‘Lufta III Botërore’, Anglia e rendit Shqipërinë si vendi i tretë më i sigurt
Nisja e një lufte të tretë botërore për shkak të marrëdhënieve të tensionuara mes fuqive të mëdha globale është kthyer në shqetësim për shumë njerëz. Një ndër marrëdhëniet më të acaruara është ajo mes SHBA dhe Kinës. Për këtë arsye e përditshmja britanike ‘Express’ i ka dedikuar një shkrim vendeve më të sigurta në botë, me më shumë bunkere ku mund t’i shpëtosh një Lufte të Tretë Botërore dhe mes tyre edhe Shqipëria. Në këtë shkrim vendi ynë ishte renditur si një ndër vendet më të sigurta dhe konkretisht e treta, pas SHBA dhe Zvicrës. Në SHBA pjesa më e madhe e shteteve kanë rrjete bunkerësh. Qeveria amerikane i ka ndërtuar ato gjatë luftës së ftohtë për punonjësit federalë. Ndërkohë Zvicra është unike dhe ka arritur të ndërtojë bunkere mjaftueshëm për të akomoduar të gjithë popullatën e saj. Për Shqipërinë thuhet në këtë shkrim ka më shumë se 170 mijë bunkerë, të ndërtuar mes viteve 1960-1980 gjatë sundimit komunist. Në fakt, ka mesatarisht 5.7 bunkerë për çdo km katror në Shqipëri, ose ndryshe, një bunker për çdo katër shqiptarë. Këto bunkerë janë ndërtuar në kurriz të financave të vendit dhe në një kohë krize ekonomike dhe strehimi, por nuk janë përdorur asnjëherë për mbrojtje në luftë. Menjëherë pas Shqipërisë, në këtë renditje të britanikes vjen Suedia me më shumë se 65 mijë bunkerë, të cilët do të mund të mbanin 7 milionë njerëz në rast të një lufte të tretë botërore. Në këtë klasifikim të sigurta konsiderohen edhe vende të tjera si Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Islanda, që gjithashtu kryesojnë edhe listën e vendeve më të lumtura dhe me standardet më të larta të jetesës. Ndërkohë në vendet më të rrezikshme janë klasifikuar Libia, Somalia, Jemeni, Afganistani, Sudani dhe Mali.