RESHAT KRIPA: PËRJETËSISHT (4)
Në gjurmët e një romani të pabotuar (4)
Pjesa e katërt
Një natë më parë, Arbëri po kthehej në shtëpi pas takimit me Blerinën. Gjatë gjithë rrugës nuk i hiqej nga mendja biseda që kishte bërë me të. I dilte para syve fytyra e Ibrahimit dhe i dukej sikur ajo i buzëqeshte por në atë buzëqeshje shikonte një ironi që ai mundohej ta fshihte. Hyri në rrugicën e shtëpisë. Edhe pak hapa dhe do mbërrinte. Para tij u shfaqën tre hije.
-Arbër Dauti, në emër të popullit jeni i arrestuar! – foli njeri.
Arbëri hodhi vështrimin drejt tyre. Njohu operativin e Sigurimit për ndërmarrjen e tij. Dy të tjerët ishin policë. Nuk kundërshtoi. Njeri nga policët i hodhi hekurat edhe e kapën për krahu. Në rrugë nuk kishte njerëz. Mbërritën në degën e punëve të brendëshme.
E çuan në dhomën e hetimit. Një civil që e kishte parë disa herë në qytet, por që nuk e dinte se çfarë pune bënte, qëndronte ulur në tavolinë. Operativi dhe dy policët u larguan.
-Unë do të jem hetuesi juaj, – tha personi i ulur në tavolinë. – Jeni arrestuar për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor. Faktet i kemi të plota. Mos u mundoni t’i mohoni. Kjo është këshilla ime. Nga qëndrimi juaj varet edhe masa e dënimit. Mendohuni dhe kur t’ju thërras herë tjetër të vini me mend në kokë.
I ra një zileje që kishte në tavolinë. Hynë dy policë që e morën dhe e çuan në katin e poshtëm ku ishin birucat. Qelia ku e mbyllën ishte nën rampën e shkallëve që të shpinin në katin e dytë. Kishte dimensione 2,5 X 1,5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1,5 metra. Në krah të qelisë së tij, nën shesh pushimin e shkallëve, ndodhej një qeli tjetër, që ishte vendosur në formën e gërmës ” L“ me të parën. Në qeli qe gati errësirë e plotë. Një dritare e vogël me hekura në portën e saj sillte një dritë shumë të dobët.
Nuk e dinte sa orë kishte në atë gjendje, kur dëgjoi një zë që thërriste, sikur pëshpëriste:
-Hej, kush jeni?
U mundua të ngrihej, por koka i preku në tavan dhe u rrëzua përsëri. Vetëm atëherë kuptoi se qelia qe nën rampën e shkallës. Thirrja u përsërit. U kap pas hekurave të dritares së vogël që ndodhej në portë dhe u mundua të ngrihej. Në dritaren e portës së qelisë përbri pa fytyrën e një burri.
-Ujë! – i tha me gjysmë zëri
Fqinji u mundua t’i jepte shtëmën e vogël që kishte, por atë nuk e nxinin hekurat. Atëhere mbushi opingën e tij dhe ia dha. Arbëri, në fillim ndjeu neveri të pinte ujë me opingën e një të panjohuri. Mos vallë vinte erë nga djersa e këmbëve të tij? Por etja e detyroi. E piu përnjëherësh. Fqinji e mbushi përsëri dhe Arbëri e përpiu edhe atë. Uji e gjallëroi. E mbushi për të tretën herë dhe tha:
-Shplaj fytyrën!
Ndjeu se uji e solli në jetë. Në këtë kohë i hyri një e dridhur në shtat. Ndoshta po i fillonin ethet. Ai e pa, mori një rrobë dhe ia zgjati nëpërmjet dritares.
-Merre dhe mbulohu, por kujdes mos ta shohë roja.
E mori.
-Faleminderit! – i tha të panjohurit
U prezantuan. Ai ishte një plak rreth të gjashtëdhjetave. Babai i një ish-komandanti partizan që e kishin vrarë vetë ata për arsye se kishte dezertuar prej tyre për shkak të politikës që ndiqnin dhe ishte bërë komandant i një çete nacionaliste.
Nuk e dinte sa kohë kishte kaluar në atë qeli kur ndjeu një goditje të fortë në këmbët. U ngrit i tronditur.
– Çohu! – tha një zë i ashpër – Po të pret xhelati.
Para tij qëndronte njeri nga rojet e brendëshme.
– Xhelati? Cili xhelat? – e pyeti.
Roja bëri buzën në gaz në mënyrë ironike dhe tha:
– Do ta shohësh kur të shkosh lart.
E shoqëroi në zyrën hetimore. hetuesi qëndronte duke shkruar diçka në tavolinë.
– Qëndro aty! – foli duke treguar qoshkun e murit.
Arbëri rrinte i heshtur. Nuk kishte fuqi të qëndronte në këmbë. U mbështet pas murit.
– Mos u mbështet! – tha me një ton urdhërues hetuesi pa hequr vështrimin nga shkresat që kishte përpara.
Sipër kokës së tij ishte një orë muri. Ajo tregonte një e gjysmë. Kishte kaluar mesnata. Si mbaroi punë, u ngrit dhe iu drejtua:
– Sot dua të mbarojmë punë shpejt se vajti vonë. A u mendove?
– Për çfarë të mendohem?
– Për aktivitetin antipushtet që ke kryer.
– Nuk kam kryer asnjë aktivitet.
– Mirë atëherë, më qafë paç veten!
I lidhi duart me hekura dhe ia shtrëngoi fort. E shtriu për tokë dhe filloi ta godiste me të dy pëllëmbat me sa fuqi kishte. Filloi ta godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. I vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe i hipte sipër duke i rënduar me forcë.
– Hë, fol!
Dhimbjet ishin të tmerrshme. Nga hundët filloi t’i rridhte gjak. Kjo gjendje vazhdoi për gati dy orë. Së fundi humbi ndjenjat. I hodhën një kovë ujë në fytyrë. Ndjeu dy duar që e ngritën dhe duke e hequr zvarrë e përplasën në qeli.
Ishte në gjendje kllapie. Si nëpër gjumë i shfaqeshin para syve fytyra të ndryshme. I dilte portreti i nënës që i jepte kurajo, por ai zëvëndësohej menjëherë me atë të hetuesit që e kërcënonte:
– Ti nuk je gjë tjetër veçse një kufomë. Je i vdekur, i vdeeekuuuur…!
Vizioni zhdukej dhe vendin e tij e zinte portreti i Blerinës. Me një ëmbëlsi të padëgjuar zëri saj i pëshpëriste:
– Unë të dua! Do të të dua përjetësisht!
Këto vegime i ndërthureshin me njeri-tjetrin. Ndjeu se nga sytë filluan t’i rrjedhin lotë. Por e mblodhi veten shpejt dhe tha:
– Bëhu burrë dhe mos turpëro veten!
Kjo gjendje vazhdoi deri në mëngjes.
* * *
Lajmi i arrestimit të Arbërit u hap si rrufe në të gjithë qytetin. Arbër Dauti është arrestuar për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor. Si zakonisht filluan edhe përshpëritjet. Shokët e sektorit ku punonte nuk mund të rrinin pa shprehur habinë e tyre. Gjatë gjithë periudhës që kishin punuar së bashku nuk e kishin dëgjuar asnjëherë të fliste kundër pushtetit. Ai ishte një djalë i shkëlqyer që kishte fituar admirimin e të gjithëve. Këto gjëra diskutoheshin me zë të ulët në brigatë. Vetëm Ibrahimi qëndronte në heshtje. Nuk bashkohesh në bisedë me shokët. Thellë në ndërgjegje, një zë i thoshte se ishte ai që e kishte groposur shokun. Në ndërgjegjen e tij zhvillohej një farë dualizmi. Për shpëtimin e të vëllait, ai kishte sakrifikuar shokun. Është e vërtetë që këtë e kishte bërë nën efektin e një presioni nga ana e operativit të sigurimit por, në fund të fundit, ishte ai që kishte denoncuar një krim të pakryer, një krim të shpikur nga mendjet djallëzore që e detyruan të bënte këtë veprim. A kishte vepruar drejt?
Për një çast e ndjeu veten fajtor. Por, a duhej ta vazhdonte fajin e kryer? Ishte në një dilemë të madhe. Ndërgjegja i thoshte se duhej të ngrihej mbi veten e tij dhe të shkonte dhe ta tërhiqte deklaratën e turpshme. Por një zë tjetër i brendshëm, zëri që e kishte shyrë ta bënte atë deklaratë, i dukej sikur i thoshte:
-Kur i hyn një valleje nuk mund të tërhiqesh më prej saj.
Dhe ai nuk e ndjente veten të aftë të dilte kundër kësaj hipoteze. Por debatet më të mëdha zhvilloheshin midis banorëve të qytetit. Kishte nga ata që flisnin me zë të lartë:
-Mirë ia bënë. U ngrit edhe ai kundër pushtetit popullor. Mirë thotë një fjalë e urtë: “Bëmë or babë të të ngjaj”. Edhe ai armik do të bëhej si i ati.
Ndërsa të tjerë, natyrisht me zë fare të ulët, bisedonin midis tyre:
-Me siguri ka diçka të fshehtë në këtë mes. Patjetër që ndonjë ndërhyrje nga lart, ndonjë xhelozi duhet të ketë qenë. Përse ndodhi në kohën kur porsa ishte fejuar? Mos ndoshta bashkimi i dy familjeve me kahe të kundërta ishte shkaku?
Blerinën e thirri drejtori i shkollës.
-Dëgjomë me vëmendje, – i tha. – Unë e njoh shumë mirë familjen tënde dhe ty. Njoh gjithashtu mirë edhe familjen e Arbërit. Për të dyja kam një konsideratë të veçantë. Por sot ka ardhur koha që njeriu duhet ta masi mirë hapin para se ta hedhi. Nuk e di dhe, t’ju them të vërtetën, nuk e besoj se Arbëri mund të bëjë një gabim të tillë. Një gjë e tillë më duket e pamundur. Por jam i detyruar ta pranoj. Ndaj ju them. Qëndroni e qetë. Bëni sikur nuk i dëgjoni fjalët që pëshpëriten. Le të presim fundin. Mendoje mirë vendimin që do të marrësh për jetën tënde. Unë me sa të mundem do të mundohem të të qëndroj në krah.
– Ju faleminderit shoku drejtor! Jeni një njeri i vërtetë. Ju falënderoj edhe një herë.
Mbrëmjeve zakonisht familjet mblidheshin dhe diskutonin mbi ngjarjet e ditës apo ato që dëgjonin nëpërmjet shtypit dhe televizionit. Natyrisht që secili jepte mendimin e tij.
Ndodhte shpesh herë që mendimet të ishin të ndryshme kështu që lindte një debat i nxehtë që ndonjëherë e kalonte kufirin. Atëherë ndërhynte i madhi i shtëpisë dhe vendoste qetësinë.
Atë mbrëmje një debat i tillë zhvillohej edhe në familjen Spaho. Por ai nuk ishte as për ngjarjet e ditës dhe as për lajmet e shtypit dhe televizionit. Ishte fjala për arrestimin e dhëndrit të kësaj familjeje dhe qëndrimin që duhej të mbante.
-Me siguri ky është një kurth i ngritur nga dikush për të goditur familjen tonë – tha Hektori.
– E kush mund të jenë ata që duan të na godasi – pyeti Irma.
– Atë që ngriti këtë kurth e kemi midis nesh – ndërhyri Blerina.
– Midis nesh? E kush është ky?
– Dajo Resuli.
– Fol mirë, moj bijë, si mund ta bënte një gjë të tillë ai, – thërriti Irma e skandalizuar.
– Po nënë. Urdhërin e ka dhënë ai dhe e ka kryer shoku i Arbërit.
-Blerina, – ndërhyri Hektori, – fantazi apo realitet është ky? Sqarona.
-Po baba, do t’iu sqaroj.
Blerina filloi të tregojë se si Resuli i kishte kërcënuar kur sapo ishin fejuar.
-Po ktheshim me Arbërin në shtëpi. Te porta takohemi me Resulin. Dukej shumë i revoltuar. I fola – Dajo – A e dini se si u përgjig? – Më vonë do t’ia dëgjoni avazin – dhe u largua. Pas këtij çasti filloj përgatitja e terrenit për arrestimin. Detyruan shokun e tij Ibrahimin që ta denonconte për gjoja agjitacion dhe propagandë.
-Jeni e sigurtë për këtë?
-Plotësisht. E biseduam së bashku me Arbërin. Ai e ndjente që po afrohej dita e keqe. Kjo u kuptua dhe nga fakti se vëllai i Ibrahimit u lirua pesë vjet më parë se të plotësonte dënimin. Lirimi i tij nuk u bë me një falje të përgjithshme por vetëm për atë personalisht me dekret të posaçëm, gjë që nuk e kemi dëgjuar të ketë ngjarë më parë.
-Në rast se e ka bërë ai këtë, unë nuk dua të më vijë më në familje – tha Irma e vendosur.
-Ngadalë grua, ta bisedojmë shtruar, – foli Hektori. – Ta zemë se kjo është e vërtetë. Por, në rast se ne e dëbojmë atë nga shtëpia, atëherë a e dini se ç’pasoja do të kemi?
Irma dhe Blerina heshtën. Hektori vazhdoi:
-Me siguri do të përfundojmë të tre në ndonjë kamp internimi. Prandaj mendoj se rruga më e mirë është ajo e heshtjes. Me Resulin duhet të sillemi sikur nuk e dimë përse është arrestuar. Në rast se ai vjen këtu t’i themi se jemi në pritje të gjykimit të tij.
Në atë çast një trokëllimë u dëgjua në portë. Blerina vrapoi ta hapte.
– Kush është?
– Hape, mbesë. Jam dajua, – dëgjoi ajo zërin e Resulit.
Për pak çaste shtangu por e mblodhi veten shpejt.
-Kujto qenin, bëjë hazër shkopin, – tha Blerina dhe hapi portën. – Mirë se erdhe i dashur dajo,- i tha ajo duke fshehur ndjenjën që kishte për të.
Ai e përqafoi dhe u fut në dhomë. Hektori e kishte dëgjuar dialogun që kishte zhvilluar e bija me të, ndaj i bëri së shoqes me gishtin tregues para hundës shenjën që duhej të heshte.
-A keni marrë vesh përse e kanë arrestuar? – pyeti Resuli si kaluan përshëndetjet e para.
-Nuk dimë asgjë o Resul përveç atyre që pëshpëriten. Kur të dali në gjyq do ta marrim vesh.
– Po ti moj mbesë, ç’mendim ke? Në rast se ai shpallet fajtor a do të vazhdosh të quhesh e fejuara e tij?
-Të mos shkojmë me hamendje, i dashur dajo. Le të presim gjykimin dhe pastaj të vendosim se çfarë do të bëjmë.
Biseda vazhdoi gjatë, por gjithmonë Hektori dhe Blerina dijtën të gjejnë mënyrën e duhur për t’u shmangur. Së fundi Resuli u ngrit për të ikur.
-Ku do të shkosh tani që po vjen mesnata? Për më tepër unë nuk të pyeta nëse ke ngrënë darkë?
-Po, moj motër, hëngra me disa shokë të mi. Tani duhet të iki. Ju e dini se si janë punët tona.
U largua. E motra e përcolli dhe mbylli portën.
-Në rast se ai e ka bërë atë veprim, atëherë turpi le të bjerë mbi të, – tha ajo kur u kthye.
-Le të presim, – tha Hektori. – Koha do të na tregojë të vërtetën Por unë dua të të pyes ty moj bijë. Çfarë mendimi ke?
-Përjetësisht me Arbërin.
Asnjë nga prindërit nuk i ktheu përgjigje
* * *
Kishte kaluar mesnata. Roja hapi derën e qelisë së Arbërit
-Çohu! – i thirri.
Ai nuk e pyeti përse. E dinte se ku do të shkonte. Roja e shoqëroi deri te zyra e hetuesit. Kur hyri brenda u befasua. Ulur në tavolinën kryesore qëndronte Resuli.
-Mbylleni portën, – i tha Resuli rojes i cili u largua.
Qëndroi një copë herë të madhe duke e vështruar në sy.
-Përse më vështron ashtu? – pyeti Arbëri.
-Më vjen keq për ty. Kam ardhur të të ndihmoj.
-Të më ndihmosh? A nuk ishe ti strumbullari i kësaj farse?
– Aspak. Ishe ti që e prure veten tënde këtu.
– E përse?
– Sepse e bëre si dhelpra dhe rrushi. Dhelpra mundohej të hante rrushin që s’ia arrinte, por nuk e hante dot.
– Domethënë?
– Edhe ti doje të arrije atë që ishte e pamundur.
– E përse ishte e pamundur?
– Sepse i përkisje një klase të mundur dhe nuk mund të afroheshe me fitimtarët.
Sepse duhej të qëndroje në qoshen tënde të errët dhe të mos ndiheshe.
– Gabohesh. Ndjenjat e shpirtit tim nuk ka forcë në botë që mund t’i ndalojë.
– Leri filozofirat, – tha Resuli duke dashur ta ndërrojë temën e dialogut. – A do të dalësh sa më shpejt prej këndej?
– Çdo të thuash.
– Të heqësh dorë nga mbesa ime.
– Atë mos ma kërko mua. Ajo nuk varet nga unë. Varet në dorë ta saj. Pyete dhe do të ta thotë.
– Po ti?
– Për mua ajo do të mbetet përjetësisht në zemrën time. Nuk do të ketë pengesë që të më ndalojë në dashurinë time.
– A i keni marrë parasysh pasojat?
– Nuk keni çfarë të më bëni më tepër. Nuk keni për të më thyer kurrë.
– Ashtu? Atëherë le të fillojmë.
I ra ziles së tavolinës. Në dhomë hyri roja.
-Silleni, – i tha.
Në dhomë hyri Ibrahimi. Qëndroi përballë Arbërit. Duart filluan t’i dridhen.
Operativi i Sigurimit i kishte premtuar se nuk do ta ballafaqonin me Arbërin. Do ishte një agjent sekret.
-Fol Ibrahim, trego gjthçka ke deponuar tek operativi, – i tha Resuli.
Ibrahimit i mbeti pështyma në grykë. Nuk fliste dot. Vështrimi i Arbërit sikur e çarmatosi. Resuli hapi sirtarin dhe nxorri një tufë letra të cilat ia tregoi Ibrahimit.
-Fol, trego të gjitha ato që ke deklaruar këtu, – dhe i hodhi një vështrim sikur do ta përpinte.
Dëshmitari u zu ngushtë. Kishte hyrë në një pellg nga i cili nuk kishte rrugë dalje.
-Unë dhe Arbëri kemi qenë shokë të ngushtë, – filloi Ibrahimi në fillim duke iu dridhur buza por më vonë, si e mblodhi veten filloi të flasë rrjedhshëm. – Por unë meqënëse kisha edhe një vëlla në burg, kisha vendosur që të mos përzihesha në çështje politike.
-Pastaj?
-Arbëri më ngacmonte gjithmonë duke më treguar për babanë e tij dhe organizatën ku kishte bërë pjesë, duke më treguar edhe programin e saj.
-Fatkeq, – tha Arbëri duke e ndërprerë.
-Ju pushoni, – i thirri Resuli me një ton të ashpër.
Ibrahimi filloi të tregojë ngjarje nga më skandalozet që gjoja i kishte treguar Arbëri. Tregoi për thirrjet që i kishte bërë ai për krijimin e një organizate që gjoja në fillim do të shpërndante trakte sensibilizuese dhe më vonë do të hidhej në aksione konkrete. Kjo organizatë do të përbëhej nga ata të dy dhe më vonë do të shtohej edhe me elementë të tjerë. Do të kryenin sabotime në fushën ekonomike dhe veprime të tjera. Në fund të fundit, në rast se do të diktoheshin, Arbëri kishte përgatitur edhe mënyrën se si do të arratiseshin në Greqi ose Jugosllavi.
Deponimi i Ibrahimit vazhdoi gjatë. Arbëri e dëgjonte dhe buzëqeshte hidhur. Nuk e kishte besuar kurrë se shoku i tij do të katandisej në këtë gjendje. Por, më tepër, i vinte çudi që një intelektual që kishte mbaruar studimet në Francë si Resuli, të pranonte të dëgjonte pallavra të tilla.
-Shiko se ku ka përfunduar intelektualizmi i këtyre individëve, – mendonte. -Komunizmi e ka shkatërruar ndërgjegjen e tyre.
Gjatë gjithë kohës që Ibrahimi fliste, ai nuk e ndërpreu më. Nuk ia vlente për një njeri të tillë të harxhoje fjalë. Së fundi, kur ai mbaroi, trokëlliti duart duke thënë:
-Bravo! Të lumtë!
Resuli i bëri shenjë Ibrahimit dhe ai u largua.
-E dëgjuat, – iu drejtua Arbërit – këto mjaftojnë për t’ju dënuar.
-Pushka ju bëftë top, – u përgjigj Arbëri, – edhe sikur të më dënoni me njëzetepesë vjet nuk keni për të më thyer.
-Këtë do ta shohim, – foli Resuli.
-Patjetër që do ta shohim, – u përgjigj Arbëri me krenari.
* * *
Mesnatë. Ora e qytetit tingëlloi dhjetë herë. I gjithë qyteti kishte rënë në gjumë. Vetëm një dritë qëndronte e ndezur. Një nënë qëndronte para një fotografie. E vështronte dhe e vështronte. Papritmas iu duk sikur dëgjoi një trokitje të lehtë në portë. U ngrit dhe u afrua. Vuri veshin. Trokitja u përsërit. Iu duk si trokitja e të birit. A ka mundësi? A mund të kishte shpëtuar ai nga kthetrat e hienave që e kishun rrethuar? Kjo ishte e pabesueshme.
– Kush jeni ju që më shqetësoni në këtë orë të natës? – pyeti. – Gjithçka m’i morët. Mos doni të më merrni edhe mua?
– Hape nënë, jam unë! – foli një zë i ulët.
E njohu zërin. Ishte një zë i dashur.
– Eja Blerinë, eja! – tha dhe hapi portën.
Blerina u hodh në krahët e saj. Në atë përqafim nënës iu duk sikur kishte para të birin. Lotët e të dyjave filluan të përziheshin midis tyre.
– Falmë nënë, falmë! – filloi Blerina nëpërmes lotëve.
– Përse bijo? Ti je gjithmonë pranë meje edhe atëherë kur nuk je e pranishme.
Vështroje!
I tregoi fotografinë që kishte para vetes. Ishte fotografa ku Blerina kishte dalë me Arbërin ditën e fejesës.
– A nuk je pranë meje? – vazhdoi nëna.
– Je mirë nënë?
– Unë nuk vdes pa ardhur djali në shtëpi.
– Jo nënë. Arbëri do të kthehet. Tani nuk je më vetëm. Jemi të dyja që e presim. Do të vijë dita që ai do të kthehet.
-Jo bijë, ti ktheu në shtëpinë tënde. Unë jam mësuar me rrëmbimet e njerëzve më të dashur. Kurse ti e ke jetën përpara. Gëzoje atë. Këtë po ta them unë, nënë zemërplasura.
– Shtëpia ime tani e tutje është kjo. Do të vij këtu çdo natë dhe do të largohem para agimit.
Nëna u mundua ta kundërshtonte duke i thënë se kjo ishte e pamundur, se ajo nuk mund të sakrifikonte jetën e saj për të. Ky ishte një vendim shumë i guximshëm. A do të ishte në gjendje ta mbante? Këtë pyetje deshte t’ia bënte por e frenoi veten. Mendoi se kjo do të ishte një fyerje për të.
– Nënë, portën çdo mbrëmje nuk do ta mbyllësh me çelës. Unë do të vi çdo natë. Do ta hap me ngadalë që të mos dëgjohet as nga fqinjët. Do mbyllemi të dyja dhe do të bisedojmë për gjithçka, për Arbërin, për ty, për mua. Kështu edhe netët do të na duken më të lehta.
Të nesërmen, pa zbardhur ende agimi, Blerina u largua duke përqafuar nënën. Para se të dilte vështroi se mos kishte ndonjë njeri rrugës. Mbërriti në shtëpi.
-Ç’u bëre moj bijë? Ku ishe? – i tha e ëma që nuk kishte vënë gjumë në sy atë natë.
-Tek nënë Afërdita, – iu përgjigj e bija. – Kështu do të veproj për çdo natë. Tani unë kam dy nëna. Njëra për ditën dhe tjetra për natën. Dita për nënën që më lindi dhe nata për nënën e atij që e dua më shumë se jetën dhe që ka shumë nevojë për praninë time në këto çaste të vështira.
Irma nuk pati fjalë për ta kundërshtuar. E pleqëruan edhe me Hektorin edhe ai u bind, më në fund, se e bija kishte të drejtë.
Kështu filloi ky cikël që as ishte parë dhe as ishte dëgjuar ndonjëherë në qytetin e tyre. Një e fshehtë që mbeti brënda ndërgjegjes së aktorëve të saj. Blerina interesohej në mënyrë indirekte për Arbërin, dhe kur merrte ndonjë lajm. ua thoshte të dy nënave.
Disa nga kolegët e shikonin shtrembër. E pyesnin në një mënyrë të atillë, sikur gjoja u vinte keq për të. Por Blerina e kuptonte dyfytyrësinë e tyre. Ndaj heshte. Vinte në jetë porosinë e të atit: Ai i kishte thënë se rruga më e mirë në këtë situatë ishte ajo e heshtjes. Kishte edhe njerëz që u vinte keq për çka i kishte ngjarë. Midis tyre ishte edhe drejtori i shkollës, i cli nuk ia hapi më këtë çështje, përveç asaj që i kishte thënë në bisedën që kishte bërë me të. Megjithatë ajo vazhdonte të heshte. Kjo ishte përgjigja e saj për këdo
* * *
Së fundi, pas gati një vit torturash në qelitë e sigurimit, erdhi edhe dita e gjykimit. Për ta gjykuar kishte ardhur posaçërisht për të një trupë ushtarake nga kryeqyteti. Gjyqi u zhvillua në një nga sallat e gjykatës së rrethit. Ai u zhvillua me dyer të mbyllura. Nuk ishte asnjë person i pranishëm përveç trupit gjykues dhe të pandehurit. Madje edhe rojet që e kishin sjellë i kishin nxjerrë përjashta.
Gjyqi filloi me gjeneralitetet e zakonshme dhe menjëherë pas tyre filluan pyetjet e kryetarit të gjykatës që ndërpriteshin nga ndërhyrja e prokurorit. Dialogu midis akuzuesve dhe të akuzuarit vazhdoi për gati tri orë. Përgjigja e vetme që u kthente i akuzuari pyetjeve të tyre ishte:
-Jam i pafajshëm, nuk kam bërë asgjë!
Me pyetjet e kryetarit dhe sidomos me ndërhyrjet skandaloze të prokurorit, akuzuesit kërkonin të thyenin të akuzuarin, por të gjitha tentativat e tyre dështuan përballë qëndresës së tij. Së fundi, i nxorrën para edhe dëshmitarin e vetëm, Ibrahimin. Ai ligjëroi e ligjëroi ashtu siç e kishin porositur. Arbëri me qetësi dhe me një krenari të veçantë i hodhi poshtë të gjitha akuzat. Kur u bindën, se prej tij nuk mund të nxirrnin asnjë pohim, prokurori dha pretencën ku, midis të tjerave, cilësoi:
“Ka qenë inisiator për të krijuar një grup armiqësor kundër pushtetit popullor, tentativë që dështoi pasi u zbulua nga organet tona të Sigurimit të Shtetit. Një gjë e tillë dëshmohet nga deklarimi i shokut të tij Ibrahim Konduri, sipas të cilit kanë zhvilluar disa takime të rregullta, ku i pandehuri i kërkonte dëshmitarit të përpiqej për të shtuar rradhët e grupit. Ai i tregoi atij kopjen e një letre që mendonte t’ia dërgonte një shoku tjetër të tyre me të cilin e ftonin si anëtar të grupit, për të sabotuar dhe veprime të tjera. Përveç këtyre, i pandehuri ka patur në plan se në rast se zbulohej nga organet e Sigurimit të Shtetit, të arratisej jashte vendit për t’u bashkuar me bandat tradhëtare në shërbim të imperializmit amerikan”.
Sipas eksperiencës së gjykatave, deri para disa viteve, pas pretencës së prokurorit zhvillohej mbrojtja e avokatëve por me një urdhër absurd të autoriteteve të shtetit ishte hequr e drejta e mbrojtjes se të akuzuarve, kështu që ai nuk kishte asnjë mbrojtje përveç fjalës së tij.
Para dhënies së vendimit kryetari me një zë autoritar kërkoi fjalën e fundit të të pandehurit:
– A jeni penduar?
– Nuk kam përse të pendohem. Jam i pafajshëm! – deklaroi Arbëri.
Kryetari lexoi vendimin. Në të thuhej:
Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Arbër Dauti bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe bisedon edhe me të tjerë. U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të “Zërit të Amerikës”, “Radio Londrës” e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup antipushtet. Ai u propozon atyre që në pamundësi të aktivitetit në Shqipëri të arratisen jashtë shtetit. Ai vazhdon edhe në seancën gjyqësore të jetë konseguent për këtë vepër penale në dëm të shoqërisë tonë socialiste.
Për sa më sipër, në zbatim të nenit 484 të Kodit të Proçedurës Penale, të Republikës së Shqipërisë dhe në mbështetje të nenit 8, 12 dhe 25 të ligjit 372, e dënon të pandehurin Arbër Dauti me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar, konfiskim pasurie dhe heqjen e të drejtave elektorale për 10 vjet.
Ky vendim mund të kundërshtohet pranë Gjykatës së Lartë Ushtarake brenda një afati prej pesë ditësh.
Në përgjigjen e Gjykatës së Lartë Ushtarake thuhej:
“Rrezikshmëria e veprimtarisë së tij është e theksuar, prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor ashtu edhe për masën e dënimit aplikuar”.
Dy ditë më vonë, Arbëri u transferua në burgun e qytetit. Burgu ishte një godinë dykatëshe, që kishte shërbyer si e tillë me kohë. Në katin përdhes, pasi kaloje një portë të madhe dy kanatshe, sipër së cilës kishte një qemer në formë harku prej guri, hyje në koridor. Në distancë dy metra larg njera-tjetrës, ishin dy zgara hekuri me nga një portë të vogël sejcila, nga ku qarkullonin njerëzit. Në dy anët e këtyre zgarave bëheshin takimet e të burgosurve me familjarët.
Pas tyre, majtas, ishte dhoma numër një ose infermieria ku shërbente mjeku, Istref Luli, një i dënuar politik edhe ai. Përballë saj ishte dhoma numër dy, ku vendoseshin përkohësisht të burgosurit e rinj dhe në krah dhoma numër tre ose dhoma e të dënuarve me vdekje. Ata i mbanin të lidhur. I nxirrnin një herë në ditë një nga një për të kryer nevojat personale. Ata që kishin qënë në atë dhomë, tregonin se muret e saj ishin mbushur me emrat e të dënuarve.
Në katin e parë ndodheshin zyrat e burgut. Poshtë shkallëve që të shpinin atje ishte qelia e ndëshkimit. Atje mbylleshin ata që, sipas rregullores së burgut, kishin shkelur këtë rregullore. Nëpërmjet një porte tjetër dilje në oborr që në dy anët ishte i rrethuar nga një mur i lartë në skajet e të cilit ishin truprojet ku qëndronin natë e ditë policë të armatosur. Atje kishte tetë dhoma të tjera, me nga një numër sejcila, të mbushura plot e përplot me të dënuar.
Rregullorja e burgut përmbante dy orë në ditë, në mëngjes, daljen në obor. Gjatë kësaj kohe duhej të kryenin nevojat personale, të laheshin, të takonin shokët e dhomave të tjera dhe të shëtisnin duke i ardhur oborrit rrotull. Kjo ishte ritmika e ditës.
Burgu ndryshonte shumë nga gjendja në sigurim. Por edhe atje kishte oficerë xhahilë që e rëndonin gjendjen e të burgosurve. I tillë ishte toger Azbiu. Megallomania dhe arroganca e tij ishin të padurueshme. Kënaqësia e tij ishte të torturonte ata që dënoheshin me izolim në qelinë e ndëshkimit.
Një herë në ditë bëhesh kontrolli i dhomës nga ana e oficerit të rojes. Ai vinte me një hekur të rëndë dhe godiste me të dyshemenë, duke i detyruar të burgosurit të ngrinim dyshekët. Kjo bëhej për të parë se mos gërmohej ndonjë tunel për arratisje. Ky kontroll zakonisht bëhej ditën. Kurse toger Azbiu vinte pas mesit të natës, i zgjonte nga gjumi dhe fillonte nga goditjet me hekur. Kjo nuk mjaftonte, por ishin edhe ironit e tij që shoqëronin këtë kontroll:
– Ngadalë, ngadalë se mos zgjoni zotërinjtë!
Arbërin e vendosën në dhomën numër shtatë. Ishte dita e caktuar për takim me familjarët. Ai priste me padurim nënën e tij. Kishte një vit pa e parë dhe pa ditur nëse jetonte apo jo.
Dëgjoi një zë që thirri:
– Arbër Dauti në takim.
U drejtua për te hekurat. Nga ana tjetër e tyre qëndronte e ëma. Ju duk shumë e zbehtë dhe e dobësuar. Ishte plakur para kohe. Vallë si kishte mundur të jetonte? Fillimisht ndjeu një dridhje në trup por u mundua të mos e tregonte veten. Filloi t’i flasë, t’i thotë se ishte mirë dhe gjëra të tjera të tilla. Edhe e ëma e kaloi shpejt impresionimin e parë.
– Bir, mos u shqetëso për mua, – filloi me një zë të sigurtë. – unë jam mirë dhe do të di se si ta përballojë jetën. Mos mendo për mua. Qëndro i fortë. Burgu për burrat është. Unë do të të pres deri sa të lirohesh.
– Po… – Arbëri desh ta pyeste për Blerinën.
Nëna e kuptoi dhe nuk e la të vazhdonte.
– Është shumë mirë. Vazhdon punën e saj. Ty të ka gjithmonë në mendje. Me Arbërin përjetësisht thotë gjithmonë.
– I thoni të shikojë jetën e saj. Unë do të jem më i lumtur kur të shoh edhe atë të lumtur.
Nëna e kuptoi se ku e kishte fjalën i biri. Ndërhyrja e rojes e ndërpreu bisedën.
– Koha përfundoi.
U ndanë. Duke u larguar kthenin kryet prapa deri sa u zhdukën prapa portave.
* * *
Lajmi i dënimit të Arbërit u përhap me shpejtësinë e një rrufeje. Pothuajse nëpër të gjitha kafenetë, ku zakonisht zhvillohen biseda, tema e ditës ishte dënimi i Arbërit. Lajmi ra si bombë edhe në familjen Spaho. Hektori dhe Irma qëndronin të heshtur. Blerina ishte mbyllur në dhomën e saj. Nuk e kishin menduar kurrë se dënimi i tij do të ishte kaq i rëndë. Së fundi heshtjen e theu Hektori:
– Po tani? – pyeti pa e ditur edhe vetë përse.
– Tani? – vazhdoi Irma pa vetëdije.
– Po, po tani, çfarë do të bëjmë?
Një heshtje e gjatë pasoi fjalët e tij. Sejcili prej tyre kishte humbur në botën e mendimeve pa rrugë dalje. Ishin para dilemave që nuk dinin t’i jepnin përgjigje. Udhëkryqi në të cilin ndodheshin kërkonte një zgjidhje që ata nuk mundeshin ta gjenin. Megjithatë, ishin të ndërgjegjshëm se duhej ta gjenin. Para syve u dilnin plot ngjarje të tjera, të kësaj natyre, që kishin ndodhur në qytetin e tyre. Ishin të bindur se, po të mos merrnin një vendim për shkëputjen e marrëdhënieve midis dy të rinjve, më e pakta që mund t’i gjente ishte pushimi nga detyrat që gëzonin dhe kthimi në punëtorë të thjeshtë, njëlloj siç e kishte pësuar edhe Afërdita. Por mund të ndodhte edhe më e madhja, internimi në një nga vendet e caktuara për këtë qëllim. Kjo gjë i bënte që karakteri i tyre të ishte i dyzuar. A do t’i përballonin ata këto pasoja?
Ora po afrohej dhjetë e mbrëmjes. Në atë shtëpi nuk flinte njeri. Gjumi kishte fluturuar. Dera e dhomës ku ishin prindërit u hap dhe në të u shfaq Blerina, e veshur dhe gati për të dalë.
– Ku do të shkosh, moj bijë, në këtë orë? – pyeti e ëma.
– Te nëna tjetër, ju e dini që unë kam dy nëna.
U nis. Nënë Afërdita, ulur në koltukun e zakonshëm, puthte fotografinë ku kishte dalë çifti i ri dhe pëshpëriste:
– Bir, mbahu i fortë! Ke nënën tënde! Unë do të të pres, nuk vdes pa u kthyer ti.
E ngrata nënë nuk bënte llogari nëse do të ishte gjallë pas njëzet vitesh.
Megjithatë kishte besim se Zoti do t’ia plotësonte këtë dëshirë. Nuk derdhte lot. Kishte ngrirë e tëra. Mendonte.
– A do të vijë vallë Blerina? – thoshte me veten e saj.
Portën e shtëpisë e kishte lënë të hapur, ashtu siç kishin vendosur të dyja. Dëgjoi tingëllimën e sahatit të qytetit që ra dhjetë herë.
– Është ora e zakonshme – tha.
U dëgjua kërcitja e portës. Para saj u shfaq Blerina. Nëna hapi krahët dhe Blerina ra në prehërin e saj duke lotuar.
– Mos bijo, mos! Je e re dhe ke fatin tënd përpara. Lerma mua pikëllimin. Unë jam mësuar me të. Kam vite që bashkëjetoj. Kurse ti duhet ta gëzosh jetën.
– Jo nënë , – u përgjigj Blerina midis lotësh, – Gëzimi i vetëm i jetës time është Arbëri. Unë do ta pres atë. Ne jemi lidhur përjetësisht me njeri-tjetrin.
– Mos bijë! A e di se çfarë më tha para tri ditësh kur shkova dhe e takova: “Unë do të jem më i lumtur kur të shoh edhe atë të lumtur”.
Biseda ndërmjet të dyjave nuk kishte të sosur. Qëndruan pothuajse tërë atë natë pa gjumë. Si zakonisht, tënesërmen që pa gdhirë ende Blerina u nis për në shtëpi.
E njëjta gjëndje kishte kaluar edhe në shtëpinë e saj. Të dy prindërit diskutonin dhe diskutonin mënyrën se si do ta përballonin gjendjen, por nuk gjenin përgjigje.
-Jemi, para, një situate të vështirë, – tha Hektori. – Kemi përpara dy rrugë, ose të ruajmë gjëndjen në të cilën jemi dhe të marrim parasysh të gjitha pasojat, ose Blerina të kërkojë ndarjen nga Arbëri dhe të vazhdojmë jetën tonë të zakonshme. Por nuk është e lehtë të zgjedhësh midis këtyre dyjave. Në fund të fundit vendimin do ta japi vetë Blerina.
Kur ajo u kthye në shtëpi, i ati e pyeti për vendimin që do të merrte. Përgjigja e saj ishte një fjalë e vetme:
– Përjetësisht me Arbërin.
* * *
Në burg Arbëri u njoh me shumë burra të dëgjuar. Shumica e tyre kishin qenë miq me të atin. Ata ishin mendjet më të ndritura të kombit shqiptar. Kishin mbaruar studimet në universitetet më në zë të Europës, nga Roma në Paris dhe nga Londra në Vjenë. Influenca e tyre në plotësimin e formimit të tij ishte shumë e madhe. Ata plotësuan boshllëqet që ai kishte patur. Prej tyre mësoi historinë e vërtetë të këtij vendi, të transformuar në mënyrë skandaloze nga pseudohistorianët e sistemit totalitar.
Në dhomë bisedohej për çështje të ndryshme. Më tepër rrihej tema e luftës ku protagonistët e saj, që tani ndodheshin të burgosur, tregonin ngjarje nga më interesantet. Ishin ngjarje që ai nuk i kishte dëgjuar kurrë në jetën e tij.
Pas gjashtë muajsh erdhi urdhëri për trasferimin e një pjese të burgosurish në kampet e punës së detyruar. Midis tyre edhe doktor Istrefi dhe Arbëri. Si një fantazëm e zezë në grupin e shoqërimit bënte pjesë edhe toger Azbiu. Ai do ta ndiqte këmba-këmbës Arbërin gjatë gjithë periudhës së burgut.
Dy makina me të burgosur u nisën drejt veriut. Ata ishin të lidhur dy nga dy. Në krye të makinës ishte një polic i armatosur me një mitraloz të vendosur mbi kabinën e shoferit. Në dy qoshet e fundit të saj qëndronin policë të armatosur me automatik. Makinave u printe një xhips ushtarak. Pas tij vinte një gaz ‘Molotov’ me policë. Në fund, pas makinës me të burgosur, një gaz tjetër me policë.
Kur makinat filluan ngjitjen në kodrat, Arbëri ktheu kryet nga qyteti që po zhdukej, e vështroi me dhimbje dhe tha:
– Mirupafshim qyteti im i dashur!
Shikonte qytetin dhe para syve i dilte shtëpia. I dilnin rrugicat dhe sheshet ku kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë. I dilnin fytyrat e miqve të tij. Por mbi të gjitha fytyra e nënës dhe ajo e Blerinës. Kaluan Shqipërinë e Jugut dhe morën kthesën drejt veriut. Nuk e dinin se ku do t’i çonin. Kolona ndaloi në një vend pranë një pylli. Vendi u rrethua nga të gjitha anët me policë.
– Zbrisni për nevojat personale – thanë policët.
Zbritën dhe filluan të kryejnë nevojat personale aty në anë të rrugës. Dy djem të lidhur bashkë, përfituan nga rasti, u futën në një gëmushë dhe ia mbathën për në pyll. Rojet i diktuan. Ishte marrëzi një veprim i tillë. Një batare krismash u dëgjua në të gjitha anët. U dëgjua një britmë:
– Shtrihuni për tokë!
Të gjithë u shtrinë aty ku ishin. Plumbat vërshëllenin. Breshëria e tyre goditi njërin nga të arratisurit. Ai ra i vdekur. Kjo bëri të pamundur ikjen e tjetrit që ishte i lidhur me të.
– Pushoni zjarrin! – u dëgjua një zë.
Zjarri ndaloi. Rojet vrapuan dhe kapën të burgosurin që ishte lidhur bashkë me të vrarin. Filluan ta godasin kush të mundte më shumë, kush me grushta, kush me shkelma. Dikush e godiste me kondakun e pushkës, kurse të tjerët e shponin me bajonetë. I mjeri ulurinte nga dhimbjet. Së fundi pushoi. Kishte vdekur. Urdhëruan të hapej një gropë dhe i mbuluan të dy atje, ashtu të lidhur siç ishin. Hipën përsëri në makina dhe u nisën.
Arritën në kamp. Ai ishte ngritur në një minierë piriti. Ishte vendosur në një shpat mali. Kapanonet dhe gjithë miniera ishin të rrethuara me një gardh të trefishtë telash me gjëmba, Në çdo pesëdhjetë metra ishin ngritur truprojet, ku qëndronin vazhdimisht policë të armatosur. Kapanonet ishin vendosur në një anë të shpatit. Një rrethim i brendshëm i ndante nga pjesa tjetër.
Klima ishte shumë e ashpër. Pozicioni i kampit kundrejt maleve bënte që në stinën më të nxehtë të mos kishte më shumë se katër deri pesë orë diell. Pjesa tjetër e vitit nuk shihte diell me sy. Dimri zgjaste gati gjashtë muaj. Niste në fillim të nëntorit dhe mbaronte në fund të prillit. Temperatura në dimër ulej shumë. Arrinte deri në minus njëzet gradë celsius. Hejet e gjata të akullit qëndronin për tërë këtë stinë të varura deri në tokë. Frynte një erë e thëllimtë që nuk të linte të nxirrje kokën përjashta.
Arbërin e caktuan të punonte në galeri. Ishte brigada e mbushjes. Ajo punonte në mbushjen me gurë të galerive të shfrytëzuara. Ishin dhjetë vetë në brigadë. Në kamp puna ishte me tre turne. Punohej edhe të dielave. Pushimet javore i bënin me grafik gjatë gjithë ditëve të javës. Atë natë brigada e Arbërit kishte turnin e tretë. Ai kishte pushimin javor. Po rrinte i vetëm në kapanon duke lexuar një libër. Ishte romani “Për mbrojtjen e atdheut“ i Foqion Postolit. Pas pak e zuri gjumi. Kishte kaluar mesnata, kur dëgjoi një zhurmë hapash dhe zërash që bisedonin. U ngrit dhe shkoi te porta e kapanonit Pa doktor Istrefin që nxitonte për diku.
– Doktor, çfarë ka ngjarë?
– Eshtë shembur galeria numër dy në zonën A, – u përgjigj ai duke u larguar me shpejtësi.
Një e dridhur i përshkoi trupin. Ishte galeria ku punonte brigata e tij. Mendja i vajti tek shokët. Kush do të ishte fatkeqi? Si të bënte? Përjashta nuk dilte dot. Ishte e ndaluar. I vinte shumë keq për këdo që do të ishte viktimë e këtij aksidenti. Tërë atë natë e kaloi pa gjumë, duke shëtitur poshtë e lartë nëpër korridorin e ngushtë që ndante shtretërit e kapanonit.
Të nesërmen doli përjashta dhe priste të ktheheshin nga puna shokët për të mësuar se kush ishin të vrarët. Mori vesh se ishte shembur një mal me gurë dhe kishte zënë nën vete Markun, një burrë rreth tridhjetepesëvjeç nga Lezha dhe Vasilin, një plak shtatëdhjetëvjeçar nga Saranda.
Dy ditë e net vazhdoi puna për gjetjen tyre. Shpresonin ende se mos gjenin ndonjërin gjallë. Ishte një shpresë e kotë. I gjetën të dy të sakatosur dhe pa jetë nën peshën e gurëve. I varrosën po atë ditë, brenda rrethimit të kampit, poshtë rrugës automobilistike që kalonte në fund të tij.
Një ditë erdhi për kontroll një ekip i Ministrise së Brendshme, i kryesuar nga një oficer madhor. Inspektuan komandën, rojet dhe gjithçka tjetër. Së fundi erdhi edhe në kamp.
Filloi të pyesë me rradhë të burgosurit:
– Përse je dënuar?
Të gjithë përgjigjeshin përse ishin akuzuar. Kur erdhi rradha e Arbërit ai u përgjigj:
– Për pafajsinë time.
E vështroi nga koka tek këmbët. Diçka bisedoi me komandantin e kampit që e shoqëronte dhe pastaj iu drejtua:
– Me kë kërkon të tallesh zotrote? A e di se kush jam unë?
Arbëri nuk u përgjigj menjëherë. Ndenji disa minuta duke u menduar dhe duke e vështruar në sy. Pastaj i tha:
– Jo zotëri, unë nuk tallem. Në rast se doni të vërtetën po ua them: Për Shqipërinë dhe shqiptarët!
– E për cilët shqiptarë, për ata që tradhtuan atdheun dhe u bënë vegla të të huajve?
– Për shqiptarët e vërtetë. Për ata që ju i vratë, i mbyllët nëpër burgje apo i detyruat të arratisen jashtë shtetit.
U nxi në fytyrë dhe filloi të turfullojë si një qen i tërbuar. U kthye dhe iku pa thënë asnjë fjalë. Toger Azbiu që ndodhej aty e pa me inat dhe tha:
– Ta tregoj unë qejfin ty!
Mori një palë hekura, i lidhi duart duke i shtrënguar sa mundi e mbylli në qelinë që ishte për këtë qëllim. E lanë tre ditë pa ushqim. Pas një jave e nxorrën në punë. Duart ishin të enjtura dhe nxirrë nga mos qarkullimi i gjakut. Mezi qëndronte në këmbë nga mungesa e ushqimit, megjithatë ishte i detyruar të punonte. E dënuan që për gjashtë muaj të mos kishte takim me familjen.
* * *.
Pikërisht në këtë kohë, nënë Afërdita vendosi të shkonte të takonte Arbërin. Kësaj nëne bashkëshortin ia kishte rrëmbyer kuçedra dhe nuk e kishte parë më dhe tani po kjo kuçedër i kishte rrëmbyer të birin dhe nuk dihej në se do të kthehej. Është një ngjarje si shumë të tjera që u ndodhnin nënave që kishin bijtë e tyre nëpër burgjet e diktaturës. Është një ngjarje që për atë periudhë ishte e zakonshme por që rëndonte shumë në ndërgjegjen e atyre që e pësonin.
Atë natë atë nuk po e zinte gjumi. Lloj-lloj mendimesh i qarkullonin në mendjen e saj. Kishte mbi tre muaj që nuk kishte patur mundësi të shkonte për të takuar birin e saj të burgosur. Ishte shumë larg. Ishte e pamundur të kursente sadopak për të blerë ndonjë gjë që t’ia çonte të birit. Blerina e vuri re shqetësimin e nënës dhe e pyeti:
– Nënë, përse mendohesh?
– Asgjë moj bijë, por ja, për hallet e jetës.
Blerina e vështroi me vëmendje dhe at për aty e kuptoi shkakun e brengës së saj.
Ishte malli për të birin.
– Do kthehem shumë shpejt, – i tha dhe doli.
U kthye pas një ore. I dorëzoi një shumë të hollash dhe një pako, ku kishte futur ushqimet e nevojshme për të burgosurin, duke i thënë:
– Shko ta takosh dhe përshëndete edhe për mua. Sa do të doja të isha edhe unë. Por bashkë jemi marrë vesh.
– Rrofsh moj bijë. Do shkoj dhe do t’i tregoj edhe Arbërit gjestin tënd.
Të nesërmen u ngrit porsa nisi të agojë e doli në hyrje të qytetit. Pasi priti një farë kohe erdhi një makinë. Iu lut shoferit i cili e mori pa e ditur qëllimin e udhëtimit te saj. Zbriti në kryqëzimin për në veri. Aty doli në rrugën kryesore. Një makinë tjetër e shpuri deri tek kthesa e rrugës për në kamp. Kaloi dhe një orë. Një makinë u shfaq papritur
– Ku do të shkoni? – e pyeti shoferi.
– Në kamp…
– Në kamp? – thirri ai.
Qeshi nën buzë dhe u largua duke belbëzitur:
– Aha, nuk ma mban.
U desh të priste edhe ndonjë orë, deri sa erdhi një makinë tjetër, shoferi i së cilës e mori duke i thënë:
– Do të të zbres në kthesën e fundit para se të shkojmë në kamp. Nuk dua të më shohin policët.
Kthesa ishte ndonjë kilometër larg vendit të caktuar. Nëna pranoi menjëherë. Çfarë ishte një kilometër rrugë në këmbë për të? Zbriti në vendin e caktuar dhe shkoi në këmbë deri te postblloku i kampit. Aty dha emrin e djalit. E lanë të priste një farë kohe, pastaj iu drejtua një oficer që doli nga zyrat:
– Ju nuk mund të bëni takim me djalin tuaj. Ai është dënuar për të mos patur takim me familjen për gjashtë muaj.
– Përse?
Nëna nuk mori përgjigje.
– Merrni të paktën ushqimet – i tha.
Oficeri tundi kokën në shenjë mohimi dhe u largua pa i kthyer përgjigje.
Nëna vriste mendjen për të gjetur shkakun e kësaj gjëje. Përse e kishin dënuar vallë? E ç’mund të bënte një i burgosur brenda telave me gjëmba? Ajo nuk mund t’i jepte dot përgjigje pyetjeve të tilla. Ajo nuk mund të kuptonte se shkaku i dënimit të të birit ishte nje rast absurd.
Nëna u largua e menduar. Një peshë e rëndë i mëshonte në kraharor. Nga sytë filluan t’i rrjedhin lotë. Kishte bërë një ditë rrugë për të ardhur dhe tani e kthenin mbrapsht duke mos i marrë as ushqimet. Fshiu lotët me shaminë e syve dhe filloi të ecte pa e ditur as ajo ku shkonte.
Ndërkohë përballë po vinte një grua me një vajzë të vogël përdore. U përshëndoshën me njëra-tjetrën. Nëna e pyeti për ku shkonte dhe gruaja iu përgjigj se shkonte të takonte të birin e burgosur. Kishte marrë me vete edhe vajzën e tij që donte të takonte të atin. Nëna vuri re se gruaja nuk kishte asnjë gjë me vete, asnjë pako sado të vogël dhe iu kujtua se po të mos kishte qenë Blerina as ajo nuk do të kishte patur mundësi të vinte për t’u takuar me të birin. Gruaja e kuptoi shqetësimin e nënës dhe i tha:
– Mjafton që ta takoj paçka se nuk i shpie gjë. Nuk kisha mundësi.
Papritmas një mendim i shkrepi nënës në mendje. Mori pakon që i kishte dhënë Blerina për të birin dhe duke ia dhënë i tha:
– Merreni këtë pako dhe shpjerjani birit tuaj. Mua nuk më lejuan ta takoj dhe t’i shpie gjë.
Në këtë kohë një makinë ndaloi në këmbët e tyre.
-Do hipësh? – pyeti shoferi.
Nëna vuri re se ishte po ai shofer që e kishte sjellë dhe tani po kthehej. Përshëndeti gruan dhe hipi në makinë.
– Si e quajnë djalin tuaj? – pyeti gruaja e habitur
Por nëna nuk e dëgjoi. Makina tashmë ishte larguar. Kur mbërriti në shtëpi ora tingëlloi dymbëdhjetë herë. Ishte mesnatë. Blerina po e priste. I tregoi gjithçka që i kishte ndodhur.
– Mos u mërzit, – i tha ajo. – Duhet të përgatitemi edhe për ngjarje të tjera më të rënda.
Atë natë nuk vuri gjumë në sy. Ai kishte fluturuar. Të nesërmen, si iku Blerina, vendosi t’i shkruante një letër të birit. Mori penë dhe bojë dhe shkruajti:
“Biri im i dashur. Sapo jam kthyer nga një rrugë e gjatë. Nëna donte të të takonte ty. Sytë e nënës kërkonin të shihnin djalin e vetëm. Por nuk mundi. Nuk mundi pasi, sikurse i thanë, ti kishe qenë i dënuar për mos takim me familjen për gjashtë muaj. Nuk e di arsyen e këtij vendimi. Nuk kam besuar kurrë se im bir do të kryejë vepra të cilat mund të marrin një dënim të tillë. Unë të njoh mirë, bir. Njoh mirë edhe karakterin tënd. Nuk e di në çfarë rethana ke qënë kur ke gabuar. Duhet të kesh shumë kujdes. Mos e përsërit më. Mendo për ne.
Të puthim.
Letrën e hodhi në postë.
Në kamp ishte rregull që çdo letër që nisej apo vinte do të lexohej nga një person i caktuar. Ky ishte një individ të cilin nuk e njihte asnjë nga të burgosurit, pasi nuk kishin asnjë kontakt me të. Ai i lexonte dhe ia dorëzonte rojes së brendëshme të kampit që t’ia jepte të adresuarit. E njëjta rrugë ndiqej edhe për letrat që dilinin nga kampi.
Kështu, edhe letra e nënë Afërditës ra në dorë të personit të caktuar. E hapi dhe e lexoi. Qëndroi minuta të tëra duke e parë. Përmbajtja e saj e preku tepër. Edhe ai e kishte larg familjen. Banonte në një qytet të jugut dhe kishte ardhur këtu me një urdhër të veçantë të Ministrit të Punëve të Brendëshme. U mendua gjatë. Së fundi e vendosi. Letrën ia dorëzoi rojes së brendshme.
Arbëri e mori letrën. E lexoi dhe i ktheu përgjigjen ditën e caktuar për letra. Ishte një përgjigje mjaft e shkurtër:
“Mora letrën tuaj prekëse dhe ndjeva një kënaqësi të patreguar. Unë jam mirë. Do të respektoj gjithmonë këshillat tuaja të vlefshme. Për këtë të jeni e sigurtë”.
Poshtë shkroi emrin e tij. Personi i letrave e lexoi dhe veproi si me letrën e ardhur nga nëna.
* * *
Një mbrëmje në shtëpinë e Blerinës ia behu Resuli. Kishte vite që nuk ishte parë. Ardhja e tij i kishte habitur të gjithë. Ku kishte qenë gjatë gjithë kësaj kohe? Në të vërtetë ata e kuptonin arsyen. Fejesa e Blerinës i kishte hedhur në kampin e kundërt me të tijin.
– Mirë se erdhe vëlla! Ku humbe si spata pa bisht?
– Puna motër, puna. Besoj se më kupton.
– Të kuptoj vëlla, të kuptoj, – u përgjigj Irma me një zë ku shprehej më tepër një ironi e thellë.
Resuli bëri sikur nuk e kuptoi ironinë e saj. Kaluan në biseda të tjera. Së fundi iu drejtua Blerinës:
-Po ti moj mbesë, kështu do të vazhdosh?
-Nuk të kuptoj, unë jam shumë mirë, – u përgjigj ajo.
-Nuk më kuptove? Unë po të pyes se a do të vazhdosh të jesh e lidhur me një të burgosur që ka njëzet vjet për të bërë?
-Mos u bëni merak, kushëri! Mos u merakosni! Do ta gjej zgjidhjen patjetër.
Resuli nuk guxoi të vazhdonte më tej bisedën. U takua dhe iku.
Ndërkohë shenjat e presionit kishin filluar të shfaqen. Jo pak herë, Hektori dhe Irma dëgjonin përshpëritje se si ka mundësi të qëndronin ende në punë me ato kondita që kishin. Këto pëshpërima binin edhe në veshët e Blerinës. Në fillimet e burgosjes së Arbërit, ajo pati disa përplasje me kolegë apo njerëz të futur për ta provokuar por, me zgjuarsinë e saj, dijti t’u bënte ballë pa u rrezikuar. Në mënyrë të veçantë ajo përdorte atë që ia kishte sugjeruar i ati, heshtjen.
Por, në mes të kësaj lukunie, kishte edhe njerëz të ndershëm që me zgjuarësinë dhe fisnikërinë e tyre dinin ta mbanin të pastër figurën. Kësaj kategorie i përkiste familja e Blerinës, familja e Petritit, familja e Andreas dhe plot familje të tjera, madje edhe një pjesë e familjeve të atyre që ishin me pozitë në pushtet por që ishin zhgënjyer nga politika e ndjekur nga autoritetet. Një shfaqje e kësaj ishte përhapja në masë e barcaletave, që nuk dinin se kush i kishte nxjerrë dhe që demaskonin sistemin në fuqi.
Blerina vazhdonte ciklin e zakonshëm të vajzës së dy familjeve. Ditën në familjen e saj, ndërsa natën me nënë Afërditën. Sa herë që ajo do të shkonte për të takuar Arbërin, do të ishte Blerina që do t’i përgatiste pakon me ushqime dhe do t’i jepte edhe paratë e udhëtimit. Në çdo letër që dërgonte Afërdita do të kishte edhe disa rreshta të shkruara nga ajo, natyrisht me pseudonim. Gjthashtu edhe në letrat e Arbërit kishte mesazhe edhe për atë, pavarësisht se nuk shënohej emri i saj.
Një ditë e thirri drejtori i shkollës. U ulën përballë njeri-tjetrit por asnjeri nuk fliste. Drejtori, që duhej të fliste i pari, nguronte. Së fundi filloi:
-Blerina, jam i detyruar të t’i them këto fjalë. Nuk dalin nga zemra ime por, jam i detyruar. Pardje më thirri drejtori i Seksionit të Arsimit në Komitetin Ekzekutiv dhe më tha, që t’iu them juve, se nuk mund të qëndroni më në punë, në rast se do të vazhdoni të jeni bashkëshortja e një të burgosuri. T’ju them të vërtetën, më vjen rëndë që po ju jap një lajm të tillë, por jam i detyruar. Ndaj ju pyes juve, si do të veproni? E di që është një vendim i vështirë, por sidoqoftë, duhet ta merrni.
Blerina qëndroi për minuta të tëra në heshtje. Së fundi e pyeti:
– Si do të vepronit ju në një rast të tillë?
– Më zutë ngushtë. Nuk jam në gjendje t’u përgjigjem.
– Por unë e dua një përgjigje.
Drejtori u mendua gjatë.
– Për mua ka vetëm një variant, – tha së fundi. – Duhet të bëni një akt-shkurorëzimi, qoftë edhe ky formal.
Nuk foli më.
-Do t’ju kthej përgjigje pas disa ditësh, – tha Blerina dhe u largua.
Në shtëpi u diskutua biseda me dejtorin. Diskutimi vazhdoi gjatë. Në fund Hektori tha:
-Drejtori ka të drejtë, ajo është e vetmja mënyrë për të përballuar gjendjen.
Blerina po mendonte. Sikur të mos pranonte diheshin pasojat. Mirë ajo po prindërit çfarë faji kishin që ta pësonin edhe ata. Së fundi vendosi:
– Jam dakord me atë propozim, por kam edhe një kusht. Nuk dua të më bëni presion për t’u lidhur me dikë tjetër. Unë do të jem përjetësisht më Arbërin. Do ta pres deri sa të kthehet edhe sikur t’i kryejë të njëzet vjetët. Këto do t’ia them edhe nënë Afërditës.
– Dakord, – u përgjigjën njëzëri të dy prinderit.
Po atë mbrëmje, Blerina shkoi tek Afërdita dhe i tha mendimin. Ajo e përqafoi dhe i tha:
– Të lumtë bija ime! Ke marrë vendimin e duhur. Do ta presim të dyja së bashku Arbërin.
Të nesërmen Blerina paraqiti në gjykatën e rrethit kërkesën për zgjidhjen e martesës me Arbër Dautin.