Bedri Blloshmi: Filozofia e një gjyqtari të diktaturës
Herë pas here shfaqen në mediat e shkruara, apo dhe në ekranet televizive nostalgjikë të së kaluarës, të cilët jo vetëm e kanë të vështrirë shkëputjen prej saj, por edhe i mbrojnë ende krimet e një epoke 45-vjeçare. Kohët e fundit në mbrojtje të krimit komunist, gjoja në emër të mbrojtjes së idealeve partizane, doli ish-gjykatësi i diktaturës, deputeti Spartak Braho. Foli me përbuzjen dhe me gjuhën e helmuar të një prokurori enverist. Për një si unë që vjen nga burgjet e gjakosjet e njerëzve të dashur, një dukuri e tillë është e patolerueshme.
Spartak Braho ka të drejtë të mos jetë dakord me një institut që zbardh krimin komunist, por nuk ka të drejtë të fyejë dhe të përçmojë njëlloj si dje, ata që e kanë vuajtur të kaluarën. Kjo nuk ndodh asgjëkund. Vetëm tek ne. Dhe mendoj se e ka një arsye. Mbas vitit 2013 e morën pushtetin bijtë e atyre që e mbollën me gjak ideologjinë e krimit që nga viti 1945 e deri sa e mbyllën me varjen në litar në mes të qytetit të poetit kuksian Havzi Nela, më 10 gusht 1988. Këta nuk u ngopën që ta njomnin me gjakun e patriotëve dheun e Shqipërisë. Vrisnin burgosnin, por edhe grabisnin pasurinë e shqiptarëve.
Ish-kryetarë degësh, hetues, operativë, bashkëpunëtorë të Sigurimi të Shtetit dhe të tjerë të këtyre kategorive kanë zënë vendin e baballarëve të tyre në zyrat e shtetit. Madje nuk harrojnë të propagandojnë se po ngrenë demokracinë e vërtetë, se po e çojnë vendin drejt Europës. Në të vërtet vendin e ka mbytur krimi, korrupsioni, vjedhjet në masë. Nëpunës të tillë me rrënjë në të kaluarëën kriminale, sapo pasurohen, zëvendësohen nga të tjerë militantë që të vazhdojnë zhvatjen e shtetit.
Këto ditë nga këto sfera pushteti ka shpërthyer fushtata e egër denigruese kundër Institutit të Zbardhjes së Krimeve të Komunizmit dhe drejtorit të tij zotit Agron Tufa. Ky tnstitut deri tani me aktivitetin e tij shkencor dhe dokumentues, me botime të shumta, në përputhje me statusin e tij të aprovuar nga Parlamenti ka bërë një punë të lavdërueshme. Institute të tilla që janë të njëjtë në shumë vende me të kaluarë komuniste, i shërbejnë kujtesës, zbardhin krimet, hedhin dritë mbi plagët e mëdha morale të një historie tragjike që fshihet në skedarët e arkivave.
Në krye të këtij instituti është zoti Agron Tufa, një poet dhe një shkrimtar me emër, pedagog universiteti, person me prejardhje familjare nga shtresa e ish-të persekutuarve politikë. Ai dhe stafi i tij kanë punuar dhe për t’i bërë jehonë ndërkombëtare praktikave kriminale krejt të veçanta shqiptare të periudhës së diktaturës. Siç dihet Agron Tufa dhe instituti i tij punojnë brenda një statusi ligjor të aprovuar dhe të votuar në Parlament.
Nuk kuptohet se nga ç’pozita ngrihen sulmet dhe kërcënimet me frazeologji të shëmtuar, të huajtura nga procesverbalet e gjyqeve komuniste. Nëse në materialet e botuara arkivore zbulohen krime të komunistëve ndaj ballistëve, nëse ndodh të rehabilitohen figura si Mid’hat Frashëri, atëherë instituti nuk ka bërë gjë tjetër veç se i ka shërbyer së vërtetës së dokumenteve arkivore. Nëse të vërtetat arkivore nuk i pëlqejnë Brahos, kjo tregon se atij i ka mbetur ora gjysmë shekulli më pas, kur gjyqtarëve si Brahua ua jepte gati dosjen Sigurimi i Shtetit dhe Spartakët vetëm ekzekutonin vendime të paracaktuara.
Në vështrim të parë, sulmi i Brahos është pa argument, është vetëm mllef. Mllefi i një klase njerëzish që pranojnë vetëm atë që ata e quajnë të vërtetë, jo tjetër, mllefi i një pjesëtari të së kaluarës kriminale që tashmë është e paftë që të fshehë në arkiva gjakun që u rridhte nga duart kur pushkatonin armiqtë e klasës.
Por filozofia që mbart Spartak Braho, një përfaqësues i së shkuarës, një anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, është shumë e rrezikshme. Ajo mbështetet mbi epërsinë e komunistëve ndaj shtresave të tjera, mbështetet mbi epërsinë e partizanëve ndaj formacioneve të tjera politike. Këtë epërsi për të mbajtur pushtetin e ushqeu, e zhvilloi gjer në apoteozë komunizmi. Kjo epërsi e komunistëve, njëlloj si filozofia e segregacionit, si filozofia e nacionalizmit të bardhë në Afrikën e Jugut, mbillte urrejtje dhe egërsi deri te thirrjet për eleminimin fizik të shtresës sonë, të neve që vinim nga klasat e përmbysura. Kjo filozofi na getoizoi, na shpronësoi, na internoi, na burgosi me gjyqe të rreme, na vrau e na vuri në litar për 50 vjet.
Nëse Brahot komunistë fizikisht sot janë plakur dhe politikisht janë të tejkaluar, mbajtja gjallë e filozofisë së tyre të epërsisë dhe të përçmimit për të tjerët, ndez pishtarët e urrejtjes, të zjarrvënies midis së sotmes.