Faik Konica: Bejlerët dhe bajraktarët në Shqipëri
I
Një çështje që diskutohet vazhdimisht në Shqipëri është roli që kanë luajtur një numër udhëheqësish, trashëgues të kësaj pozite shoqërore. Cili është realiteti në lidhje me fuqinë e tyre, shpeshherë të përshkruar në mënyrë të ekzagjeruar? Para së gjithash duhet pasur mirë parasysh se shqiptari, siç e kemi thënë edhe më parë, është tepër i pavarur e individualist për t’iu nënshtruar ndikimit të cilitdo qoftë. Megjithatë ai beson me bindje në epërsinë e prejardhjes familjare e në çdo gjë që ka lidhje me të. Prandaj disa familje kanë qenë e vazhdojnë të jenë edhe sot, megjithëse në përpjesëtime shumë më të vogla, një faktor vendimtar në përcaktimin e qëndrimeve të popullit. Do ta lëmë mënjanë, tani për tani, Malësinë ose pjesën malore të vendit, e cila përfshin njëmbëdhjetë për qind të të gjithë popullsisë së vendit e deri pak vjet më parë formonte një njësi të dalluar, me një sistem politik dhe shoqëror krejt të ndryshëm nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Jashtë Malësisë, afro një brez më parë, një pakicë prej rreth dyzet familjesh formonte shtresën e lartë. Megjithëse, siç do ta shohim më poshtë, janë përshkruar në mënyra të ndryshme, këto familje njihen botërisht me emrin “bejlerë”. Shumica prej tyre i kanë marrë titujt nga qytetet ose qendrat ku shtriheshin zonat e tyre të influencës (si për shembull bejlerët e Vrionit, që kanë prona të pakufishme në Shqipërinë e Jugut).
Ata ishin në gjendje ta drejtonin sipas dëshirës së vet jetën e fatin e fshatarëve, përderisa kishin shtënë në dorë tokat më të mira të vendit dhe një fjalë e urtë shqiptare thotë: “edhe po të bëhet beu gomar, mos i hip”.
Historia e prejardhjes së tyre si klasë duhet kërkuar që në kohën e pushtimit turk. Kronikat dhe dokumentet para ardhjes së turqve, i përmendin fisnikët shqiptarë me titullin kont, baron ose thjesht kryetar fisi. Shumë prej këtyre e braktisën vendin fill pas pushtimit turk dhe zunë vend në Itali.
Ata që mbetën në Shqipëri, nën trysninë e pushtuesve, më në fund u bënë myslimanë, për të ruajtur të drejtat dhe privilegjet e mëparshme.
Dihet, se disa prej tyre kanë arritur postet më të larta të Perandorisë Otomane. Ata, natyrisht, formuan bërthamën e parë të klasës së lartë shqiptare. Megjithëse për sy e faqe i nënshtroheshin sundimit turk, bejlerët qëndronin mbi çdo gjë, përderisa u lejohej të mbanin banda të armatosura, me të cilat e sundonin Shqipërinë si t’u tekej, në mënyrë gjysmëfeudale. Ndonjëri prej tyre arriti të bëhej kaq i fuqishëm, sa të mos i bindej as vetë Sulltanit. I tillë qe, për shembull, Ali Pashë Tepelena, i njohur me emrin Luani i Janinës, i cili në njëzet vjetët e para të shekullit të nëntëmbëdhjetë, i nënshtroi të gjithë krerët vendës të Shqipërisë Jugore dhe të Greqisë njëherësh. Qëllimi i Aliut ishte të bashkonte Shqipërinë dhe Greqinë në një shtet të fuqishëm të Evropës Juglindore. Po ashtu, në veri, Kara Mahmud Pasha, i familjes së Bushatlinjve, megjithëse më me pak sukses, u doli përballë turqve dhe e sundoi Shqipërinë e Veriut si një principatë të pavarur.
Në të njëjtën kohë, edhe disa shqiptarë të dalë nga shtresat e popullit, për hir të guximit dhe të talentit të tyre, arritën të zinin shpesh vende me rëndësi ushtarake dhe diplomatike në qeverinë perandorake. Është me interes të tregohet se gjatë atyre katër shekujve e gjysmë që qe e lidhur pas Turqisë, Shqipëria i dha Turqisë jo më pak se tridhjetë e pesë ministra, pa llogaritur këtu gjithë ata komandantë ushtrie dhe diplomatë të panumërt. Për shembull, nga fundi i shekullit të shtatëmbëdhjetë, shumë vezirë të Mëdhenj të Turqisë dolën nga familja e Qyprilinjve. Kjo familje nis të përmendet në vitin 1656, me Plakun Muhamet Qypriliu, i cili kur ishte i ri, kishte hyrë në pallat si nëpunës i ulët, por për hir të aftësive të veta arriti të bëhet sundimtar i Damaskut, i Tripolit dhe i Jeruzalemit e më në fund shtiu në dorë frenat e Perandorisë.
Disa personave nuk u lejohej ta mbyllnin në Shqipëri karrierën e tyre, por as vetë atyre nuk u binte më në mend për vendlindjen, të cilën e kishin lënë që në moshën e fëmijërisë. Disa e ruajtën besnikërinë karakteristike të shqiptarit ndaj familjes dhe të afërmve dhe i bindën këta të venin në Stamboll e të zinin vend aty përgjithmonë. Disa të tjerë e ushtronin ndikimin e tyre te Sulltani, për të shtënë në dorë tokat shtetërore e për t’i dhënë titullin e pashait kryetarit të familjes që kishin lënë në Shqipëri.
Këta “homines novi”, që gjenin mbështetje në ndjenjën e popullit shqiptar për ata që qëndrojnë më lart, nga ana e jashtme dukej sikur nderoheshin, por në të vërtetë shikoheshin me një farë përbuzje.
Fuqia dhe pasuria i detyroi disa fisnikë të varfër të lidhnin krushqi me ata të ardhur të ri, të cilët, pasi kaluan disa breza, e harruan prejardhjen e tyre të ulët dhe filluan të njihen si anëtarë të klasës sunduese.
Bërthama e atyre që kishin mbetur, nga fisnikët para pushtimit turk, u përzien dalëngadalë me familjet që kishin fituar privilegje e pasuri në Perandorinë Otomane dhe, pasi u lidhën me krushqi me këta të fundit, formuan, më vonë, klasën e lartë të Shqipërisë. vetë Perandoria Otomane e njohu “de facto” ekzistencën e tyre, përderisa thirrjet e Sulltanit, në kohën e vjetër, u drejtoheshin kurdoherë “fisnikëve dhe popullit të Shqipërisë”. Nuk bëhej asnjë formalitet ose regjistrim zyrtar, për të fituar të drejtën për t’u quajtur fisnik; mjaftonte ajo që vetë populli t’i njihte si të tillë. Ky grup familjesh njihej në Shqipëri me emrin “Dyert e vjetra (e mëdha)” ose “Oxhaqet e vjetra”. Në vendet e huaja kjo klasë njihej si “Fisnikëria e Shqipërisë”. Ambasadori i Napoleonit në Turqi pati quajtur këta “kasta e bejlerëve të Shqipërisë”, kurse një autor i ditëve tona, Henri N. Brelsford (Brailford) i ka quajtur “borgjezia e lartë latifondiste”. Të tria këto përcaktime kanë diçka të vërtetë, por secila prej tyre mund t’i nënshtrohet kritikës. Nuk ishin fisnikë në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse asnjë dekret nuk u kishte dhënë të drejtën të quheshin të tillë; nuk ishin as kastë, sepse nuk mbështeteshin në organizma fetare. Nuk mund të dyshohet që fuqia e tyre ka lindur përnjëherë me pronësinë mbi tokën, por më vonë e ka humbur këtë karakter, meqë mungonte ligji mbi “mazhoratin”, domethënë një ligj i tillë që të siguronte trashëgiminë e tokës së pandarë, me të drejtë që t’i lihej vetëm djalit të madh brez pas brezi. Ligji i ngurtë islamik, i cili kërkon që pasuria të ndahet në mënyrë të barabartë në mes të fëmijëve, u përhap me shpejtësi dhe kështu më i madhi i familjes mbetej me më pak tokë se të tjerët. Të paktë janë ata kryetarë familjesh aristokrate që kanë sot toka të shumta; ato që i kanë nuk janë të trashëguara brez pas brezi, por i kanë shtënë në dorë ose me blerje të llojshme ose me grabitje (ekstorsion). Kjo është një çështje me rëndësi për studimin e historisë së Shqipërisë, sepse ideja, sipas së cilës pronarët e mëdhenj të tokave (çifligarët), duhet t’i përkasin klasës së lartë të vendit, të shpie në përfundime të gabuara. Pasi u hoqën titujt e Evropës Perëndimore nga ligji turk, fill pas pushtimit të vendit, titulli “bej” iu dha anëtarëve të familjeve të parësisë. Ky zëvendësim pati vlerë për aq kohë sa fjala e ruajti kuptimin që kishte pasur në fillim. Me kalimin e kohës, për hir të procesit të zgjerimit të kuptimit, një dukuri e njohur mirë nga filologët, fjala “bej” kudo në Perandorinë Otomane filloi të marrë kuptimin “zotëri”, në Shqipëri e ruajti kuptimin e saj të vjetër. Ndryshimi në mes të kuptimit të fjalës “bej” në Shqipëri dhe në Turqi ishte pikërisht i tillë siç është në mes të fjalëve “Seigneur” në frëngjisht dhe “Signor” në italisht. Vetë turqit filluan ta dallojnë me vështirësi kuptimin e ri të kësaj fjale dhe, kur takonin ndonjë shqiptar, e pyetnin në se ishte “bej” në Shqipëri.
Për shqiptarët titujt, kanë fare pak ose aspak, rëndësi. Lord Bajronit i kishte bërë përshtypje se tek ata nuk llogariteshin titujt, por vjetërsia e familjes. Mund të mendohet se ndokush, në Shqipëri, do të jetë treguar aq i pacipë sa për të pyetur shkëlqesinë e tij, sa të vjetër e kishte fisin.
Nuk është vendi këtu të flasim me hollësi për rolin, peripecitë historike dhe përgjegjësitë e kësaj klase. Mjafton të themi se, për shekuj me radhë, ajo ka përfaqësuar kombin shqiptar para autoriteteve otomane; kur bëhej ndonjë kryengritje në Shqipëri, në vend që të kryheshin masakra ndëshkuese, pa dallim, në popull, u priteshin kokat bejlerëve. Ata kanë shërbyer si rrufepritëse, për pesë shekuj, dhe nuk është vetëm kjo merita e tyre para historisë. Nga ana tjetër, në këta dy ose tre brezat e fundit, ata mësuan rrugën e intrigave e të dallavereve të Stambollit, humbën burrërinë dhe pavarësinë, i humbën lidhjet me popullin e simpatinë e këtij e me këtë u bënë fajtorë për shpërdorim besimi. Se si e kalonin kohën, në mënyrë të padobishme, na e tregon, në shkrimet e veta, Ismail Qemal Bej, një burrë shteti i ndritur në Perandorinë Turke, i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912; “Elementet kryesore në edukimin e një të riu shqiptar ishin; grahja e kalit, gjahu dhe qitja në shenjë me pushkë”.
Shumë herë zilitë e tmerrshme në mes të bejlerëve përfundonin me ndeshje të përgjakshme, të cilat inkurajoheshin nga Sulltani, për të penguar njësinë kombëtare të Shqipërisë. bejlerët treguan aty-këtu njëfarë ringjalljeje të fuqisë së tyre, kur në vitin 1908 organizuan revolucionin e Turqve të Rinj dhe rrëzuan Sulltan Abdyl Hamidin, të mbiquajtur Sulltani i Kuq. Por kjo qe vetëm një stuhi e përkohshme. Provën e fundit e kaluan në vitin 1912, kur Shqipëria u bë e pavarur dhe bejlerët, që e kishin humbur besimin e vendit, nuk ishin më të aftë të përmbushnin funksionet e një klase sunduese. Megjithatë ata u lëshuan përsëri se kush e kush të zinte më i pari postet që kishin pasur nën sundimin turk.
Tani është zhdukur me ligj çdo dallim klasash në Shqipëri. Nëse disa anëtarë të familjeve të vjetra zënë vende me rëndësi në qeveri, këtë e kanë për hir të aftësive dhe të meritave vetjake.
II
Në librat mbi Shqipërinë flitet shumë për ndarjen e vendit në katër grupe: toskë, gegë e çamë, të cilët mendohet se ndryshojnë në gjuhë dhe në zakone. Këto ndryshime, në qoftë se ekzistojnë, po vinë duke u zhdukur nga dita në ditë dhe studiuesi nuk ka ndonjë përfitim të humbasë kohën me një ndarje të tillë empirike. Shumë më reale dhe me interes është ndarja e vendit në dy zona: e para, ajo që administrohej në kohën e Turqisë sipas kodit të përgjithshëm të Perandorisë Otomane dhe ishte Shqipëria e Mesme dhe Jugore, e dyta, një pjesë e vogël e Veriut, që u përmbahej ligjeve zakonore (kanunit) të Shqipërisë dhe gëzonte autonomi të plotë ligjore. Një ndarje e tillë, me kalimin e kohës mund të krijojë, e madje që tani e ka krijuar, një mendësi krejt të ndryshme. këto krahina, dikur autonome, quhen Malësi, nga fjala “mal”, dhe banorët e tyre “malësorë”. Kjo popullatë, shumica e së cilës është katolike romake, gjatë kohës së Turqisë administrohej sipas kanunit të Lekë Dukagjinit, një përmbledhje ligjesh mesjetare, që ekzistonte dehe para dyndjes së turqve dhe u ruajt e paprekur edhe pas pushtimit. Disa autoritete në çështjet shqiptare mendojnë se këto ligje të pashkruara të Malësisë janë trashëguar që në kohët më të lashta dhe janë përmbledhje më e vjetër e ligjeve në Evropë.
Krahina malore ndahet në disa njësi të quajtura në gjuhën shqipe “Male”, kurse në terminologjinë administrative turke bajraqe. “Mal” do të thotë “vend i lartë”, por këtu fjala merr një kuptim të veçantë shoqëror. Shqiptarët e Fushës do të thonë, për shembull, se Malësia e Shalës po shkon në luftë, po ashtu siç mund të thoshin në Skoci “po marshojnë mak-Gregorët”. Në gjuhën turke fjala “mal” përkthehej me fjalën “bajrak”, që do të thotë “flamur”. Me sa duket, në kohën e pushtimit turk, secili “mal” kishte flamurin e vet. Kreu i Malësisë ose bajraktari ishte një person që e kishte trashëguar këtë titull, që i lihej djalit të madh nga i ati dhe, në mungesë të këtij, mashkullit më të afërm nga farefisi. Ky quhej nga shqiptarët dhe nga autoritetet turke bajraktar (Tozeri, në librin e vet “Malësitë e Turqisë” e quan anglisht “standard-bearer” – flamur – mbajtës).
Këto njësi malësore, të quajtura “male” nga popullsia vendëse dhe të njohura si “bajraqe” nga pushtuesit turq, nga të huajt janë quajtur (me një këmbëngulje kuptimplotë) “fise” (tribu). E ka një shkak ky emërtim. Me fjalën “fis” (tribu), zakonisht nënkuptohet një popullsi nomade dhe propagandës sllave e greke i interesonte të krijonte përshtypjen se ajo popullsi nuk ishte gjë tjetër veçse një turmë endacakësh, që nuk e meritonte vëmendjen e Fuqive të mëdha. Kjo lojë doli me sukses, pasi nuk ka gjë më të fuqishme se “hipnotizimi nga përsëritja”, siç na ka thënë profesori i Oksfordit H. W. Fowler. Edhe vetë miqtë e Shqipërisë ranë në këtë grackë dhe nisën të përdorin fjalën £fise”, pa ditur çfarë bëjnë me këtë. Mjafton të përmendim vetëm një fakt, për të provuar se propaganda greko-sllave ishte armiqësore dhe pati sukses. Pak vjet para Luftës Botërore (të Parë F. L.), kur në parlamentet e ndryshme po diskutohej çështja e ndarjes së Turqisë Evropiane, një deputet francez mbajti një fjalim të rreptë kundër “nomadëve gjakatarë të Shqipërisë”. Fakti që kjo popullsi përbënim vetëm njëmbëdhjetë për qind të banorëve të Shqipërisë, do të mjaftonte për të rrëzuar çdo argument të ngritur kundër pjesës tjetër të vendit. Për më tepër, ata, jo vetëm që janë njerëzit më pak shëtitës të botës (nuk lëvizin kurrë nga trojet e veta) dhe krejt e kundërta e nomadëve, por paraqiten si një tip i lartë burri dhe gruaje, si nga pikëpamja fizike, ashtu dhe ajo morale. Francezi i mirënjohur Rene Pinon është një ndër autorët e shumtë që kanë folur mirë për banorët e Malësisë Shqiptare. Edhe turqit, që e kanë fjalën “fis” në gjuhën e vet, dhe e përdornin për beduinët nomadë, që gjendeshin në skajin tjetër të Perandorisë, e kishin kuptuar të parët se ajo fjalë nuk u përshtatej malësorëve shqiptarë dhe kanë parapëlqyer gjithmonë fjalën bajrak, për të treguar njësitë politike dhe shoqërore të asaj pjese të Shqipërisë.
Perandori i Gjermanisë Vilhelmi II, në kujtimet e veta, ku flet me një farë nderimi për shqiptarët, duket se kishte përshtypjen se e tërë Shqipëria është e ndarë në “fise”. Edhe sikur ta pranonim fjalën “fis”, ajo mund të përdorej për të cilësuar vetëm një të njëmbëdhjetën pjesë të vendit. Fakti që Madhëria e Tij, me të gjitha lehtësitë që kishte për t’u informuar në mënyrë të saktë, ra në një gabim kaq të rëndë, na bind edhe një herë tjetër për fuqinë e “hipnotizimit të përsëritjes” Veçse duhet të shtoj këtu se kujtimet e Perandorit i kam lexuar në përkthimin në anglisht; nëse në tekstin gjermanisht është përdorur fjala “Stamm” nuk mund të bëhet ndonjë vërejtje, meqë “Stamm” në gjermanisht do të thotë diçka krejt tjetër, e më tepër se “fis” ka kuptimin “trung racial” a diçka e përafërt. Disa shkrimtarë parapëlqejnë të përdorin termin klane, që i afrohet më tepër realitetit që emëron. Përse vallë, të mos përdoret fjala bajrak që është më e drejtë, më e saktë dhe me baza historike?
Banorët e Malësisë, që quhen edhe gegë, nuk paguanin taksa dhe nuk kryenin shërbim ushtarak gjatë sundimit turk. Turqit e kishin kuptuar se do t’u kushtonte tepër shtrenjtë, në njerëz e në të holla, sikur të përpiqeshin t’i nënshtronin me forcë ato vende të egra dhe të ashpra. Në luftë, malësorët merrnin pjesë si vullnetarë dhe formonin një korpus të veçantë me komandantë kryetarët e bajraqeve. Izolimi i tyre ka qenë i plotë, saqë nuk kanë dalë asnjëherë përtej vendit ku banonin. Gjatë njëzet e dy vjetëve në marrëdhënie të pandarë me shqiptarët e vendosur në Amerikë, kam takuar vetëm një burrë, të ardhur nga ajo anë e Shqipërisë; por, pasi u informova më vonë, zbulova se edhe ky, në të vërtetë, kishte ardhur nga qyteti i Shkodrës, ku ishin vendosur me banim gjyshërit e tij. Si pasojë e këtij veçimi nga bota, ata kanë një thjeshtësi patriarkale më të madhe se pjesa tjetër e bashkatdhetarëve dhe i gjithë botëkuptimi i tyre është mesjetar. Naiviteti i tyre arrin nganjëherë në një shkallë të pabesueshme. Kur hipi në fron, në vitin 1917, Perandori Karl, si trashëgimtar i Franc Jozefit, vajti në Vjenë një përfaqësi krerësh shqiptarë për të paraqitur nderimet e rastit. Oficerët e Oborrit i shoqëruan ata në një mbrëmje solemne në Teatrin Perandorak të operas. Shfaqej opera “Fidelio” e Bethovenit. Kur u ngrit perdja dhe doli skena e burgut, me Florestanin në pranga, bajraktari i Shalës, një burrë i gjatë dhe i bëshëm, pyeti sa kohë kishte që gjendej i mbyllur aty i burgosuri dhe tërë interesi i tij u përqendrua te gjendja e mjerë e Florestanit. Anëtarët më të kulturuar të delegacionit, për ta ngacmuar, nisën t’i japin shpjegime fantastike, aq sa kur mbaroi shfaqja, bajraktari i Shalës propozoi t’i bëhej një lutje Perandorit, që ta falte të burgosurin e gjorë. Po ky bajraktar, kur u prit në audiencë nga Perandori, u pyet nga Madhëria e Tij në se kishte ndonjë ankim kundër ushtrisë austro-hungareze që kishte zënë atëherë Shqipërinë. Bajraktari i tha me sinqeritet se oficerët i kishin marrë një ka, që ai nuk donte ta shiste, dhe i kishin dhënë si shpërblim një rrip letre.
Por doktor Pekmezi, një shqiptar që shërbente si përkthyes, duke treguar në këtë rast më tepër taktin e një oborrtari se sa paanësinë e përkthyesit, i tha Perandorit se bajraktari shqiptar nuk kishte veçse lëvdata për oficerët e Madhërisë së Tij.
III
Popullsia e bajraqeve është më e njerëzishme dhe më me dinjitet se e gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë. siç e kemi thënë edhe më lart, kodi kombëtar i Lekë Dukagjinit, sipas të cilit administroheshin gjatë sundimit turk dhe që parashikon me hollësi të gjitha rastet, që nga vrasja e deri te martesa, për fajtorin parashikon gjobë, djegie të shtëpisë, dëbim nga bajraku, por jo kurrë burg ose dënim me vdekje. Filozofit të madh gjerman Laibnic (Leibnitz), i kishte bërë përshtypje ngjashmëria e zakoneve të këtij populli me zakonet e gjermanëve të vjetër, siç na i ka përshkruar Taciti. Tek të dy popujt gjejmë Wergeld-in, një shpërblim në të holla, që jepej për një vrasje për të shmangur hakmarrjen; tek të dy popujt vërejmë se fyerja që i bëhet mikut quhet si cenim i atij që e ka pritur në shtëpi dhe e ka strehuar. Por diçka tjetër e përbashkët, që do ta kishte kënaqur edhe më shumë Laibnicin, është zakoni i Malësisë, sipas të cilit dhëndri duhet t’i japë prikë nuses dhe jo ta marrë nga ajo, siç është zakon kudo gjetiu në Shqipëri. “Nuk ia sjell pajën gruaja burrit, por burri ia jep asaj” – na thotë Taciti. Ky zakon i çuditshëm ka rrjedhur, ndoshta, nga shkaku se në Shqipëri, për arsye të ndryshme, numri i meshkujve duket se ka qenë gjithmonë më i madh se numri i femrave. Hobhauzi i mprehtë bën këtë vërejtje: “Mbasi në shumë krahina të vendit femrat janë më të pakta se meshkujt, shpeshherë pajën ia çon dhëndri nuses dhe nuk ia bie nusja dhëndrit”.
Në lidhje me mendimin që mbizotëron në Shqipëri, se numri i lindjeve të meshkujve e kalon numrin e femrave, na bindin edhe statistikat e mbledhura me kujdes e të botuara nga qeveria. Kështu pra ky nuk është një supozim në erë, por rezultat i vëzhgimeve të hollësishme. Kam vendosur, që në fillim të mos e mërzit lexuesin me statistika, por do të më falë nëse këtu do të bëj një përjashtim. Në vitin 1925, në Shqipëri u lindën 5519 djem dhe 4251 vajza; në vitin 1926 u lindën 6698 djem dhe 5407 vajza, në vitin 1927 u lindën 6441 djem dhe 6267 vajza. Në të katër krahinat e Dukagjinit, të Lezhës, të Malësisë së Madhe dhe të Mirditës, të cilat formojnë pjesën më të madhe të Malësisë, gjatë po atyre tri vjetëve, kishin lindur 2344 djem dhe 2033 vajza. Këto informata statistikore dëshmojnë se sa me vend ishte vërejtja e bërë nga Hobhauzi, gati një shekull e gjysmë më parë dhe i përshtatet, më tepër, pikërisht Malësisë.
Por le të kthehemi te prika a paja. Siç e ka theksuar edhe një komentues i sotëm i “Germania-s” së Tacitit, Wilhelm Reeb, autori latin e kishte gabim, kur thoshte se prika i jepej nuses; në të vërtetë atë e merrte familja e saj.
Komentuesi anglez Enri Fymo (Henry Fgurneaux) bën këto vërejtje: “Për natyrën e tyre, ato dhurata nuk ishin prikë për nusen, por një shpërblim që u jepej prindërve të saj; pra ajo blihej, ose më drejt të themi blihej “patria potestas” përmbi të (gjermanisht “Mundwalt”, në latinishten mesjetare “mundium”).
Mendimi i Fyrnosë mbështetet edhe nga profesori Vestermak (Westermarck), një autoritet në historinë e martesës, i cili vëren se “martesa me blerje nuk duhet shikuar si blerje e një sendi; popujt e vjetër teutonë blinin “Mund-in” ose të drejtën e mbrojtjes së gruas dhe të drejtat e tjera që i jepte burrit martesa”.
Pikërisht ky është koncepti i prikës edhe në Malësinë e Shqipërisë.
Një zakon tjetër në Malësi është ndalesa e martesës në mes të dy personave nga i njëjti bajrak; një bashkim i tillë konsiderohet si incest, edhe kur ata janë farefis shumë i largët ose nuk kanë asnjë lidhje gjaku në mes tyre. Mendohet se i gjithë bajraku formon një si familje të vetme. Kështu nuset merren nga krahinat e tjera dhe vajzat jepen jashtë bajrakut.
Megjithëse zakonet e vjetra të Malësisë mund të paraqesin interes për t’u studiuar, ata e mbajnë në një gjendje paditurie dhe amullie atë popullsi të zgjuar dhe simpatike. Prandaj s’ka si të mos lavdërohet Qeveria, që ka filluar t’i zhdukë pasojat e izolimit shekullor të Malësisë, duke suprimuar zyrtarisht bajraqet dhe duke i detyruar malësorët – megjithëse ndonjëherë me një farë mospëlqimi dhe kundërshtimi, – të paguajnë taksat dhe të njohin ligjet e përbashkëta për të gjithë vendin.
Pjesë nga libri “SHQIPËRIA: KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE”, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht Ferdinand Leka