Ilir Levonja: A e dha dorëheqjen Edi Rama…?
Pyetja është se çfarë do ndodhte në Tiranë dhe Prishtinë nëse samiti i djeshëm do kish i dhënë dritën jeshile Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe liberalizimin e vizave Kosovës? Me siguri Tirana do shpërthente deri në mesnatë nga boriet, flamujt a portretet e Ramës, Spiropalit etj., ndofta edhe Prishtina jo më pak, megjithëse situata aty është disi më ndryshe në raport me Shqipërinë. Kjo për faktin se Kosova, sidomos pas izolimit të Shqipërisë, ka një kulturë emigrimi dhe lëvizje më të hershme se ne, por edhe plagët e luftës në mes. Gjithsesi duke vështruar përciptas se edhe Prishtina tashmë është infektuar nga politika konfliktuale në Tiranë, mund të shikonim edhe aty pamje të tilla.
Por kjo nuk ndodhi. Dhe në vend që të habitemi me faktin se përse Rama i pari nuk jep dorëheqjen, apo Thaçi, megjithëse ky i fundit të paktën e pranoi dështimin total në këtë samit, argumentojmë pafund të kundërtën duke sjellur si shembull kërcënimin në thonjëza të Zoran Zaevit karshi Merkelit dhe Makronit. Në fakt ky kërcënimi Zaev është si me thënë t’i nxjerrësh sytë vetes se, janë ato shembujt e përkryer kur një lider vendos standardet që kërkon të arrij në qeverisjen e tij. Nëse nuk i përmbush me mjetet demokratike dhe forcën e demos-it, logjikisht i bie të japi dorëheqjen. Jo të nxjerri video nga mbrëmja ku pihet verë e gajasesh me barcaleta zyrash siç edhe po bën kryeministri i Shqipërisë.
Zoran Zaevi nuk ka se si ta kërcënojë Europën, apo në rastin konkret Gjermaninë dhe Francën, me dorëheqje. Në fund të fundit çfarë do i bënte Europës plot konflikte për më tepër nga rritja e ndjeshme e trendit të së djathtës tradicionale? Çfarë do i bënte kësaj Europe në një krizë që tashmë po nxjerr si disktuim deri shpërbërjen e këshillit a Unionit Uuropian? Assesi asgjë! Kërcënimi Zaev është krejt normal, po aq edhe akt normal i asaj që ndodh në demokraci. Por po ta shikosh nga Tirana është absurd gati kolektiv dorëheqja, a hapja e krahut.
Samiti i djeshëm i vuri vulën asaj që nuk na e ka fajin as Gjermania, as Franca e as Unioni në përgjithësi. Por jemi ne ata që ia bëjmë vetes. Kjo e ka shpjegimin nga një sërë argumentash, si konfliktualiteti politik, ekonomia, marrëdhëniet me të shkuarën dhe raportet ndëretnike, pa iu futur më thellë administrimit territorial mbi klandestinët, drogën dhe prostitucionin. Në përgjithësi shtetet e Lindjes janë më politikë se sa duhet në raport me perëndimin ku dominon ligji dhe resultatet në ekonomi.
Në Shqipëri në njezetë e katër orë për gjithçka flitet, mbi gjithçka, mbi çdo gjë, madje të drejtat dhe liritë e individit janë objekt tallje me një racizëm të pa parë, veç për ekonomi jo. Ekonomia është menca ku hanë të vobektit, një aneks stacioni i rrënuar treni, a një thertore e nëmur, karshi politikës një resort i artë për të kapur dhe fituar gjithçka. Kjo është absurde por ndodh me shumicë aq sa kur shikon se si një ministër shteti promovon donacionet si sukses, logjikisht qytetarit perëndimor mbledh supet. Tek ne si ai dhe ndjekësit e tij duartrokasin. Merrni rastin e pak ditëve më parë, kur Ministrja e Mbrojtjes postonte në Fb dhuratën amerikane të helikopterëve Black Hawk. Nga një kërkim i përciptë më rezultoi se deri Mali i Zi kishin blerë kësi helikopterë. Një shtet gati gjysma e gjysmës sonë, kurse ne akoma jo. A mund të themi se kemi ekonomi? Asesi!
Megjithatë për të qëndruar tek absurdi ynë, fakti i dështimeve qëndron mbi të gjitha tek niveli i lartë i konfliktualitetit politik dhe korrupsioni. Duhet të kuptojmë një herë e mirë se pa një politikë më të ftohtë, më bashkëpunuese dhe sidomos politikë me akte, nuk ka kurrë sukses. Cili është akti në rastin konkret? Zë fill nga një arsyetim i thjeshtë, për çfarë u mblodh ky samit? Për çfarë u thirr Shqipëria? Çfarë prisnin shqiptarët prej tij etj? Dhe çfarë morën? Nëse përfituan atë që deshën, kryeministri të qëndroj. Nëse jo, të iki!… Kaq! Jo me gilivili mbi kërcënimet e Zaevit, me ca argumenta opinionistësh që u varen sytë dhe xheli. Se e vërteta e Zaevit këtu qëndron. Dhe i duhet hequr kapelja për këtë. Apo dikush tjetër që i drejtohet me ‘ti’ një zonje se ‘çfarë bëre ti që negociove 7 vjet me serbët etj’. Janë kalori obeziteti që po e shëndoshin Ramën dhe budallespin shqiptarët. Po vrasin madje edhe çështjen kombëtare. Ndaj ky çfari, a se çfarë bëre ti, çfarë po bën, është normë e demokracisë që më së pari t’i drejtohet atij që ka gjithçka, se ai që ka veç asgjënë, nuk ka se çfarë çfari të të japë…
30 Prill 2019.