Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergji Mihallari: Qershitë

Fotografia e Gjergji Mihallari

 

 

Tregim

 

Ishte fillim dhjetori, kur një ditë në orën e edukimit fizik, mësues Piroja erdhi në palestrën e shkollës së bashku me një tjetër. U rreshtuan gjithë djemtë e klasës dhe mësues Piroja na tha se ishte ora e fundit e mësimit të fiskulturës që do të bënim me të.

– Në vazhdim orën e fiskulturës do ta bëni me mësues Luanin!- tha duke treguar me dorë personin tjetër, që kishte qëndruar në krah të tij.

– Po ti mësues do të largohesh?-pyetën djemtë gjithë njëheri, si të ishin në kor.

– Jo!-u përgjigj ai.-Do të bëj mësimin e fiskulturës me vajzat. Ju e dini që mësues Leksi doli në pension, ndaj unë do të zvendësoj atë dhe do të vazhdoj të jem mësues në shkollën tuaj. Mësues Luani, i cili sapo ka mbaruar Institutin e Lartë të Fiskulturës, është emëruar në shkollën tonë…

Vështroja herë mësues Piron që po fliste dhe herë të porsambërriturin. Nuk e di, por e mora inat që në fillim. Mësuesi Piroja ishte i gjatë dhe bukurosh, me flokë të zezë dhe të ondëzuar, kurse i riu më tepër ngjante me një shkurtabiq duke qëndruar në krah të tij. Veç kësaj ishte edhe i shëmtuar. Me flokë pak të rrallë dhe me një hundë që do ta kishte zili edhe vetë epiteti ‘hundëderr’. Por, po më vinte edhe keq se nuk do të argëtoheshim si më parë në këtë orë. Ishte përvoja se gjithnjë me mësuesit e rinj duhet kohë për t’u ambientuar, kurse me mësues Piron kishim disa vite që bënim mësim. Ishim miqësuar me të, i kishim mësuar huqet, kur ishte i nxehur dhe kur jo, kur i kishte seriozisht fjalët dhe kur bënte ironi me ne.

Nejse, në ditët në vazhdim, kjo ndenja ime e të pasurit inat mësues Luanin, kështu e quanin atë, jo vetëm nuk u zbut, por u forcua më tepër. U përpoqa t’ia vishja fajin vetes për këtë egërsim të përshtypjes, duke u përpjekur të bindesha se shkaku ishte të qënit i dobët në një disiplinë të orës së fiskulturës. Jo se nuk kisha forca dhe fuqi! Mund të vrapoja gjithë ditën fushave si mëz i hazdisur, të ngjitesha dhe zbrisja majën e Shën Konstandinit në pjerrësinë e malit për një kohë rekord, të bëja ulje e ngritje duke tërhequr gjithë peshën e trupit në hekurin e paraleles papushim… e shumë të tjera. Por kishte diçka që më stepte, më priste fuqitë dhe bëhesha ngordhalaq. Ishin orët kur bëhej disiplina e kalimit të kaluçit. Me mësues Piron e kisha kaluar këtë problem, kurse me këtë të riun jo se jo.

Qëlloi që orën e dytë të mësimit me të, ai të ndryshonte programin. Shqiptoi se meqënëse koha ishte e keqe dhe po binte dëborë jashtë, do të zhvillonim orët e mësimit të programuara për kapërcimin e kaluçit.

Eh, sa dëgjova këto fjalë m’u prenë gjunjët! Të gjithë ishim mprehur të fillonim orët e mësimit të rrëshqitjes me ski, pasi edhe dëbora kishte zbardhur gjithçka. Edhe djemtë sikur nuk e pranuan zgjidhjen e mësues, ndaj filluan të mërmërinin dhe të krijohej një zhurmë të cilën mësuesi u përpoq ta shuante, duke ngritur tonin e zërit dhe me shqiptimin e fjalëve: – Do të bëni kapërcimin e kaluçit!

Djemtë e klasës e dinin që unë nuk e kaloja dot atë, ndaj kur dëgjuan ato fjalë, si ta kishin bërë me fjalë dhe në të njëjtin çast, mbërthyen vështrimet e tyre mbi mua. Me siguri duhej të kisha marrë çehren e ndonjë të vdekuri, sepse vështrimi i tyre ishte i shqetësuar.

– Mos je sëmurë?- më pyeti Berti, ngjitur me mua, që ishte dhe shoku im më i ngushtë dhe njëkohësisht fqinj i imi.

– Jo, jo!- pohova shpejt e shpejt, duke ndjerë djersitjen e lëkurës nën rroba.

Nëse do të ishin vetëm djemtë në sallën e palestrës, fjalët e shqiptuara nga mësues Luani, nuk do të kishin këtë efekt. Djemtë e klasës e dinin frikën dhe zëtësinë time për kaluçin si dhe ngathtësinë time në orët e planifikuara për këtë disiplinë sportive. Biles e kishin harruar me kohë epitetin që më kishin ngjitur në fillim të klasës të pestë, kur mundohesha të kapërceja kaluçin. Merrja hov dhe goditja e këmbëve në pedanë e më pas i ngelur mbi të, duke shtërnguar këmbët e holla rreth tij,si të kisha shaluar ndonjë gomar sertaxhi. “Shalëngjitur”, ishte nofka e ngjitur në fillim, por kur ata panë se ngeleshin shumë prapa meje në vrap, në paralele…u stepën. Nuk kishin sy e faqe të shqiptonin këtë nofkë. Tani isha në klasë të shtatë dhe biles as më shkonte ndërmend se mund të isha thirrur me një nofkë të tillë.

Fjalët e mësuesit kishin gricur koren e harresës dhe në vesh ushtoi e shumëfishuar kjo nofkë. M’u bë sikur e kishin shqiptuar vajzat që po zhvillonin mësim në krahun tjetër me mësues Piron. Djemtë, të vënë në kolonë për një, kishin filluar të kapërcenin kaluçin. Unë u tërhoqa dhe u ula në një cep të palestrës. Mësues Luani e kishte vënë re largimin tij dhe shqiptoi emrin tim shumë fort, aq sa mësues Piroja dhe gjithë vajzat e pranishme, ishin kthyer në drejtimin nga isha ulur. Me siguri që fytyra ime duhej të skuqte më shumë se një hekur i porsanxjerë nga farka e kovaçit, pasi po më digjnin veshët.

Dola me vrap jashtë dhe fillova të mbushja pëllëmbët e duarve me dëborë duke e mbajtur mbi fytyrë. Dëbora shkinte sikur ta kishin hedhur mbi stofën e druve që ngrohte dhomën e shtëpisë time në ftohtësinë e dimrit. Ishte ora e pestë e mësimit dhe fatmirësisht e fundit për mësimet e asaj dite. Në largimin nga palestra kisha marrë me vete atë vështrim të drejtuar ndaj meje të Majlindës. Nuk e perceptova dot se çfarë ndjesie kishte përcjellë ai vështrim, kuriozitet apo dhembshuri?

 

*                *          *

 

Majlinda ishte vajza me të cilën unë qëndroja ulur në të njëjtën bangë në klasë. Ishim ulur bashkë në të njëjtën bangë qysh nga dita e parë e klasës së parë. Deri në klasë të katërt, kisha qëndruar në mes të Majlindës dhe Kozetës, pasi edhe bangat ishin në formë të tillë që nuk kishte ndarje të veçanta. Pastaj Kozeta kur mbaroi klasën e katërt ishte larguar me familjen e saj drejt Tiranës dhe fatmirësisht në klasën e pestë, bangat qëlluan me dy ndenjëse të veçanta, pa mundësinë dhe dëshirën që me ne të ulej një i tretë. Majlinda kishte qëlluar një vajzë hollake, por me tipare të ëmbla. Flokët i kishte të drejta dhe baluket e lëshuar përpara të prera drejt. Fytyra kishte një zgjatje perfekte dhe dukej më shumë simpatike nga forma e syve të saj, me pak tërheqje në cepat e tyre. Ato ishin si dy kokra bajamesh. Edhe këmbët i kishte të bukura. Hera-herës ndjeja tultësinë e tyre të prekte mishin e këmbëve të mia, të zhveshura nga pantallonat e shkurta që mbaja veshur. Atëhere hidhja vështrime të fshehta drejt saj, por ajo as që e kishte mendjen tek prekja .Ishte e përqëndruar tek libri ose tek dërrasa e zezë dhe mësuesi.

Në pushimin e madh, ajo kërkonte që të bashkonim ushqimet e marra me vete në një picetë të përbashkët. Hanim gjysmat e ushqimit të njëri-tjetrit dhe gjysmat e ushqimit tonë. Në këtë mënyrë kisha ndenjur me të që nga klasa e pestë, në klasën e gjashtë dhe tani në klasën e shtatë. Luanim me njëri-tjetrin dhe bashkonim gishtat dhe duart si pa të keq. Ishim bërë si pa u ndierë si dy qënie të unifikuara, që nuk qëndrojnë dot pa njëri-tjetrin.

Largimi im i vrullshëm nga ora e fiskulturës në muajin e dhjetorit, pothuajse ishte harruar. Dimri ishte larguar dhe pranvera kishte mbritur. Majlinda vazhdonte të sillej me mua si më parë, por kishte raste kur ajo tjetërsohej. Kthehej në një tjetër vajzë, një femër e panjohur që kishte frikë nga një i panjohur. Këto çaste filluan të shfaqen me mbërritjen e pranverës dhe filluan të shtohen. Në fillim nuk u kushtoja vëmendje. Mendoja se ishte pasoja e moshës. Kur e vështroja fshehtasi në profil, dalloja se këmisha apo bluza në gjoksin e saj, të bymehej dhe të shfaqej një rrumbullakësi e brishtë, sikur poshtë tyre ajo të kishte vendosur dy topa llastiku pesëdhjetëleksh. Edhe në këmbë po i  shtohej masa pulpore. Nëse tani ndjeja prekjen e tultë të këmbëve të saj, e kuptoja sa shpejt ajo i largonte dhe vështrimin e fshehtë e bënte ajo. Kishim ndërruar rolet. Tani përpiqesha unë të tregohesha i përqëndruar mbi libra ose dërrasën e zezë dhe mësuesin. Edhe tek trupi im, diçka kishte filluar të ndryshonte…

Në Maj u zbut disi inati ndaj mësues Luanit. Ky i fundit ishte përpjekur të miqësohej me mua, nuk më bezdiste më me kalimin e kaluçit. Shpesh orët e fiskulturës i bënim së bashku me grupin e vajzave dhe në ato raste ai përpiqej të tregonte një miqësi të tepruar ndaj meje. Por më shumë përpiqej ta tregonte këtë, kur në pushimin e madh unë dhe Majlinda tërhiqeshim mënjanë për t’u ushqyer…

 

*           *         *

 

Të shtunën e fundit të muajit Maj, shkolla bëri eskursionin e fundit për këtë vit shkollor. Klasat e teta fillonin sezonin e provimeve të lirimit, ndaj që të ishte pjesëmarrja e të gjithë nxënësve të shkollës, zgjidhej gjithnjë e shtuna e fundit e majit për eskursion. Shkuam në pyllin e Bozdovecit. Gjatë gjithë rrugës Majlinda qëndroi në krahun tim, megjithëse isha bashkuar me grupin e djemve që mbyllnin kolonën e gjatë të lëvizjes drejt pyllit. Si mësues shoqërues, kishim mësues Piron, por edhe mësues Luanin, që përpiqej të tregonte ndonjë barcaletë gazmore për djemtë.

-Kam marë gjëra të mira për të ngrënë bashkë!- më pati shqiptuar Majlinda, në oborrin e shkollës.

-Po qershi?- e pyeta pak naiv.

-Po,po!- më pohoi ajo.-Mundi të mbledhë disa babi, megjithëse nuk kanë filluar të piqen plotësisht.

-Sa mirë!-më shkoi goja lëng, sikur t’i kisha ato kokrra të bekuara brenda saj.

Majlinda kishte dy pemë nga ai frut, të mbjella tek shtëpia. Njëra pemë fillonte përskuqjen e kokrrave pa dalë akoma fundi i muajit Maj. Ishte nga të paktat pemë në fshat që fillonte pjekjen e frutit shpejt. Kjo bënte që herë pas here, djemtë të lakmonin ato fruta dhe përpiqeshin të hynin fshehurazi në bahçen e shtëpisë së saj. Veç se edhe babai i Majlindës, një burrë trupmadh dhe që të shtinte frikën nga panxha e duarve të tij, sikur e nuhaste me hundë mbritjen e djemve të huaj dhe shfaqej në derë. Djemtë pa arritur të kacavireshin mirë në pemë, kërcenin të trembur në tokë dhe largoheshin të tmerruar gjithë vrap. Frika se mos binin në duart e tij, i bënte të vraponin më shpejt se lepujt e egër.

Kur mbritëm në pyll, ishim të fundit ndaj dhe vëndet më të mira ishin zënë nga fëmijët e tjerë. Gjetëm një strofkë poshtë një lajthie të madhe, nga ku ne mund të shihnim të tjerët dhe burimin e ujit, ndërsa të ishim të dukshëm me vështirësi për të tjerët. Majlinda shtroi përtokë një mbulesë që kishte marrë me vete dhe ulur pastaj mbi të. Me mua dhe Majlindën qëndroi edhe Berti. Hoqëm nga shpina çantat tona ku kishim ushqimet dhe i vendosëm pranë Majlindës.

-Sikur është shpejt për të ngrënë!-foli Berti, kur dalloi që ajo zbërtheu grykën e çantës së saj. – Më mirë shkojmë e bëjmë një ndeshje futbolli. Do të jenë shumica atje, hë si thua? -m’u drejtua mua.

-Do të vish edhe ti? – pyeta Majlindën.

-Më mirë po qëndroj këtu në hije!- më shqiptoi ajo, duke mos më vështruar drejt në sy.- Po lexoj librin që kam marrë me vete. Po shkoni ju, shkoni! Nuk mërzitem aspak unë!

-Po nëse do mërzitesh,-vazhdova unë,-eja atje!

-Po, po!-pohoi ajo, duke vazhduar të mbante vështrimin e përmbysur.

Ishim pothuajse të gjithë të pushtuar nga ethet e ndeshjes së futbollit, kur dikush iu afrua mësues Piros që po albitronte ndeshjen dhe diçka i pëshpëriti në vesh. Na tha të vazhdonim ndeshjen dhe u largua në drejtim të pyllit. Kur ishim të raskapitur nga loja dhe urija po cingëriste barqet tona, bashkë me Bertin u drejtuam nga vendi ynë, ku na priste Majlinda. Ajo nuk ndodhej aty. Edhe çanta e shpinës e saj ishte aty. E kishte grykën e hapur nga ku dallohej një qese plasmasi e mbushur me kokrrat e qershive. Me siguri Majlinda duhej të kishte provuar ato, pasi qesja ishte e shqyer tek bashkimi i buzëve të saj. Vështrova Bertin, po ashtu edhe ai shkëmbeu vështrimin me mua. Ngritëm supet njëkohësisht të dy. Nuk kishim përgjigje për njëri-tjetrin. Atë nuk e kishim parë as gjatë ndeshjes së futbollit të kishte qëndruar në rradhët e shikuesve. As tek burimi nuk kishte këmbë njeriu. Berti po përtypte disa kokrra qershie dhe më kishte zgjatur edhe mua disa prej tyre.

-Po hani qershi? – na qesëndisi një djalë i klasave të teta. Kishte qenë disa herë ngelës në klasë dhe në shkollë të gjithë fëmijët e tjerë në heshtje e quanin me nofkën ‘Babagjyshi’. – Hani qershi, hani! Majlinda është një kokër qershie shumë e ëmbël. E more teveqelë, qershinë e pjekur mbi tortë e hëngri mësues Luani!

Pastaj u largua, duke qeshur me të madhe në drejtim të lajthishteve të dendura. Nuk guxoi asnjëri nga ne të kundërshtonte ato fjalë apo të kërkonte llogari për sa kishte shprehur. Vetëm duke e vështruar atë nxënës ngelës, na kallte tmerin. E njihnim për karakterin e tij mëndjelehtë, por edhe për veprimet e tij brutale dhe të dhunshme. Nuk mbushte mirë, thuhej për të dhe gjithkush përpiqej t’a shmangte.

Më shqetësoi shumë mungesa e Majlindës, por edhe Berti u shqetësua. Filluam të kërkojmë mësues Piron. Një mësues tjetër na tha se Majlinda ishte sëmurur rëndë papritur dhe mësues Piroja e kishte shoqëruar për në spital. U dërmova krejt kur dëgjova se ishte sëmurur kaq papritur dhe unë nuk kisha qëlluar t’i gjendesha pranë. Tek vendi ku ishim ulur të tre kur mbërritëm, ishin të pahapura çantat tona të shpinës me ushqimin brenda tyre. Uria u tret dhe nuk mund të kapërceja në grykën time, as edhe më të voglën kafshite buke. Ende aty ishte çanta e Majlindës, me qesen e plastmastë me grykë të hapur, mbushur me qershi…

Ditët kaluan dhe deri në përfundim të klasës së shtatë, qëndrova i vetëm në bangën tonë të përbashkët. Një ditë kalova përpara shtëpisë së saj. Dera e jashtme ishte dyllosur nga një hallkë e trashë zhinxhiri prej hekuri, e mbërthyer në buzë nga njëçelës i madh, si ato të burgjeve. Qershitë ishin pjekur tej mase. Ëmbëlsinë e frutit po e shijonin zogjtë dhe djemtë çamarokë…

Në shtator, kur fillova klasën e tetë, u ula i vetëm duke pritur në bangën në reshtin e parë të klasës tonë. Hidhja sytë herë pas here duke shpresuar se në vendin e zakonshëm do të shfaqej Majlinda. Por më kot…u ul një vajzë tjetër… Familja e Majlindës ishte trasferuar në qytet dhe e kuptova se nuk do të qëndroja më në një bangë me të, kur shtëpinë e saj e bleu familja e një oficeri, e ardhur nga një fshat i largët. Edhe mësues Luani nuk erdhi më në shkollën tonë. U përfolën fjalë se e kishin përjashtuar nga profesioni i mësuesit dhe e kishin dënuar…

Ah qershitë! Janë të ëmbla dhe mushtore plot lëng hyjnor…

 

 

Please follow and like us: