Mëngjezi Kombëtar i Lutjeve dhe shqiptarët, si po e zbehin përfaqësimin zyrtarët tanë
25 vjet më parë, në Mëngjezin Kombëtar të Lutjes kishim Ibrahim Rugovën dhe Nënë Terezën, tani kemi dyshimin brerës se pjesëmarrja është për interesa meskine, personale e partiake.
Nga Ruben Avxhiu
Në çerekshekulli Mëngjezi tradicional Kombëtar i Lutjes në Washington është kthyer ve është kthyer veç të tjerash në një lloj pelegrinazhi politik e diplomatik për udhëheqësit shqiptarë të të gjitha ngjyrave.
Pjesëmarrja ka fituar larmi, është bërë më e lehtë, më e realizueshme, ka përfshirë jo vetëm politikanë po edhe njerëz të aspekteve të tjera të jetës. Ka ndryshuar jo vetëm për shqiptarët po edhe për amerikanët dhe njerëz të interesuar nga e gjithë bota.
Ata që e nisën 60 vjet më parë mbase nuk do ta njihnin në formën që ka marrë sot.
Shqiptarët nga atdheu e nisën pjesëmarrjen e tyre në 1993, me Pjetër Arbnorin. Ishte një fillim i mbarsur me simbolika.
I mbijetuari i burgjeve komuniste vinte në një Mëngjez Lutjeje nga një vend ku lutjet ishin ndaluar me ligj për gati çerekshekulli. Ai vetë kishte kaluar më shumë kohë se aq në burgje. Nata e komunizmit kishte mbaruar dhe ishte mëngjez për Shqipërinë e re demokratike.
“I thashë Presidenit Clinton, se, për 28 vite me radhë, jam lutur për lirinë e Shqipërisë. Por tani po lutem për paqen në Ballkan”, u tha Arbnori, pak ditë më vonë, shqiptaro-amerikanëve që ishin mbledhur për ta takuar në Bronx, ku përveç Imzot Mirditës e bekoi takimin edhe Imam Isa Hoxha.
Në Kishën Katolike Zoja e Shkodrës e pritën si hero. Emocionet ishin të mëdha. Një tjetër aradhë lutjesh u formuluan aty. Shqipëria nuk ishte më aq e largët. Po mësonte të ecte përsëri në një rrugë të re. Po mësonte të të lutej nga fillimi. Po mësonte të falte nga fillimi.
Një vend ku nuk të falej as blasfemia më e vogël ndaj ideologjisë komuniste.
Po shumica e shqiptarëve mësuan për rëndësinë e Mëngjezit Kombëtar të Lutjes, vetëm një vit më vonë. Kësaj here, në shkurt 1994, kombi shqiptar përfaqësohej me dy figura të tjera madhore të kohës, Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe humanitaren nobeliste Nënë Tereza.
Që të dy mezi prisnin takimin personal me Presidentin Clinton. Rugova për të fituar vëmendjen dhe simpatinë e tij për kauzën e Kosovës, Nënë Tereza për ta qortuar e për ta vënë përpara përgjegjësisë për çështjen e abortit. Kontrasti nuk mund të ishte më i ndryshëm.
Ndonëse takimi me Presidentin Clinton, për Rugovën, ishte një akt simbolik, shkëmbimi i disa fjlëve dhe dorështrëngimi përpara kamerave, ai përbënte një moment me rëndësi për Kosovën e cila kishte nevojë urgjente që të mos humbte vëmendjen ndërkombëtare.
Shqiptarët kishin frikë se Kosova do të sakrifikohej në altarin e arritjes së paqes në Bosnje. Ndërsa SHBA kishte frikë se qëndresa paqësore e Kosovës do të merrte fund prej provokimeve serbe e do lufta e re do të ndërlikonte e sabotonte paqen në Bosnje.
Duke folur me gazetarët pas takimit, Dr. Rugova tha se Presidenti Clinton ishte shprehur shumë i shqetësuar për gjendjen në Kosovë.
Me të ishte edhe zv-Presidenti Al Gore dhe të dy udhëheqësit amerikanë kishin shprehur admirimin e tyre për vetëpërmbajtjen e shqiptarëve dhe rezistencën e tyre paqësore, në një rajon të konsumuar nga dhuna e përgjakshme.
As Presidenti Rugova nuk kishte qenë vetëm. Ai udhëtonte me kryeministrin Bujar Bukoshi dhe ishin shoqëruar në Mëngjezin e Lutjes nga ish-kongresisti Joe DioGuardi.
Duke folur në telefon nga Uashingtoni, me gazetën “Illyria”, në Nju Jork, Rugova u shpreh: “Ky takim kishte një domethënie të madhe për ne. E mburra rolin e Amerikës në mbështetje të Kosovës dhe shqiptarëve”, tha ai. “Clinton dhe Gore ishin të shqetësuar për gjendjen në Kosovë dhe shprehën mirëkuptim për kërkesat shqiptare. Ata premtuan se do të vazhdonin ta mbështesnin Kosovën dhe shprehën admirim për lëvizjen tonë paqësore”.
Thuhet se edhe Nënë Tereza ia ka përmendur Kosovën Presidentit Clinton në takimin mes tyre, po nuk ka të dhëna për këtë dhe mund të jetë thjesht një legjendë shqiptare.
Në konferencën përshtyp që Presidenti Rugova dha në Washington, mori pjesë edhe kongresisti Engel (në fotografi këtu bashkë me Rugovën, Avni Spahiun që shkroi raportin në media për vizitën, dhe Isa Zymberin), si dhe një numër kongresistësh të tjerë.
“SHBA ishte nga të parat që kuptoi dhe mbështeti kauzën e Kosovës”, tha Engel. “Pavarësisht nga vështirësitë, koha ka dëshmuar se paralajmërimet e vijës së kuqe që iu bënë Millosheviçit kanë dhënë fryte”.
Në anën tjetër të pranisë shqiptare në Mëngjezin e Lutjes, klima ishte pak më ndryshe. Vetë Presidenti Clinton dëgjoi me durim, i skuqur në fytyrë, fjalët e rrepta të Nënë Terezës për moralin e epokës moderne.
“Aborti është kërcënimi më i madh i paqes në botë, sot”, tha ajo më vonë, nga tribuna e Mëngjezit të Lutjes. “Një komb që lejon abortin nuk u mëson fëmijëve të tij që ta duan njëri-tjetrin”.
Presidenti Clinton vendosi të mos e kontradiktonte në sy, të ftuarën e madhe. Përkundrazi, kur mori fjalën e falenderoi për mendimet e mençura. Ai vetë kishte një fjalim të mbushur me referenca fetare. “Mëkati që bëjmë më shpesh në këtu në Ëashington DC”, tha Clinton, “është ai i dhënies së dëshmisë së rreme”.
Por, Clinton nuk e la pa iu përgjigjur Nënë Terezës për punën e abortit. Pak orë pas Mëngjezit të Lutjes, ai bëri një takim me nxënës të shkollave të mesme, ku ngriti çështjen kritike të shtatzanive në moshën e adoleshencës që ishin rritur në shoqërinë amerikane e që gjithashtu prodhonin aborte, braktisje për adoptim, apo familje pa baballarë.
Nuk luftohet aborti, duke bërë ligje që e ndalojnë, apo që kufizojnë lirinë e njeriut për të zgjedhur, por duke edukuar përgjegjësi personale në shoqërinë tonë, u tha ai adoleshentëve të mbledhur përpara tij, por me në mendje Nënë Terezën.
Kur i kujton këto ngjarje të para çerekshekulli bëhesh i ndërgjegjshëm për ndryshimet e mëdha të kohës. Kosova sot nuk është më një krahinë që vuan nën ligjin marcial të një shteti fashist. Ajo është një republikë e pavarur.
Shtrëngimi i duarve me një president amerikan mbetet përsëri një arritje e lakmuar dhe shumë e vështirë, po arsyeja është gjithnjë e më shumë vanitoze, e lidhur me interesa partiake e personale sesa për fatin e kombit.
Tani nuk është më një ngjarje shokuese kur marrim vesh se një udhëheqës shqiptar udhëton për në Washington për t’u lutur në mëngjesin tradicional. Shpesh madje debatohet vlera e udhëtimit. Shpenzimet që vijnë me të. Shqiptarët janë dyshues për synimet e politikanëve të Tiranës e të Prishtinës. Mbi të gjitha dyshojnë se lutjet e tyre nuk përkojnë me atë për çfarë luten shqiptarët.
Një çerekshekulli më vonë, edhe shoqëria shqiptare ka ndryshuar. Problemet tona janë shumë më të ndërlikuara se në fillimin e viteve 1990. Dallimet tona shumë më të mëdha. Mëdyshjet edhe më të mëdha.
Numri i figurave politike ose jo që mund të na përfaqësojnë të gjithëve nuk ekzistojnë më. Jemi më pak të pafajshëm e më shumë cinikë. Po nuk jemi të vetëm. E gjithë bota është më e zhytur në dyshim se dikur. Edhe vetë Amerikë duket e thyer në dysh si kurrë ndonjëherë.
Diku në Tiranë po jo vetëm aty është rritur dyshimi se sa larg mund të të çojnë lutjet dhe vëmendja po kthehet se nisma dhe veprimi. Zgjidhja shpesh nuk vjen prej qiellit po prej duarve tona. Kur vjen prej qiellit, nuk vjen në mënyrën që pritej. Njëzet vjet më parë, në marsin 1999. Prej qiellit erdhën bombardimet që çliruan Kosovën. Po nuk erdhën vetëm nga lutjet në mëngjezet e ftohta të harruara.
Erdhën nga kontributi e bujaria e shqiptarëve të Amerikës, nga qëndresa e paepur e një populli heroik, erdhi nga burra shteti në një kohë kur nuk kishte vërtet shtet, nga të rinj që dhanë jetën për liri, për një ideal që vetëm e kishin imagjinur, erdhi nga një SHBA e një Perëndim që nuk u tregua i vendosur për të mbrojtur një popull përballë një shteti fashist.
Nëse ka një mësim që nga ajo kohë është se lutjet në Washinton kanë rëndësi. Po pa gatishmërinë tonë për sakrifica madhore, nuk ka ndryshime të mëdha. Nga ky këndvështrim një lutje që të gjejmë guximin që shpesh na mungon si shoqëri, do të ishte një fillim i mirë.