Brunilda Spiro: Përdhunimi
Tregim
Ata nuk përdhunuan vetëm ty, por të gjithëve ne.
-Ke shenja të dukshme në trupin tënd?
-Jo, zotëri, nuk kam asnjë shenjë në trup.
Përgjigjet duhet të ishin të shkurtra dhe pa komente. Edhe pyetjet ishin të përgatitura dhe të shkurtra.
Shtrëngoi stolin ku qe ulur, por gishtat nuk po i ndjente, i ishin mpirë e nuk shtrëngonin dot asgjë.
Sytë e tij në vend të shihnin vajzën që pyeste, shihnin atë. Diçka po ndodhte, po ajo ish aq e ngrirë nga ndjesi që po ndjente për herë të parë, sa nuk mundej të mendonte më.
Në një moment kthjelltimi, që ato kohë ishin shumë të shkurtra, edhe ajo po ndjente një prani tjetër, një frymëmarrje tjetër në atë dhomë të shëmtuar.
Gurët që i rëndonin aq shumë, kur ata e përdhunonin në trup e shpirt përsëri e përsëri, tani ishin bërë kala dhe ajo po lakmonte majën më të lartë të kalasë… Argjiroja po vraponte drejt saj, fustanin e bardhë e griste me njërën dorë, pasi e pengonte të vraponte më shpejt.
-Ma jep dorën, vrapo, jeniçerët po ngjiten! -Jeniçerët? Jo, Argjiro, janë shqiptarë. Janë shokët e mi të klasës, të lagjes, të rrugës përballë!
Argjiroja e largoi dorën dhe me copën e fundit që kish grisur nga fustani fshihu qumështin, i cili pikonte pike-pikë mbi gurët.
-Ai që i prin në krye, është shoku im i bangës dhe shoku im i ngushtë, se shtëpitë tona i ndante vetëm një rrugicë. Çdo ditë rrugën për në shkollë e bënim së bashku, kurse bukën që nënat na jepnin për në pushimin e madh e kishim bërë zakon që ta ndërronim me njeri-tjetrin. Na pëlqente të ndryshonim shijet.
Një ditë nëna e tij kish harruar t’i vinte bukën në çantë dhe unë i zgjata bukën time. Ne vajzat duhet të bëjmë pak dietë, i thashë me të qeshur.
Qeshi me zë të lartë, siç e kish zakon, por bukën e hëngri pa fjalë.
Një ditë tjetër, mësuesja kish sjellë në klasë një akuarium me peshq të vegjël dhe shumëngjyrësh. Peshqit lëviznin si të çmendur brenda tij, ishin aq lodrues! Vetëm njëri ishte i zi dhe rrinte larg peshqve me ngjyra. Është peshk pastrues, u përgjigj syve tanë pyetës… Sa keq më erdhi për të! Më pas vazhdoi të na tregojë lloje të tjerë peshqish në tableta. Ky peshku i madh, me këtë gojën e çuditshme, e kafshon femrën e tij në qafë, që të kurorëzojë jetën e tyre në çift. Janë peshq monogamë.
-Çfarë është monogamia, mësuese?
-Hëm…jetojnë në çift vetëm me njeri-tjetrin derisa të “vdesin”.
Të gjithë qeshëm, pa kuptuar shumë, por unë pas të qeshurës ulëriva nga dhimbja në qafë. Shoku im i bangës, kafshoi mishin tim të njomë me dhëmbët e tij të bardhë e të mprehtë. Akoma më duken në qafë dy shenja të errëta, të atyre dy dhëmbëve më të mprehtë se të tjerët.
Luanim, vraponim, ziheshim dhe rriteshim çdo ditë. Unë u zgjata disa centimetra më shumë sesa ai në klasën e shtatë, por ai nuk mërzitej, se e ëma na i përsëriste gjithmonë që djemtë zgjaten shumë më shumë se vajzat kur mbarojnë gjimnazin. Vetëm unë e kuptoja padurimin e tij, ai me zor priste të zgjatej më shumë sesa unë.
Ditën që mbaronim shkollën dhe merrnim pushimet e verës, çantën e shkollës e shtynim zvarrë-zvarrë deri në shtëpi.
Çanta grisej dhe shqyej dhe sytë e tij shprehnin kënaqësi, njësoj si në momentet kur më çapëlonte këmbët e kukullave. Ne të dy në shtëpinë e tij kishim nga një kanistër me lodra të ndryshme. Ai makina dhe motoçikleta, unë kukulla dhe fustane kukullash. Shpesh trembesha nga këmbë e duar kukullash të shpërndara gjithandej nëpër dhomë dhe kisha frikë, shumë frikë, sidomos sytë e tij, që më shihnin me kënaqësi kur e shprehja këtë tmerr fëmijënor.
Argjiroja ngriti sytë dhe kërkoi yllin, pastaj pa humnerën tejposhtë… Bedenat ishin mbuluar me trupa dhe gjak. Përpiqej të dallonte se cilët ishin dy shqiptarët e fundit, që po luftonin me një hordhi turqish në bedenën pranë shtegut ku do kalonte. Ishte e pamundur, ata ishin mbuluar nga koka të këmbët me gjak. Vetëm para se të binte i fundit prej tyre, ajo e çuditur ia dalloi sytë, ngaqë ata shkëlqyen prej lotëve. Sy të trishtë prej burri, vëllai, shoku, që nuk mundej më ta mbronte nga jeniçerët e egër. Diçka të harruar, në qoshen e kujtimeve të saj fëmijënore, i zgjoi ai vështrim i lotuar dhe i gjakosur. Një harresë për të përballuar të pastajmen, që i ndau të dy përfundimisht. Të dy e kishin ruajtur ndjenjën, duke mos e pëshpëritur më as vetes, por ai çast zgjoi fantazmën e asaj ndjenje dhe në sytë e të dyve ajo lodroi për herë të fundit.
-Na, merri!
-Çfarë janë? Flokë!? Sa të bukur e të gjatë!
Pse i ke prerë?
-Priji dhe ti! Nëse i lidhim bashkë mund të bëhen një litar i fortë për të zbritur në humnerë!
-Kurrë!-Argjiroja ia shtrëngoi dorën!
-Po si i preve flokët, kur munde?
-I kam prerë para se ata të më ndiqnin çdo çast. I preva se doja t’i dhuroja për bamirësi! I preva se ai më thoshte gjithmonë “mos i pri kurrë flokët, se i ke shumë të bukur”. Sa herë ma thoshte këtë, më shihte me të njëjtin vështrim, me atë kënaqësinë e keqe, siç bënte shpesh, por unë, unë nuk e kisha kuptuar kurrë! Unë shihja vetëm veten te sytë e tij, se ne shohim vetëm atë që duam. Ne mbajmë gjithmonë me vete të njëjtën pasqyrë, pasqyrën e vetvetes, nëse nuk e thyejmë, do thyhemi kështu si unë sot. Jam e thyer në mijëra copa pasqyrash dhe kudo të fshihem, përsëri shoh veten edhe në copën më të vogël. Nuk dua ta shoh më! Më merr dhe mua në legjendën tënde! Ti që u hodhe në humnerë për të shpëtuar nderin nga turqit, unë që u hodha në humnerë për të mbuluar turpin, turpin e besës së thyer nga stërnipi yt!
Cila legjendë flet për besën shqiptare, legjenda jote?
-Jo! Argjiroja u hodh. Shkëmbinjtë prekën trupin e saj të ngrohtë dhe e ngurosën njësoj si ta. Djalin e mëshiruan dhe një nga shkëmbinjtë pikoi qumësht nëne pike-pikë.
-Legjenda gënjeshtare, mite të dëshiruara nga njerëz që në të vërtetë nuk dinë çfarë është besa. Meqë nuk e kanë këtë virtyt e lakmojnë dhe i ngrenë një mit. Një mit të gënjeshtërt. Mbase djali yt, Argjiro është parardhësi i shokut tim? Mbase as legjenda jote nuk është e vërtetë, por e shpikëm dhe atë për të mbushur mendjen vetes, që jemi shqiptarët krenarë, pasardhës të Ilirëve?
-Mbase…ty të arritën jeniçerët Argjiro?
Të përdhunuan njësoj si mua pasardhësit e djalit tënd, që gjoja shkëmbi e ushqeu me qumështin tënd pike-pikë, por në fakt ai jetoi, sepse është turk po aq sa shqiptar.
Unë nuk dua të vdes Argjiro, tani dua të jetoj. Nuk do mohoj veten, por ata!
Legjendat nuk janë supë për t’u ngrënë, janë thirrje nga thellësia e genit, për t’u mishëruar në realitet, por derisa ne të përtypim ato me dhëmbët tona, që duan të përtypin gjëra, vetëm të buta e tinzare, unë do iki…