Viron Kona: Vendimi i mbretit
Tregim në vargje
1.
Njëri nga mbretërit e vendeve skandinave,
ftoi në një drekë të madhe pushtetarët e tij,
të gjithë u ndjen të lumtur për vëmendjen,
kur të fton mbreti është nder edhe krenari.
Për drekë u zgjodhën ushqimet më të mira,
antipasta të shijshme në pjatanca porcelani,
shoqëruar me lloj-lloj pijesh e verëra t`vjetra,
aragosta,oktapod zgare,peshq t`rrallë oqeani.
Binin në sy në atë drekë t`pasur mbretërore,
lule të freskëta, ku mbizotëronin trëndafilat,
kompletet lugësh, pirunësh, thika të florinjta,
kurse salla e magjishme vezullonte nga dritat.
Dhjetëra kamerierë shërbenin nëpër tryeza,
shfaqeshin regjisorë,fotografë,kameramanë,
muzika e ëmbël krijonte sfond t`magjishëm,
gjithçka ish perfektë, një drekë plot sharmë.
2.
Para se të fillojmë këtë drekë, – tha mbreti,
kam një pyetje për ju ministra, pushtetarë:
çfarë hanë, si ushqehen sot shtetasit e mi,
le të ma thotë ai që me sytë e tij e ka parë.
Pyetjes së mbretit askush s`dinte t`i përgjigjej,
heshtën dhe ulën kokat të vënë në vështirësi,
kishin menduar vetëm se si të pasuroheshin,
s`donin t`ia dinin si rronte populli në mbretëri.
3.
Kur mbreti këmbënguli që dikush të përgjigjej,
kërkoi leje,doli përpara një shërbëtorë i vjetër:
Puna më çon çdo ditë mes njerëzve,o madhëri,
ndaj mund t`ju japë përgjigje si askush tjetër:
Kudo kam takuar njerëz të mjerë e të uritur,
populli në varfëri që s`rrëfehet jeton e lëngon,
t`rritur e fëmijë kënaqen me një kothere bukë,
e ngjyejnë me shëllirë, atë kanë përditë racion.
Këtë gjendje e kam parë këto ditë dhe në fshat,
kur shkova të shihja se si rronin prindërit e mi,
bukën që kishin e ndanin kafshatë më kafshatë,
nga pakë thekër e ca kokrra patate kanë pasuri.
Varfëria vjen nga papunësia e taksat mbretërore,
ata japin gjithçka e për vete u mbeten thërrime,
sillen rrotull pa punë, lypin, flenë dhe pa ngrënë,
këtë gjendje pashë në fshat dhe në familjen time.
Për anën tjetër përgjigjen e dini vet, o mbreti im,
pamja magjepse e përrallore mua m`i prish sytë,
luks marramendës,shumëkatëshe ngjiten n`qiell,
oborrtarët që ju rrethojnë, ju lajkatojnë çdo ditë.
4.
Mbreti dëgjoi shërbëtorin me shqetësim, i tronditur,
dhe një copë herë qëndroi i heshtur dhe i menduar,
pastaj befas brofi në këmbë e tërë zemërim urdhëroi:
Hiqni menjëherë nga tryeza gjithçka keni shtruar!
Para secilit prej nesh në tryezë urgjentisht t`shtrohet,
racioni i ushqimit që populli ynë i varfër ha çdo ditë,
le t`provojmë, unë, ministrat, oborrtarë e pushtetarë,
se si rrojnë dhe se si ushqehen shtetasit e mi besnikë.
Habi dhe pakënaqësi shkaktoi ky vendim i madhërisë,
por urdhrin e tij s`guxoi ta kundërshtonte dot askush,
nisën të ngjyenin kotheret e bukës në tasat me shëllirë,
përtypnin me zor patatet e pjekura në tym e në prush.
Kur dreka mbaroi ata pyesnin me habi njëri – tjetrin,
një gjë e tillë n`mbretëri s`kishte ndodhur asnjëherë,
por u tronditën edhe më shumë kur mbreti urdhëroi:
se kështu siç ha populli, do të hanin dhe ata përherë.
Sa kohë, tha mbreti, ne do të kemi këtë varfëri,
ky do të jetë ushqimi i përditshëm edhe për ne,
çdo ndryshim për mirë n`tryezat e popullit tonë,
do të sjellë dhe në tryezat tona një meny të re.
Urgjentisht të nisim e të kryejmë detyrat që kemi,
t`i futemi punëve, që ekonomia jonë të zhvillohet,
t`vëmë në punë mendjet dhe natën ta bëjmë ditë,
duke ndryshuar,ushqimi në sofra do t`na shtohet.
5.
Kështu morën zhvillim, o miq vendet skandinave,
puna e tyre solli ndryshime që dhe sot vazhdojnë,
sa herë që popull e pushtetarë janë në vështirësi,
vendimin e mbretit të tyre të mençur kujtojnë…