Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Udhëheqja e kungujve, politika na ka shndërruar në një çmenduri kolektive

VILLA FOR RENT in TIRANA - ALBANIA PROPERTY GROUP - YouTube

Po jetojmë në një kohë hamletiane, në të cilën mendon të rrosh apo të mos rrosh. Jetojmë në një kohë pakohë, të jesh apo të mos jesh! Në një kohë kur i humburi kërkon të gjeturin, ndërkohë që i gjeturi nuk gjen dot të humburin… Shqipëria ka ca të ‘fortë’ që kanë pushtet e pará, krijuar nga burime të paligjshme, që kanë krijuar parajsa fiskale në zonat ku drejtojnë, që janë marrë ‘me të gjitha’ në ‘rininë’ e tyre dhe që kanë lidhje politike, shpesh konsensuale dhe që vitet e fundit, vendosën të bëjnë një hap më përpara, kaluan vetë në politikë.

Shikoni si sillemi me politikanët që shkarkohen për skandale korruptive! U bëjmë surpriza mediatike, u thurim lavde, i përqafojmë, qajmë dhe besojmë se me ikjen e tyre po afron fundi i botës! Shikoni si sillemi ndaj atyre që abuzojnë me votat tona, me besimin tonë, me pasurinë tonë, me institucionet tona. Ngrihemi në këmbë t’i nderojmë sa herë ata futen në salla, lokale apo konferenca; mund të harrojmë të urojmë fëmijët tanë për ditëlindje, por nuk harrojmë kurrë të urojmë shefin e partisë.

Me servilizëm u lutemi të bëjmë një foto me të, ua qajmë hallin sa vuajnë, lodhen dhe u kërkojmë 100 herë falje nëse arrijmë të shqiptojmë një kritikë të lehtë përpara tyre! Iu kujtohet një shifër prej 56 zyrtarësh të lartë apo deputetësh nga Shqipëria që kishin marrë diplomë false në Universitetin e Tetovës, madje sekretaria e Universitetit u penalizma…

Skena në parlament me deputetë që nuk dinë të lexojnë ato që u kanë shkruar të tjerët, priten e përdorën nga zyrtarë që kurrë në jetën e tyre nuk kanë përfunduar një libër së lexuari, përveç librit të shefit të tyre? Çuditërisht në poste drejtuese vijnë ata që kanë mbaruar me korrespondencë apo me diploma të blera apo në disa universitete private që shisnin diploma.

Ka një takëm që nuk kanë diplomë, e bëhen drejtorë vetëm se mund të kenë një teserë partie apo se mund të jenë të afërm të një funksionari të lartë! Njerëz të mbytur në skandale korruptive dhe akte banaliteti na zënë ekranet televizive, na marrin peng festat kombëtare, na marrin peng administratën dhe interesin publik, na tregtojnë e betonizojnë vlerat historike dhe na kontrollojnë votën tonë elektorale?

Ne nuk patëm drejtues që shkojnë në bibliotekë, por patëm kryeministra që shkonin rregullisht në kazino apo ministra nëpër jahte në Malin e Zi me prostituta. Ne nuk patëm liderë politikë që jetojnë në banesat e tyre të fëmijërisë, por patëm e kemi liderë që po ngrenë vila luksoze në pjesët më turistike që na kanë mbetur, nga Dajti në Dardhë, nga Velipoja në Vlorë, nga Gjiri i Lalzit deri në Tushemisht, Razëm e Farkë.

Imagjinoni, biznesmenë jopolitikë të suksesshëm, shkrimtarë, piktorë, mjekë, juristë, ekonomistë dhe kategori të tjera me njëfarë arritjeje në jetë që përkulen përpara këtyre horrave. Cili i refuzoi? Asnjë. Cili i denoncoi? Asnjë. Si është e mundur që një shoqëri që nxori Fishtën, Nënë Terezën, Poradecin, Çabejn e Kadarenë, të udhëhiqet nga këta horra. Si është e mundur që një shoqëri e tillë të nënshtrohet kaq lehtë, të pranojë të keqen si model, ta adhurojë të gabuarën, të humbë shikimin e mendjen, të mbetet kaq e varfër në pretendimet për jetën dhe kaq e pafuqishme për të reaguar?
Është trishtim kur e sheh, është fyerje kur na paraqitet si vlerë, është zhgënjim për aspiratat që kemi pasur, është krim ndaj të sotmes dhe të ardhmes së fëmijëve tanë kur shikojmë këta kunguj që i kemi çdo ditë mbi kokë. Brezat pas nesh, me siguri do të na gjykojnë, do kenë rast të lexojnë shtypin e sotëm, kronikat e sotme, bëmat e sotme, dhe do arrijnë të kuptojnë së paku se modelin e Kumbarëve apo Eskobarëve nuk e sollëm nga larg, por e kishim dhe i kemi brenda nesh! A do të jetë në gjendje ai të shkulë këto ferra?

Pallate ka pasur e do ketë, beton ka pasur e do ketë, makina ka pasur e do ketë, parti ka pasur e do ketë, shtet burokratik ka pasur e do ketë, por dija dhe sistemi i dijes ka munguar dhe duket se do të mungojë gjatë, aftësia jonë për të zgjedhur të mirën dhe jo midis të keqes më të vogël, do vijojë të jetë e njëjtë për një kohë të gjatë. Dhe kjo është trashëgimia më negative që po u lemë fëmijëve tanë. Kjo politikë dështake na ka shndërruar në një çmenduri kolektive.

Please follow and like us: