Albspirit

Media/News/Publishing

Si na i mori 11 shokët e pedagogët në krah orteku i dëborës, më 6 shkurt 1981

Subi Hida
 
Ditari i një studenti nga Plesati i Gjirokastrës për “Dëshmorët e Fekenit”.
 
Tragjedia ndodhi 38-vjet më parë më 6 Shkurt 1981
Heroizmi masiv i atyre njerëzve, lavdia e përjetshme e njëmbëdhjetë Dëshmorëve të Fekenit është skalitur mbi një pllakë mermeri e vendosur mbi atë copë shkëmb në malin e Meçekut.
Do të kalojnë vite e dekada, por ajo ngjarje e rëndë, dëshmitar i së cilës unë kam qenë, nuk ka për t’u harruar kurrë…më 6 shkurt 1981, humbën jetën në krye të detyrës njëmbëdhjetë shokët tanë, tre oficerë dhe tetë studentë të Shkollës së Bashkuar: komandanti i batalionit të parë të këmbësorisë Dushan Shameti nga fashati Dorëz i Tepelenës, Çlirim Pulaj-shef i planëzimit, nga Tragjasi i Vlorës, Nikollaq Bero- pedagog taktike nga Berati; Besnik Shehu- student gjitharmësh nga Picari i Gjirokastrës, Ilir Gramatikoi, student, dega prapavijë nga Tirana, Bujar Ago-student dega prapavijë nga Tirana, Aleko Gjoni-student dega prapavijë nga fshati Nivicë Sarandë, Pëllumb Rrapo-student, dega prapavijë nga Berati, Qemal Lika-student gjitharmësh nga Tirana, Bilbil Pashaj-student gjitharmësh nga fshati Kremenar, Mallakastër, Nexhip Çoba-student viti i dytë nga Kavaja; mbeten të gjymtuar rëndë; Përparim Veliu, student, dega prapavijë nga Saranda dhe Luan Muça student gjitharmësh, nga Peshkopia; si dhe 70 vetë u plagosën.
… Në atë periudhë, kur ndodhi kjo ngjarje, ishte dimër shumë i ashpër, me shi dhe dëborë, me temperatura shumë të ulëta, të cilat pengonin e vështirësonin shumë realizimin e detyrave të stërvitjes, por falë eksperiencës së krijuar në vite nga komanda e shkollës, shtabi i saj, trupa stërvitore, si dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë nga efektivi i studentëve, disiplina e hekurt që i karakterizonte, do të bënin të mundur arritjen e rezultateve të larta në përvetësimin e programit të përgatitjes luftarake e për rrjedhojë do ta vendosnin emrin e Shkollës së Bashkuar në krye të njësive të dalluara, në rang ushtrie. Fushimi dimëror i Fekenit, ishte i vendosur në fund të malit të Meçekut, një vend i mbrojtur, që siguronte kushte normale për jetesë e stërvitje, i rrethuar nga kodra dhe male të larta, që zbardhonin nga dëbora e madhe që kishte rënë ato ditë. Era e ftohtë dhe temperaturat shumë të ulëta dëborën e kishin kthyer në akull dhe lëvizja bëhej me shumë kujdes. Në Feken, për të parë nga afër e për të kontrolluar zhvillimin e stërvitjes, kishte ardhur një ekip inspektimi nga Ministria e Mbrojtjes. Sigurisht, nga të gjithë studentët kishte një angazhim shumë të madh për të përballuar vështirësitë e motit, por edhe për tu prezantuar sa më mirë me ekipin e inspektimit, për këtë në mbrëmje u njohëm me programin e stërvitjes që do të zhvillonim të nesërmen. Por një shi i ftohtë me flokë dëbore trazuar, ra gjithë natën dhe mbi dëborën që kishte rënë më përpara ra një shtresë e re dëbore, e cila flinte dhe ishte gati për të rrëshqitur, kjo e vështirësoi shumë lëvizjen tonë për ngjitjen në malin hije rëndë të Meçekut.
Shpërndarja për stërvitje
Në mëngjesin e 6 shkurtit në orën 800, nga fushimi nën drejtimin e pedagogëve u bë shpërndarja për stërvitje. Atë ditë do të zhvillohej stërvitje me temë “ngjitje malore me teknika të alpinizmit në kushte të vështira të terrenit e të motit“. Kaluam topat dhe u ngjitëm mbi rrugën automobilistike. Mbaj mend që ishin gjashtë toga me rreth 200 studentë që kishin krijuar një kolonë rreth 500 metra të gjatë. Si gjithmonë në stërvitje të tilla, kolonën do ta udhëhiqte Mark Mici nga Tropoja, pedagog me një përvojë të gjatë pune, shumë i aftë nga ana profesionale, me një përgatitje të lartë fizike. Për mësimin që do të zhvillohej ishte i domosdoshëm zhvillimi i instruktazhit, teknikat e lëvizjes dhe masat që do të merreshin për plotësimin me sukses të detyrës. Për këtë pedagogu filloi të demonstronte vetë teknikat e lëvizjes në kushtet e krijuara, duke i shoqëruar ato edhe me mjetet e alpinizmit, si përdorimin i kazmës, mbajtja e litarit kolektiv… Këtu u krijua dhe grupi i sigurimit të lëvizjes prej tre studentësh të lidhur me litarët personalë, të cilët do të udhëhiqnin kolonën dhe do të siguronin kalimin e pengesave të vështira, duke çarë dëborën, trashësi e të cilës ishte mbi 50 centimetra. Kolona filloi të ecte ngadalë mbi dëborën e bardhë që të merrte sytë nga dielli që kishte dalë mbi majën e malit të Meçekut. Masa e dëborës dhe pjerrësia e shpatit të malit që shkonte deri në 70 gradë, e vështirësonin shumë ngjitjen. Por nuk do të mungonin fjalët plot dashuri të pedagogëve dhe porositë e tyre “Kujdes”, ”Ndihmoni njeri tjetrin!”. Me gjithë vështirësitë, të gjithë ishin të vendosur për të realizuar detyrën, duke vënë në rrezik edhe jetën. Në krye të kolonës ishin togat me studentë të këmbësorisë dhe më mbrapa vazhdonin ato të prapavijës, të ndërlidhjes dhe artilerisë kundër ajrore. Në mesin e rrugës u futëm në pyllin me dru ahu, vazhduam lëvizjen duke kaluar djathtas dhe kreu i kolonës doli tek tre pemët e vetmuara, të cilat shërbenin si pikë orientimi për kalimin e studentëve, nga ku dukej dhe pika trigonometrike në majën e malit të Meçekut me lartësi 1827 metra. Kudo kishte rënë qetësia… Dëgjohej ndonjë e kollitur dhe era e ftohtë që të thante veshët fishkëllente pa pushim. Kreu i kolonës ishte rreth 300 metra larg nga maja e malit. Gjysma e kolonës sa kishte dalë nga pylli dhe deri në këtë kohë çdo gjë kishe kaluar mire. Por kjo pjesë e thepisur dhe e zhveshur ku do të kalonim e vështirësonte shumë lëvizjen. Prandaj pedagog Marku dhe grupi i sigurimit të kolonës, vazhduan lëvizjen nga e majta rreth 100 metra, duke prerë me gjurmët tona dëborën që ishte mbi akullin…
Rënia e ortekut
Gjithë shtresa e dëborës që nga maja u shkëput në mënyrë të rrufeshme, si një dallgë e fuqishme dhe në pak sekonda goditi gjithë kolonën nga fillimi në fund. U shkul gjithë faqja e malit me dëborë në gjithë gjerësinë e saj dhe mori me vete ç’gjeti përpara. Orteku, duke ecur poshtë, nga grumbullimi i dëborës, u bë më i fuqishëm dhe shumë i rrezikshëm. Theu trungjet e pemëve, mori me vete studentë e pedagogë, të cilët u përleshën me dëborën për të shpëtuar jetën e tyre dhe jetën e shokëve. Momentet e para ishin shumë të vështira për të gjithë. Dëgjohej uturima e dëborës që zbriti deri në fund të shpatit, kërcitjet e degëve të pemëve që thyheshin, të thirrurat e studenteve që kërkonin shokët. Grupi i sigurimit të kolonës fluturoi bashkë me dëborën dhe për fatin e mirë, ndali në trungun e një peme ahu, ku shumë shpejt u liruan nga litari kolektiv me çelësat e sigurisë. Adem Hali nga Bicajt i Kukësit, Namik Dardha nga Rroskoveci i Fierit dhe i treti i kolonës, u goditën të parët nga orteku duke marrë dëmtime të lehta …Pak me tutje, pedagog Marku u ngrit i pari në këmbë dhe me pistoletën e tij qëlloi tre herë në ajër duke dhënë sinjalin e rrezikut. Kërkoi automatikun që mbante student Eqeremi, por dëbora ia kishte rrëmbyer nga krahu. Krismat u dëgjuan nga rojet e topave, të cilët dhanë sinjalin e kushtrimit për gjithë shkollën. Në zemër të malit të Meçekut vazhdonte beteja. Luftë e vërtetë nga humbjet dhe nga dëmtimet që kishin marrë studentët. Së bashku me pedagogun që vazhdimisht thërriste “Ndihmoni shokët!”, ”Kërkoni shokët!”, zbritëm poshtë në drejtim të kolonës së goditur. Dëbora ishte skuqur nga gjaku i djemve njëzetvjeçarë. Ç’të shikoje?!… Shokë të vdekur, studentë të plagosur, me krahë e këmbë të thyera, studentë që bërtisnin e që qanin nga plagët por dhe nga dhimbja për shokët që kishin humbur jetën pranë tyre si, Besnik Shehu, Aleko Gjoni, Birbil Pashaj, Bujar Ago, Ilir Gramatiko, Pëllumb Rrapo e Qemal Lika, të cilit plaga që kishte marrë në kokë i mori jetën, me gjithë ndihmën që iu dha për t’i ndaluar atë hemoragji të madhe. Aty në mes të dëborës vraponte njeriu i fuqishëm, pedagogu Bashkim Lika, që kishte mundur të shpëtonte. Kishte ndaluar pranë studentëve të prapavijës, të cilët ishin goditur më rëndë, ndihmonte dhe orientonte, jepte kurajë për përballimin e kësaj fatkeqësie. Në atë terren, të veshur nga akulli e të mbuluar nga dëbora, vazhdonte kërkimi i shokëve. Por njëkohësisht filloi të transportoheshin të plagosurit rëndë, me krahë, por edhe me pelerinat të cilat u përshtatën si barela duke i rrëshqitur mbi dëborë. Të gjithë të plagosurit rëndë u grumbulluan në “Qafën e Patates”, në pritje të helikopterit që ishte nisur nga Farka e Tiranës.
Në ndihmë të dëmtuarve nga orteku
…Komandanti shkollës, Rustem Peçi pasi u informua për ngjarjen, vlerësoi situatën e rëndë dhe në mënyrë të rrufeshme bëri organizimin e trupave për të ndihmuar të dëmtuarit nga goditja e ortekut. Oficerë, pedagogë dhe studentë ndërprenë stërvitjen dhe nga të gjitha drejtimet, nga fushimi, nga “Qafa e shefave”, nga “Shkëmbi i Selitës” dhe “Qafa e vdekjes’, iu afruan malit të Meçekut për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga orteku. Në drejtimi të këtij operacioni shpëtimi u vu një ushtarak i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Bashkim Topçiu, i cili ndodhej për inspektimin e zhvillimit të stërvitjes, një pjesë e kuadrove të shkollës. Trupa e shërbimit që ndodhej në fushim, nën drejtimin e oficerit të rojës Vasi Nathanaili, ishte e para që u nis për të ndihmuar të dëmtuarit. Në këtë situatë nuk pyeti askush për jetën, në këto momente shumë të vështira u shfaqën vlerat më të larta njerëzore të solidaritetit e të dashurisë vëllazërore, të guximit e të trimërisë. Në vendin e betejës ku studentët ishin përleshur me ortekun e parë, ishin grumbulluar shumë studentë, kuadro e pedagogë dhe me intensitet të lartë, luftohej për të shpëtuar jetë njerëzish, jetën e shokëve që flinin nën dëborën e ftohtë. Në vendngjarje mbritën shumë të shqetësuar kuadrot komandues e pedagogë si, Dushan Shameti, Çlirim Pulaj, Nikollaq Bero, Abaz Cipi, Myzafer Kambo, Misto Anastasi, Luftëtar Guri, Behar Sabriu, Sali Zhakupi, të cilët treguan heroizma për të shpëtuar shokët nga kjo fatkeqësi. Pas dy orë kërkimesh në dëborë u bë krehja e të gjithë zonës së ortekut të parë, por në mënyrë të befasishme goditi orteku i dytë, i cili u shkëput nga faqja tjetër e malit të Meçekut. Ai ishte më i fuqishëm se i pari. Kjo ishte një hata e vërtetë. Masivi i dëborës përsëri mori me vete çdo gjë që gjeti përpara. Por këtë herë studentë dhe oficerë që kishin ardhur për ndihmë, iu shmangën goditjes kryesore. Reagimi i tyre qe më i shpejtë. Falë masave paraprake që u morën për vrojtimin dhe dhënien e sinjalit. Por edhe masat mbrojtëse dhanë shumë rezultat. Me lot në sy, me dashurinë për jetën, me dashurinë për të shpëtuar shokët në këtë fushë betejë, do të humbisnin jetën oficerët, Dushan Shameti, Çlirim Pulaj, Nikollaq Bero dhe studenti Nexhip Çoba. Atë pasdite, në atë betejë, shumë shpejt do të merreshin vesh ngjarjet për humbje jete, por edhe heroizmat e studentëve, oficerëve dhe veçanërisht humanizmi i shefit të katedrës së përgatitjes fizike, i pamposhturi Petrit Muzaku, që luftoi për disa minuta me vdekjen për të shpëtuar jetën e studentëve. Humbja e jetës së komandantit të batalionit Dushan Shameti, për të gjithë ne studentët e tij, që na donte dhe e donim aq shumë, ishte një goditje më e fortë se e ortekut të dëborës.
Çdo gjë bëhej nga dashuria njerëzore
Nga mali ne e morëm në krah trupin e pajetë të komandantit tonë të dashur dhe e zbritëm në fushim. U grumbulluam rreth tij si dikur, për të dëgjuar porositë dhe amanetin e tij të fundit. Atë ditë nuk kishte urdhra. Çdo gjë bëhej nga dashuria njerëzore. Të plagosurit rëndë u transportuan në “Qafën e patates”, ku era e fortë e vështirësoi uljen e helikopterit. Por falë aftësive të guximtarëve të fluturimit, u bë e mundur ulja e tij. Nga helikopteri zbritën Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Veli LLaka dhe tre mjekë ortopedë që erdhën nga Spitali Ushtarak, të cilët filluan menjëherë nga mjekimet. Brenda në një dhomë ishin të shtrirë gjashtë të aksidentuarit rëndë, që luftonin me jetën. Aty u jepnin ndihmë disa studentë dhe pedagogu Met Lushi. Shumë shpejt helikopteri mori studentët në gjendje të rëndë dhe u ngrit në fluturim duke iu drejtuar Spitalit Ushtarak. Ne u kthyem në fushim me shumë dhimbje nga humbja e shokëve. Shumë të aksidentuar po përgatiteshin për t’u nisur drejt spitalit ushtarak. Kur vendin e mbuloi errësira u ndërprenë kërkimet, por nga verifikimet, u konstatua se mungonin pedagogu Çlirim Pulaj dhe dy studentë, të cilët e kaluan natën nën dëborën e ftohtë. Ne shpresuam shumë se ndoshta do të ishin të gjallë, por jo. Ata u gjendën të nesërmen me ndihmën e forcave speciale që erdhën nga Tirana. Një natë shumë e dhimbshme për të gjithë, kërkohej kurajë, kërkohej që dhimbja të kthehej në forcë. Prandaj nga MM dhe komanda e shkollës u morën masa të plota për përcjelljen e të rënëve pranë familjeve të tyre, për organizimin e ceremonive mortore, për t’iu dhënë lamtumirën e fundit shokëve tanë. Me shqetësimin dhe dhimbjen për këtë ngjarje, në përcjelljen e të rënëve në spitalin ushtarak, do të ishte i pranishëm Ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu dhe në vizita tek të plagosurit ish- kryeministri i vendit Mehmet Shehu. Në përcjelljen e shokëve kishte pjesëmarrje të madhe. Momente shumë të dhimbshme. Me shokët e mi të klasës, Dashamir Gjoliku, Fuat Spahiu e disa të tjerë shkuam në fshatin Kremenar të Mallakastrës, së bashku me pedagogun e zjarrit Fatbardh Murati, i cili ishte nga kjo zonë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit shokut tonë të paharruar, Birbil Pashaj. Nuk më hiqen nga kujtesa vajtimi i nënës së Birbilit, me ato fjalë shumë të dhimbshme, me vargje shumë të goditura. Ajo kishte vetëm një merak, donte të mësonte të vërtetën se si kishte humbur jetën djali i saj. Gjeti momentin na pyeti dhe ne me lot në sy, me zërin që na dridhej, ia treguam ngjarjen që na kishte ndodhur. Nënat humbën djemtë dhe i qanë me lot e me ligje, motrat humbën vëllezërit, fëmijët e vegjël mbetën jetimë, shokët humbën shokët më të mire… Shumë të tjerë u plagosën, por të gjithë ne që mbijetuam, u plagosëm rëndë në shpirt, që gjithë jetën kjo plagë nuk na u shërua, nga mungesa e tyre e përjetshme…
Lavdia e përjetshme e njëmbëdhjetë Dëshmorëve të Fekenit
Heroizmi masiv i atyre njerëzve, lavdia e përjetshme e njëmbëdhjetë Dëshmorëve të Fekenit është skalitur mbi një pllakë mermeri e vendosur mbi atë copë shkëmb nga mali i Meçekut….6 shkurti është rrënjosur thellë në ndërgjegjen tonë. Ajo është dita e kujtesës për të rënët, për shokët tanë, për “Dëshmorët e Atdheut” që humbën jetën ne lulen e rinisë, në tragjedinë e Fekenit, ku njëmbëdhjetë vetë u shpallën Dëshmorë të Atdheut dhe shumë të tjerë u dekoruan për akte humanizmi e trimërie. Lidhja ime me këtë ngjarje është shumë e fuqishme, jo vetëm si pjesëmarrës, ku kam qenë i treti në kolonë, por kam humbur komandantin e batalionit Dushan Shameti, pedagogun kujdestar të taktikës Nikollaq Bero, dy shokët e mi të klasës, Birbil Pashaj dhe Qemal Lika. Dëshmorët e Fekenit, me trimëritë dhe humanizmin e treguar u bënë burim frymëzimi, jo vetëm për studentët e asaj shkolle, por për të gjithë ushtarakët…
Viktimat e tragjedisë
1. Komandant, Dushan Shametaj
2. Shef i Planizimit, Çlirim Pulaj
3. Pedagog, Nikollaq Bero
4. Student, Besnik Shehu
5. Student, Bilbil Pashaj
6. Student, Aleko Gjoni
7. Student, Qemal Lika
8. Student, Pëllumb Rrapo
9. Student, Ilir Gramatiko
10. Student, Nexhip Copa
11. Student, Bujar Ago.
Please follow and like us: