Im atë, Sterjo Spasse
Intervistoi: Violeta Murati
Një monografi e romanizuar mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit Sterjo Spasse, shkruar nga i biri, Ilinden, u promovua dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. Libri vjen si një roman mbi shkrimtarin, e mbështetur mbi një material të gjerë arkivor të familjes Spasse. Leximi bëhet në mënyrë kronologjike që nga fëmijëria deri në ikjen nga kjo jetë, duke sjellë fakte reale, jetësore, që e formuan dhe afirmuan shkrimtarin Sterjo Spasse. Për herë të parë sillen fakte e tablo nga jeta letrare e viteve ‘30, me figura si Petro Marko, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, V. Kokona, Nexhat Hakiu etj., shkrimtarë të formuar me parimet krijuese të viteve ‘30 dhe që kaluan të detyruar në filtrin e ri krijues të imponuar nga regjimi komunist mbas vitit 1944. Libri jep dhe zhvillimet e mëpasshme të jetës krijuese në Tiranë, angazhimet dhe thellimin në kërkimet krijuese të prozatorit Sterjo Spasse. Mbajtur në fakte reale dhe në hollësitë e jetës së përditshme, këto shënime vlerësohen njëherësh letërsi, përshkrim, analizë, dialog, lëndë letrare e gjallë, që na çon drejt karaktereve njerëzore, në përpjekjet për t’u realizuar si njerëz e shkrimtarë.
-“Im atë, Sterjo”, si erdhi ideja e këtij libri të romanizuar, ku sillen jeta reale, letrat, dëshmitë, që janë pjesë e arkivit të shkrimtarit Sterjo Spasse?
-Ideja për hartimin e këtij libri më lindi menjëherë pas vdekjes së Sterjos, më 1989. Ai u nderua jashtëzakonisht shumë nga lexuesit e tij dhe nga intelektualët e vendit në përgjithësi… Pra në atë kohë ndjeva respektin që ai gëzonte tek lexuesit e shumtë dhe te ish nxënësit e studentët e tij. Kjo ishte shtysa kryesore, që më nxiti t’i futesha hartimit të këtij libri
-Si është ruajtur ky arkiv?
Është pyetje e vështirë për mua sepse pasi e shfrytëzova nuk kam arritur ende ta sistemoj siç ka qenë.
-Cilat kanë qenë vështirësitë e të shkruarit të këtij libri, formë romanore?
Vështirësitë e të shkruarit të këtij libri kanë qenë të shumta. Kjo mbase dhe nga përvoja e pakët që kisha. Ndaj m’u desh të shfletoja shumë biografi e monografi të autorëve shqiptarë e të huaj. Por, në vetvete unë, nuk puqesha për shumë gjëra me atë çka ata kishin shkruar për heroin e tyre kryesor… Ndaj iu futa punës vetë ashtu siç më vinte në kokë. Në fillim shkrova çdo gjë që më kujtohej për jetën dhe krijimtarinë e Sterjos. Më vonë studiova arkivin e tij ku shumë dokumente i krahasova me ato që kisha shkruar vetë…Dokumentet më kujtuan shumë ngjarje dhe bëma, më nxitën të zbërtheja shumë personazhe që i kisha njohur si miq të babait, por edhe të studioja për krijimtarinë e tyre, pastaj u konsultova me mjaft miq e shokë të tij dhe të mi dhe kështu erdhi një ditë dhe monografia mbaroi…
–Spasse është një shkrimtar që ka jetuar në dy epoka, që ka njohur dy realitete. Në cilën prej tyre vijnë mbresat më të forta, më gjurmëlënëse qoftë edhe në krijimtari?
Duke u njohur me tërë dokumentacionin, korrespodencat, duke njohur fizikisht mjaft prej shokëve të tij që ishin edhe objekt dhe subjekt i zhvillimeve të arsimit e të letërsisë shqiptare, dalëngadalë edhe unë po mbushesha me njohuri të reja që kishin të bënin me këto dy realitete për të cilët ju pyesni…
Dhe kur arrita të “mbushesha” me këto njohuri, e pata dhe ende e sot e kam të vështirë të them se cili realitet më ka lënë më tepër gjurmë në vetëdijen time. Mbase në libër ky problem del. Nuk e di.
-Pse për ju është simbol, Sterjo?
Për çdo njeri, prindi i tij është simbol. Kjo shprehet sidomos nga artistët, kush duke kënduar për prindërit e tyre që u kanë ikur, kush ka shkruar ndonjë monografi, kush është përpjekur për t’i bërë ndonë varr më të mirë, kush e ka kompozuar në pikturë etj, etj. Unë u përpoqa që këtë dashuri, këtë simbol ta paraqisja me anën e këtij libri… Shorti i jetës e solli që unë të bashkëpunoja mjaft me tim atë, mbase dhe kjo ka ndikuar, që unë atë ta shihja atë si simbol.
-Gjithë libri vërtitet në emra shkrimtarësh, dhe ngjarje për të cilat ende ka errësira në perceptim. Pse zgjodhët gjininë e romanit dhe jo ta sillnit librin drejtpërdrejt, si dokumentar?
Dihet, që dokumenti në vetvete është i ftohtë. Futja e personazhit që ke marrë përsipër të shkruash në mjedise të ndryshme të jetës, në kontakte miqësie në vetvete krijon, ose më mirë te themi zbulon shpirtin e personazhit që shfaqet pikërisht, në mjedise të ndryshmer e me shokë të ndryshëm që kanë ndikuar në mënyrë të ndërsjellë në formimin e tyre si personalitete në rastin tonë, të arsimit e të letërsisë shqiptare. Pikërisht në zbulimin e këtij shpirti njerëzor mendoj se qëndron kyçi i suksesit apo i mossuksesit të një vepre. Të shkruash për një shkrimtar të veçuar nga realiteti, nga njerëzit, nga problemet e kohës…do të thotë që të fluturosh në hava…
-Shumë emra dhe histori shkrimtarësh të cilët janë persekutuar, përndjekur nga regjimi por dhe i kanë shërbyer regjimit ndodhen në librin tuaj, me të cilët është lidhur edhe jeta e Spasses. Ç’ishin këto miqësi për të?
Këto miqësi për të kanë qenë burimi kryesor i frymëzimeve të tiij, kanë qenë jeta e tij.
-Ka një moment interesant në dëshminë tuaj, kur në një reportazh Kuteli shënon emrat e Spasses, Nonda Bulkës dhe të fundit emrin e tij, pasi nuk i jepej hapur e drejta e botimit. …pse kjo histori, çfarë shënonte?
Ma merr mendja që këtu kemi të bëjmë me një farë autocensure që ekzistonte sidomos në mjediset intelektuale. Në rastin tonë bëhet fjalë për Mitrush Kutelin. Ai ishte dënuar nga regjimi në fuqi (se për çfarë nuk e di ekzaktësisht)…Ndërsa për letërsi, ma merr mendja jo, pasi ai, punonte si përkthyes në Shtëpinë Botuese Naim Fashëri, dhe përkthimet e veprat e tij janë botuar…Pikërisht kjo autocensurë i bëri këta shkrimtarë të vinin të tre emrat për të tatuar pulsin. Pra, atij me shkrim nuk i ishte hequr e drejta e botimit. Dhe pas kësaj Mitrushi vazhdoi të shkruajë normalisht edhe letërsi artistike.
-Në libër tregohet se titulli i romanit “Harbutët” është ndërruar me “Ata nuk ishin vetëm”? Jemi në vitin ’49 kur Lidhja e Shkrimtarëve bëri prerjen ideologjike, duke lënë jashtë letërsisë emrat që deri në atë kohë bënin letërsinë tradicionale shqiptare. Si është kjo histori?
Ndërrimi i titujve të veprave të tyre nga shkrimtarët është një gjë e zakonshme, mendoj unë: Një shkrimtar një vepër e nis me një titull që ai e ka menduar, por kur e mbaron veprën, ose vetë, ose shokët i sugjerojnë një titull tjetër, më simbolik, më të fortë etj. Edhe në rastin në fjalë po kjo gjë është. Librin “Harbutët”, Sterjoja e kishte nisur që para çlirimit: Gjatë luftës dhe pas çlirimit kanë ndodhur ndryshime të mëdha jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë: Bota u nda në dy kampe të mëdha. Shqipëria kaloi në kampin socialist…Pra u krijuan mendësi të reja në botëkuptimin e shkrimtarëve…Titullin “Harbutët” Sterjoja e zëvëndësoi ne “Ata nuk ishin vetëm”…gjë krejtësisht norrmale, mendoj unë.
-Sterjo bënte pjesë në grupin e disa studentëve që u kthyen nga Moska në ’60-ën, ku studioi atje. Si e ka kujtuar këtë kohë, vitet e shkollës babai juaj?
Sterjoja nuk bënte pjesë në studentët e kthyer nga Moska në vitin 1960. Ai së bashku me Ismail Kadarenë kryen një kurs dy-vjeçar në Institutin Gorki të Moskës, dhe mbasi e mbaruan atë u kthyen në Shqipëri. Sterjoja në atë kohë ishte mbi 40 vjeç dhe i afirmuar si shkrimtar…
-Në libër është një foto historike dalë në mjediset e Akademisë së Rumanisë…
Po, në 1972 vdiq Viktor Eftimiu. Për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, nga qeveria Shqiptare u dërgua një delegacion shkrimtarësh i përbërë nga Dhimitër Shuteriqi (kryetar delegacioni), Sterjo Spasse dhe Vehbi Bala… Krahas ngushëllimeve të rastit, ky delegacion pati takime edhe me krerët e Akademisë së shkencave dhe të lidhjes së shkrimtarëve rumunë. Kjo është e tëra.
–Ka një moment dobësie, kur Spasse në kulmin e krijimtarisë bashkë me disa krijues të tjerë, nxirren në pension, kur në shtypin e kohës thoni se për propagandë këta trajtoheshin si profesionistë. Çfarë e shqetësonte në këtë atmosferë Spassen?
Këto ishin politika të kohës, ishin vite kursimi…Dhe në këtë aspekt Sterjon nuk e shqetësonte asgjë, veç rënies nga rroga…
-Dua të kujtoj një tjetër rast, sa njerëzor aq edhe intelektual që ju e sillni në këtë libër, momenti kur vdiq Skënder Luarasi. Sterjo në rastin e ndarjes nga jeta të këtij personaliteti, “anatemohet” pse mori pjesë në ngushëllime për të. Si ishin ndërtuar këto marrëdhënie në kohën e diktaturës, a ishin të vështira për babain tuaj, si shprehej për këtë?
Këtu problemi është një çikë i ngatërruar. Çdo shkrimtar , artist e sidomos, tani politikan janë njerëz publikë. Dhe si njerëz publikë ata kanë fansat e tyre që duartrokiten, por kanë edhe opozitarët e tyre. Në këtë aspekt Sterjoja me Skënder Luarasin kane qenë opozitarë. Por kjo nuk do të thoshte, që t’i mbaje aq mëri, sa mos të veje për ngushëllim në një rast të tillë. Madje ata edhe përshëndeteshin njëri me tjetrin kur takoheshin rastësisht në rrugë. Pastaj po të dëgjosh fjalë poshtë e përpjetë gjërat zmadhohen dhe shumëfishohen sipas oreksit të njërit e tjetrit.
-A nuk është pak e çuditshme që në rastin e daljes nga shtypi, më 80-ën, të serisë me tetë vëllime, e krijimtarisë 50- vjeçare të Spasses lihet jashtë pikërisht romani i tij historik, “Pse”, si dhe “Ja vdekje, ja liri”? Pse ndodhi kjo, si i vlerësonte vetë Spasse këto vepra?
Romani “Pse” ishte “anatemuar” nga koha, pasi ai ishte roman pesimist, në atë kohë duheshin romane “optimiste” duheshin heronj pozitivë, që të çanin malet etj…Ndaj dhe nuk u përfshi në botimin në seri të veprave të tij. Ndërsa për romanin tjetër “Ja vdekje, Ja liri”, ai doli pasi ishte botuar seria. Më vonë u përfshi si numri 9 i kësaj serie.
-Ka një moment në libër që flisni se kritika e kohës po e vlerësonte krijimtarinë e Sterjos, por kishte një “betejë” në redaksinë e romanit, me veprat “Ja vdekje, ja liri”,”Kryengritësit”, e sidomos me “O sot, o kurrë”. Për këtë publikoni të plotë një letër, duke iu drejtuar me tone. A mund të na thoni ç’ishte kjo situatë?
Ishte një situatë krejt e zakonshme që ndodhte midis autorit dhe redaksisë, ku për mendimin tim nuk kishin faj as autorët e as redaksitë, se e tillë ishte situata, se kishim të bënim me një farë autocensure…
-Është emblematike romani “Pse” me të cilin identifikohet Sterjo Spasse. Çfarë gjurmësh keni gjetur mbi pritjen e këtij romani, edhe pse është shkruar mjaft herët më 1933? Fati i këtij romani pas ’90-ës, ribotimi?
Në atë varfëri të letërsisë shqipe në vitet ’35 ky roman bëri mjaft bujë, pasi ishte romani i parë filozofik që dilte në Shqipëri, dhe që trajtonte problem tepër aktuale, sidomos të rinisë intelektuale që nuk shihte asnjë dritë jeshile për të ardhmen e saj. Atëhere kur doli është pritur jashtëzakonisht mirë aq sa në popull ka mbetur ende shprehja pse? Pse-në nuk e ka gjetur as Sterjo Spasse. Para çlirimit pati dy ribotime të “pse”-së, vitet ’35 dhe ’44. Në Kosovë ka pasur mjaft ribotime, duke u pritur mjaft mirë nga kritika e atjeshme. Pas viteve ’90-të romani “Pse”, ka pasur ribotime edhe në Shqipëri. Romani “Pse?!…” pak a shumë është roman autobiografik, që mendoj se është zbërthyer mirë në libër.