In memoriam Adile Xhabija!
Flet gazetarja e parë e Radio-Shkodrës, Adile Xhabija
Ishte viti 1945, maj. Më lajmërojnë (në atë kohë sa kisha mbaruar institutin femëror në Shkodër) se po hapej Radio-Shkodra si degë e Radio-Tiranës. Gjithmonë e kam pasur qejf radion në vegjëli. Më dukej një magji njerëzore se sa një realitet. Më dukej sikur zërat e radios zbrisnin nga qielli dhe jo nga toka, nga njerëz realë. Lajmëtarët më thanë se për Radio-Shkodrën duhej një njeri me një kulturë të gjerë dhe një njeri që të njihte gjuhët e huaja. Ne në Institutin Femëror kishim pedagogë shumë të përgatitur që nuk kishin dhënë mësim në një institucion më të lartë se shkolla e mesme, por që ishin po aq të përgatitur sikur të jepnin mësim në Universitet. Ata të gjithë ishin shkolluar në shkollat më të mira perëndimore. Kështu ne nga ata pedagogë mësuam shumë. Ne mësuam italishten, frëngjishten dhe katër vjet kemi bërë latinisht. Këtë gjuhë ne e mësuam thuajse në perfeksion më shumë se një mjek apo farmacist sot. Kjo latinishte nga ka vlejtur për të përvetësuar gjuhët e huaja të tjera. Gjuha bazë e jona ishte latinishtja. Kështu e nis bisedën gazetarja veterane Adile Xhabia, për të vazhduar më tej:
Si hytë në Radio, me ndonjë konkurs?
Jo, s’bëra konkurs. Duke pasur parasysh shkollimin tim, më pranuan menjëherë. Me atë bagazh që kisha fillova punë në Radio-Shkodrën.
Fillimi si ishte?
Si ishte?! Ditë që se harroj as sot që kanë kaluar 68 vjet. Një gëzim i paparë. Por dhe emocione të papara. Kur thashë “Ju flet Radio-Shkodra” mu duk se diçka mu shkëput nga zemra. Ishte një mrekulli. Zëri im mu duk se mu tjetërsua. Pranvera e asaj ditë mu duk më e bukur. Rrugës për në shtëpi ndjehesha tjetër njeri. Dukej sikur po fluturoja.
Mund të na e përshkruani pak atë dhomë ku ishin aparaturat dhe studioja?
Eh studio! S’mund të them studio. Ishte një dhomë e vogël e zhvilluar, atje zhvillohej aktiviteti artistik, kronikat e ndryshme dhe lajmet e ndryshme. Gjithçka ishte vetëm ajo. Edhe sekretaria kishte rolin e vet. Ajo përpunonte të gjithë aktivitetet që u bënin. Ishte një dhomë e vogël me një teknikë të thjeshtë. Aty ishte edhe një italian që nuk ia mbaj mend emrin. Jashtë kishin filluar kurset kundër analfabetizmit. Ne jepnim nëpër lajme për të gjithë gratë që merreshin me kurset kundër analfabetizmit, dhe këto gra hapnin shtëpitë e tyre për këto kurse. Ishin dy mësuese të mira që paguheshin nga arsimi dhe merreshin vetëm me zhvillimin e kurseve. Ka qenë nëna e Fadil Krajës, Hajrie Honmja dhe Nusha Simoni. Këto të dyja ishin në dispozicion në kurset kundër analfabetizmit. Këto ishin kronikat që jepnim, ose se si disa gra mirëmbanin shtëpitë e tyre.
Pra, problemet sociale ishin në qendër të vëmendjes?
Ne kemi punuar me të vërtetë me problemet shoqërore të kohës. Ajo grua që hiqte perçen dhe zhdukte analfabetizmin, ajo merrej në punë, me qëllim që të shkëputeshin nga shtëpia gratë.
Po pjesa muzikore në Radio-Shkodra si ishte?
Po. Por ka histori të çuditshme. Grupi i këngëve popullore nuk pranonin të hynin me këndu me mikrofon, po nuk kishin një çarçaf të madh të vënë përpara në tokë. Shtronin një çarçaf të madh në tokë, uleshin këmbëkryq me një gotë raki përpara dhe dorën në vesh dhe fillonin të këndonin. Pa gotë rakie nuk këndonin. S’janë përralla këto që po them. Edhe Bik Ndoja në këtë formë ka kënduar, edhe të tjerë kështu!…
Në atë kohë kishte shumë radio, madje edhe në Korçë?
Shkodra nuk kishte shumë radio në shtëpi, dhe prandaj kishte shumë altoparlantë në lagje të ndryshme të qytetit. Prandaj e gjithë ky aktivitet me altoparlantë përhapej menjëherë në të gjithë qytetin. Dalëngadalë filloi edhe grupi i muzikës së lehtë të Shkodrës. Kanë qenë dy motrat Shkreli, Shqyeri Shkreli e shumë të tjerë. Po këta nuk këndonin më si grupi i parë. Ishte vetëm një mikrofon. Nga njëra anë ishin këto të lajme dhe në krahun tjetër ishin këta që do të këndonin. Vajzat Shkreli nuk erdhën më, sepse fanatizmi ishte shumë i madh, i shkëputi nga jeta artistike, kurse të tjerët vazhduan. Kjo ka qenë puna dhe aktiviteti ku një pjesë të kohës e lidhnin me Radio-Tiranën.
Pra ju ishit në varësi të Radio-Tiranës?
Po! Ne ishim në vartësi të Radio-Tiranës. Aty aparaturat ishin disi më të mira se tek ne. Ne më shumë veshët aty i kishim. Në Tiranë kishte dhe gazetarë shumë të mirë. Ne merrnim shembull nga ata.
A u specializuat jashtë në atë kohë?
Në nëntor të vitit 1946 u përgatitëm për të shkuar në Moskë. Sepse Radio-Moska do të hapte redaksinë shqiptare. Atje gjeta një ambient tjetër. Ishin shumë të kulturuar dhe teknikisht shumë të përparuar. Atje, pasi dhashë provimet, më dhanë kategorinë e dytë. Vetëm unë isha punëtore në këtë radio, të gjithë ishin studentë në Moskë. Kanë punuar shumë Lazër Filipi, Fatmir Gjata. Kishim edhe shefin tonë, Petrit Aga. Gani Strazimiri rrinte me kufjet në vesh që na kontrollonte. Të nesërmet na vinin letrat apo shënimet e drejtuesve se si i kishim dhënë lajmet ditën e djeshme. Unë isha gjithmonë një zë femre dhe studentët ishin meshkuj që ndërroheshin. Unë isha e pazëvendësueshme. Kështu ka qenë edhe Isuf Alibali që merrej me përkthime. Ne u lidhëm edhe me redaksinë italiane. Nganjëherë edhe me redaksinë franceze, merrnim lajmet e tyre i përkthenim në shqip edhe i transmetofshim. Radio-Shkodra kishte imituar Radio-Londrën. P.sh: “Këtu Radio Shkodra”, “këtu Radio Shkodra”! Në Moskë fliste vetëm Radio Moska. Atje shpreheshim “Ju flet Moska” dhe jo Radio Moska. Atje vazhdova për një kohë të gjatë, ku dhe jam vlerësuar mirë, pastaj u ktheva bashkë me burrin që mbaroi studimet atje.
Ku shkuat pasi u kthyet nga studimet në Moskë?
Më emëruan në Kuçovë. Edhe aty gjeta një degë të Radio-Tiranës, që quhej Radio Kuçova. Ishte e njëjta histori si në Shkodër, vetëm se kemi krijuar grupe vetë. Kishin dy grupe, grupin e këngëtarëve dhe grupin lab.