Ambasadorët e SHBA: Ushtroni sovrantitetin tuaj për të lëshuar territorin shtetëror!
Dy ambasadorë të SHBA, Kyle Scott i akredituar në Beograd dhe Philip S. Kosnett i akredituar në Prishtinë, kanë publikuar një opinion, apo një qëndrim të përbashkët të vendit të tyre për nevojën e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës. Pavarësisht toneve këshilluese dhe sugjerimeve miqësore, qëndrimi është në fakt një kërkesë direkte për Prishtinën që të heqë tarfiën në mënyrë që t’i hapet rruga marrëveshjes. “Sot bëjmë thirrje: është koha që Kosova ta pezullojë taksën, Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dyja anët, Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim më 2019-en, thuhet ndër të tjera në qëndrimin e tyre publikuar nga gazeta “Zëri” në Prishtinë dhe “Politika” në Beograd. Kështu pozicioni i SHBA është bërë i qartë: ai anon nga lehtësimi i pozitës serbe në funksion të një marrëveshjeje ku Kosovës i kërkohet të hyjë pa marrë premtimin zyrtar për njohje. Në kontekst të leximit të kësaj letre, presidenti serb, Aleksander Vuçiç ka deklaruar se nuk ka negociata pa hequr tarifën, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka përsëritur kërkesën e tij për njohje. Nuk do shumë mend për të kuptuar se qëndrimi i Haradinajt dhe kushtëzimi i tarifës me njohjen nga Serbia është varianti i vetëm që dikton zhbërjen e variantit të shkëmbimit të territorit mes të dyja vendeve dhe humbjeve të rëndësishme territoriale për Kosovën. Kjo pasi njohja nënkupton pranim të kufijve dhe mandej lejon vetëm procesin e delimitimit që është në fakt vijëzim kufitar. Është interesante të shihet sesi në emër të fleksibilitetit në negociatë, ambasadorët e SHBA në fakt kërkojnë që Kosova të ulet pa mjete në këtë negociim dhe madje, më keq, me terma të paravendosur. “Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet t’i kontribuojë stabilitetit afatgjatë të rajonit. U takon prijësve dhe ekipeve të tyre për t’i rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre – për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’u ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin”, vijon qëndrimi. I cili është në fakt një urdhëresë fare pa takt dhe e shpëlarë e dy diplomatëve që u bëjnë thirrje drejtuesve të dy vendeve që të mos vonojnë, por të ushtrojnë sovranitetin e tyre padyshim fiktiv. Kjo sjellje publike nuk është e panjohur edhe për Shqipërinë, një vend që në njëfarë mënyre qeveriset nga diplomatët e huaj. Mund të kujtojmë madje sesi ish-ambasadori Donald Lu organizonte protesta kundër opozitës për miratimin e reformës në drejtësi, duke drejtuar madje sms kërcënuese për deputetët që mund të votonin kundër. Rezultati dramatik i votës për reformën në drejtësi sjell me vete edhe fundin e çdo të drejte për të predikuar lirinë e votës. Reforma në drejtësi në Shqipëri është imponuar, jo vetëm si formë dhe vullnet, por edhe si përmbajtje, duke sfiduar jo vetëm sovranitetin, por edhe të drejtën për të arsyetuar. Sot Kosovës i kërkohet e njëjta gjë: të ushtrojë sovranitetin e vet – dhuratë deri diku patjetër – por me urdhër nga jashtë. Një dështim i faktorit ndërkombëtar, por një dështim sidomos i shtetformimit në Kosovë.