Albspirit

Media/News/Publishing

Adi Krasta: Edhe gazetari i fundit i lirë ka mirënjohjen time

Gjatë çdo qeverisjeje të tranzicionit, pas konsensusit të muajve të parë, ka ardhur e pashmangshme diçka që është më kapriçioze se vetëm personaliteti i liderit, kushdo të ketë qenë ai. Është abuzimi me pushtetin. Ne nuk mësuam nga diktatura dhe as nga këto 30 vjet, se ç’janë filtrat demokratikë, funksionimi i institucioneve të pavarura dhe një media e fortë dhe e pavarur që e garantojnë demokracinë dhe mosshfaqjen e sindromit të abuzimit me pushtetin. Çuditem që ka gjithnjë e më pak gazetarë të pakonformuar.

Nuk arrij dot ta kuptoj, nëse ndodh pasi të lënë pa punë me një telefon ose takim sekret me pronarët për të të mbyllur gojën, apo ndodh më lehtë mbyllja e gojës me kontrata dhe favore përfituese në një marrëdhënie jo të shëndetshme me pushtetin. Në ekranin prapa meje presidenti i Shteteve të Bashkurara Ronald Reagan dhe ishte koha kur amerikanët kishin president me peshë e jo një shaka biznesi, u thotë gazetarëve se megjithëse raporti i tij me ta bëhej shpesh kundërshtues, ai ua njihte vlerën e fuqinë për të mirën e demokracisë.

Një tjetër president Xhorxh Walker Bush bëri gazetarët të shkriheshin gazit me gafat e tij proverbiale dhe fjalët e ndryshuara pa të keq, në kërkim të atyre të sakta. Me sportivitet, Bush nuk e konsideroi të dobët të tallej me veten. Ai u bë serioz kur foli për përgjegjësinë me të cilën e shihte zyrën që mbante.

Sulmi ndaj gazetarëve, stigmatizimi, sharja e tyre në rrafshin privat, deligjitimimi i qëndrimit të tyre për çështje të ndjeshme, krijimi i fakteve alternative dhe vetë përcmimi si pushtet ndaj tyre është shenjë a mungesës së demokracisë dhe abuzimit me pushtetit. Ka ardhur një kohë kur duhet thënë se edhe sikur një gazetar i vetëm në vendin tonë të qëndrojë në këmbë për të thënë atë që mendon, do ketë gjithmonë mirëjohjen time të plotë.

Qeveritë nuk kanë rënë nga gazetarë me emra të përveçëm. Ato kanë rënë kur janë bërë pashmangshmërisht të rënshme. Duhet pranuar se për qeveritarët është traumatike. Por asgjë e tmerrshme nuk ka ndodhur për vendin një ditë më pas. Kur qeveritë bien vendi injektohet me një entusiazëm të ri, me një dëshirë për të parë përpara, me një pasion për të synuar atë cka nuk ishte mbërritur deri atëhere. Ndërsa vendi lëviz, partitë rigrupohen dhe kërkojnë shpëtim në demokratizimin e tyre të brendshëm, gazetarët e përveçëm, qëndrojnë po aty. Për të vazhduar të kryejnë misionin e tyre të komunikimit në atë që quhet ringritja pas rënies. Ndihmojini të punojnë, mbështetini të thonë atë që mendojnë, kuptojini kur ju flasin jashtë interesit të tyre personal. Tregojuni solidaritetin që presin nga ju. Ju bëj thirrje atyre pak pronarëve të mediave ende të pakapur të bëjnë një sforcim për të mbështetur gazetarët e tyre në një mision tanimë të shenjtë. Publiku i shëndoshë pa asnjë dyshim do ja u njohë si meritë!

Please follow and like us: