Albspirit

Media/News/Publishing

Fran GJOKA: Kur në Lezhë përmend mësuesin Ndue Mataj, mendja të shkon te biblioteka e tij

 

Mësuesi i talentuar i letërsisë u portretizua për shumë vite si një nga figurat e njeriut me vlera. Pas daljes në pension kohën e lirë ai e përcjell me studime në mes të mijëra librave me vlerë të biblotekës së tij private. Ky njeri i apasionuar pas librave është bërë model për mbarë lexuesit lezhianë dhe më gjerë. Ai mbetet një lexues dhe propogandues i qindra librave në jetën e tij të punës 40 vjeçare, duke filluar nga Homeri e deri tek Ismail Kadare. Kjo e ka berë mësuesin e nderuar të letërsisë një dialogues të veçantë të letërsisë të shkrimtarëve dhe librave të njohur, një polemizues I forte për shumë fenomene të letërsisë bashkëkohore dhe asaj klasike.

 

1.

 

Kolegu im i dashur! Kështu më pëlqen t’iu thërras, si dikur kur ishim mësues në kohët e hershme të rinisë, kur të dy punonim për të mësuar dhe edukuar brezin e ri… Sa herë ju shoh, mendimi më ikën larg. Më përfytyrohen imazhe të dekadave më parë. Kanë kaluar vite e vite prej atëherë dhe tashmë, në kohën e pensionit, i ruajmë të fresketa kujtimet dhe respektin e ndërsjellë për shkollën, nxënësit dhe kolegët tanë mësues, që punojnë në të gjithë vendin me përkushtim dhe fisnikëri. Por ty, Ndue, të kemi admiruar edhe për dashurinë e veçantë që ke pasur dhe ke për librin, për bibliotekën tënde më të madhen në qytetin tonë, ndër më të mëdhatë biblioteka personale në Shqipëri. Me respekt e pasion u kam rrëfyer miqve, shokëve, kolegëve për këtë dashuri tënden, por edhe për punën e madhe metodike, profesionale dhe fisnike, për të cilën ti je dalluar kurdoherë. Madje, gjithnjë e kam nisur bisedën që në kohën e fëmijërisë sonë, sepse që atëherë ti dalloheshe, si edhe sot, për librin. I blije librat, i lexoje dhe i vendosje në bibliotekë me gëzim e kënaqësi të veçantë. Shtimi i një libri në bibliotekën tënde ishte gjithnjë një gëzim i ri. Kështu numri i tyre rritej, teksa ti u qëndroje gjithnjë pranë, duke i konsideruar librat sende të shenjta, si rreze drite që largojnë errësirën dhe shpërndajnë dritën, që ngacmojnë imagjinata te lexuesi dhe sidomos te fëmijët, i bëjnë ata të ëndërrojnë dhe ta shohin jetën me më shumë gaz, shpresë dhe besim tek e ardhmja. Për këtë dashuri dallon Ndue Mataj, shoku im i fëmijërisë, kolegu im i dashur për më shumë se 40 vjet. Ndueja u përgatit nëauditorët e Universitetit Shtetëror “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, në vitin 1976 dhe në shtator të po këtij viti mësuesi i gjuhës shqipe fillon punë në shkollën 8-vjeçare nëfshatin Tale deri më 30 gusht të vitit 1980. Pas 4 vitesh pune në mësuesi emërohet drejtor i shkollës 8–vjeçare në Torovicë, ku për 5 vjet, punoi me përkushtim, deri ne vitin 1985. Në gusht të vitit 1985 punoi për dy vite në Kabinetin Pedagogjik të rrethit Lezhë dhe më vonë, në gusht të vitit 1987, emërohet drejtor shkolle në shkollën 8-vjeçare në fshatin Rrilë, ku punoi deri në vitin 1992, kohë të cilën e shohim drejtor shkolle në Ishull Shëngjin deri në gusht të 1993. Nga ky vit transferohet zëvendësdrejtor në shkollën e mesme të Bashkuar në Ishull Lezhë, ku punon deri në vitin 1994. Nga ky vit kalon mësues i gjuhës dhe leximit letrar në ciklin 9-vjeçar dhe pastaj mësues letërsie në ciklin e mesëm, po në këtë shkollë deri në tetor të vitit 2004. Në nëntor të vitit 2004 u emërua specialist, inspektor i lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë pranë Drejtorisë Arsimore të rrethi Lezhë, detyrë të cilën e kreu deri në mars tëvitit 2010.Nga viti 2010 transferohet si zëvendësdrejtor, përsëri në shkollën e mesme Ishull Lezhë deri sa doli në pension, në prill të vitit 2018.

Kudo, në të gjitha këto shkolla ku Ndueja ka punuar, ka pasur një emër të përveçëm, edhe profesionalisht, edhe si koleg i dashur dhe modest,i urtë dhe i ditur, por dhe si njeri i mençur që përhap ngrohtësi në familje e shoqëri.

2.

I dashur, shoku im i fëmijërisë dhe kolegu im i çmuar, Ndue Mataj!

Të shoh sot sërish rrugëve të qytetit dhe i ndjej gjithnjë të gjalla valët e respektit dhe tëkonsideratës së lartë për ty, për mirësinë, urtësinë, sinqeritetin dhe qëndrimin intelektual. Gjithçka më vjen ndërmend, zëri juaj, fjala e këndshme, shikimi i syve të tu vizionar, për të treguar një rrugë në të cilën mund të ecësh lirshëm,krah shumë të tjerëve, me të njëjtin hap, por me punë, mundime dhe sakrifica. Sot të duken edhe rrudhat që të mbushin ballin tëndtëmenduar, edhe pamja prej fisniku,mimika e qeshur, fijet e bardha të flokëve, që tek i shoh, i them vetes se, më shumë se tëtjerët, tek ty shfaqin fisnikëri të rrallë.

Rrodhën shumë ujra deri atëherë, shumë e shumë vite pune të përbashkët me mësuesit lezhianë,por përsëri ata të qëndrojnë pranë, të duan dhe të admirojnë dhe, sa herë që të përmendin, mendja u shkon te biblioteka jote personale,ku vezullojnë mijëra e mijëra libra,qëndriçojnë shpirtrat dhe i japin dritë e bukuri mendjeve të lexuesve dhe veçanërisht të fëmijëve. Shikon aty në atë biblioteka qindra autorë, që nga ata të antikitetit e deri në ditët e sotme, shqiptarë dhe të huaj nga të gjithë vendet e botës dhe për secilin prej tyre ti di vendin, radhën, autorin, vendlindjen e tij, përmbajtjen e librit, mesazhet, duke përmendur  vlerat e tyreose edhe ndonjë merak që, “ah, sikur ta kisha edhe atë libër që më mungon”.

“Njeriun e mbajnë vlerat e virtytet, të cilat duhet të bëhen pronë e një shoqërie të caktuar”. Ky postulat të ka shoqëruar gjithë jetën, miku im, sepse kështu thua shpeshherë,duke shtuar se ato vlera, gjithkush i ka në dorë t’i vendosë vetë, nga koha e të mësuarit për të ecur në jetë me këmbët e veta. Në këtë kontekst ke qenë dhe je model në sytë e mi dhe për familjen e shoqërinë, sepse ecët me këto vlera, duke i përhapur midis nesh, si një pasuri e çmuar. Edhe në kohën e studimeve universitare ti nuk ndaheshe librave,mund të themi me plot gojë se atëherë dashuria jote për ta bëhej edhe më e madhe. Por ato kushtonin e ndërsa ti e shihje librine ri që sapo kishte dalë, nisje të kurseje edhe më shumë, madje sakrifikoje edhe bukën e ushqimet për të bërë pronë të tij një libër. Me ato para që kursente blinte librat e rinj në librarinë e qytetit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë kohës që ai studionte në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër, ku mësuesi i ardhshëm vazhdonte shkollën me pagesë të plotë, prandaj çdo muaj duhej të paguante vlerën prej 1800 lekë të vjetra. Ishte bërë një zakon, që për arsye ekonomike, dy studentë ushqeheshin në mensë të fakultetit me një biletë pra, një racion e ndanin në dysh, kështu me gjysmën e bursës prej 900 lekësh të vjetra, Ndueja blinte librat e rinj më të përzgjedhurit, duke pasuruar kohë pas kohe bibliotekën e tij personale. Kështu vit pas viti dhe dekadë pas dekade biblioteka e tij ka marrë sot përmasat e një biblioteke të vërtetë me vlera të rralla,e vlefshme për brezat e ardhshëm. Biblioteka e tij sot numëron rreth 6 mijë tituj librash, shkruar nga rreth 3 mijë autorë të ndryshëm të të gjitha gjinive letrare shqiptare dhe të huaj, si poezi, prozë e të gjitha llojeve, si tregimi, novela,romani dhe drama. Bazën e bibliotekës së tij e zë gjinia e romanit, që sipas tematikës ndahet në roman shoqëror, familjar, historik, erotik, kalorsiak dhe kriminalistik. Shto këtu edhe libra të ndryshëm studimorë, shkencorë dhe publicistikë, romane biografikë dhe me autorë të ndryshëm nga fusha e letërsisë, politikës, artit dhe historisë. Të bien në sy përfaqësuesit e letërsisë antike-greke dhe romake, si: Homeri, Eskili, Sofokliu, Aristoteli, Virgjili me disa nga librat e tyre, si Iliada dhe Odisea, Prometheo i mbërthyer, Bretkosat e Aristofanit, Antigona, Poetika, Eneida etj. Vend të veçantë në këtë bibliotekë zënë edhe autorët e Rilindjes Evropiane: Dante Aligeri, Martin Luteri, Vasko de Gama, Galileo Galileu, Mikelanxhelo, Da Vinci, Tasso, Petrarka, Bokacia, Shekspiri, Migel Servantes me veprat e tyre që tashme i njohin të gjithë, shto këtu dhe përfaqësuesit e klasicizmit dhe iluminizmit francez, si Pjer Kornej, Zhan Rosini, Molieri, Volteri, Bomarsheja me veprat e Horacit, Andromakës, Mizantropi etj. Nuk mungon as Geteja, si përfaqësues kryesor i iluminizmit gjerman me veprëne tij madhore si Fausti. Romantizimi, si rrymë letrare përfaqësohet në bibliotekën e mësuesit të njohur Ndue Mataj me autorë të mëdhenj si Bajroni, Hygoi, Hajne, Manxoni, Pushkini, Lermontovi etj., me veprat e tyre kryesore, si Shtegtimet e Çajld Haroldit, Viti 93, Gjermania përrallë dimri, Të fejuarit, Eygjen Onjegin e mjaft vepra të tjera, që pasurojnë këtë bibliotekë të pasur, duke e bërë një nga bibliotekat më të pasura nëqytetin e Lezhës dhe më gjerë. Pasuria e bibliotekës së mësuesit Ndue Mataj nuk ka fund, sepse edhe letërsia botërore e ka një shtrirje tëgjerë dhe vjen nga shumë vende të botës, si: Francë, Angli, Rusi me përfaqësuesit kryesorë të saj Balzaku, Gustav Folober, Tolstoi, Dostojevski etj. Mësuesi i nderuar,Ndue Mataj, pasionant për 40 vite me radhë për librin artistik, ka ndjekur me kujdes botimin e këtyre autorëve dhe veprave të tyre, si Evgjeni Grande, Lufta dhe Paqja, Ana Karenina, Krim e ndëshkim etj., duke pasuruar bibliotekën e tij. Janë të pafund veprat e autorëve bashkëkohorë të botuar gjatë 3 dekadave të fundit qëtani janë fond i rrallë i kësaj biblioteke të pasur, apo vepra të autorëve modernë nga Europa,Amerika e Veriut dhe Jugut, Azia, Afrika etj. Padyshim letërsia shqiptare zë një vend të veçantë në këtë bibliotekë, duke  filluar me autorë të vjetër, Rilindja kombëtare, letërsia e gjysmës së parë të shek XX si dhe letërsia shqiptare bashkëkohore, që janë baza kryesore e fondit të kësaj biblioteke nga Buzuku, Bogdani, Pjeter Budi e deri tek bejtexhinjtë, pasuria letrare vazhdon me veprat e Jeronim de Radës, Zef Serembes, Naimit, Çajupit, Ndre Mjedës, Asdreni, Nolit, Arshi Pipës e shumë autorëve të tjerë të anatemuar nga sistemi totalitar që nga lufta e pas çlirimit. Vepra dhe analiza letrare nga autorë shqiptarë dhe të huaj, pasurojnë fondin letrar të kësaj pasurie të rrallë.Si romane historike, fjalorë të ndryshëm të gjuhës shqipe, italiane, franceze dhe angleze gjendën sot të arkivuar në bibliotekën e mësuesit të shkëlqyer të gjuhës shqipe dhe letërsisë, Ndue Mataj. Një fond të veçantë në bibliotekën e tij zë arkiva e gazetave dhe revistave të ndryshme letrare, artistike dhe shkencore, koleksionuar që prej 40 vitesh, si: gazeta “Mësuesi’, “Drita”, revista “Nëntori”, “Kuvendi’ ,“Gjuha Jonë”, si dhe revista kulturore Mehr Licht me 42 numra gjithsej. Këtë pasuri të paçmueshme njeriu i përkushtuar e le gjithmonë të hapur për kolegë, mësues dhe dashamirës të librit. Padyshim, në pasurimin e bibliotekës kanë ndihmuar edhe fëmijët e tij që studionin në La Sapienza, Romë dhe në Universitetin e Tiranës. Unë, kolegu yt, i shkrova këto radhë të gdhendura në shpirt dhe i hodha në një bllok shënimesh, por kurrë s’munda të t’i thosha ndër sy aq përmallshëm.Tani ti,si dhe unë,duke qenë në pension, ke kohë më shumë të lexosh, kështu që lexo edhe këto shënime të shokut tënd. Ndonëse tani del më rrallë, unë çdo ditë do të të pres, të pimë kafen bashkë dhe të bashkëbisedojmë si dikur për shkollën dhe pastaj, dihet, për atë që ti ke më të dashurën, bibliotekën tënde të shenjtë…

 

 

Please follow and like us: