëse një pjesë e udhëheqësve të lartë të PPSH-së, mundoheshin ta mbronin Luarasin, persekutimi ndaj tij vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës. Madje, në varrimin e tij më 22 prill 1982, nuk mori pjesë asnjë njeri nga udhëheqja e lartë, me përjashtim të prof. Aleks Budës, kryetarit të Akademisë së Shkencave, që shkoi aty privatisht si mik i familjes. Jo vetëm kaq, por me urdhër nga lart, ai u përcoll për në banesën e fundit, vetëm tre orë pasi kishte mbyllur sytë. Të gjitha këto bëhen të ditura si nga kujtimet e Luarsit, (të shkruara në librin “Ç’kam parë dhe ç’kam dëgjuar”, që nuk u botua kurrë) dokumentet arkivore, ashtu dhe nga dëshmitë e të birit, Petro Luarasi, pjesë nga të cilat ne po botojmë në këtë shkrim bashkë me faksimilen e rrallë të shkruar nga vetë profesor Luarasi, ekskluzivisht për gazetën TemA.

Diskutimi në Klubin e Lidhjes për “Gjeneralin” e Kadaresë

Një nga pjesët më interesante të kujtimeve të professor Luarasit, është edhe ajo ku ai flet lidhur me diskutimin krijues që u mbajt në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1965, për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të Ismail Kadaresë. Në mes të tjerash, aty thuhet:

“Në atë mbledhje në seancën e parë folën Trim Gjata dhe Kudret Velça. Që të dy edhe se pse dhanë mendime të ndryshme, qortuan autorin për atë pjesë tek e cila i zoti i shtëpisë ku bëhej dasma e priti mirë me nderime gjeneralin e Ushtrisë së vdekur… dhe …”do të bënte mirë ta vriste dhe atë”. Punë për ta. Musaraj që kryesonte mbledhjen, gjatë pushimit më pyeti mua ndë do të thosha edhe unë nja dy fjalë. Pyetja u duk sikur m’u bë në një formë lutëse, dhe ju përgjegja se mund të jepja edhe unë mendimin për këtë roman, por nga fundi i bisedave. Kur u çel seanca e dytë, kryesonjësi (Shefqet Musaraj) u ngrit e tha: “Tani do të flasë Skënder Luarasi”.

“Po mirë”. Thashë: “Ky roman më pëlqeu shumë. E lexova me një frymë brenda 24 orëve. Një natë të tërë nuk fjeta…! Shtova se me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nis udha e romanit modern shqiptar…Në stilin e tij duke menduar sipas atyre pak romaneve të huaj që kam lexuar, Ismail Kadareja më duket se qëndron më afër Heminguejt…”! Pse jo Shollohovit?”, më pyeti Ibrahim Uruçi. “Nuk e njoh Shollohovin”, iu përgjigja. “Pse nuk e njeh”, më tha ai. “Ja nje znaju paruski”. (Nuk di rusisht) “Pse se ke lexuar në përkthimin shqip?”, ma ktheu ai.

“Nuk më pëlqen ta lexojë një vepër letrare nga përkthimi i përkthimit të përkthimit. “Donin e qetë” e kam lexuar në bibliotekën e Brigadave Internacionaliste në Albaceta të Spanjës. Por ju lutem, a s’më thoni, pse më ndërprisni fjalën në mes?” Dhe vazhdova…Më shumë u përqëndrova në përshkrimin e dasmës, mbrojta mikëpritjen e fisnikërisë së babait të dhëndërrit, lëvdova zotësinë artistike të shkrimtarit q’e ka shpëtuar gjeneralin nga ndonjë krim (duke e patur vënë atë në dispozicion gjatë luftës) dhe karakterin e mrekullueshëm të gjeneralit dhe të priftit që e shoqëronte.

Nga gjithë episodet e bukura “thashë” më mahniti qëndrimi i plakës Nicë dhe humanzimi i saj i lartë kur ua përplasi gjeneralit dhe priftit thesin me kockat e kolonelit: “Merri të mallkuarat, se edhe këto kockat e birit të një nëne janë!”. Pershkrimi im qe i shkurtër dhe e mbarova me fjalët: “Kur mbarova së lexuari këtë roman, më kapi malli e më erdhi keq që nuk u ndodha në atdhenë tonë gjatë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, se do të kisha njohur Shqipërinë duke ecur në gjurmët e partizanëve”.

Sa ndenja shesh, u ngrit kryesonjësi i mbledhjes, e përballë 200-300 vetëve, më tha: “Ti, po të kishe qenë këtu gjatë lëvizjes sonë, do të kishim dhënë një plumb prapa kurrizit!”. Për të parën herë në jetën time ndjeva me ç’farë shpejtësie vetëtime veprojnë shqisat e njeriut për vetë-mbrojtje. Ndërsa ktheva sytë ndër të mëngjër për të vënë re përshtypjen që bënë ato fjalë të mallkuara në fytyrën e dëgjonjësve (dhe vura re me kënaqësi se ato fjalë i çuditnë si një rrufe në një qiell të kaltër), veshët më zunë në të djathtë fjalët e Fadil Paçramit, i cili rrinte në fronin në të djathtën time, që tha: “Ja çasti”.

Në atë sekondë kur sytë më panë atë nënshtypje, e veshët më dëgjuan këto dy fjalë dhe me vete mendoja si do të filloja përgjigjien që do t’i jepja Shefqet Musarajt, e Koço Vasili përveshi llërët dhe m’u drejtua me fjalët: “Në ç’brimë miu ishte futur ti kur ne luftonim!…Në ato çaste një personalitet u ngrit në këmbë dhe doli jashtë sallës, dhe pas tij edhe të tjerë…! Milto Sotir Gura më zuri për krahu dhe më tha të shkonim. Kështu mori fund mbledhja. Mori fund mbledhja por fjalët e Shefqet Musarajt dhe atë (Koço Vasilin) që nuk ia dija emrin, më mbetën në mëndje. Prandaj vajta të pyesja për të në Klubin e Shkrimtarëve. Pas meje hynë në klub një grup personash që patën marrë pjesë në mbledhje, ndër të cilët dhe dy kundërshtarët e mij. “Hajde, hajde, ç’profesor prisnim dhe ç’profesor na erdhi”, tha Shefqet Musaraj duke shikuar lart me pikëllim.

Të nesërmen e diskutimit më lajmëruan se për qëndrim “të papajtueshëm…me…”, përjashtohesha nga Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve”, thuhet në kujtimet e pabotuara të Luarasit, gjë e cila ndodhi pasi ai mbrojti “Gjeneralin” e Kadaresë dhe debateve që pati me Sekretarin e Lidhjes, Shefqet Musarajn.

Please follow and like us: