Albspirit

Media/News/Publishing

Faik Konica: Fustanella piktoreske shqiptare

 

 

 

Për shkak të sistemit shoqëror dhe politik individualist të Shqipërisë në të kaluarën dhe ngaqë gratë bënin një jetë të mbyllur brenda krahinave autonome, veshja e femrave paraqitet me një larmi të madhe formash. Kostumi më i vjetër do të jetë sigurisht ai i Malësisë së Shqipërisë së Veriut, që përbëhet nga një si xhaketë e ngjeshur mirë pas trupit dhe një fund si kambanë, me ca vizatime të çuditshme. Në mes të gërmimeve arkeologjike, në ato vende ku banonin ilirët e vjetër, janë zbuluar trupore të vogla grash me po atë veshje, me të njëjtën formë dhe me ato vizatime. Këto janë një provë e qartë e lashtësisë së veshjes që mbajnë edhe sot gratë malësore.

Ndërveshjet e ndryshme që mbajnë gratë shqiptare janë edhe një farë pantallonash të gjëra si thes, të cilat janë sjellë nga turqit dhe mund t’i shikosh vetëm në qytetet që kanë pësuar ndikimin turk. Duhet thënë këtu se shpeshherë gazetarët e huaj, që e kanë vizituar vendin me nxitim, pikërisht këtë kostum me prejardhje të huaj e kanë cilësuar si veshje “kombëtare” të femrave shqiptare.

Nga ana tjetër, ndoshta për arsye se burrat, nga çdo anë e kënd i Shqipërisë të ishin, takoheshin shpesh për tregti, bisedime, në luftëra, veshjen e tyre, që në kohëra shumë të lashta, e kanë pasur të njëtrajtshme; fustani i bardhë i mirënjohur. Ekziston edhe një lloj tjetër veshjeje burrash; një si xhaketë e zezë dhe poture të bardha (tirq) të ngjeshura pas kofshës dhe me gajtanë të zinj në pjesët e sipërme dhe të fundit. Por kjo ka qenë kurdoherë një veshje lokale; ndërsa kilt-i ose fustani (i njohur më tepër nën trajtën e italianizuar fustanella) është mbajtur kurdoherë në tërë vendin.

Është e gabuar të mendohet se kilti është veshje që i përket vetëm Shqipërisë së Jugut. Karakteri i tij gjithëkombëtar më ka rënë në sy në Shkodër në vitin 1913. U thashë kryetarëve të disa familjeve të para të atij qyteti se do të ishte një punë e mirë sikur të organizonin një pritje për nder të kolonelit Aubray herbert, Ministër i plotfuqishëm, një mik i Shqipërisë. Në orën e caktuar Kolonel Herberti dhe unë u futëm në shtëpinë ku do të na pritnin dhe aty pashë, me kënaqësi të madhe, një numër të madh shqiptarësh të Veriut të veshur me fustanella të bardha si bora. Edhe unë vetë e kisha mbajtur nganjëherë atë kostum, por atë ditë shkova i veshur si zakonisht.

Më kujtohet edhe një incident i vogël në ambasadën austro-hungareze të Londrës. Ishte vjeshta e vitit 1913 dhe ambasadori, konti Mensdorf, jepte një ballo dhe një darkë në dobi të Kryqit të Kuq për Evropën Juglindore dhe Turqinë. Disa miq më kishin thënë të shkoja i veshur me kostumin kombëtar shqiptar dhe unë ashtu bëra. Njërit nga të ftuarit, ministrit grek në Londër, një burrë i pashëm, stërnip i shqiptarëve bavarezë të emigruar në Greqi, i ra në sy kostumi im “grek”. Një anglez e kundërshtoi aty për aty, me njerëzi, dhe i kujtoi faktin e mirënjohur se kostumin e tyre “kombëtar” grekët e kanë marrë nga shqiptarët.

Dyndjet e shqiptarëve në Greqi në shekullin e katërmbëdhjetë u dhanë rast grekëve të njiheshin për herë të parë me fustanellën në shkallë të gjerë. Por për grekët ishte diçka shumë e papëlqyer të imitonin veshjen e pushtuesit të urryer, sundimi i të cilëve në Atikë është përshkruar me ngjyra tepër të errëta nga shkrimtari bizantin Kalkondylas. Shumë më vonë, aty nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë e nga fillimi i të nëntëmbëdhjetit, grekët, me shpirtin e tyre praktik, e kuptuan se ishte në dobi të tyre të merrnin veshjen shqiptare, për kushtet dhe arsyet e treguara nga shumë shkrimtarë.

“Veshja shqiptare – shënon koloneli Lik (Leake) në ditarin e udhëtimeve të veta nëpër More, me datën 28 mars 1805 – po bëhet çdo ditë e më e zakonshme, për hir të ndikimit të madh të fuqisë shqiptare; në More duket, nga lulëzimi i madh i Hidrës, e cila është një koloni shqiptare dhe të shtresave të fshatarësisë shqiptare që kanë zënë vend si në More (sidomos në Argolidë), po ashtu dhe në provincat kufitare të Atikës dhe të Beotisë. Veshja është më e lehtë dhe më “praktike” se veshja turke ose greke”.

Admirali Jurien de la Gravière shkruan: “Shqiptarët formojnë një racë të veçantë në Evropë. Gjatë shekullit të fundit (të 18-të)… këta ushtarë malësorë… e rritën me shpejtësi fuqinë e  ndikimin e vet. Të gjithë pashallarët përkujdeseshin të kishin rreth vetes një gardë të përbërë nga këta mercenarë. Veshja shqiptare u bë e modës dhe otomanët më me rëndësi e mbajnë me krenari fustanin e bardhë të shqiptarëve të Jugut. Edhe vetë grekët, gjatë sundimit në More të Veliut, djalit të dytë të Ali Pashë Tepelenës, filluan të mbajnë këtë kostum dhe kështu doli uniforma elegante e palikarëve”.

Historiani anglez Pinlay flet më me hollësi: “Deri vetë turqit, që kanë treguar gjithmonë aftësi e shije në çështje ushtarake dhe punë kostumesh, u bënë imituesit e shqiptarëve. Në fillim të këtij shekulli grekët nisën t’ua kenë frikën shqiptarëve më tepër se turqve. Historia e revolucionit grek do të mbetet e errët në shumë pika, po të mos çmohet drejt roli i elementit shqiptar, i cili mbizotëronte kudo në sferat ushtarake të Perandorisë Otomane. Një shenjë e ndikimit dhe e pozitës me rëndësi që zinin shqiptarët është pranimi i përgjithshëm i veshjes së tyre. Me gjithë antipatinë e madhe që ushqenin për myslimanët shqiptarë, turqit otomanë, aty nga fundi i shekullit të kaluar (të 18-të), nisën të çmonin famën luftarake të mercenarëve shqiptarë. Nuk ishte diçka e rrallë t’i shikoje në Greqi ose në Maqedoni fëmijët e osmanëve krenarë të veshur me fustanellën e toskëve. Gjithashtu dhe grekët e rinj, nga familjet e para, filluan ta përdornin këtë veshje, sidomos kur udhëtonin, mbasi u jepte lehtësi në mbajtjen e armëve. Kjo ndodhte në More, gjatë sundimit aty të Veli pashës (1807-1812), djalit të dytë të Ali Janinës”.

Por edhe imitimet kanë shpeshherë anët e tyre të dobëta; po të mos bëhen me zgjuarsi, shndërrohen në karikatura të vajtueshme. Në variantin e shtrembëruar grek të kostumit shqiptar ka diçka prej palaçoje që i bën të qeshin disa shqiptarë, kurse disa të tjerëve ua prish qejfin dhe i zemëron. “Nëse grekët e kanë ndier nevojën të përvetësojnë kostumin tonë kombëtar” – më tha një herë një shqiptar – “përse nuk kanë mësuar ta mbajnë ashtu siç duhet?”. Unë i mbrojta grekët duke thënë se edhe karikatura është një gjini artistike e ligjshme.

Është interesante të vihen në dukje ndryshimet thelbësore në mes veshjes shqiptare dhe karikaturës së saj greke. Ta nisim nga xhamadani. Në kostumin shqiptar ka dy vrima të gjera ku futen krahët, ndërsa mëngët rrinë të varura dhe janë të kapura vetëm në pjesën e sipërme të supeve. Mëngët mund të vishen, por zakonisht lihen varur. Grekët i veshin kurdoherë; ata nuk e kanë kuptuar atë që kishte tërhequr vëmendjen e një poeti anglez që në kohën e mbretëreshës Elizabetë: Edmond Spenser, i cili në veprën e vet “Teoric Queene” III, XII, 10), flet për “mëngët që rrinë të lëshuara (të varura) sipas mënyrës shqiptare”.

Këpucët janë tri llojesh: të zeza dhe me një tokëz të madhe argjendi, që i mbajnë në raste të jashtëzakonshme ose sandalet, me rripa lëkure, që lidhen deri në nyell të këmbës, dhe më në fund opingat, mbathje prej lëkure të butë, me majë të kthyer lart, të cilat te fëmijët zbukurohen me një tufë leshi të zezë ose të kuqe. Grekët kanë marrë vetëm opingat, por sipas stilit të fëmijëve, duke e zmadhuar tufën disa herë.

Tani le të vimë te fustanella. Në origjinalin shqiptar kjo ka një numër të kufizuar palash, zakonisht gjashtë, dhe është e punuar prej stofi të hollë liri. Si e ka vërejtur me të drejtë Çailld Haroldi “Shqiptari i egër, me fustanellë deri në gju”, është kurdoherë aq i gjatë sa për të mbuluar gjithë kofshën. Burrat më të moshuar mbajnë fustanella pak më të gjera. Fustanella shqiptare të jep përshtypjen e kostumit të lashtë me pala; këtë na e thotë Liku dhe shkrimtarë të tjerë. “Të gjithë këta njerëz – na thotë Liku, kur përshkruan një skenë – janë veshur shqiptarçe, me një mantel ose xhaketë të qëndisur me ar dhe me një këmishë me pala (përmbi brekushet e gjata), që i përngjan veshjes së truporeve romake”. Brekushet, për të cilat bën fjalë Liku, mbulojnë pjesën e poshtme të shalëve, janë të punuara prej leshi të bardhë dhe puthiten mirë pas kofshës, si çorape. Liku e quan “këmishë” fustanellën, pse nuk e di që fustani nis nga beli dhe nuk ka lidhje me këmishën. Por le të hidhemi tek karikatura greke e fustanellës. Grekët i kanë shtuar numrin e palave, nga gjashtë në dyqind e ndoshta më tepër. Në fillim e ruajtën gjatësinë e duhur të saj, por me kohë e shkurtuan gjithnjë e më tepër dhe sot ka arritur në një shkurtësi të pahijshme; e kanë shndërruar fustanellën në një fustan balerinash dhe nuk ka mbetur asgjë burrërore në të.

Ata që kanë pasur rastin të shohin oborrin shqiptar të Ali Pashë Tepelenës dhe më vonë oborrin grek të mbretit Oto, kanë bërë disa krahasime. Ja çfarë thotë, për shembull, Finlay: “Fama e shqiptarëve i bëri grekët që të marrin si veshje kombëtare fustanellën shqiptare.

Nga kjo rendje pas “shqiptarizmit”, oborri i mbretit Oto merr një pamje melodramatike, kur përpiqet të imitojë në mënyrë të sipërfaqshme e pa shije, elegancën e shkëlqyer që kishte mahnitur Çailld Haroldin në korridoret e pallatit të Tepelenës, sepse fustanella u varet grekëve rreth kofshëve si një fustan prej letre, kurse kilti i toskëve të kujton veshjen e lashtë plot me pala”.

“Shqiptarët – thotë Hughes – me atfes të vogël në kokë, me xhamadanin e stolisur të hedhur krahëve, me këmishë të bardhë ose klilt, me çizme të qëndisura me argjend, … e shikojnë me përbuzje botën përreth, dhe me sjelljen e tyre krekosen në një mënyrë të atillë që mund të vërehet – por në një shkallë më të vogël – ndër malësorët tanë të Kaledonisë”.

Kur isha fëmijë më pëlqente të sodisja burrat që kalonin të veshur me kostum kombëtar, me jatagan të stolisur e me pistola në brez, me dorezë argjendi të gdhendur me mjeshtëri. Por ato ditë nuk kthehen më. më shumë se arsyet ekonomike, mbasi kostumi kombëtar shqiptar kushton tepër dhe Shqipëria është vend i varfër, ka një arsye tjetër që ia ka humbur kredinë veshjes kombëtare: shqiptarëve u duket se i ka rënë vlera, që kur kanë filluar ta mbajnë edhe grekët. Nga ana tjetër e kundërshtojnë edhe të diplomuarit gjysmakë të universiteteve të ndryshme, si dhe injorantët e pagdhendur që i shërbenin dikur Turqisë. Këta tipa mendojnë se fustanella është diçka barbare dhe përdorimi i saj duhet braktisur. Një herë u tregova disave nga këta një fotografi të nxjerrë nga një revistë, ku shihej Gjergji V, mbreti i Anglisë, i veshur me kostum skocez. Ata u çuditën shumë e ndonjëri s’donte ta besonte se ajo ishte një fotografi e vërtetë e marrë nga jeta. Megjithatë shumë shqiptare i ruajnë edhe sot veshjet kombëtare dhe i mbajnë në raste të jashtëzakonshme. Kur vizitoi Gjirokastrën një Komision ndërkombëtar, për përcaktimin e kufijve, në vitin 1913, me qindra burra i dolën përpara e u deklaruan përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha se popullsia ishte shqiptare dhe nuk donte të ndërronte kombësi. Siç më tregoi një anëtar i atij Komisioni disa muaj më vonë, kishte qenë një pamje madhështore dhe që të bënte shumë përshtypje.

Portreti i bukur i Lord Bajronit, me kostum shqiptar, që ruhet në Galerinë Kombëtare të Portretit në Londër, për fat të keq, nuk është i plotë, porse të jep një ide të mirë për pjesën e sipërme të kostumit. Për të pasur një ide të plotë për kostumin shqiptar, më pëlqen një ilustrim me ngjyra në librin e Hobhauzit “Udhëtim nëpër Shqipëri…” dhe një gravurë e artistit britanik C. R. Cockerill, e titulluar “Palikarët shqiptarë duke ndjekur një armik”. Kjo gravurë gjendet në fund të veprës së T.S. Hughes-it… “Travels” (Udhëtime)… Porse më instruktivet janë dy vizatime nga natyra, në vëllimin e parë të “Nouvelle Géographie Universelle” (1875-1893). Si portreti i Bajronit, ashtu dhe ato gravura, tregojnë modele me mëngë të veshura dhe jo të varura prapa; kjo ka rrjedhur, pa dyshim, nga dëshira e artistit për të treguar të gjitha hollësitë e kostumit.

Për një studim arkeologjik të fustanellës shqiptare është me interes teoria plot erudicion e baronit Nopça. Ky pohon se fustani është me prejardhje thjesht ilire; duke u futur në Itali, përmes elementit të atyshëm ilir, mund të ketë shërbyer si model origjinal për veshjen ushtarake romake. Nopça bën, gjithashtu, disa vërejtje në lidhje me gjasimin e fustanit shqiptar me kiltin kelt. Njeriu nuk mbetet i kënaqur po të mendojë se këtu kemi të bëjmë me një ngjashmëri të rastit. A nuk ka mundësi që legjionet romake ta kenë marrë atë veshje nga keltët? Kështu do t’i largoheshim hipotezës së një koincidence.

Porse procesi i imitimit ose i huazimit mund të ketë ndjekur një rrugë tjetër të tërthortë. Ilirët ishin në kontakt me keltët ndër Alpet dhe në Itali të Veriut; Pirroja kishte mjaft keltë në ushtrinë e vet dhe shumë shtresa keltësh kanë zënë vend në atë pjesë të Evropës Juglindore që e quajmë Shqipëri. Nuk duket diçka e paarsyeshme të nxjerrim si përfundim që kanë vepruar ndikime të ndërsjella edhe në anë të jashtme të jetës, siç është mënyra e të veshurit. Pra ilirët ose ua kanë dhënë kiltin keltëve, ose ata vetë e huazuan atë prej tyre.

Pjesë nga libri SHQIPËRIA: KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht Ferdinand Leka.

Please follow and like us: