Shqipëria dhe vendet e Evropës Qendore dhe Juglindore në prag të Samitit të 8-të Liderëve Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore
Intervistë me profesorin e asociuar Enver Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore në Shqipëri
CMG: Vitet e fundit në kornizën e Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë patur disa takime. Aktualisht investimet kineze në Shqipëri kanë arritur shifrën 800 mln dollarë , duke e bërë Kinën ndër investitorët më të rëndësishëm në vend. Si e vlerësoni bashkëpunimin ekonomik dypalësh dhe a mendoni se Shqipëria ka ende potenciale të pashfrytëzuara në kuadër të Mekanizmit 16+1?
Enver Bytyçi: Mekanizmi 16+1, një mekanizëm asociimi midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore për mendimin tim është një mekanizëm i rëndësishëm jo vetëm për bashkëpunimin ekonomik dhe financiar midis këtyre dy rajoneve , por edhe për një lidhje të mundshme kulturore, shpirtërore dhe në fushat sociale e të tjera që kanë interes reciprok . Natyrisht që Kina ka për objektiv të ketë një lidhje të ngushtë tregtare , ekonomike e financiare, por edhe më gjerë me të gjithë kontinentin evropian , me Evropën Qendrore dhe Veriore, me Evropën Qendrore dhe Juglindore gjithashtu për shkak se Evropa Qendrore dhe Juglindore është më afër Kinës. Veçanërisht Evropa Lindore është si një trampolinë e rajonit, zonës, territorit që lidh kontinentin aziatik me gjithë Perëndimin, përfshirë madje edhe SHBA e më gjerë.
Kjo do të thotë që ky rajon është i rëndësishëm për Kinën por besoj se edhe rajoni i Evropës ka nevojë për një bashkëpunim të ngushtë me Kinën, ka nevojë për investimet kineze dhe për një zhvillim më të gjerë. Shqipëria bën pjesë në Evropën Juglindore , përkatësisht në Ballkanin Perëndimor dhe është një nga vendet e asociuara në këtë iniciativë dhe njëkohësisht një nga vendet përfituese nga investimet kineze. Investimet kineze në Shqipëri janë të hershme, ndoshta Shqipëria ka patur fatin të jetë vendi i parë në Evropën Juglindore që dikur ka përfiituar nga investimet, madje falas të Kinës, por sot nuk jemi në kohën e regjimit totalitar , por në një periudhë kur nuk ka investime falas, por ka investime me interes reciprok.
Investimet kineze në Shqipëri do t’i quaja të suksesshme , nëse do t’i referohemi Aeroportit të Rinasit, investimet në energjitikë, por për mendimin tim investimet kineze në Shqipëri janë të pamjaftueshme sepse potencialet e Kinës janë shumë të mëdha dhe njëkohësisht Kina nuk ka asnjë vështirësi që të realizojë projektet në Shqipëri. Kina e njeh Shqipërinë sepse ka investuar hershëm në energjitikë, në hidrocentrale, në miniera, në ndërtimin e uzinës së përpunimit të naftës , në kombinatin metalurgjik të Elbasanit, që natyrisht për kushtet e kohës teknologjia sot nuk i përgjigjet, por një pjesë e tij është ende sot në punë. Kina ka investuar në mbi 400 projekte gjatë periudhës së komunizmit , që përbëjnë 400 objekte të rëndësishme dhe si e tillë Kina e njeh mjaft mirë terrenin , burimet njerëzore, resurset minerare të nëntokës apo mbitokës, të ujrave etj, dhe për pasojë vështirësitë e Kinës janë shumë të pakta për të hulumtuar, projektuar dhe investuar në Shqipëri.
Megjithatë ka vende të tjera në rajon si Serbia që ka përfituar shumë më tepër investime se sa Shqipëria. Kjo do të thotë që qeveria shqiptare do të duhet të bëjë kujdes dhe të tërheqë më shumë investime dhe kapitale nga Kina, me qëllim që t’i japë një impuls zhvillimit të vendit dhe popullit tonë. Investimet e huaja janë gjithmonë kushte të domosdoshme në pamundësinë e investimeve të brendëshme për rritjen e punësimit, rritjen e mirëqenies, zhvillimin ekonomik, për rritjen e produktit të përgjithshëm shoqëror , rritjen e të ardhurave dhe për pasojë edhe për të krijuar një klimë më pozitive sociale dhe në fusha të tjera . Prandaj i quaj shumë të rënndësishme investimet kineze.
Qeveria shqiptare dhe institucionet e saj duhet të bëjnë kujdes që të krijojnë një klimë më miqësore për investimet kineze. E them këtë sepse për mendimin tim krijohen probleme artificiale lidhur me sjelljen e institucioneve financiare, tatimeve,doganave me disa segmente të investimeve kineze. Ndoshta kjo është pasojë e një konkurence të pandershme apo e një politike të caktuar por nuk është e ndershme që këto institucione shqiptare të shkojnë çdo javë për kontrolle financiare në kompanitë kineze .Kjo sjellje është e patolerueshme dhe për pasojë mundet që kompanitë kineze të mos jenë aq prezente në vendin tonë.
Nga ana tjetër shoh që investimet kineze në Shqipëri preken shumë më pak se investimet ruse, përshembull, nga pikpamja politike. Sepse distanca e largët e Kinës nga Evropa, distanca e largët e Kinës ga Shqipëria nuk krijon asnjë rrezik politik potencial, përsa i përket marrëdhënieve dhe cënimit të integritetit dhe influencës së gjeopolitikave të ndryshme. Për pasojë investimet kineze janë më afër një realiteti të pranueshëm edhe për politikën dhe jo vetëm për popullin shqiptar , se sa çdo investim tjetër i Lindjes. Kjo për faktin se Shqipëria është tashmë vend anëtar i Natos, e përcaktuar në Perëndim dhe nëse krahasojmë të gjitha investimet e Lindjes në Shqipëri, Kina duhet të ketë përparësi absolute dhe kryesore.
Në këtë aspekt them se Shqipëria ka potenciale, ka një eksperiencë të së kaluarës, ka njohje, lidhje e projekte , pra gjithçka që i duhet një vendi për të mundësuar tërheqjen e investimeve kineze në vendin tonë.
CMG: Po afrohet sezoni turistik veror dhe vlen të përmendet se gjatë sezonit të kaluar turistik shtetasit kinezë patën mundësinë të hynin pa viza në territorin shqiptar, gjë që solli një rritje rreth 60% të numrit të turistëve kinezë, krahasuar me vitin 2017. Edhe sivjet pritet që të zbatohet e njejta politikë në kuadrin e turistëve kinezë.
Si e shihni potencialin e bashkëpunimit turistik midis Kinës dhe Shqipërisë?
Enver Bytyçi: Heqja e vizave është një masë shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit, por do të thosha dhe në fusha të tjera. Republika Popullore e Kinës ka popullsinë më të madhe në botë , pra është vendi më i madh në botë nga pikpamja demografike , por dhe një ndër dy-tre vendet më të fuqishme të botës nga pikpamja e potencialit ekonomik, ushtarak dhe politik. Kina ka një ritëm të shpejtë të zhvillimit ekonomik e financiar ndaj dhe numri i njerëzve që kanë mundësi të udhëtojnë për qëllime turistike rritet çdo vit . Shqipëria ka mundësi që këtë potencial turistik ta tërheqë në territorin e saj . Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha turistike, të turizmit malor, detar, kulturor dhe ofron atë që nuk e ofron çdo lloj vendi tjetër madje as në Evropë .
Shqipëria dhe Kina kanë një traditë lidhjeje mes tyre, sepse Shqipëria nuk është e panjohur për Kinën çka përbën një fitore të madhe sepse turizmi zhvillohet mbi bazën e opinioneve dhe perceptimeve dhe nëse ofrohen kushte që kinezët të vijnë si turistë në vendin tonë jam i sigurtë se perceptimi i tyre nuk do të jetë negativ. Pra krahasur me shumë vende të tjera, kjo është një përparësi e madhe.
E rëndësishme është që të ndërtohet një infrastrukturë lidhur me tërheqjen e potencialeve turistike kineze në Shqipëri. Për këtë duhet të ketë një linjë me fluturime me çmime të ulta , sepse nëse kinezët do të fluturojnë për në Tiranë me çmimet normale që ne i prekim çdo ditë , besoj se edhe kinezët më të pasur nuk do të zgjidhnin Shqipërinë për turizëm.
Gjithashtu është e rëndësishme që nëse orientohemi nga një treg i caktuar për tërheqjen e turistëve , siç është Kina një potencial i jashtëzakonshëm duhet që kompanive turistike dhe investitorëve të atij vendi t’u jepet akses në ndërtimin e resorteve turistike sepse ata që ndërtojnë resorte me investime nga jashtë tërheqin pastaj pa patur nevojë për angazhimin e shtetit , një potencial turistik të jashtëzakonshëm. Nëse investitorët kinezë ndërtojnë 1,2,3 apo 10 resorte turistike në Shqipëri të jeni të bindur që ato resorte do të tërheqin turistë nga Kina dhe për pasojë paratë e kinezëve do të hyjnë në Shqipëri. Sa më shumë të ardhura të hyjnë në Shqipëri, aq më shumë do të rritet mirëqenia dhe niveli ekonomik i shqiptarëve.
CMG: Viti 2019 është përcaktuar si “Viti i shkëmbimeve arsimore dhe rinore midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Cilat do të ishin, sipas jush të përbashkëtat e të rinjve shqiptarë dhe kinezë?
Enver Bytyçi: Qeveria kineze, Ministria kineze e Arësimit dhe Kulturës janë kujdesur që në vendin tonë të hidhen bazat e bashkëpunimit kulturor dhe arsimor. Instituti Konfuci në Tiranë është një kontribut shumë i rëndësishëm jo vetëm për mësimin e gjuhës kineze, por edhe për njohjen e kulturës kineze . Kjo kulturë është shumë e rëndësishme dhe unë e njoh gjerësisht nëpërmjet leximeve dhe më ka surprizuar me filozofinë e saj praktike, ndryshe nga ajo klasike e zhvilluar në Evropë. Njohja e kësaj kulture që buron nga lashtësia e deri më sot përbën një aset shtesë në formimin kulturor edhe të shqiptarëve.
Eshtë kënaqësi për mua të theksoj faktin se Universiteti “Aleksandër Moisiu” ku unë punoj ka një marrëveshje bashkëpunimi me Kinën . Rektorja e Universitetit tonë ka vizituar Kinën për shkëmbim eksperience, por natyrisht kjo është e pamjaftueshme sepse mungon një shkëmbim i ndërsjellë i studentëve, i rinisë . Edhe në fushën e arsimit kemi një traditë të jashtëzakonshme bashkëpunimi sepse shqiptarët kanë studjuar në Kinë gjatë shekullit të kaluar por edhe kinezët kanë studjuar në Shqipëri në Universitetin e Tiranës. Pra kjo eksperiencë ka ekzistuar dhe është e njohur nga universitetet e Kinës , po ashtu katedra e gjuhës shqipe në Kinë ashtu si dhe ajo e gjuhës kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Tiranës. E gjithë kjo infrastrukturë e ndërtuar jo vetëm vitet e fundit por në më shumë se gjysmë shekullin e fundit do të thotë që kemi mundësi që këtë bashkëpunim ta çojmë më tej.
CMG: Në muajin prill do të zhvillohet në Kroaci Samiti i 8-të i Liderëve Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Si i vlerësoni rezultatet e Bashkëpunimit 16+1 të vitit të kaluar dhe çfarë pritet për bashkëpunimin e këtij viti?
A ka konkurencë midis Bashkëpunimit 16+1 dhe BE-së lidhur me marrëdhëniet me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ?
Cfarë do të këshillonit lidhur me rritjen e rolit pozitiv që mund të luajë Mekanizmi 16+1 dhe BE-ja në këtë rajon?
Enver Bytyçi: Në rajonin e Evropës Juglindore disa vende ende nuk janë anëtare të BE-së mes tyre dhe Shqipëria do t’i përmbahen kritereve dhe politikave evropiane në bashkëpunimin me vende të treta jashtë BE-së. Këtu përfshij dhe rajonin e Evropës Qendrore ku bëjnë pjesë vende anëtare të BE-së. Politika e përbashkët ekonomike e BE-së i detyron vendet që aspirojnë të bëhen anëtare përfshirë dhe vendin tonë të kenë politika të cilat kushtëzohen nga politikat e përgjithëshme të BE-së. Por në vendet e rajonit tonë ka edhe specifika lidhur me zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën.
Sa i përket politikave të përgjithëshme do të thosha që iniciativa 16+1 kushtëzohet nga politikat ekonomike dhe financiare të BE-së. Si e tillë paraqet ato pengesa që ekzistojnë në lidhjet e Kinës me vendet anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe vende të tjera. Këto probleme ekzistojnë dhe midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore lidhur me marrëdhëniet e investimeve dhe ekonomike e financiare.
Problemi evropian me Kinën nuk është i njejtë siç është me Rusinë. Nga studimet që kam bërë në këtë aspekt mendoj dhe besoj se problemi kryesor i lidhjeve ekonomike midis Evropës, përfshirë dhe rajonin Juglindor dhe Kinës kanë të bëjnë me përafrimin e legjislacionit . Diferencat që ekzistojnë në legjislacionin kinez me atë të Evropës krijojnë pengesa në realizimin e investimeve dhe politikave të tjera të bashkëpunimit. Këto pengesa natyrisht që janë të pranishme edhe te vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
Megjithatë investimet kineze në Evropë shkojnë në 340 miliardë euro dhe janë shumë më të mëdha se investimet e Evropës në Kinë. Kjo dëshmon potencialin e Kinës për investime jashtë vendit, por dëshmon dhe faktin se është pranuar tashmë investimi kinez në Evropë . Megjithatë pala evropiane ka një shqetësim se 70% e këtyre investimeve kontrollohen nga shteti dhe kontrolli shtetëror i investimeve të huaja në Evropë përbën një pengesë, sipas mendimit tim. Ky është një problem që duhet të zgjidhet mes palëve.
Gjithashtu mendoj se Kina duhet të tregohet më e kujdesshme lidhur me të drejtën e autorit , një problem që në Evropë theksohet vazhdimisht. Ndoshta është artikuluar më shumë seç duhet, ndooshta është krijuar një perceptim joreal, sepse problemet mund të mos jenë kaq të mprehta në këtë fushë, megjithatë unë besoj se Kina do të përpiqet ta zgjidhë këtë problem me qëllim që t’i hapë rrugë mënjanimin të çdo lloj pengese për investimet e saj në BE, në përgjithësi dhe në veçanti në vendet e Evropës Qendrore dhe JugLindore. E theksoj këtë rajon sepse ka poteniale më të mëdha për të thithur investime kineze se sa pjesa tjetër e Evropës. Kemi parasysh Gjermaninë përshembull apo Francën ku nuk besoj e ndjehet nevoja e investimeve të huaja ashtu si ndjehet në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. Këto vende janë të uritura për investimet e huaja sepse duan të garantojnë ritmet e zhvillimit.
Nuk mendoj se legjislacioni kinez duhet të bëhet si ai i Evropës se do të ishte e padrejtë , por një balancë më e mirë në këto aspekte do të krijonte kushte dhe mundësi për investime shumë më të mëdha të Kinës në Evropën Qendrore, Lindore dhe Jugliindore. Kjo është me rëndësi të theksohet se kam parasysh që gjërat që ekzistojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve që duhet të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin duhen analizuar në mënyrë kritike dhe të drejtë.
Eda Merepeza