Albspirit

Media/News/Publishing

Lëvizjet përmbysëse sot në Shqipëri

“Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta këtu, midis jush”, mendime mbi librin “Kambanat e heshtjes” të Emil Asdurian.

 

Baftjar Musa Qazimi

Gjithë kjo histori, s’di çfarë emri t’i ve, është një kundërshtim i hapur me gjithë çfarë na ka mësuar historia deri në ditët e sotme. Po flas për shkencën e saj me ligjet objektive dhe dialektikën e pakundërshtueshme. Mëdyshje që gjendet që nga fillimi dhe deri në fund të librit. Mosbesim për çdo gjë të shkuar dhe një mbivlerësim i përvojës së tanishme, si dhe mohim i çdo arritjeje, qe ky popull e ka arritur me djersë e gjak. Ne historinë, ndryshe nga të tjerët, e kemi bëre vetë. Vetë fituam pavarësinë dhe vetë u çliruam nga hordhitë fashiste. Ndihmuam të çlirojmë edhe të tjerë. Vamë deri në Spanjë. Sa dhe më i madhi ndër të mëdhenjtë, Skënderbeu, e tha kur ngriti flamurin në Krujë:

“Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta këtu, midis jush!”

A nuk e dinte ai se kush jemi? Apo ai, ndryshe nga disa mërgimtarë vullnetarë, nuk e harroi kurrë traditën e këtij populli heroik. Pra e gjithë kjo ide, se historinë e bëjnë fitimtarët s’është tjetër veç një lajthitje si ajo e Haxhi Qamilit. Bënte mirë ai që nuk u besonte këtyre të pabesëve. Dhe se faktori kryesor në ndryshimin e ecurisë së saj, s’janë as kushtet objektive të zhvillimit shoqëror dhe as roli përcaktues i udhëheqësve, por forca e popullit. Nuk janë mjetet dhe teknika ushtarake që sjellin fitoren, por shpirti vetëmohues i gjithë popullit ushtar. Edhe pse nuk jam specialist i fushës, nuk besoj që mendësia e një populli ka të bëjë me qeverisjen që zgjedh, e aq më tepër kur nuk e zgjedh, si në rastin e monarkisë. Apo mos ke dashur të thuash me hile zotrote se “kemi qeverisjen që meritojmë”, shprehje që pa dyshim e thonë ata që nuk ia duan të mirën këtij populli. Asnjë populli! Çka të bëjë qeveria me mënyrën se si këndojnë dhe vishen njerëzit, apo dhe qysh e heqin vallen? Se ne që thua ti, kur vjen puna, thika në kockë, ne të tërë jemi udhëheqës, prijësa dhe gjeneralë të parë. Në historinë tonë kemi pasur më shumë trima të tillë të dalë nga gjiri i popullit, se sa mbretër a fisnikë të sërës. Përkundrazi, këta të fundit më shumë kanë bashkëpunuar me të huajt të ruanin pasuritë e tyre, se sa kanë luftuar për të mirën e vendit. A nuk ishin Topiajt-Toptanët të parët që ftuan turqit në trojet tona? Apo Esati me serbët e me këdo tjetër, deri sa gjoksin ia hapi me plumb Avniu ynë? Apo do të flasësh për Hamzanë, Moisinë dhe Lekë Dukagjinin! Tradhtarë! Apo të tjerë më pas dhe më parë? Ka sa të duash. Nga ana tjetër, ishin kryengritjet kundër Tanzimatit që nisën të lëkundnin themelet e Perandorisë Osmane. Ishte revolta e mbarë popullit që solli pavarësinë e Shqipërisë. Ishin po ato që nuk e lanë të zhbëhej e të coptohej nga Evropa plakë, që tani i ka ardhur koha të prishet për vete. Kush i hodhi italianët në det, po të mos kishe qenë populli dhe Selam Musai? Pse nuk i përmend këto more mik?

Nga ana tjetër, sado të rëndësishme të jenë faktorët historikë objektivë, do të ishte disfatizëm të mohosh rolin e individëve të shquar, madje edhe atëherë kur këta të fundit kanë dështuar në përpjekjet e tyre. Këtë, rrëmoje dhe do ta gjesh kudo në historine tonë. Rasti më i saktë është ai i vetë Skënderbeut! Pirro i Epirit gjithashtu. Ali Pashanë që kokën ia prenë në Janinë dhe plot të tjere. Ajo e cila më duket e spërdredhur, në mos gënjeshtër, është ideja që hidhet fshehurazi aty-këtu në libër, disa herë e përsëritur në emër të demokracisë, se i ka kaluar koha lëvizjeve me një udhëheqës të çelniktë dhe largpamës. Dhe kjo nuk është taktikë lufte. Ky është dorëzim pa kushte, madje pa filluar ende. Une historian nuk jam. I kam shërbyer atdheut me armë në dorë si oficer i forcave të armatosura dhe jo në një por në disa rrethe të atdheut. Detyrë të cilën e kam kryer me nder. S’del një të më thote gëk. Se s’ka çfarë të thotë. Por nuk mund të ketë lëvizje pa drejtim. Njerëzit nuk mund të hidhen në luftë me një të shkruar nga telefoni, aq më tepër pa e ditur se kush fshihet pas tij. Kush e jep atë urdhër. Se kush dilte në mal a në kryengritje po të mos e dinte se me kë do luftonte. Ish Çerçizi apo Rrapo Hekali, që e njihte një krahinë e tërë, pa shkonin njerëzit të vriteshin e të derdhnin gjak. Lëre por na del dhe kundra partive. Cili është ai vend që nuk ka parti sot? Ëndrra në diell. Partitë do jenë dhe do të mbeten si organizatat më të vlefshme për të ndërtuar një shoqëri demokratike. Qenia e tyre është pluralizmi në thelb i çdo qeverisjeje parlamentare por edhe atyre parlamentaro-mbretërore, siç është Anglia!

Së fundi, e lidhur dhe më çfarë shkrova dhe më lart, nuk e ke kuptuar ende mendësinë tonë, se më dukesh si një italian që fliste dy ditë më parë në një emision televiziv me Dashamir Shehin për djegien e mandateve. Ai thoshte “nuk duhet të largoheni nga parlamenti” dhe Shehi që mezi priste të shprehej belbëzonte nëpër dhëmbë: “Ç’është ky mor’ jahu, nga ka atdh ky”? Dhe italiani shqiptar nga pashaporta thërriste: “Ç’ish ky racizëm! Racizmi”! Ne, mor mik, kemi lindur nga çarku. Në vend të gjakut kemi barut. E kupton ti, që ne nuk mund të rrimë pa shpërthyer dhe pa u rrahur me grushta a shqelma kur grindemi? Se pushkën e kemi atavizëm të trupit siç ka thënë Kadareja? Ne si nuk bëjmë dot pa bajrak, nuk bëjmë dhe pa gjak. Dhe ti me flet si ata fëmijët e papjekur studentë, që bënin protestë me të kënduar. Kur ka ndodhur të mblidhen tre shqiptarë bashkë, por edhe dy, e të mos bëhet zhurmë e të mos bëhet sherr. Ne nuk qetësohemi në heshtje, përkundrazi ndizemi më shumë. Vetëm frika e ndëshkimit na bën zap. A kë degjuar ti për Kanunin e Lekës, që edhe sot, është ligji i maleve dhe a e ke menduar pse e kemi vetëm ne dhe askush tjetër? Këtu, mor lum miku, nuk zbret njeri nga kali me të butë, por edhe atë që e shtyjmë ose bëjme sikur e shtyjmë, ndodh vetëm atëhere kur është gati i ngordhur. Ku mendon se je, në Francë apo në Gjermani që e merr si shembull? A nuk e pe çfarë bënë kur flakën i vunë Parisit? Këtu Gandin tënd e marrin prej by…., me nder me thënë, dhe e flakin në kopshtin zoologjik dhe atje ta provojë “mosbindjen paqësore”, që na predikon ti si një prift, kur nuk dimë se kush dhe çfare je! Ah, ne këtej nga anët tona, këngë u ngremë heronjve pasi të kenë bërë bëmat e jo më parë se të ketë dalë në sheshin e burrave, se ndryshe të shkon huq kënga.

E mbajtsh me shëndet e të të rrojë!

 

Please follow and like us: