Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Grepi

 

 

 

Tregim

 

Frynte erë e fort atë mesditë, ishte vjeshtë dhe deti ishte me dallgë. Era më pengonte që ta hidhja grepin. Isha i bindur se do kapja peshk. E kisha fiksuar se në mesditë, kur nis era dhe dallgët, ai që bie më shpesh në grep është lavraku, një peshk i kërkuar dhe i shijshëm. Lavraku i pëlqente më shumë vëllait tim të  madh, por i pëlqente edhe babait, madje babai e shoqëronte duke pirë nga pakëz raki. Kështu që, unë gëzoja jo vetëm se do zija peshk-lavrak, por edhe se do kënaqja babanë dhe vëllanë e madh. E, jo vetëm kaq, se, dihet, kënaqësia më e madhe e gjahut nuk është vetë gjahu, por mënyra se si  e zë atë, sidomos kur tregon zotësi, trimëri dhe shkathtësi, të cilat, të krijojnë mundësinë edhe të mburresh pak se, gjahu, e ka këtë, po s`u mburre dhe po s`gënjeve ca, atij sikur i ikën lezeti…! Nejse, kështu mendoja unë ato çaste, teksa era vazhdonte të bëhej më e fortë dhe, jo vetëm që  po më pengonte të hidhja grepin, por dhe ma korkolepste e ma bënte lëmsh fildispanjën. Kjo gjë po më nervozonte. Rrotulloja rreth kokës fillin, ku ishte lidhur plumbi me grepin, që ta hidhja sa më larg, kur, befas, ndjeva që fildispanja se si m’u ngatërrua rreth krahut dhe grepi m’u fut thellë në gishtin e madh të dorës. Ulërita nga dhembja dhe nisa të vrapoj rreth e qark si kali i lidhur në lëmë. U mblodhën menjëherë aty shokët e mi që peshkonin pak më larg meje dhe po më pyesnin se ç’kisha që ulërija.

-Grepi! – thërrisja unë, – grepi më kapi gishtin!

Më në fund ata e kuptuan shkakun e ulërimave të mia dhe provuan të ma nxirrnin grepin, por ai nuk dilte që nuk dilte. E, ndërsa ata përpiqeshin të më vinin në ndihmë, unë ulërija me lloj-lloj pasthirrmash që shprehnin dhembjen dhe dëshpërimin tim: Oh, oh, ohooo! Ih ih, ihiii! Ah, ah ahaaa! Pasi dështuan në nxjerrjen e  grepit nga gishti im, shokët e mi nisën të shpreheshin me fjalë, që krijonin edhe më shumë vuajtje dhe alarm tek unë.

-Kam thënë unë,-tha Lea,-këta lloj grepash janë për peshkaqenë dhëmbësharrë. Të  kapin dhe s’të lëshojnë kurrë! S’ka rrugë tjetër,-vazhdoi ai,-vetëm me operacion nxirret ky grep.

-Çfarë thua ti ore!-ia preu Tosi,-Ai më parë duhet të bëj tetanosin, pastaj të shkoj puna te operacioni.

-Unë them, të vrapoj njëri nga ne deri në Skelë dhe të lajmërojë urgjencën në telefon!-tha Teri dhe t’i lëmë llafet!.-Ky me këtë grep në dorë duhet të shkoj urgjentisht në Tiranë, në spitalin ushtarak.

-Po s`ia nxorën dot, kanë për t`ia prerë fare gishtin!-tha me dhembje Dulja, që ëndërronte të bëhej kirurg dhe shtoi:-Më mirë gishtin, se mund të shkoj puna edhe te prerja e dorës dhe e krahut.

-Pa gisht, pa dorë e pa krah, bëhet, po ka rëndësi të shpëtoj vetë! -tha Dani me keqardhje.

-Po ti or, kaq i humbur je, në vend të lavrakut kape gishtin tënd?-po më qortonte Veroja, i cili më kishte zili, ngaqë unë kisha më shumë fat nga ai në peshkim. Pastaj ai vijoi:-Të ka zënë mallkimi i atyre qindra peshqve që ke kapur me grep. Ja, kështu kanë vuajtur edhe ata të gjorë, por s’kanë pasur gojë! Vetëm hidheshin e përdridheshin “piruet” rreth vetes, ja kështu siç po bën edhe ti tani. Po nuk thonë kot që në këtë botë lahen të gjithë mëkatet…

-Mos u  mërzit,-tha Dulja,-se ka dhe më keq. Dëgjova që njëri nga ata të zyrave të komitetit, duke dashur ta ngushtojë grepin me dhëmbë, padashur grepi i ngeci në dhëmballë dhe atij i bënë operacion gojën. E lanë pa gojë!

-Çfarë thua ti ore!-ia kthehu Dini,-ti po flet kot, si mundet të lihet pa gojë njeriu? Si bisedon ai tani, me çfarë ha bukë, po ujë me çfarë pi?

-Po ore, më vdektë nëna s`ju gënjejë, pa gojë ose me gjysmë goje ka mbetur! Për të folur nuk flet, vetëm i shkruan ato që do të thotë; kurse, për  ushqimin dhe ujin, i kanë hapur një gojë tjetër afër veshit dhe ia hedhin ushqimin dhe ujin me hinkë, ashtu siç mbushen fuçitë.

-Ore kjo punë e atij pa gojë apo me gojë të re te veshi, s’është gjë fare. Se, një tjetër, duke e rrotulluar fillin dhe plumbin mbi kokë, grepi i ngeci në faqe,-foli përsëri Lea.-I mbeti grepi si vath në faqe, si vathët  që mbajnë vajzat dhe gratë dhe nuk i hiqet më. Prandaj i thonë grep, se ai të zë dhe s’të lëshon, ja si ky grepi që ka zënë  shokun tonë. Këtu do jemi po nuk i mbeti në gisht derisa të plaket.

-Më mirë në gisht, sesa në faqe dhe në dhëmballë,-tha Tosi.

Ndërsa shokët po më ngushëllonin në mënyrën më të keqe dhe bënin parashikime që shtonin edhe më tepër panikun tim, unë vazhdoja të ulërija dhe të vajtoja fatin, jo vetëm nga dhembja, por dhe nga dëshpërimi që s`po dija se si të shpëtoja nga ajo fatkeqësi që ia kisha shkaktuar padashur vetes.

Po përfytyroja ambulancën e urgjencës, që më tmerronte me sirenat e saj ngjethëse, sallën e operacionit me lloj-lloj bisturish që prisnin radhën të prisnin diçka nga trupi im, pesë gjilpërat e tetanosit, që do të m`i ngulnin si gozhdë në bark, përfytyroja grepin që lëkundej i varur në gisht e që do të më mbetej tërë jetën deri në plakje…Kuptohet, ato çaste,  ulërimat e mia shponin qiellin. Dhe, ashtu, në kulmin e asaj dhembje dhe atij dëshpërimi të thellë, shtrëngova fort dhëmbët dhe, në mënyrë krejt instiktive, e kapa grepin e ngulur në gisht me gishtat e dorës tjetër dhe duke lëshuar një britmë të fuqishme ah! e tërhoqa kaq  fort, saqë, për habinë time, ai, mbase ngaqë ishte i ri dhe i mprehtë, doli nga gishti duke e çarë atë thelë si me thikë  kasapi. Në ato çaste, gishti i  çarë, ngjasonte me një gojë zhapiku që nxirrte currila gjaku.

-Po ti or, çfarë bëre?-më bërtiti Veroja i habitur me guximin tim.

-Të lumtë!-më përgëzoi Xhimja, – dhe, duke ngritur lart grepin që kullonte pika gjaku, thërriti: -Këtij i them operacion unë! Tani hajde vemi shpejt në shtëpi dhe në ambulancë dhe atje e mjekojnë…

Fjalët e  Xhimes më dhanë kurajë. E kapa fort gishtin e çarë me dy gishtat e dorës tjetër dhe pasi e mbylla si me darë, nisa të vrapoja drejt shtëpisë. Pas meje vraponin edhe shokët e  mi.

Sa hyra në shtëpi më panë babai dhe vëllai i madh dhe, kur më dëgjuan se në vend të lavrakut kisha kapur me grep gishtin tim të madh, me gjithë hallin, bënë pak buzën në gaz me dhembje dhe më çuan me nxitim në  urgjencën e  Skelës. Kryeinfermieri ma mpiu gishtin, ma mjekoi dhe shpejt më bëri pesë gjilpërat e tetanosit. Pas mjekimit dhe gjilpërave të tetanosit, qëndrova deri të nesërmen në shtëpi dhe, në drekë  dola sikur të mos kishte ndodhur gjë. E po, nuk thonë kot: “Djalli nuk është aq i zi sa ç’e bëjnë!” Veçse historia ime mori dhenë. Në vend të peshkut lavrak, kisha kapur gishtin tim të madh. Disa nga shokët zunë të më qeshnin dhe të më tallnin, por ata që ishin me mua, veçanërisht Xhimja, Caci dhe Vasili, më merrnin në mbrojtje dhe rrëfenin me pasion jo sesi unë kisha vet-kapur gishtin tim me grep, por sesi e kisha nxjerrë grepin nga gishti….“E ke parë filmin “Përbindëshi” ti, kur dinozauri i nxirrte shigjetat nga trupi sikur ishin prej zhuke? Ja, ashtu bëri edhe ky, e nxori grepin prej çeliku nga gishti dhe e hodhi përtej. E nxori vetë ore, e kupton apo jo”?

Edhe sot e kam atë shenjë në gisht. Ndonëse kanë kaluar afro 60 vjet prej atëherë, disa nga shokët e mi të fëmijërisë, tashmë në një moshë me mua, kur më takojnë, kush e di pse  u shkojnë sytë te gishti im i madh, shohin shenjën gati të zhdukur dhe thonë: “Ama i guximshëm u tregove atëherë, hë! E nxore vet grepin nga gishti…”!

Të gjithë pak a shumë kështu më lëvdojnë dhe askush deri më sot nuk ka  vënë në dyshim guximin tim, përveç, mbesës sime gjashtë vjeçare, e cila, duke më parë një ditë me sytë e saj bojë qielli e të  pafajshëm, më tha:

-O gjysh, ti kishe frikë se mos doktori të priste gishtin, prandaj e nxore vet grepin? Kështu është, o gjysh?

Please follow and like us: