Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ligjërata poshtëruese e Rudina Hajdarit

1) Në kalvarin e historisë së Shqipërisë ka gjithmonë një dru të shtrembër midis. Nuk po i qëndroj replikave të Rudinës me Ballën, mbi komisionet apo inatin që ka me ata përjashta kuvendit të cilët sipas saj nuk janë opozita, opozita është ajo dhe çfarë po afrohet nga listat e partive politike që braktisën apo dogjën mandatet. Por tek ironia që na afron rasti Rudina kur kërkon një minutë heshtje për 4 djemtë e Shkodrës, të vrarët e 2 prillit 1991, për më tepër kur ish ministri i brendshëm i kohës sot kryetar i Kuvendit, përfundon gjithçka me fjalët u prehshin në paqe. Madje nuk ia vlen t’i afrohesh Rudinës sidomos pas ligjëratave futja kuturu, por për njerëzinë mbarë, për shqiptarinë. Ngjarja e Shkodrës është bërë tashmë njëfarësoj zhurmërime, koha ikën kurse e vërteta ngjiret. Demokracia jonë ka plot të tjera të mëpasme, plot. Dhe për të gjitha autorët e vërtetë janë nocion eterik, koncept i paarritshëm. Ndofta gjithçka e përmbledh qartas një nga vëllezërit e të vrarëve, kur u thotë reporterëve se gjithmonë, çdo 2 prill të njëjtën pyetje më bëni, emrat e vrasësve. Kurrë nuk kanë për t’u zbuluar thotë ai sa kohë të jenë gjallë ky apo ai. Midis emrave përmend edhe këtë të kryetarit aktual të Kuvendit. Ai që sot u ngrit në këmbë kur Rudina Hajdari kërkoi një minutë heshtje duke thënë që u prehshin në paqe. Çfarë ironie dhe sa shumë fatkeqësi sociale.
2) Ngjarja e Shkodrës nuk u zbardh kurrë megjithëse edhe sot po të kërkosh në internet shkresat udhëzuese të ministrit të brendshëm të asaj kohe apo këtij që sot mban postin e kryetarit të kuvendit dhe që thotë u prehshin në paqe, vallëzojnë me nanuritje pranvere. Deri me detaje, si vendodhjen e snajperëve, goditje të ashpra, ndeshjen trup më trup me protestuesit. Sa për kujtesë u dënuan një tufë apartçinjsh të komitetit të partisë së kohës, por kurrë porositësit. Duhej të kishte ndodhur për një domethënie të madhe historike, ajo e ndarjes së shqiptarëve me diktaturën e proletariatit dhe luftën e klasave. Nuk u zbardh kurrë edhe kur në pushtet erdhi Pd-ja, megjithëse është nga ato ngjarje që përben ashtin e demokratëve me motivin historik për një shoqëri ku të sundoj ligji dhe liria e fjalës dhe të drejtat e njeriut. Rudina nuk e ka idenë se sa peshë emocionale kishte ato kohë liria e fjalës apo të drejtat e njeriut. Ndofta nuk e ka lexuar akoma martirin e katolikëve shqiptarë At Zef Pllumin në Rrno për me tregue. A një tjetër martir po prej Shkodre, kur thoshte se këta janë specialistë, jo socialistë, Pjetër Arbnorin. I ndjeri kur fliste nuk i kishte fjalët vetëm për fjalë. Nuk ishte magji fjalësh edhe pse i përkiste sharmit të fjalës, por i bënte vepra. Siç bëri me grevën tri javore të urisë më qershorin e vitit të mbrapshtë 1997, vetëm për fjalën e lirë.
Por ngjarja e Shkodrës është një ballafaqim social, për të kuptuar edhe tjetrën se ai që të vret natën të qan ditën. Eshtë nga ato ngjarje për të kuptuar devijimet tona sociale. Dhe se si mbartet mbrapshtësia për ta mbajtur vendin akoma në një stanjacion thjesht për inate personale.
3) Ajo që pashë sot përmes ekraneve të televizioneve shqiptare, është përdhosja e radhës që i bëhet katër shkodranëve fisnik. Se si xhelatët u ngritën në këmbë dhe i bën homazh viktimave të tyre. Dhe po të më pyesni se çfarë presupozon nocioni Rudinë në këtë mes, po ua them shkoqur…, një viktimë e padijes, një nga ato me shumicë që i ka sot Shqipëria jonë. Një nga ato që buzëqeshin me përshembull një libër në dorë, por nga ana tjetër shikojnë 24 orë telenovelat turke.

Please follow and like us: