Prijetari i konceptit evropian për shqiptarët
Qasje studimore
Mehmetali Rexhepi
Shefik Shkodra: “Adhuruesit e kulturës europiane”
Shtëpia botuese “Sogjetime”, Gjilan, 2018
Që në hyrje të paraqitjes së përmbledhur të librit studimor “Adhuruesit e kulturës europiane”, studiuesi Shefik Shkodra ngre konstatime që shpijnë në morinë e krahasimeve; krahasime në kuptimin e drejtpërdrejtë e të tërthortë të dy krye-personazheve adhurues dhe bartës të kulturës evropiane: Gijom Apoliner (Vihelm Apolinaris de Kostrovicki-Guillaume Apollinaire) dhe Faik beg Konica. Të veçantat dhe të përbashkëtat e krahasimeve dhe konstatimeve u përkisnin ngjizjeve të reja kulturore, etike, etnike, letrare-artistike, shkencore, publicistike, shpirtërore, diplomatike dhe evoluimit të politikës e të ri-konfigurimeve të sistemeve politike-shtetërore në Evropën e këtyre bashkëkohësve të shquar.
Konstatimi, siç do ta shohim në këtë studim madhor të munguar, i përfaqësimit të modelit shqiptar në majën, pothuajse, të paarritshme të kulturës evropiane, pos si brengosje e atyre pak mendje-ndriturve shqiptarë, por jo pa shpresë, për ta mëkëmbur temën e rrënuar shqiptare në Evropë, është i këtillë si e përkufizoi autori: “Te popujt tjerë europianë ishte shkas për një tejkalim të sistemeve e regjimeve të deriatëhershme, te shqiptarët ishte koha e një shkalle zero. Mirëpo, edhe pse shumë të vonë, nuk ndenjën duarkryq e të paangazhuar”[1]
Rrethanat i kushtëzuan veprimtarët shqiptarë të ngrenë qerthuj kulturorë jashtë trojeve të tyre të pushtuara, si në Napoli Jeronim De Rada; në kryeqendrën e Perandorisë Turke, në Stamboll Naim e Sami Frashëri; në Rumani, në Bukuresht ku u botuan veprat e Naimit; në Belgjikë ku doli “Albania” revistë kulturore-artistike, sociale e shkencore në dy gjuhë; “Albania e Vogël”, gazetë politike e Ismail Qemalit; në Bullgari “Kalendari Kombiar”, pastaj gazeta “Drita” me veprimtari botuese; në Egjipt “Besa”, “Shkopi”, “Bashkimi i Shqiptarëve”, më vonë në Amerikë “Kombi”, mandej “Dielli”; në Beograd “Albanija”; në Stamboll “Shqiptari”, “Besa”; në Gjenevë “L`Albanie…”
Brenda 321 faqesh libri, 21 centimetrash, studiuesi Shkodra spikati gjithanshëm e me një përkushtim të admiruar këndvështrime jetësore, intelektuale, artistike, shkëmbime pikëpamjesh, letërkëmbime, përkime karakteresh dhe dallimet mes Gijom Apoliner-it, një i huaj i natyralizuar si francez dhe shqiptarit sedër-madh Faik Konica. Përkitazi këtyre figurave, gjithsesi plekset dhe atmosfera kulturore politike në Evropë, përkatësisht në Francë e më gjerë, ku shtrihej hapësira e fushëveprimit të njërit ose personalitetit tjetër.
Padyshim Faik Konica përfaqëson veprimtarin e mendjes e të letrave, urtarin dhe qortuesin paravajtës, vetëdijen kritike të shqiptarëve. Pikërisht vetëdija dhe kultura, siguria e tij kritike e një poligloti, i solli pikë-përkimet, pikë-gjetjet, pikë-shkëmbimet e ndërsjella me personalitete të kulturës, të publicistikës, të artit e të diplomacisë evropiane dhe amerikane; veçmas në truallin e Francës lidhjet e tija miqësore me poetin, publicistin e personalitetin kundërthënës, por me ndikim Gijom Apoliner.
Autori i veprës monografike “Albania e Konicës-Pergamenë shqiptare”, botuar në Prishtinë, më 1995, Shefik Shkodra, siç vërejmë edhe në këtë studim të zgjeruar, mbetet përjetësisht i lidhur me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, duke spikatur posaçërisht figurën e Faik Konicës. Qasja e këtij studiuesi figurës, opusit dhe periudhës së shqyrtuar është e drejtë për drejtë. Çfarë do të thotë ky pohim? Përtrollitja e këtij pohimi përkon me mënyrën e qasjes së burimeve drejtpërsëdrejti në frëngjisht nga ana e autorit; që do të thotë, pa ndërmjetësimin e palës së tretë. Gjithsesi kjo rrethanë shqyrtuese ia shton peshën e vlerës kësaj natyre të këtij diskursi.
Autori Shkodra mblodhi fije të holla e të trasha për diskursin e romanit jetëshkrimor me dy krye-personazhet: Apoliner dhe Konica: shkollimin, prejardhjen, formimin, botë-vështrimin, mësymjet, prirjet, talentin, interesimet, kontributet, pasionet, kundërthëniet, dobësitë e cilësitë e karaktereve, deri te intimitetet e aventurat me femra, dukshëm të theksuara tek Apolineri… Studiuesi, të shumtat fije, për të mos thënë shteruese, i mbështolli për strumbullarin e lidhjeve me mjedisin ndërveprues të qytetërimit e të kulturës evropiane, ku u formuan mes rrymash, shkollash, stilesh e shijesh artistike… Shpesh herë me tumirje të ndërsjella pikë-takimesh në rrethet e artistëve a në shtylla të revistave të Parisit dhe më gjerë. Mirëpo, pastaj Faik Konica shtegtoi më tej Parisit, në Londër, në Bruksel dhe tutje tej Oqeani Atlantik, në Amerikë, në Nju Jork.
Strumbullar për vjelje të dhënash dhe një lloj rrumbullakimi studimor, pa pretenduar se janë kapur të gjitha enigmat, për dallim nga Gijom Apoliner-i, është Faik Konica. Shefik Shkodra figurën e Faik Konicës e pa përmes Xhevat Gegës në libra leximi të viteve 1954, 1959, 1960. Mandej në vitet e shtatëdhjeta shtytje i kishin dhënë: Prof. Dr. Rexhep Qosja, Prof. Dr. Abdulla Karjagdiu, Prof. Dr. Muhamet Pirraku, Prof. Dr. Ymer Jaka, Prof. Dr. Murat Blaku, Prof. Ramiz Kelmendi, duke vijuar me studiuesit e zellshëm të Konicës: Profesor Jup Kastrati, Profesor Nasho Jorgaçi, Prof. Dr. Luan Starova, Fotaq Adrea, Dr. Sabri Hamiti… Por Shkodra e sheh edhe me sytë e mendjes e të intuitës së vet studiuese, të bashkëkohësve të tij, të huaj e shqiptarë, nga disa kënd-shikime që do të përplotësonin katrorin e një tërësie madhore të Rilindjes Shqiptare.
Sipas studimit të ngjeshur të profesor Shefik Shkodrës, “Adhuruesit e kulturës evropiane”, na shtrohen mjaft të dhëna e dëshmi, të cilat ky studiues i voli gjatë dy-tre dhjetëvjeçarësh, për bëmat intelektuale, etike, njerëzore, ndërkulturore e atdhetare të Faik Konicës në kryeqendrat e Evropës Perëndimore dhe në SHBA. Pos formimit dhe edukimit evropian, Konica arriti të zërë majat e linguistikës evropiane, duke shkëlqyer si stilist dhe publicist, si ithtar mbrojtës i gjuhëve burimore të popujve të vegjël, duke kundërshtuar me argumente imperializmin e gjuhëve artificiale. Ndesh logjikës për fuqizimin e gjuhëve artificiale në Evropë, Ai shkroi veprën që pati jehonë: “Ese për gjuhët artificiale” me pseudonimin Pyrrhus Bardyli.
Në të gjitha qytet ku qëndroi e veproi, në të gjitha shtetet ku hyri dhe doli, gjuhëve e kulturave të tyre, me autoritet e dijës, të artit, të publicistikës e të diplomacisë, Konica mori dhe la modelin e vet. Çfarë ishte modeli i tij? Një përfaqësim i denjë për etninë, për vlerat e panjohura ose krejtësisht të paragjykuara… Ai hynte atje ku nuk shihej dukja e vërtetë e Shqipërisë tij, ose përfytyrohej e konceptohej si diçka e egër, duke qenë e gjymtuar, një etni “fisnore”, jashtë qytetërimit dhe me traditën e tragjiken e saj të papërfillur, të veshur me një pamje të çuditshme me vello anadollake. Tragjikja e etnisë së Konicës nuk kishte depërtuar ende në ndjenjat dhe përfytyrimet reale të botës Euro-Atlantike. E vërteta e tragjedisë shqiptare asaj bote i pasqyrohej nëpërmjet dioptrisë së fqinjëve grabitqarë: serbëve, grekëve, malaziasve, bullgarëve e rusëve.
* * *
Përmasa e shumanshme intelektuale e Faik Konicës, arriti të vinte lidhje në qarqe të ndryshme elitare në Francë, Angli, Belgjikë, Austro-Hungari, Itali dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndikimi i paraqitjeve, shkrimeve, kontakteve, shkëmbimet e të dhënave për shqiptarët dhe gjendjen e popujve në Ballkan, ose në Ilirinë historike, nëpërmjet Konicës, kahes dhe përhapjes së një realiteti periferik, zgjuan interesimin e opinionit, në radhë të parë të inteligjencies evropiane: të historianëve, linguistëve, publicistëve, medieve, përderisa diplomatët mbanin në heshtje taktet e tyre diplomatike.
Kjo veprimtari e gjithanshme e Konicës, për çështjen e atdheut të robëruar e të prapa-ngelur me të tjerët, dilte plotësisht natyrshëm nga shtytja e shpirtit tij atdhetar, nga dhimbja për atë katandisje aq të pështirë të shqiptarëve në çdo fushë e në çdo mal, që e kishte sjellë pushtuesi shekullor dhe, që do ta katandisnin mos më keq fqinjët pas kalbëzimit të Perandorisë Turke…
Veprimet dhe ecejaket e shumta të Konicës, të cilat ka mundur t`i vërej profesor Shkodra në kërkimet e tija, që i ka renditur në këtë libër, si dhe të tjera ende të pashkruara, që ruhen dhe presin të dalin nga arkivi i kujtesës tij, venë në pah nisma, mësymje ose ndërmarrje, për shumëçka, vetjake të Faikut në funksion të Shqipërisë. Çka reflekton kjo logjikë? Pa hamendje kjo logjikë do ta reflektojë individin si institucion. Vullneti individual do t`ia kalojë institucionit?! Kështu ndodhi ngase munguan mekanizmat institucionalë.
Më 1926, Zogu e emëron Faikun ambasador fuqiplotë të Shqipërisë Mbretërore për përfaqësimin e Legatës Shqiptare në Lidhjen e Kombeve. Ndoshta pikërisht këtu, pas “kompromiseve”të Faikut me Mbretin Zog, doli shkasi i ironisë thumbuese të Nolit: “Dhe Feridi faqe ndërron/ die shante sot lëvdon.”
Në këtë pikëvështrim, mbase nuk do të duhej t`i iknim pyetjes ngacmuese: me gjithë “kompromiset” e Konicës me Mbretin Zog, kush do të ishte ai, dhe, cili do ta përfaqësonte më me dinjitet e më me elegancë zërin e shqiptarëve në atë hierarki diplomatike të Lidhjes së Kombeve?
Gjithsesi kryevepra kapitale, e vetëdijesimit të brendshëm e të jashtëm, për interesat madhore të shqiptarëve në Evropë është revista gjithëshqiptare “Albania”, që e themeloi, e udhëhoqi, e redaktoi, e dizajnoi, e ushqeu me shkrime, që mbeten model i publicistikës e gazetarisë shqiptare dhe ruajnë ende aktualitetin reflektues edhe për të sotmen.
Kjo revistë me gjithë pengesat nga më të ndryshmet, “Rivitalizoi kulturën dhe traditën origjinale, duke shpalosur folklorin e pasur e duke ua paraqitur euro-perëndimorëve nëpërmes kësaj reviste bilinguistike. Nuk dalloi prej periodikëve të tjerë evropianë. Pra ishte standard. Dhe Albania mbeti shenja më e vendosur dhe më e saktë e gjithë inteligjencës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për fundin e shek. XIX dhe fillimin e atij XX.”[2]
Përderisa pjesa e parë e studimit “Adhuruesit e kulturës uropiane”, në katër kapituj, prej faqes 17 deri në faqen 79, trajton jetën, shkollimin, aspekte të rinisë, vdekjen e hershme, frymëzimet poetike të Apoliner-it rreth lumit Ren në Gjermani; aventurat e dashurisë, dashurinë e pafat dhe përmbushjen e dashurisë me poezi; prirjen për surrealizmin e përkrahjen për kubizmin; për rrethin e artistëve figurativë me Pikason; për Erosin si perëndia e frymëzimit të Apoliner-it; për letrat veneriane; për perceptimet afrodizografike me poetikën apolineriane; për kërkesat e Apoliner-it për dashurinë e përjetshme si gjurmime për krijimtarinë poetike; për periudhën dinamike të adoleshencës; për fillet e bashkëpunimit të dy personazheve të kulturës evropiane: Konica-Apoliner; për trekëndëshin: Ani Plejda-Faik Konica-Gijom Apoliner; për themelimin e revistës mujore “Gostia e Ezopit” dhe, i tërë kapitulli i katërt: Ngjashmëritë dhe veçoritë në mes Apoliner-it dhe Konicës me tetë nën-njësi; pjesa e dytë nga faqja 135 deri në faqen 243, brenda kapitujve VI, VII dhe VIII, profesor Shefik Shkodra kryesisht u përqendrua të shtjellojë anames të revistës Albania.
Një gamë e tërë çështjesh me interes parësor shtrohen te Albania: për ngritjen dhe vetëdijesimin kombëtar, për domosdonë e bashkimit e të çlirimit, për alfabetin dhe njësimin e gjuhës shqipe, si njëri nga standardet themelore të komunikimit dhe njësimit etnik… Për shkrirjen e dialekteve në një; Faik Konica shkruante në dy dialektet e shqipes: toskërisht dhe gegërisht; për shkëputjen nga veset, nga identifikimi i kombit me fenë; për arsimimin laik; për pajtimin fetar; kundër anakronizmave fisnorë të gjakmarrjes; për evropianizimin e shoqërisë shqiptare dhe për ushqimin e trurit me”këndimin” e librave të dijes e të artit…
Me të gjitha këto përpjekje dhe anë tjera të realitetit të zymtë shqiptar, revista “Albania”, e drejtuar me shije e nuhatje të gjerë, të mprehtë e me shikime paravajtëse nga Faik Konica dhe bashkëveprimtarët e tij, u shndërrua në një tribunë e përfaqësimit të qëllimeve dhe idealeve shqiptare në zemër të Evropës. Me shkrime në shqip, frëngjisht e turqisht, mbi dhjetë vjet të daljes e të qarkullimit të saj, “Albania” joshi dhe mobilizoi veprimtarët dhe të gjithë liridashësit në tokat dhe jashtë trojeve të pushtuara të shqiptarëve.
Historisë, publicistikës, kulturës së shkrimit, diplomacisë, mendësisë kritike, gojëtarisë, politikës dhe stilistikës, posaçërisht dijes albanologjike, kjo revistë i la një trashëgimi tejet të çmuar, madje për reflektime bashkëkohore…
* * *
Ideja qendrore e këtij libri ka mësyrë t`i përfshijë dy krye-përmasa: përmasën e depërtimit e të pranimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Evropë dhe, tjetra: kthimin e vëmendjes së Evropës kah çështja shqiptare, tek identifikimi i kësaj çështjeje me figurën emblematike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, për rigjallërimin e vlerave të ngërthyera të kësaj përkatësie asaj evropiane.
Pikë-përkimet e kësaj përkatësie shqiptare trungut gjeo-kulturor e shpirtëror euro-perëndimor, janë të hershme, që nga ngjizja e vetëdijes shpirtërore monoteiste deri te periudhat moderne. Shkëputja ka ndodhur dhe kjo është e njohur botërisht, pas pushtimit osman të trojeve arbërore për pesë shekuj. Andaj, nuk i shmangemi dot shartimit me mendësi të përzier romake, bizantine, turke, arabe, pastaj sllave. Këto shartime i solli historia, por gjenet, rrënjët, trungu, hullitë e ndërdymes të mbjella njëherë mbetën po ato, të një burimi të nëndheshëm për të vijuar rrjedhën e pa ndalur…
Interesimet e kahershme të Shkodrës për ndikimet e kulturës së Evropës te shqiptarët përmes rrymash letrare, lëvizjesh e reformash qytetare, kulturore, duke pasur bartësit e përçuesit e tyre nga burimi, si Marin Barleti për periudhën e Humanizmit e të Renesancës, Jeronim De Rada për frymën romantike, kërkimet e tija janë vazhdimësi e një përtrollitje të frymës e tipologjisë së tillë, të kurorëzuar në librin “Adhuruesit e kulturës europiane”.
Një interesim kësisoj të ky autor, kishte qasje afatgjatë, që nga djalëria, për ta përmbushur etjen e kureshtjes tij për figurën e Faik Konicës. Prore e kishin tërhequr copëzat poetike të Konicës, që i kishte hasur në libra të leximit letrar. As më pak, as më shumë. Vetëm aq… Kush ishte Faik Konica? Pse ishte anatemuar krijimtaria e trashëgimia e tij?! Jo vetëm kaq…
Kureshtari Shefik Shkodra hap pas hapi, i joshur nga tri rrethana: kureshtja, vullneti dhe intuita shpërthyese e tij, kishte vendosur ta përmbushte kureshtjen e kamotshme. Për çfarë? Për t`iu afruar nga çdo anë personalitetit intelektual, prirjeve artistike, karakterit etik, sedrës satirike, kundërthënieve politike, gojëtarisë e stilistikës së shkëlqyer, aventurave dashurore, kontributit publicistik-historik, mallit e shkathtësisë për komunikim, ndjeshmërisë atdhetare dhe mbi të gjitha profilit atdhetar të Faik Konicës.
Të vetmin qëllim libri “Adhuruesit e kulturës europiane” nuk i ka bëmat personale të Konicës, por pa u shkëputur nga ato, në këtë libër shihen prekjet e përafrimet e kulturave, që kalojnë përmes një ure të gjallë që quhet Faik Konica. Kjo urë simbolike gjallëroi lidhjet e miqësisë e të shkëmbimeve të ndërsjella. Shkëmbimet, pos njohjeve personale, i hapnin shtigje të tjera, interesimit të huaj për doket, traditën, folklorin, gjuhën, historinë, veshjen, në përgjithësi për kulturën etike dhe etnike të “bijve të shqipes”, siç i cilësoi shqiptarët, poeti romantik Xh. G. Bajron.
Pas leximit me vëmendje reflektuese të studimit të Shefik Shkodrës, “Adhuruesit e kulturës europiane”, pa mëdyshje do të mund të konstatonim parashikimin pararendës, që sjell porosinë tej-kohore: për domosdonë e ndër-komunikimeve, për modelin paravajtës të integrimeve të sotme Euro-Atlantike.
Interesi i studiuesit Shkodra për të spikatur miqësinë Apoliner-Konica ishte i qartë, ngase marrëdhëniet e tilla do t`i kalonin caqet individuale, aq sa do të pleksen dhe fragmente të jetës intime, por gjithsesi edhe përtej atyre, në sfera artistike, të publicistikës dhe të nevojave praktike për t`i realizuar projektet secili në mësymjet e veta.
“Pasqyrimi i miqësisë së tyre dëshmohet me shkrimet dhe letrat që kishin ndërruar për dhjetë vjet e më tepër. Ky ishte interesi i dyanshëm i këtyre dy personaliteteve në mes të Europës”[3]
Padyshim citati i shkëputur paraqet thelbin e qëllimit të këtij botimi, i cili mori trajtën e një shtjellimi gjithëpërfshirës, sepse pleks një vistër faktorësh kulturorë e psikologjikë, për ta dëshmuar lidhjen e pashkëputur të mendësisë së Rilindjes Kombëtare me trungun e frytet evropiane. Analizat e pleksjeve të tilla kulturore rrënojnë ngrehinat e tezave, të cilat dalin herë pas herësh, si tendenca për kërkimin e burimit tonë kulturor jashtë përkatësisë qytetëruese Euro-perëndimore. Megjithatë, Konica e kishte barrën më të rëndë se sa thyerjet shpirtërore të Apoliner-it…
Për të ilustruar diskursin e shqyrtimit tonë për këtë publikim shumështresor, le të nënvizojmë, përpos tjerash, dëshminë madhore të Shkodrës: “Me këtë Konica përfitoi në rrugëtimin e kulturës europiane, gjithnjë duke menduar për shkëputje nga kultura orientale e për një lidhje me atë euro-perëndimore, në të mirën e atdheut dhe të shqiptarëve.”
Po në këtë kontekst, Konicës i jepet edhe një rol a meritë tjetër: “Ai, herë-herë, dukej sikur ishte një përfaqësues i vendeve të Ballkanit, e për mbrojtjen e interesave të tyre.”[4]
Për lexuesin e çmuar shtrohet pyetja retorike: athua konstatimi i tillë për kujdesin e ri-strukturimit të popujve brenda Evropës, ia risjell meritën prijatare, paravajtëse vizionarit Faik Konica?
* * *
Pse ka interes të lexohet e të studiohet vepra e Shefik Shkodrës “Adhuruesit e kulturës europiane?” Një: se kapet trungu, degët e gjethet dhe hijet e dy figurave njerëzore, letrare-artistike e publicistike: Apoliner-Konica, jo gjithaq të njohur për lexuesit shqiptarë të brezave të sotëm nga këndet si i pa profesor Shkodra.
Dy: se si Apoliner-i dhe Konica për karakteristikat me prejardhje të ndryshme, i bashkoi pasioni për artin, për të bukurën, për publicistikën dhe jetën e lirë, së cilës Konica nuk i shkonte dot pas pikërisht për preokupimet tjera madhore, për ta lëvizur gjendjen e rrjedhës së ndalur të historisë për shqiptarët.
Tre: tek Apoliner-i mallkimi i dashurisë si lajtmotiv për imagjinatën e bujshme poetike.
Katër: publicistika ndërvepruese përmes revistave: “Merkyrë dë Francë”, “Gostia e Ezopit” drejtuar nga Apoliner dhe “Albania” gjithëpërfshirëse e Konicës.
Pesë: Konica në sytë e vëmendjen e të huajve.
Gjashtë : ringjallja e shqipes “shpesh me tendenca të një purizmi”.
Shtatë: zbardhje vështrimesh për jetën “anarkike” të Konicës.
Tetë: prirjet dhe karakteri polemik; satira, ironia, talljet dhe fjalori i sharjeve i Konicës, kundruall të tjerëve; polemikat me drejtuesit e “Dritës” në Sofje… Qëndrimi për alfabetin dhe mospranimi i atij të Stambollit.
Nëntë: koncepti për artin, kriteret artistike dhe estetike të Konicës.
Dhjetë: trashëgimia intelektuale, letrare-artistike e estetike. “Albania” kryevepra e Konicës dhe e Rilindjes Shqiptare.
* * *
Faik Konica jetoi në atdheun e tij gjithsej shtatë vjet, ndërsa mbi gjashtëdhjetë të tjerë lëvizi nëpër Evropë e SHBA. Në Evropë e në Amerikë Konica u njoh me personalitete të rangut të ndryshëm kulturor. Para së gjithash, “ky ishte nxënës i kulturës dhe civilizimit frëng. Shkollat e Francës e kultivuan si personalitet…”[5]
Apoliner ishte bir i nënës sllave, “Babai i mbeti i panjohur”, por ai nuk kishte ambicie të posaçme për një atdhe, për t`i kënduar e për tu sakrifikuar aq sa bënte Konica.
Apoliner-i, sipas P. Marcel Adema-s studiues i jetës dhe veprimtarisë së Apoliner-it, jep të dhëna për karakterin e vërtetë të poetit. Prirja dhe pasioni i tij pas mikeshave ishte tej mase i theksuar, sado që shpesh nuk i buzëqeshte fati me to. Poezia e Apoliner-it frymëzohej nga konkretësia e shijes së dashnoreve, që i vinin dhe iknin, siç ilustrohet nga ky fragment apostrofe:
“Madëlenë vepra ime e shtrenjtë…!”
Apoliner-i u realizua si personazh i letrave me shije të thellë e të gjithanshme për të bukurën… Një letrar inventiv, që kishte gjallëruar dukshëm jetën artistike dhe publicistikën në rrethet kulturore të Parisit, por që ishte vazhdimisht në kërkim të formave artistike, duke thelluar rrymën surrealiste dhe shtytjen për kubizmin në artet figurative. Takimet dhe letërkëmbimi për dhjetë vjet me Konicën, ishte marrje e dhënie njohjesh, përvojash nga më të gjithanshmet, madje dhe të sferës së dhimbshme intime, kur Konicës i përket roli ndërmjetësues mes Apoliner-it dhe Ani Plejda, e dashura angleze e poetit Gijom Apoliner, e cila kurrë nuk u lidh me të.
Gijom Apoliner (1880-1918), jetoi vetëm 38 vjet, para një shekulli. Kërkime e hulumtime për jetën e Apoliner-it kishin bërë studiuesit francezë, por Shkodra te “Adhuruesit e kulturës europiane,” voli e sistemoi të dhëna e dëshmi të atilla, që nuk linin pa prekur aspekte të jetës e të veprës së francezit me prejardhje të përzier, sepse paraqesin trajta pikëtakimesh në sferën e qytetërimit evropian me rilindësin tonë.
Përmes figurës së Gijom Apoliner-it Shkodra në këtë studim krahasimtar, paraqet pamje të vlimeve të ndjeshmërisë intelektuale, artistike, të cilat mbaheshin në Montmartër e në Montparnas; atje ku takoheshin poetë e piktorë modernë dhe i shfaqnin risitë e tyre poetike, dramatike, figurative e teorike.
“Apoliner-i ishte simbolist, kubist, por edhe surrealist. Ai ishte reflektuesi më i madh i çdo fenomeni shoqëror e natyror. Hapësira e tij poetike ishte e gjerë, shumëdimensionale. Asgjë nuk i shpëtonte në vijëzimin e tij”.[6]
Nga letrat që Apoliner-i ua drejtonte ndonjërës prej mikeshave me të cilën ndahej, e ndjejmë një shpirt të trishtuar, vetminë dhe mërzinë, pothuaj se fundin e jetës tij! Shkodra nënvizoi, se pas ndarjes nga Stavelot, ai i drejtohet një dashnoreje tjetër, në këtë rast Maria Dybua: “E dashura ime një puthje nga goja jote e vogël/ Do të ma sillte kaltërsinë e zemrës sime të trishtë dhe të lodhur/ Duke ëndërruar për ty natën vuaj në shtratin tim/ Më duhet një puthje meqë bien kambanat e vdekjes/ Nga kambanorja e zemrës sime që duhet mjerisht të ndahesh”.
Përmes ilustrimesh, sikurse ky më lart, Shkodra ka shkëputur fragmente të cilat ilustrojnë shpirtin e tendosur të Apoliner-it. Vetëm një renditje e vendosje pohimesh pranë njëri-tjetrit në këso kërkimesh, do të ishte e pamjaftueshme për diskursin vlerësues. Ku do të na shpinte diskursi përshkrues? Kursi përshkrues paraqet nivelin fillestar të njohjes sipas taksonomisë së Blumit.
Në qoftë se në një shqyrtim të këtillë përmbledhës e të dendur, ku arrijnë të gërshetohen të dhënat me pamjet e gjendjes, pastaj përshkrimet të depërtojnë në dukuri, dukuritë të kapen, të shtrohen dhe të analizohen për të ndërtuar sinteza; me siguri shqyrtimi del i studiuar nga çdo kënd, rezultatet mbesin të prekshme, të qëndrueshme, mbresëlënëse për t`iu qasur konteksteve ndërkulturore.
* * *
Një metodologji e këtillë e kapjes dhe qërimit të lëndës, për t`iu përgjigjur syve, mendjes dhe ndjenjave, kërshërisë së lexuesve shqiptarë e të huaj për periudhën e përhapjes dhe të depërtimit të rrymave, sistemeve shoqërore, drejtimeve letrare-artistike, stilistike, estetike nga Evropa e vlimeve dramatike për liri e frymëmarrje demokratike, duket se gjeti shprehje shumëplanësh… Çfarë? Hedhje drite në të errëtën e robërisë së shqiptarëve dhe, hyrje në dritën evropiane pa u lëbyrë. Faikut nuk i ngjau lëbyrja e dritës, sepse e ndiqte dhimbja e plagëve të hijeve të errëta mbi etninë e tij, të cilat i vinin pas në çdo rast.
Ku mund të dalim në vazhdimësinë e këtij diskursi vlerësues? Pashmangshëm do të dalim te pleksja antonimike e fatit të rrudhur në formulën e jetës: fatmirësi-fatkeqësi. Fatmirësisht individi i Rilindjes Shqiptare, i gatuar në atdhe, por i pjekur në Evropë, i pajisur me idealet atdhetare, me shkathtësi e dije gjeniale po të Evropës, inkuadron Rilindjen Shqiptare në rrjedhat evropiane me synimet e qëllimet e saj jetike, për çlirim kombëtar me shtrirje shtetërore në katër vilajete… Fatkeqësisht përfaqësimi i individit, sado meritor, i barrës së tillë tejet të rëndë dhe jo i institucionit, për shpëtimin e interesave të kombit e të atdheut, ishte një tregues i akrepave të orës së ndalur shqiptare.
Faik Konica që në djalërinë e tij ishte ndeshur me urrejtjen e tjerëve ndaj shqiptarëve, prej sundimtarëve turq e fqinjëve përreth atdheut. Atmosfera e mohimit dhe prapa-ngeljes në çdo fushë të jetës e etnisë së cilës i përkiste, ia trazonte qenien e tij të ndjeshme. Shkodra i lexoi të thënat e të pathënat e gjendjes shpirtërore të Konicës së ri:” Pse shqiptarët nuk kanë një ekonomi si vendet tjera? Pse urrehen aq shumë nga të tjerët? Pse nuk kanë shkolla të veta? Pse nuk e kanë një gjuhë e letërsi si kombet tjera? Nga kush vinin këto pengesa? Çka shkruanin të huajt nëpër gazeta dhe çfarë propagande e mbrapshtë bëhej për shqiptarët? Përse askush s`ka mundësi t`u kundërvihet thashethemeve të ndryshme për ne, se, shqiptarët janë të egër, jetojnë në pyje?…”[7]
Përgjigja këtyre pyetjeve e vë në sprovë autorin Shkodra për kursin e tij të shtjellimit, për gjerësinë dhe ngërthesat e ndërlikuara të kësaj lënde, për drojën e kaheve heterogjene të tërësisë…
Pyetjet e tilla, në dukje retorike, kërkojnë zbërthime në shumë plane e në shumë disiplina. Autori do të bëjë zbërthimin e tyre, duke ruajtur frymëmarrjen kulturore dhe konceptin fillestar: gërshetimet e pikë-takimet e kulturave të personazheve konkretë, që njëkohësisht janë adhurues të qytetërimit e të kulturës evropiane.
Shtatë pyetje të këtilla ngërthejnë brenga madhore, shumë të rënda për një program të stabilizuar e të mirëfilltë qeveritar, dhe, jo më për ndonjë programim fiktiv brengash të individit e të grupeve të rilindësve, të shpërndarë në koloni të diasporave shqiptarësh të përgjuar: në Stamboll, Kajro, Sofje, Napoli, Vjenë, Bukuresht, Paris, Bruksel, Londër, Nju Jork e gjetiu.
Gjithsesi, pyetje sikurse këto, janë pyetje ekzistenciale, pyetje të halleve e të brengave, të shtytjes për të vënë në veprim në fushë-shtrirje të gjithanshme, pa mëdyshje vullnetin dhe sakrificën e jetës. Këtë gatishmëri flijuese jo çdo kush mund ta bënte. Konica do t`i bie ndeshtrashës… Ai do t`i shtrojë për zgjidhje gjithë ato mynxyra, si vullnet i zgjedhjes tij programatike atdhetare, në mbi dymbëdhjetë vjet të daljes së “Albania-s” në Bruksel e Londër!
E tërë periudha e daljes, jo gjithaq të rregullt, të “Albania-s”, nuk kishte si të përmbushej ndryshe, përpos me energji të fortë, kulturën e durimit, të dijes me kritere dhe sakrifica.
Sërish duhet ta citojmë autorin Shkodra, sepse po qe se e cituam kaq shpesh, është joshja e kësaj periudhe, e intuitës tij që na mbanë, sikurse forca e tërheqjes magnetike harmoninë e lëvizjes, të rrotullimit, por jo përplasjen e yjve. “Ky njeri të gjitha forcat psikike e fizike ia kishte dhuruar atdheut, asgjë s`kishte fituar për vete. Madje, ai mbetet si njeriu pa kurrfarë statusi edhe pas vdekjes.”[8]
E dhëna tjetër e tmerrshme e statusit pa status për Konicën, dëfton: Vdes në Amerikë,” …dhe mbetet pavarrosur ( në frigoriferin e myrgut për gjashtë vite)”!!!
* * *
Vepra “Adhuruesit e kulturës europiane” ndërtohet kryesisht nga stili dokumentar, me fakte e dëshmi, me fragmente ilustruese, me portrete të Apoliner-it, të disa mikeshave të tija, të Konicës, të Shahin Kolonjës, të Naimit e Fishtës, të stemës në Revistën “Albania”, të ndonjë karikature për “Anadollaku në Mësallë…” Mirëpo, Shefik Shkodra edhe në këtë shtjellim shkencor, nuk mund t`i shmangej krejtësisht stilit poetik, meqë aty-këtu dromcat e rrëfimit i spërkat me njomështinë e këtij stili. Një pleksje të tillë stilistike vlen ta çmojmë, pikërisht për natyrën e kësaj lënde, epiqendër e shpërthimit të së cilës është arti i shkrimit dhe i leximit; arti i Gijom Apoliner-it dhe stili i Faik Konicës me pseudonimet e shumtë të tij. Madje, do të thoshim, kjo natyrë e të shprehurit pasqyron vokacionin artistik të shkrim-kërkimtarit Shkodra.
Fakteve e dëshmive për Konicën, përveç Apoliner-it në letrat e tija të ruajtura të letërkëmbimit, u bashkëngjiten edhe pikëpamjet e të huajve të tjerë… Shkodra vuri në pah se në revistat me emër në Francë, si “Festa e Ezopit”, “Europiani”, “Mërkyrë dë Francë”, ku figuronin reklamimet e gazetave e revistave frënge, “po aty paraqitej edhe revista Albania dhe botimi i saj në dy gjuhë”.[9]
Dëftime ngjarjesh e të dhënash për to e përshkojnë anën dokumentare të librit. Vijimisht duke iu referuar burimeve relevante të rezultateve kërkimore, me një qasje të rreptë, të përqendruar, të saktë, pa i keqpërdorur, pa i përvetësuar rezultatet e studiuesve tjerë. Në funksion të vërtetësisë të lëndës së trajtuar, në fund është shtojca “Shënime e Sqarime”, që përplotëson gamën e shtrirë të kësaj vepre. Kësisoj, kjo vepër e begaton dijen tonë për lidhjet kulturore të Faik Konicës, përkatësisht të Rilindjes Shqiptare me rrjedhat e qytetërimit francez-evropian, që për gjysmë shekulli u mbajtën të ngrira prej mendësisë komuniste.
Përkufizime si këto: “poetët mbeten aparate modeste për t`i regjistruar fenomenet, ose mbështetja në të bukurën si rehati”, i shkojnë për shtati botës shpirtërore dhe imagjinare të Apoliner-it. Pohimet e këtilla e shfaqin diskursin teorik të simbolizmit e të surrealizmit, janë reflekse të një qytetarie gjithnjë evoluese, ku egoja e mallit dhe trishtimit të subjektit lirik do të lërë gjurmët e veta.
Në këtë rrjedh përkufizimesh, që në veprën shkencore “Adhuruesit e kulturës europiane” nuk janë të pakta, shfaqen konsideratat e personaliteteve të huaja për Konicën, sikurse thënia përkufizuese e Apoliner-it: “enciklopedi që ecën (shëtit)”, ose Jule le Maitre “ky i huaj (që) e flet aq bukur gjuhën tonë”; një kritik tjetër letrar, Remy de Gourmont,” e kishte vërejtur talentin e tij me rastin e reagimit të tij për gjuhët artificiale…”[10]
Shkodra për hire të objektivitetit e pamjes së çdo anshme, tek Konica përveç cilësive të admirueshme të personalitetit poliglot e erudit, si çdo njeri prej mishi e gjaku, e pa dhe e preku edhe anën e dobët të karakterit tij, sepse “Bënte jetë anarkike në Bruksel… jetë pa fre, …sikurse ishte personaliteti i tij enigmatik në tërësi”. Ndoshta edhe kjo faqe tjetër, do t`i plotësonte ngjyrat e mozaikut, jo tërësisht të zbërthyera të Faik Konicës?
* * *
Faik Konica mbolli farën e vetëdijes kritike në mendësinë shqiptare. Ai ishte polemiku më i rreptë që njohim në letrat e shqip-shkrimit. Në secilën paraqitje polemike ishte i paepur dhe përdorte një arsenal të fortë shprehjesh: epitete, tallje, ironi, goditje të ashpra satirike për kundërshtarët. Në kursin e tij polemik nuk ngurronte aspak t`i ngjyroste e t`ua vizatonte karikaturat të padijshmëve, mendjeve fodulle, siç thumboi tipat te “Anadollaku në Mësallë”:
“More Dudum kokëkungull
Gojëbuall e barkrumbull
Thuamë, të rëntë pika!
Ç`të duhet ty politika”?
Janë të njohura polemikat e Konicës mes tij dhe Shahin Kolonjës, drejtuesit të “Dritës” në Sofje të Bullgarisë dhe të tjera.
Profesor Shkodra referimin më të dendur, sa i përket Konicës, ia bëri kontributit jetësor të tij në “Albania”. Kishte nënvizuar se në rubrikën për themelimin e një gjuhe letrare shqipe, madje dhe në frëngjisht, “se shqipja duhet të jetë e njësuar”. Më tej: “shqiptarët duhet të merren vesh që nga veriu e deri në fund të Çamërisë me të njëjtën gjuhë”.[11]
Në çështje të alfabetit Konica kishte kërkuar këshillat dhe pikëpamjet shkencore më me kompetencë të dijetarëve të huaj. Që të bëhej shqipja gjuhë standarde për të gjithë shqiptarët, Konica kërkonte shkrirjen e toskërishtes me gegërishten. Si rrjedhojë e kësaj, le ta citojmë pararendësin e idesë për gjuhën e njësuar standarde shqipe: “Që të jetë gjuhë si të tjerat duhet të përzihet Toskërishtja me Gegërishten, në mos… dhe nga kjo përzierje të dalë një gjuhë e re dhe e shëndoshë: Gjuha shqip e përgjithshme.”[12]
Në faqet e librit “Adhuruesit e kulturës europiane”, hasim prekje e zbërthime temash, që përpos interesit të veçantë për figurën madhështore, sikurse Faik Konica, po aq me interes na del “Albania”. Çka ishte dhe çka mbeti për ne “Albania”? Një enciklopedi shqiptare! Meqë pos trajtesave të përgjithshme me kompetencë, solli kontakte personalitetesh e kulturash, ambiente sallonesh, konsiderata të ndërsjella për letërsinë, për gjuhësinë, historinë, filozofinë, publicistikën, drejtimet letrare-artistike, për politikën, për vlimet ballkanike dhe kurthet diplomatike e ushtarake ndaj shqiptarëve, për mjerimin social, ekonomik, politik e kulturor të bashkëvendësve…Gjithashtu, kultivoi polemikën, shtroi përvojën krijuese të artistit…
* * *
Nga përvoja krijuese e njërit dhe tjetrit: Apoliner-it dhe Konicës, Shkodra spikati institucionin e martesës. Pse nuk e duronte martesën institucionale superstruktura e këtyre dy veprimtarëve kulturorë e politikë?
Institucioni i martesës, sipas tyre, do të ishte barrë për lirinë krijuese. Shkodra, me mprehtësinë e gjykimit, theksoi se si te njëri, ashtu dhe tek tjetri, përgjegjësia për detyrimet martesore u përjashtua. “Te këta tipa jeta e tyre mbizotërohej nga e bukura artistike e leximit dhe shkrimit. Te këta e bukura artistike i kishte robëruar, nuk kishin kohë që të merreshin me një dashuri të natyrshme si të gjithë njerëzit tjerë”.[13] Qasje, konstatime, theksime, nënvizime të tilla dhe përmbyllje argumentuese për kahet, drejtimet, shkëmbimin: Apoliner-Konica, i hasim dendur ecurisë së shtjellimit, vazhdimisht në përkim me rrethanat, mozaikun e atmosferës, të nivelit kulturor, të mjedisit shoqëror, duke kapur fragmente psikike si ploti e qëllimit për njohje më të thelluara.
Në frymën e këtij diskursi të ngjeshur të dhënash, analizash, krahasimesh e sintezash, siç vërejti Shkodra, ideali i të bukurës te Konica, ose koncepti për të bukurën lidhet me dashurinë për atdheun: “Atdheu për të ishte gjithçka: ëndërr, jetë, dashuri e pakufishme, dinjitet e sovranitet.”[14]. Me këtë konstatim, mendoj se do të ishte përmbyllja më mbresëlënëse e vlerësimit, me reflektime e porosi aktuale, që zbërthen libri: “Adhuruesit e kulturës europiane.”
* * *
Shefik Shkodra kështu shpaloi faqe për faqe anë të panjohura të dy miqve të shquar të letrave evropiane: Gijom Apoliner-it e të Faik Konicës, me një shqipe të rrjedhshme si gurrë malore, të pa penguar nga kalket në rrjedhën e saj; me stil shkencor herë-herë të freskuar nga stili i gjuhës figurative, me ndonjë trajtë të gabuar teknike, por me morinë e fakteve e të ngjarjeve të shtruara.
Qoftë i admiruar vullneti, durimi shkencor, çiltërsia dhe përmbushja e këtij qëllimi jetësor i profesorit dhe poetit Shefik Shkodra!
Respekti i autorit konsiston për begatimin e dijes së albanologjisë, për vetëdijesimin e dinjitetit tonë kombëtar e qytetërues, për daljen nga pozita inferiore e bishtit të kulturës e të qytetërimit evropian.
Me të gjitha këto që u thanë dhe të tjera që nuk janë thënë: Faik Konica mbetet një minierë e pa shterë edhe për brezat tjerë…
Gjilan, nëntor-dhjetor 2018
[1] Shefik Shkodra “Adhuruesit e kulturës europiane”; Sogjetime; Gjilan, 2018, f. 11
[2] Po aty, f.151
[3] Po aty, f. 13
[4] Po aty, f. 13
[5] Po aty, f.70;
[6] Po aty, f. 34
[7] Po aty, f. 139
[8] Po aty, f.85
[9] Po aty, f. 76
[10] Po aty, f. 143
[11] Po aty, f. 179; 12
[12] Po aty, f. 179
[13] Po aty,f. 263
[14] Po aty,f. 279