Lazër Stani: Në tempullin e poezisë së Bardhyl Londos
Shënime për librin me poezi “Shën Shiu”
Rileximi është një akt i rrezikshëm: edhe kur në leximin e parë, para dhjetë apo njëzet vjetësh libri të ka befasuar, të ka tronditur, të ka magjepsur; edhe kur autorin e ke mik, ndan me të herë pas here kohë të çmuar. Është si të takosh një grua që e ke dashur para dhjetë, njëzet apo tridhjetë vjetësh. Ti bëhesh gati të shkosh në takim dhe ndihesh i pushtuar nga ankthi, nuk je i sigurtë për asgjë, ke frikë se mos do të humbasësh atë imazh të bukur dhe të papërsëritshëm që ka mbetur i ngulitur thellë në memorien tënde.
Për shkak të rileximit i kam humbur disa prej librave dhe disa prej autorëve që kanë qenë shumë të dashur e të çmuar në rininë time. Kam provuar t’i rilexoj pas njëzet apo pas tridhjetë vjetësh dhe ata libra të dashur dikur, tashmë më ngjanin krejt të palexueshëm. Librat janë të njëjtët, por kam ndryshuar unë. Për mirë a për keq nuk mund ta përcaktoj. Sidoqoftë, pas rileximeve të tilla, e ndjen se ke humbur diçka të çmuar që shndrinte përtej “portës së ngushtë të ëndrrës” siç shprehet në një nga poezitë e tij, poeti Jacob Glatstein. Me këtë ndjenjë frike dhe pasigurie e fillova rileximin e librit me poezi “Shën Shiu” të Bardhyl Londos, të lexuar para nëntë viteve, në kohën kur u botua. Atëbotë, pas leximit, pata menduar, se poezitë e këtij libri e rikonfirmonin Bardhyl London si një poet të elitës së poezisë shqipe të të gjitha kohërave.
Është fakt i pamohueshëm se pothuajse të gjithë autorët që u ka takuar të jetojnë dhe të publikojnë krijimtarinë e tyre në dy kohë, në socializmin e censurës dhe shtypjes si dhe në tranzicionin demokratik të pas nëntëdhjetës, janë autorë dikotomikë e kanë krijimtarinë të ndarë në dy gjysma, ca si të prerë me thikë, e ca me një prerje më pak të qartë. Në poezinë e Bardhyl Londos kjo dikotomi mezi dallohet, nuk vihet rè as si prerje, as si thyerje, sepse poeti, siç shprehet në një nga poezitë e tij, e jeton të sotmen me pasionin për të nesërmen, në ferrin e dhunës ku njeriu çnjerëzohet, shpirti i poetit që në vitin e zymtë 1986 klithte: “Do të vdes nga pasioni për të qenë njeri”. Është ky pasion për të nesërmen dhe ky pasion për njeriun, që, nga njëra anë, e ka shpëtuar poezinë e Bardhyl Londos nga dikotomia dramatike dhe nga ana tjetër e ka bërë atë një poet rebel dhe qytetar njëkohësisht, të papajtueshëm me të keqen që vërshon si një mizëri korbash mbi qiellin e qyteteve tona, apo me të zezën tragjike të Ballkanit, çka ngjan me një kudërshti me natyrën e tij të butë dhe të qetë, të matur dhe të shtruar. E megjithatë, poeti, që në poezinë e parë të “Shën Shiut”, bën një “Rikthim në tempull”, që ti si lexues, pasi e ke lexuar disa herë bindesh, se nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një rikthim në tempullin e lutjeve, por me një rikthim në tempullin e poezisë, sepse ata që e dëbuan nuk mund të ishin të përjetshëm.
“U riktheva në tempull. Ata që më dëbuan
nuk mund të ishin të përjetshëm…”
Por ky rikthim në tempull, edhe pse me damarët e qafës të kalçifikuar, edhe pse më i vështirë se rikthimi në Itakë, prapë është më i bukur. Dhe pse është i tillë përgjigjen e jep vetë poeti të shtruar në formë pyetjeje: “Po fundja ç’vlejnë të gjitha këto para rikthimit?” Rikthimi në tempullin e poezisë është për poetin rikthim në shëjtninë e tij, atë shejtni, që diktatori me gjithë shpurën e shërbëtorëve të tij të zellshëm, të ngujuar në marrëzinë e vet, ishin munduar ta zhbënin e ta shkatërronin me të gjitha mënyrat. Dhe ky rikthim bëhet më bindës nga vargu në varg, nga strofa në strofë nga poezia në poezi. Ngazëllimi i rikthimit është triumfues. Edhe pse poeti asnjëherë nuk e kishte braktisur tempullin e poezisë, prapë ky rikthim në tempull është më i bukuri nga të gjitha rikthimet, sepse është rikthim në liri dhe të gjitha sakrificat ia kanë vlejtur për mbërritjen e kësaj dite. Është njëkohësisht rikthim te temat e mëdha, te tragjeditë e mëdha, te fati dramatik i njeriut një botë ku mungon liria, ose ku liria shfaqet si karikaturë e vetë lirisë. Në një nga poezitë më dramatike dhe më të fuqishme të librit, autori i risjell në vëmendjen e lexuesit të zezën tragjike të Ballkanit, tragjedinë e madhe që në këtë gadishull duket se nuk do të ketë kurrë të sosur.
Kanë ndërruar shkrepat e Ballkanit. Autostradat,
si rripa stërmëdhenj shtrëngojnë belin e gadishullit tragjik.
Po prapë fastfudeve, kafeneve dhe restorantëve
të zhurmshme buz autostradave,
kudo kam parë
plakat me të zeza.
Gratë në poezinë e Londos shfaqen më të ngrysura se e zeza që kanë veshur, të inatosura me gjithkënd, pa e ditur përsenë, të gatshme ta nisin luftën, pa e ditur se kë kanë armik, me kujtesën të rënduar nga kujtimi i të vrarëve, në konflikte të përgjakshme që ato nuk e dinë përse janë bërë. Këto gra, shprehet poeti, i kanë harruar të gjitha rrugët nga skleroza e pamëshirshme. Vetëm rrugën për në varreza nuk e ngatërrojnë kurrë. Ky është fati i tyre i parashkruar, sepse “E zeza Tragjike” është e Ballkanit.
E verdha është e Van Gogut,
bluja e Ticianit,
e zeza tragjike e Ballkanit.
Vargje të tillë poetikë, pasi i ke lexuar mbeten në mendje gjatë, nuk mund t’i harrosh kurrë për vërtetësinë, tragjizmin, thjeshtësinë dhe kumtin që mbartin.
Impozante si perandorë spektër-rëndë, në poezinë e Londos gratë e Ballkanit, pa e marrë vesh kurrë se çfarë perandorie zotërojnë, me mallkimet në majë të gjuhës, për veten dhe fqinjët, kanë një kalendar të çuditshëm të ekzistencës së tyre.
“vitet i masin me një kalendar që as ato vetë nuk e kuptojnë
kur u vra filani,
kur qëlluan filanin,
kur iku djali i madh….”
Dhe ky fatalitet tragjik nuk u ndahet as bijave e mbesave të tyre, edhe pse tani ato vishen ndryshe, moda nga Parisi dhe Nju-Jorku më shpejt vjen tek ato se kudo tjetër. Por prapë brenda tyre, dëshmon poeti, dikur rri fshehur dhe është gati të shpërthejë e zeza e pikëlluar e Ballkanit.
I njëjti tragjizëm është i pranishëm në shumë prej poezive të Londos, edhe kur në poezinë e tij vjen Vasilika në Litharicë, pikëllimi i Pargës, apo në poezinë “Pensionistët”, që në shtatë ditët e javës luajnë shah me vdekjen.
“Me përtesë të dielën llogarisin minutat e pakta
minutat e mbetur në celularin e tyre
dhe i telefonojnë vdekjes.”
Me këto vargje dramatikë mbyllet poezia, si vetë jeta jonë, që pret fundin e mistershëm, e të pashpjegueshëm.
Gjeografia e poezisë së Bardhyl Londos është e gjërë, ajo shtegton nga Maki i de Radës në Ulqin, nga Parga në Lodevë, nga vendlindja në qytetin e madh, në të cilin nuk mund të vrasësh as veten, e për të cilin nuk është e denjë as vdekja. E tillë është edhe dhembja, tragjizmi që e shoqëron këtë poezi, zhgënjimi që të shkakton ekzistenca në një botë me Dhjatë të përmbysur. Dhe që të kesh dhimbje të mëdha në shpirt, duhet të kesh dashuri të mëdha, që të kesh zhgënjim tragjik, duhet të kesh patur shpresa të mëdha gjithashtu, siç shprehet Ernesto Sabato.
Kjo dashuri e madhe për njeriun dhe për jetën ndihet në të gjitha poezitë e librit, si një nënshtresë e thellë, mbi të cilën projektohet dhe mbahet poezia e Londos, e sigurtë dhe mbi themele të forta. Sepse vetëm ajo poezi dhe ai art në përgjithësi, që ngrihet mbi themele të thellë dashurie është poezi dhe art i qëndrueshëm, i pavdekshëm. Ngrehinat e urrejtjes mbyten nën peshën e gurëve të vet të zinj.
Ata që e njohin poezinë e Londos, qofshin këta poetë, studiues, kritikë apo lexues, e dinë me kohë se poezia e tij shquhet për bukurinë e fjalës poetike, për sintaksën e zgjedhur, për pasurinë e shprehjeve, metaforave, simboleve, krahasimeve, për ritmin e brëndshëm, për muzikalitetin, strukturën e veçantë, kërkimin e vazhdueshëm, që shpesh ngjan me një lojë eksperimentale, por që gjithnjë ia del të na befasojë me stilin e përvetshëm dhe estetikën qartësisht të dallueshme. Tek “Shën Shiu” përveç shushurimës së shiut që ndihet sikur bie mbi një pyll shelgjishtesh dhe ti gjendesh i strehuar nën trungun e një druri, kemi një shkrirje të dy dialekteve të shqipes, atij gegë me atë toskë, duke krijuar një gjuhë të re, me efekt emocionues poetik, befasues dhe të patakuar askund më parë.
Shigjeta shiu shugatin, shkoklojnë shelgjishten,
Shkurtat shpuplon shpatëzhveshur shtegziu.
Shtërzime shtëllunge shirash shugurojnë
Shën shiun.
Kështu pra, rikthimi i Bardhyl Londos në tempullin e tij poetik vjen me një gjuhë të re, me kërkime të reja, me hapësira të reja, me shpalosje të reja të botës dhe vizionit të tij poetik, ngjizur nga dashuria dhe dhembjet e mëdha, në kufirin midis vuajtjes dhe gjallnimit, shpresës dhe zhgënjimit, iluzionit dhe profecisë apokaliptike, në botën e Dhjatës së Përmbysur, në botën mëkatare ku njerëzit shkelin jo një, po të Dhjetë Urdhërimet. Rileximi i “Shën Shiut të bind për këtë.