Albspirit

Media/News/Publishing

Letërsia shqipe është një dhe unike dhe askush nuk duhet të guxojë të pretendojë të kundërtën

 

 

Shqiptarët, kur dolën nga zgjedha e rëndë osmane, nuk u ngrohën në rrezet e shumëpritura dhe të bukura të lirisë. Ata u ndanë sërish dhe letërsia shqipe nuk pati mundësi të zhvillohej njëtrajtshëm, në Tiranë, në Prishtinë apo hapësirave tjera shqiptare. Ndërkaq, ky fakt i keq i goditi edhe njëherë pas ardhjes së komunizmit, lëngatë kjo që deformoi kulturën shqiptare, estetikën, shpirtin, si dhe ndikoi tejet negativisht në njohjet ndërshqiptare.

 

Bisedë midis poetëve Petrit Nika dhe Ndue Ukaj

 

Petrit Nika: Përshëndetje Ndue Ukaj! Falë teknologjisë mund ta njohim njëri – tjetrin nga largësia dhe mund ta zhvillojmë sot këtë bisedë edhe pse pa u takuar kurrë. Në bisedat e mia me poetët shoh se ndryshimet e mëdha teknologjike ata po i përcjellin me optimizëm. Edhe unë vetë personalisht jam optimist për këtë, por nuk e fsheh dot që kam edhe disi rezerva. Cili është mendimi juaj për avantazhet, apo disavantazhet që sjell për letërsinë epoka jonë kibernetike?

 

Ndue Ukaj: Përshëndetje Petrit Nika! Po, tanimë ekziston një debat i gjerë lidhur me ndikimet, efektet dhe përparësitë që po ushtron teknologjia në zhvillimin njerëzor, dhe sigurisht, sikur çdo gjë e re, ky zhvillim i hovshëm vjen përpara njeriut me përparësitë dhe mangësitë e veta.

Përparësitë janë të mëdha dhe ato i ndiejmë përditë. Edhe në këtë moment kur po zhvillojmë këtë bisedë, e cila realizohet shumë më lehtë dhe shumë më shpejt se në kushte tjera. Por, teknologjia nuk ia shton cilësinë, thelbin, ndaj edhe me pëlqen të flas për cilësitë e njohjes. Apo më mirë të themi: sa e ka ndihmuar teknologjia një gjë të tillë dhe sa janë ato të vërteta e sa të stisura? Këtu e kam fjalën për njohjet esenciale, sidomos ato që lidhen me botën e madhe të ideve dhe të artit. Në këtë sens e gjykoj edhe zhvillimin marramendës të teknologjisë, pra duke e parë si instrument dhe kurrë jo si zëvendësim të librit, dijes, estetikës, artit, që për mua janë të vërteta tejkohore dhe të amshuara. Përndryshe, ky zhvillim marramendës, nëse bëhet qëllim, mund të shkaktojë vërtet marramendje me pasoja fatale për njeriun.

Unë besoj se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë, nëse shfrytëzohet për të mirë dhe në dobi të njohjes ndërmjet njerëzve, përbën një mundësi të shkëlqyer, optimiste për njerëzimin, ndërkaq, nëse përdoret për qëllime të liga, propaganduese, ai shndërrohet në instrument të rrezikshëm dhe u jep krahë budallenjve dhe idiotëve. Pikërisht duke e ndierë këtë peshë të madhe që po rëndon mbi njeriun bashkëkohor, shkrimtari i madh Umberto Eco, u binte kambanave të alarmimit, duke thënë me vendosmëri prej eruditi se interneti u ka dhënë të drejtën e fjalës budallenjve. Në këtë pikë, ai kishte të drejtë, meqë interneti ka arritur jo pak të çoroditë ligjërimin publik, duke ndikuar njëherësh në kontaminimin gjuhës me dokrra dhe ligjërim të cektë publik.

Po ashtu, duhet të thuhet se shpejtësia e përhapjes së informacioneve ka shkaktuar jo pak avari në rrafshin global dhe në këtë pikë, artin e shoh si përpjekjen më frymëdhënëse dhe një krua ku mund të shuajnë etjen gjithë ata që duan t’i shpëtojnë këtij kurthi dhe murtajës së gjuhës.

Sikur të ishte gjallë shkrimtari i ditur dhe jashtëzakonisht i kujdesshëm me fjalën, Jorge Luis Borges, mbase mund të thoshte se internet në duart të injorantëve është po aq i rrezikshëm sa bomba në duar të terroristëve ose shpata në duar të fëmijëve.

 

Petrit Nika: Është folur gjatë për letërsinë shqipe në Shqipëri e Kosovë dhe murin e madh që i ndante për dekada në mes. Shkrimtarët dhe poetët shpesh e shohin zhvillimin e letërsisë vetëm si një fenomen krejtësisht intim dhe individual, duke lënë mënjanë faktorët sociologjikë e historikë që përcaktojnë natyrën dhe shkallën e kualifikimit të saj. Për rrjedhojë kemi letërsi në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat shkruhen shqip dhe i adresohen fatit historik te të njëjtit komb, por në kontekste të ndryshme. Si mendoni ju, a është aq i thellë hendeku në mes? Sa po bëhet sot që muret të bien përfundimisht?

 

Ndue Ukaj: Po, letërsia është fenomen krejtësisht individual dhe si i tillë është intim, por merr jetë nëpërmes faktorëve tjerë, gjuhës, kontekstit specifik kohor, rrethanave historike, leximit. Pra, krijimtaria artistike nuk mund të shkëputet nga gjuha dhe kombi të cilit i përket. Dhe, një gjë e tillë është e provuar në letërsi të tjera, por edhe në letërsinë shqipe, e cila në zanafillën e vet, ka nisur si një letërsi e mallit dhe dashurisë përvëluese që ushqenin krijuesit për gjuhën dhe kombin që dvarej nën robëri, në kohë të liga, kur kishte shtypje dhe nëpërkëmbje. Pra, arti ushqen përhershëm ëndrrat e lirisë, mishërohet me to, është transmetim i ndjenjave, i ngjarjeve dhe ndodhive personale dhe kolektive. Dhe kështu, ai ka forcë të ndihmojë humanizmin, duke u dhënë kuptim shumë fenomeneve të pakuptimta dhe në të njëjtën kohë, ka forcë të godasë të gjithë ata që guxojnë t’i mbyllin portat për këto vlera sublime njerëzore.

Kur jemi te letërsia shqipe, duhet ta pohojmë me guxim dhe vendosmëri se ekziston vetëm një e tillë dhe unike, dhe gjithsecili e ka për detyrë që të punojë me ndërgjegje dhe muret historike, të cilat dikur i ndërtonin të tjerërt mes nesh dhe ndanin, tani t’i zëvendësojmë me ura, biblioteka dhe libra.

Dihet tanimë që shqiptarët kanë përjetuar aksident të rëndë historik, prej të cilit kanë shpëtuar, por me pasoja. Dhe këto pasoja janë përcjellë në gjitha fushat e jetës sociale, shpirtërore, politike dhe kulturore. Dhe, duket sikur ende nuk jemi kuruar plotësisht nga pasojat e këtij aksidenti. Kështu që, paralel me rrjedhat e përgjithshme shoqërore, siç kanë vërejtur shumë dijetarë, është zhvilluar edhe letërsia, e cila nuk ka arritur të unifikohet sa duhet, meqë as arsimi dhe ekzistenca politike nuk   jenë të unifikuara. Megjithatë, shqiptarët, dje dhe sot, janë ushqyer prej të njëjtave vlerave, në të njëjtën gjuhë dhe me qëllime të njëjta dhe në këtë aspekt, letërsia ka luajtur rol të jashtëzakonshëm, duke u bërë një nga paradigmat themelore të identitetit kombëtar.

Shqiptarët, kur dolën nga zgjedha e rëndë osmane, nuk u ngrohën në rrezet e shumëpritura dhe të bukura të lirisë. Ata u ndanë sërish dhe letërsia shqipe nuk pati mundësi të zhvillohej njëtrajtshëm, në Tiranë, në Prishtinë apo hapësirave tjera shqiptare. Ndërkaq, ky fakt i keq i goditi edhe njëherë pas ardhjes së komunizmit, lëngatë kjo që deformoi kulturën shqiptare, estetikën, shpirtin, si dhe ndikoi tejet negativisht në njohjet ndërshqiptare. Sigurisht këto zhvillime negative janë shndërruar në faktorë pengues për njohjen e letërsisë shqipe, por megjithatë konsideroj se, gjithmonë ka ekzistuar malli përvëlues i shqiptarëve për ta njohur dhe takuar njëri-tjetrin dhe për të jetuar së bashku. Dhe e them se këtë e meritojmë, për shkak të qëndresës së madhe dhe për shkak të nevojës së kohës. Në këtë betejë, arti guximshëm duhet të jetë në anën pozitive të historisë. Për njohje dhe rinjohje, duke i tejkaluar gjitha hendeqet.

Muret që dikur na ndanin kanë rënë, por duhet tani ta mbjellim kopshtin tonë, duke e njohur dhe pranuar njëri-tjetrit me gjitha dallesat dhe specifikat që na karakterizojnë. Për këtë duhet një debat që ndërton dhe nuk shkatërron, një debat që synim do të kishte integrimin e natyrshëm dhe organik të letërsisë shqipe, duke i njohur tipologjitë, të përbashkëtat dhe dallimet. Për shtrirjen e autorëve të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas. Për njohjen e letërsisë që krijohet jashtë këtyre dy hapësirave shqiptare, në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe diasporë, pra, do të thosha,  për një komunikim më intensiv dhe krejt të natyrshëm mbarshqiptar.

Këtë aspiratë mund ta ndihmojë një ndjenjë e protonizmit, e të shkruarit me dashamirësi për vepra dhe autorë, me qëllim të krijimit të një atmosferë më të shëndoshë dhe më pozitive, ku letërsia dhe autori, bëhen pjesë e kulturës së vendit. Bëhen të pranishëm në shkolla, debate, media.

 

 

Petrit Nika: Ju si poet i përkisni periudhës që i përjetoi dhunën e genocidin e makinerisë diktatoriale të regjimit të Milosheviçit. A mendoni se poetët dhe shkrimtarët shqiptarë të Kosovës, që i përjetuan drejtpërdrejt ngjarjet e rënda të dhunës dhe genocidit serb, duhet të bëjnë më shumë për ta lënë sa më të plotë për brezat që vijnë tablonë e Guernikës kosovare?

 

Ndue Ukaj: Brezi im pati fatin e lig të rritej në rrethana të plota terrori, pa liri fizike, ku mbizotëronte frika dhe pasiguria totale për jetën. Në këso kushte shtërnguese,  megjithatë ne lexonim dhe arti ishte pararojë kundër murtajës së gjuhës dhe shigjetave të helmatisura të politikës shtypëse të Beogradit. Në ato vite mizore, kam filluar studimet për letërsi dhe vetë ky përcaktim përbënte një formë refuzimi estetik ndaj shtypjes dhe të ligës që na impononte regjimi i egër i Milosheviçit. Ndonëse të shtypur, ne besonim te arti dhe të vlera e fjalës dhe në këtë betejë na ndihmonte prijësi i Kosovës, që po ashtu vinte nga fusha e letërsisë, Ibrahim Rugova.

Kjo periudhë në art ende nuk është paraqitur sa duhet dhe si duhet. Ende nuk është dhënë e plot tabloja e kësaj periudhe apo siç thoni ju, tabloja e Guernikës kosovare. Vërtet kjo tablo është një golgotë, me ngjarje, lot, dhimbje, humbje, por që në fund del triumfuese.

Pa dyshim duhet të shkruhet më shumë për këtë periudhë, për fatet e njerëzve, për karaktere të thjeshta dhe ky është një detyrim i breznisë sonë, që jetuam në atë kohë.

Mëkëmbja fizike dhe shpirtërore e Kosovës nuk ishte e lehtë dhe këto përpëlitje vazhdojnë edhe sot, ndaj ende nuk është shkruar sa duhet për t’u paraqitë si duhet kjo periudhë. Unë vuaj pse nuk kemi arritur t’i tregojmë botës me art se ç’mizori kemi përjetuar. Sepse, efektet do të ishin shumë më të mëdha dhe shumë më jetëgjate.

Kur jetoja në Suedi, kam shkruar një ese dhe kam treguar për mënyrën sesi shkolloheshim atëbotë nëpër bodrume, për frikën që kishim dhe përndjekjet policore, për dhunën dhe terrorin. Mbaj mend se shkrimi u prit shumë mirë dhe u shoqërua me ftesa nga institucione të ndryshme që të flisja rreth përjetimeve të mia dhe krimeve serbe në Kosovë.

Kjo më ka mësuar një gjë: bota e do dëshminë tonë, por jo si dëshmi parësore politike, sepse asaj pak kush i beson. Ajo e do dëshminë tonë, si dëshmi estetike, ku në të vërtetë gjejnë prehje më së miri klithmat njerëzore dhe ku u bëhet jehonë ngjarjeve më karakteristike të asaj kohe. Tanimë disa autorë kanë shkruar bukur për këto klithma, por jo mjaftueshëm. Unë shpresoj se koha e kryeveprave do të vjen.

 

Petrit Nika: A mendoni se letërsitë kombëtare janë pjesëzat përbërëse të letërsisë universale, apo letërsia universale, është një letërsi  që shkëputet nga pjesëmarrja në referencat e frymës dhe kontekstit të një kombi?

 

Ndue Ukaj: Po, letërsinë universale do të krahasoja me një lloj Olimpi ku rrinë pushtetshëm gjenitë, zotëruesit e artit madhështor. Kjo lloj letërsie merr autorë e copëza letërsish kombëtare, për t’i shndërruar në një diell që nxeh për të gjithë. Më pëlqen ta vlerësoj letërsinë si një Republikë Letrare superiore-  një republike e ndërgjegjes njerëzore- që sublimon dhe paraqet më së miri rrjedhat e njerëzimit. Dhe në këtë pikë, e pëlqej konceptin e një letërsi universale, e cila bëhet e tillë, duke marrë frymë nga letërsi nacionale, të forta dhe që kanë tagër të shndërrohen në gjuhë, vlera dhe referenca universale.

 

Petrit Nika: Disa letrarë të rinj, dhe jo vetëm, i sheh të fokusohen pas një shkrimtari, apo poeti idhull si satelitë. Si mendoni ju, a e ndihmojnë një autor të ri të bëhet më i mirë dhe i suksesshëm miqësitë me shkrimtarët e njohur?

 

Ndue Ukaj: Nga përvoja e dimë se letrarët e rinj, lehtësisht ngashënjehen nga të vjetrit dhe ndonjëherë verbohen pas tyre. Gjithashtu dihet se, secili letrar i ri ka nevojë për një model, për një mësues Horac, që në turbulenca e pështjellime, e ndihmon të shtegtojë nëpër ferr e purgator drejt parajsës letrare. Por, krijuesit e mirë, nuk bëhen imitues, por krijojnë origjinalitetin dhe stilin e tyre dhe e dinë se shkrimtarët e mirë janë të papërsëritshëm dhe të paimitueshëm.

Asnjë autor nuk mund të bëhet i mirë po s’pati talent, intuitë krijuese dhe po nuk punojë vetë. Letërsia nuk të do, po nuk e deshe, më kujtohet të ketë thënë dikush. Me siguri se miqtë shkrimtarë, mund të ndihmojnë ndonjë autor për të bërë famë monumentale, siç ngjet shpesh ndër ne, por kjo famë është stinore, e pamotivueshme dhe kjo s’do të thotë se të njëjtit, në një të nesërme mund të bëhen apo mbesin vërtet shkrimtarë.

Dihet tanimë se vepra letrare që shkruhet sipas parimeve estetike dhe kulturore, kanë fuqi mbijetojnë çdo kohe, furtune, ndalese, ndjekjeve ideologjike, ndërkaq, autorët që bymehen për ndonjë arsye që lidhet mund të lidhen me interesa klanore apo ideologjike, nuk mund të përcillen në një epokë tjetër, kur miqtë dhe interesat nuk do të ekzistojnë dhe kur lexuesit do të lexojnë një libër si art. Ne e dimë se ka patur raste kur sistemet ideologjike, diktaturat, me gjithë aparatin e tyre të kontrollit dhe të shtypjes, kanë tentuar të fabrikojnë shkrimtarë, studiues, por kurrë s’ia kanë dalë, sepse, sapo kanë rënë diktaturat, të njëjtit janë zhdukur nga harta e artit apo janë gjykuar si antimodele të shëmtuara letrare dhe estetike. Në këtë aspekt, letërsia jonë ka marrë një leksion të dobishëm nga e kaluara komuniste.

 

Petrit Nika: Ju jeni përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të botës. A mund të na thoni, si është pritur krijimtaria juaj e përcjellë në këto gjuhë të huaja?

 

Ndue Ukaj: Një nga gjërat më të bukura për një krijues është kur e sheh sesi vepra dhe arti i tij komunikojnë në gjuhë tjera dhe në kontekste tjera. Kjo të jep shtytje, zell dhe dashuri. Jam ndier tepër mirë kur kam marrë vlerësime pozitive nga lexues të huaj, që gjykojnë të ç ‘tensionuar nga inate, paragjykime apo klane çoroditëse. Poezitë e mia janë përkthyer dhe botuar në shumë vende dhe po ashtu ka pasë shkrime e vlerësime pozitive dhe këto më kanë bërë të ndihem mirë. Pa dyshim,  çdo autor ka dëshirë që ta shoh veprën e vet të shtirë përtej kufijve gjuhësor dhe etnik ku ajo merr frymë, gjallon dhe krijohet. Në këtë pikë, ne ende vazhdojmë të jemi të izoluara.

 

 Rezultate imazhesh për ndue ukaj

Petrit Nika: Heroi i njohur i dramës së absurdit, Godo, është bërë pjesë e disa prej poezive tuaja më të arrira. Çfarë përfaqëson ky personazh në poezinë tuaj?

 

Ndue Ukaj: Godo nuk është vetëm një hero, është një epokë, një kohë, një rrëfim. Është drama ekzistenciale e njeriut të tuhajsuar, që përpëlitet të gjej kuptimin në një botë që duket se ka marrë trajta absurde. Ky personazh i Samuel Beckett-it, ka ardhur në mua në kohën kur jetoja në Suedi dhe e ndieja klithmën që përçon ai. Ne, gjithsecili presim, bëhemi godo, marrosemi duke pritë dhe dëshpërohemi nga ajo që na sjell pritja. Këto janë edhe elementet që mishërohen te ky hero. Godo është një rrëfim që të mundëson të ngjitej nëpër trajektoren e pritjes dhe në fund e kuptosh se pritja gjithmonë mbetet pritje. Në këtë mënyrë, ky hero është një klithmë për gjithë ata që rropatën nëpër botën e ikjes ose të pritjes, pa gjetur kund prehje ose Itakë të qetë. Te Godo kemi tension, huti, pritje, absurd, vajtje, ardhje, arsye dhe mos arsye dhe këto elemente jam munduar t’i paraqes edhe te poezitë e mia me këtë motiv. Në të vërtetë, këto poezi janë lexuar dhe botuar mjaft shumë dhe kjo më ka bërë të kuptoj se kanë prekë zemrat e shumë lexuesve.

 

Petrit Nika: A mendoni se ju Ndue Ukaj dhe kolegët tuaj nga Kosova njiheni sa duhet nga lexuesi shqiptar në Shqipëri?

 

Ndue Ukaj: Nuk mund të them se unë dhe koleget e mi njihemi sa duhet në Shqipëri, por megjithatë e di se ekziston një komunikim aktiv mes krijuesish të Kosovës me ata Shqipërisë dhe anasjelltas. Dhe ky komunikim është edhe më i gjerë, shtrihet kudo ku shkruhet dhe flitet shqip. Sigurisht se kjo nuk është e mjaftueshme, por jam optimist dhe shoh mundësi më të mira që këto njohje dhe ky komunikim te intensifikohen, sepse janë në dobi të ndërsjellët dhe në të mirë të afirmimit të letërsisë shqipe.

Po e përsëris, letërsia shqipe është një dhe unike dhe askush nuk duhet të guxojë të pretendojë të mohojë këtë fakt. Ata që tentojnë të bëjnë një gjë të tillë, janë batakçinj dhe duhet trajtohen si të tillë.

E ardhmja nuk mund të ndërtohet në boshësi dhe shqiptarët nuk kanë shtrat më të mirë sesa letërsinë për të parë matanë dallimeve dhe për të ndërtuar të ardhmen unike si një njësi shpirtërore dhe kulturore.

Sigurisht se ekzistojnë pengesa, ndonjëherë absurde, sidomos në qarkullimin e librit shqip. Këto janë fyese për secilin shkrimtar, por megjithatë mendoj se krijuesit vetë kanë gjetur shtigje dhe hapësira për të çuar mesazhin artistik përtej kontekstit ku jetojnë. E, në këtë pikë, vazhdon të ndihet mungesa e shtetit.

Sigurisht shumë lexues dhe ndjekës të këtij debati mund të thonë se njohjet janë të pamjaftueshëm. E them edhe unë, por s’duhet të harrojmë se nga ç’aksident kemi kaluar, prandaj e them se hapësira kulturore dhe letrare shqiptare kurrë nuk ka qenë më unike dhe e ardhmja, nëse punojmë për të, do jetë më e ndritshme.

Na nevojitet një shtyp letrar më i unifikuar, nevojiten shtëpi botuese që botojnë apo shpërndajnë librin paralelisht në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Ulqin dhe politika unifikuese institucionale, që ndihmojnë afirmimin e letërsisë shqipe jashtë hapësirave tona. Na nevojiten politika kulturore që nxisin zellin për lexim.

Kultura shqiptare sot nuk mund të quhet  një kulturë e vogël dhe e izoluar. Jemi të shtrirë në disa shtete dhe kemi një diasporë shumë të fuqishme dhe të integruar në vende përkatëse. Krejt çka na duhet është më shume zell dhe më shumë dashuri për njëri-tjetrin.

 

Petrit Nika: A mendoni se Panairet e Librit që zhvillohen në mes dy vendeve, në secilin vend, përkatësisht në Shqipëri dhe Kosovë, apo bashkarisht në vende të tjera të Europës, po funksionojnë në favor të promovimit të letërsisë sonë më të mirë, apo të favorizimit të miqve më të ngushtë të klanit?

 

Ndue Ukaj: Panairet e librit, po të emancipoheshin edhe më shumë, mund të shërbenin më tepër në afrimin ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, dhe do të mund të bëheshin vërtet ambiente ku promovohet libri, autori dhe jo pazare ku bëhet tregti. Ka një mungesë estetike në panairet tona dhe këto aktivitete janë shoqëruar edhe me debate që kanë lënë shije të hidhur. Megjithatë, për mua janë dy festa të mëdha të librit, të cilat i pres me padurim, siç pret fëmijë i llastuar një festë ku e di se do të kënaqet.

Kur jemi të klanet dhe favorizimet, mjerisht, duhet thënë se, ne ende nuk kemi arritur të çarmatosemi nga këto vese të këqija që i bëjnë dëm të madh artit dhe kulturës. Dhe këto vese, ndonjëherë na paraqesin qesharak në sytë e të tjerëve.

 

Petrit Nika: Si e shikoni të ardhmen e mbijetesës së poezisë në kushtet e një epoke ku njeriu jeton i rrethuar nga objekte të ftohta smart? A mendoni se do jetë ky fundi i saj?

 

Ndue Ukaj: Poezia është nevojë ekzistenciale njerëzore, është një mënyrë shëlbimi, siç kanë thënë poetë të mëdhenj, dhe një nga format më intelektuale të shprehjes. Kjo vazhdon të thuhet që nga koha e Aristotelit. Ky mëndim për artin nuk është sosur, përkundrazi, arti vazhdohet të jetë një nga shtyllat e njerëzimit, që u jep atyre gjallëri dhe që lufton agoninë dhe amnezinë historike. Prandaj edhe nuk shoh kurrfarë rreziku për të ardhmen e poezisë, meqë ajo u ka mbijetuar gjitha furtunave, sistemeve dhe tiranive. Dhe, sa të jetë gjuha, do të ketë edhe nevojë për poezi dhe do të shkruhet poezi, prandaj ky art do t’i mbijetojë edhe kësaj kohës së “smartave” meqë është personifikim më sublim i mençurisë dhe nuk mund të krahasohet me komunikimet tjera njerëzore. Mendoj se njeriu nuk mund të shqitet nga poezia, nga nevoja për gjuhën fisnike që përçon ky art, për aq sa mund të shqitet nga nevoja për ajër dhe diell.

Njeriu, sado që është zhvilluar, ka fotografuar vrimën e zezë në univers, ka udhëtuar nëpër planete, ka zhvilluar teknologjinë dhe është transformuar bashkë me to, ai asnjëherë nuk ka mundur të gjej ilaç për shpirtin, ëndrrat, imagjinatën, nevojat shpirtërore. Dhe këto i plotëson arti, që të dridhmon zemrën: të bën të fluturosh në qiejt e lumturisë apo të zhytesh në ferr, për të parë ç ’pësojnë njerëzit kur nuk mësojnë nga shkolla e jetës dhe e humanizmit./politico.al/

Rezultate imazhesh për ndue ukaj

 

Please follow and like us: