Albert Z. ZHOLI: MIRËNJOHJA
Tregim
Ata të tre ecnin pa folur. Ecnin, pas njëri-tjetrit, në distancën 2-3 metër. Secili në shpinë mbante nga një çantë sportive të mbushur me ushqime e me ndërresa. Të tre ishin nga një fshat dhe ishte hera e dytë që e bënin këtë rrugë. Herën e parë, para një viti, kishin udhëtuar dymbëdhjetë orë, në këmbë e kishin mbërritur në një fshat, në periferi të Athinës. Zunë punë në një fermer. Ai u dha pa lekë, një dhomë përdhese, që përdorej si depo veglash. Ata e rregulluan aq mire sa të nesërmen pronari nuk u besoi syve. Jetuan për një vit, si një familje me tre vëllezër. Punonin njësoj, paguheshin njësoj, ushqeheshin njësoj. I kishin mësuar me imtësi huqet e njëri-tjetrit. Pronari, fjalëpak e kërkues, bënte çudi me “tre shokët-vëllezër”. Emërat as që morën mundim t’i ndërronin, ishin Doriani, Albani e Kreshniku. Edhe në moshë ishin njëzetë e shtatë vjeçarë. Albani e Doriani ishin të martuar, kurse Kreshniku akoma beqar. Ai ishte edhe më hokatari e më i shkathëti edhe në punë. Pronari disa here donte ta paguante më tepër nga shokët, por ai i kishte thënë “Jemi njësoj të tre”. Pasi mbushën vitin dhe vunë disa para mënjanë, vendosën të shkonin në Shqipëri e të shmalleshin. Morrën lejë nga pronari dhe u nisën. U cmallën dhe …
Të tre, morën sërish, rrugën drejt Greqisë. Sigurisht në këmbë se për vizë as mund të bëhej fjalë. Përsëri kaluan nga Konispoli. I ishin afruar Filatit, pranë rrugës automibilistike kryesore. Ora ishte 04-30 e mëngjesit. Tek-tuk dëgjoheshin të lehura qensh dhe këngë këndezash. Pjesën më të rreziksjhme të rrugës e kishin kaluar, pikën kufitare greke. Koha ishte freskuar së tepërmi, në atë mes shtatori.
-U çmenda për një cigare-tha Doriani me të avashtë.
-Edhe unë-ia priti Albani.
-Pa më pyesni mua?-vazhdoi Kreshniku.
-Tani me kujdes-tha Albani që ecte i pari,-është e përpjeta shkëmbore.
Donin edhe disa metra që të mbërrinin te rruga matanë, kur Kreshniku rrëshqiti me një “oh” të zgjatur. Kur iu afruan, panë Kreshnikun që mbante gjurin e djathtë me të dy duart dhe shtrëngohej nga dhimbja. Çdo sekondë që kalonte ia shtonte dhimbjet e gjurit, sa këmba filloi t’i mpihej. Në fillim mendoi se do të ishte një goditje e zakonshme, por problemi ishte më serioz. Këmbën nuk mund ta urdhëronte dot më. Ishte jashtë funksionit të trupit. Po zbardhëte. Qëndrimi i gjatë aty, në anë të udhës, ishte i rezikshëm. Mund të binin pre e policies. E kapën nga krahët shokun e tyre dhe e fshehën në një guvë jashtë vrojtimit. I ngritën pantallonin e këmbës së djathtë dhe pane me kujdes. Këmba kish nisur të enjtej
-Po zbardh.
-Do na kapin.
-Ikni ju-foli me dhëmbë të shtrënguar Kreshniku-më mirë të më kapin mua se të treve. Ju jeni më hallexhi se unë.
Ata pane njëri-tjetrin në sy. Sytë u shkëlqyen. Si duket mezi e prisnin atë “lejë” të shokut të plagosur. Përgatitën çantat, duke hequr ushqimet e Kreshnikut dhe pasi u përshëndetën, me shokun e mbetur, u larguan. Ai i ndoqi me sy deri tutje pas kodrës. Dhimbja po i shtohej. Gjuri po i enjtej edhe më. Nxorri nga çanta bidonin e ujit dhe lagu buzën që i digjte. Ishte zbardhur plotësisht. Makinat po shtoheshin nga çasti në çast, duke e mbushur rrugën me zhurmën e motorave. Këmba i dhimbte egër, sa nuk mund ta prekte as me dorën e vetë. Poa orën e dorës. Ishte 11-të. Kishte pesë orë që qe ndarë nga shokët. Me siguri do të kenë mbërritur në Janinë-mendoi. Do zoti nuk i ka kapur policia. Ky mendim e gëzoi dhe sikur e lehtësoi ca. Lëvizi nga vendi. Donte t’i shmangej disi diellit. Befas dëgjoi tingullin e një zileje. Nuk qe kope dhënsh apo dhish, ishte zile e vetmuar. Zilja sa vente e po afrohej, deri sa u dëgjua edhe zhurma e patkonjve. Ishte një fshatar me mushkë të kuqe. Edhe donte edhe s’donte ta shihte fshatari me mushkë. Sa po rrotullonte këto mendime, mushka mbërriti aty te këmba e tij. Fshatari zbriti nga mushka me një kërcim atleti dhe i foli:
-Apo pu ise pedhi mu? (Nga je djali im?)
-Nga Shqipëria-iu përgjegj ai greqisht.
-Pse rri ashtu?
-Kam vrarë këmbën e s’mundem.
Burri rreth të 55 vjetët, me një pamje babaxhani, me mustaqe të trasha e të zverdhura nga duhani, iu afrua e i pa gjurin me kujdes. Gjuri ishte enjtur e nxirë, sa fshatari u shqetësua.
-Ç’pak më thua, ky është bërë katran. Vetëm ke ardhur?
-Vetëm-gënjeu.
-Si të quajnë?
-Kreshnik.
-Nuk e them dot atë emër, Niko do të të thërras. Mua më quajnë Llambi. Tani do të të marr me mushkë dhe do shkojmë në shtëpi.
Xha Llambi ecte duke tërhequr mushkën. Njerëzve që e përshëndesnin rrugës nuk u jepte shumë sqarime. Sa hyri në oborrin e shtëpisë foli me zë të trashë:
-Eleni, shpejt ujë të vakët dhe një govatë!
Sa i ngjan babait tim!-tha Kreshniku me vete.
Eleni doli tek dera dhe pa me kurreshtje djaloshin mbi mushkë. Zbriti shkallët për të ndihmuar….
***
Atë mbasdite Kreshniku do të dilte nga spitali i Janinës. Plot tetë ditë kishte qëndruar në atë spitalë. Nënë Eleni i kish ndenjur te koka. “Edhe nëna ime nuk do kujdesej kështu” mendonte Kreshniku dhe nuk dinte si ta falenderonte. Ajo i tregonte për djalin e vetëm që ishte shpërngulur në Amerikë. Ata, burrë e grua, jetonin vetëm në atë fshat kufitar me Shqipërinë. Ajo i përgatiti valixhen me roba për të dale nga spitali dhe priste të shoqin që të vinte. Ai erdhi së bashku me infermieren. Ajo solli fletëdaljen dhe faturën, që shënonte 150 mijë dhrahmi.
-Do paguhen në katin e parë-foli infermierja me buzë në gaz.
-Shëndet të mbarë-uroi ajo Kreshnikun duke i rrahur shpatullat.
Atij sa nuk i ra pika. Kush do t’i paguante gjithë ato para? Ku do t’i gjente? Kjo dhimbje ishte më e madhe se ajo e gjurit para një jave.
-Eleni, merre djalin dhe më prisni te makina. Ja erdha unë-dhe si një djalë i ri nisi të zbresë shkallët.
Iu afruan qendrës së Janinës.
-Këtu afër është një lokal i një fshatarit tone, marrim diçka për të ngrenë dhe bisedojmë-tha xha Llambi dhe ndaloi me kujdes makinën. Hynë në lokal dhe zunë vend. Lokali ishte i thjeshtë, por të binte në sy një pastërti tërheqëse. Pronari i lokalit përshëndeti nga banaku. Kamarieri solli menjëherë gjellët dhe tre birra “Amstel”.
-Të shkuara të harruara!-uroi xha Llambi dhe përplasi goten me “Nikon”.
Uroi edhe nënë Eleni.
-Faleminderit shumë për gjithëçka, që bëtë për mua!
-Dëgjo mor bir, punën tënde e diskutuam së bashku me gruan. Ti për punë ke ardhur në Greqi. Ne na duhet një njeri për punë. Kemi vreshta, kemi edhe bagëti. Mire do të paguhesh, me ne do të hash, me ne do të jetosh, si një familje. Kemi pesë dhoma, njëra është dhoma jote. Ky është mendimi ynë, ti bëj si të të dalë më e mira.
Ky propozim ishte i papritur për Kreshnikun. Kish menduar të nisej sa më pare në Athinë, të punonte dhe t’ju kthente borxhin e spitalit. Me siguri shokët dhe pronari e prisnin. Ç’të bënte?
-Dakord do të rri të punoj te ju, por sot do të shkoj në Athinë të takoj dy shokë-pune, që më ruajnë punën së bashku me pronarin. Dua t’i sqaroj, që të mos dal i pabesë. Pas dy ditësh do të kthehem. Xha Llambi ngriti kokën nga pjata dhe e pa në sy. Sytë e tij shprehnin mosbesim. Por e pranoi arsyetimin e djaloshit.
-Atëhere të mbarojmë së ngrëni dhe të nxitojmë të zemë autobuzin e fundit për në Athinë-tha ai dhe u ngrit vetë i pari.
***
Në Athinë mbërriti rreth ores 21-30. Autobuzi eci për mrekulli. Sa mbërriti shkoi te gabina për të marrë pronarin në telefon. Tre karta telefoni ia kish dhenë xha Llambi para se të hypte në autobus. Merak-plaku, mendoi Kreshniku. Formoi numërin:
-Ne(po)–u dëgjua zëri i tij i vrazhdë.
-Zoti Filip, jam Kreshniku, Kristua, siç më flisni ju.
-Si, Kristua, shqiptari, punëtori im? Po ku je mor bir, shokët më kanë thënë se nuk do të vije tani shpejt.
-Flas nga stacioni i autobuzëve, jam këtu në Athinë, të lutem eja e më merr se nuk kam asnjë dokument dhe …
-Erdha, për njëzetë minuta jam aty.
Morri dhe xha Llambron në telefon, i tha se u gjend mirë në Athinë dhe do kthehesh sipas fjalës.
-Pse nuk erdhe me shokët-e pyeti z. Filip sa u takuan.
-Kisha një problem familjar.
-Ndihet mungesa jote. Tani kemi edhe shumë punë.
Makina ecte me shpejtësi drejt shtëpisë ku ishin edhe dy shokët-bashkëfshatarë. Kur Kreshniku hyri në dhomën e tyre, ata ishin shtrirë dhe dëgjonin muzikë. U shtangën sa e panë. Kreshniku, për të mos e dhënë veten i përqafoi me mall dhe i pyeti për shëndetin.
-Ne jemi fajtorë ndaj teje-foli Albani pa e parë në sy.
-Tani do sjell diçka për të ngrenë. Nesër kemi punë të reja. Tani erdhi edhe Krtistoja me fuqi të reja.
-Zoti Filip, unë erdha vetëm për t’ju takuar. Nuk do të punoj më këtu.
-Si, ku do të punosh?
-Në një fshat të Janinës.
-Oh, sa do të të paguajnë aty. Unë do të të paguaj mire.
-Nuk kam bërë Pazar, por do ma vlerësojnë mire punën që do të bëj.
-Pyete në telefon pronarin sa do të paguaj dhe unë do të jap më shumë.
-Jo zoti Filip. Ata m’u gjendën në kohën më të vështirë. Kur u ktheva vetëm u rrëzova dhe vrava gjurin keq. Mbeta në udhë. Zoti Llambro më mori, më shtroi në spitalë e më trajtoi si djalin e betë. U kam shumë detyrime atyre. Nga juve jam shumë i kënaqur, ndaj edhe erdha t’ju falenderoj, por më duhet që të kthehem në Janinë…
Z.Filip tundi kokën. Shokëve u kish ikur ngjyra e fytyrës.
-Mirë, të të vejë mbarë! Punëtorët si ti, gjithëmonë e hapin vetë rrugën e jetës-uroi z.Filip. Tashti ejani ta kalojmë bashkë darkën…