Albspirit

Media/News/Publishing

Të huajt për Shqipërinë: biri, baba dhe arat!

Image result for capajev gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

 

 

Këto ditë televizione, gazeta e portale përcollën lajmin se, në rast të një lufte bërthamore do të ishim një nga vendet më të sigurta në botë. Vijkishim menjëherë pas ShBA-ve dhe Zvicrës, duke lenë pas Suedinë e pastaj me radhë gjithë botën. Lajmi i bujshëm ishte marrë nga britanikja ‘Express’.

Gazetari britanik shkruante se bunkerët shqiptarë janë ndërtuar në kohë krize ekonomike dhe shtrëngesash strehimi, por nuk u përdorën asnjëherë për luftë. Gjithsesi në rast të një konflikti bërthamor punët mund të ndryshojnë kryekëput. Nga barrë e kotësi bunkerët mund të kthehen në aset të çmuar. Sipas statistikave të shfrytëzuara nga gazetari çdo 4 shqiptarëve u takon një bunker. Bollëk e siguri afër komoditetit, ndaj e merituakemi të jemi në vendin e tretë…

Me sa duket britaniku ka lexuar ca statistika të 20 e kusur viteve më parë dhe, bazuar mbi to, ndërton një realitet që jo vetëm nuk e njeh, por as e përfytyron.

Nga ato që thuhen në shkrim kuptohet se ShBA-të, Zvicra e Suedia jo vetëm i kanë ndërtuar bunkerët, por kanë edhe politika të përditësuara në vazhdimësi, madje kanë edhe praktika administrative për t’i ruajtur e mirëmbajtur, deri edhe sisteme online që ndihmojnë qytetarin të gjejë strehimin më të afërm në rast rreziku.

Me një fjalë, vende të tilla i kanë bunkerët asete në administrim dhe jo fantazma betoni të lena në mëshirën e fatit. Vështirë se sot tek ne gjendet institucion a specialist të dijë sa bunkerë kemi e në ç’gjendje janë, sa prej tyre u kanë shpëtuar erozionit, aluvioneve, shkatërrimit për skarp etj., sa plotësojnë kushtet të përdoren si strehime atomike, sa janë pranë qendrash të banuara e sa skërkave që vështirë se arrihen në rast alarmi bërthamor etj. etj.

Mes kësaj rrumpalle menaxhues një gjë mund te themi gojaplotë, shumicën e bunkerëve vështirë se i kemi asete. Më shumë mundësi ka të jenë mbeturina e karakatina të braktisura në mëshirën e fatit.

2.

Bunkerët dhe mbrojtja antiatomike janë gjë e madhe dhe e rëndësishme, por unë nuk kam as përgatitjen dhe as e vokacionin të merrem me fortifikime. Shembullin e solla për të diskutuar një problem tjetër: qendrimi që mbajmë ndaj atyre që media dhe personalitete të huaja thonë për realitete tonat.

Mediat e huaja prestigjoze që shkruajnë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të sotmen dhe të djeshmen tonë, meritojnë respekt dhe vemendje maksimale. Disa tipare si profesionalizmi i lartë, të punarit shpesh në skuadër ku gazetarët e redaksive bashkëpunojnë me reporterë terreni; intervistimi i specialistëve më në zë për problemin që trajtohet etj. etj., bëjnë që vërtetësia e raportimeve të jetë e kënaqshme dhe pranë realitetit.

Megjithatë vështirë të gjesh media dhe gazetarë të huaj që ta njohin jetën shqiptare më mirë se profesionistët dhe reporterët tanë. Ndaj tingëllon e pakuptimshme praktika aq e ndeshur për ta marrë lajmin a shkrimin e mediave të huaja dhe për t’ia përcjellë lexuesit vendas pa kurrfarë qendrimi edhe kur, si në rastin e bunkerëve, dallohet ashiqare se kumtimi dhe e vërteta mund të jenë larg.

Arsyet pse praktikohen përcjellje të tilla mekanike mund të jenë shumë, por pothuajse kurdoherë nuk bëhen për hir të së vërtetës dhe të informimit korrekt. Ndodhin për arsye të tjera, që nisin me rehatinë dhe dembelllëkun profesional dhe bitisin me interesa politike. Prestigjozet ndërkombëtare, për hir të autoritetit që gëzojnë,besohen shumë më lehtë se sa mediat vendase, përgjithësisht të pozicionuara, në mos në llogoren e kësaj apo asaj pale politike, të paktën në ledhin e pronarit dhe të bizneseve të tij.

Reputacioni i mediave te njohura ndërkombëtare është gjë e madhe, por vështirë se e gjen kurdoherë pranë të vërtetës, sidomos kur fjala është për vende të vogla dhe jo fort të njohura në botë siç është dhe ky yni.

3.

Dëmi që sjell informacioni i pasaktë apo i interpretuar keq nga media dhe autoritete prestigjoze ndërkombëtare është i madh dhe shpesh afatgjatë. Për ta ilustruar më bindshëm, le ta lemë rrafshin publicistik e të vijmë në rrafshin shkencor ku, megjithëse vërtetësia e fakteve dhe objektiviteti i interpretimeve merr shumë më tepër peshë, nuk mungojnë raste që u vijnë ndesh fakteve dhe realiteteve shqiptare.

Jo një herë rastis të lexosh psh se dialektet e shqipes, gegërishtja dhe toskërishtja, kanë kaq shumë dallime nga njeri tjetri, saqë gegët dhe toskët e thjeshtë vështirë të kuptojnë njeri-tjetrin. E has këtë konstatim edhe në botime serioze shkencore e me ndikim të madh. Mund ta lexosh psh në librin “Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780” të historianit të famshëm Eric Hobsawm, ashtu si mund ta hasësh në “Banal nationalism” të akademikut britanik Michael Billig.

Të dyja këto vepra renditen ndër më të cituarat dhe rrjedhimisht më me ndikim në literaturën për nacionalizmin. Siç mund të kuptohet, as Hobsbawm dhe as Billig, nuk merren gjatë me shqipen e dialektet e saj. Aq më pak mund të thuash se duan të shtrembërojnë realitet gjuhësore shqiptare për interesa vetiake. Madje është vështirë të qortosh përgjithësimet teorike që bëjnë për rolin që luajnë gjuhët dhe dialektet në identifikimin etnik e kombëtar. Problemi është se thonë dhe rrjedhimisht përhapin një të pavërtetë për shqipen.

Dialektologjia shqiptare prej kohësh ka ardhur në përfundimin se dallimet midis gegërishtes dhe toskërishtes nuk kanë qenë dhe nuk janë aq të mëdha sa të pengojnë komunikimin ndërdialektor. Madje në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar pohohet se dallimet mes toskërishtes dhe gegërishtes janë më të lehta se ato të dialekteve në disa gjuhë europiane. Dhe ky pohim nuk është bërë kuturu, për sedër kombëtare, por duke u mbështetur në kërkime sistematike dhe të hollësishme për dialektet, kërkime të bëra sa në realitetin e gjallë të ligjërimit aq edhe në tekste historike.

Përkundrazi edhe Hobsbawm, edhe Billig e mbështesin pandehmën e moskupueshmërisë gegë – toskë në burime të diskutueshme, madje edhe anekdotike si psh rasti i shoqëruesit të Edit Durhamit që i pandehte toskët identitet tjetër, krejt të ndryshëm, madje as të krishterë.

E tepërt të shtosh se duhet gjykuar në peshoren e fakteve gjithçka e pohuar nga të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët, qofshin këta edhe dijetarë me emër e dinjitet shkencor.

4.

Prej dekadash gjallon opinioni se një nga arsyet e sukseseve të para të Ismail Kadaresë në Francë ka qenë përkthimi prej Jusuf Vrionit. Dhe jo pa shkak. Në shkrimet për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, botuar në mediat frenge më 1970, mëse njëherë vlerësohej përkthimi dhe shprehej keqardhja që përkthyesi mbetej anonim.

Mbështetur mbi vlerësime të tilla, në shtypin dhe sidomos në kafet e Tiranës së asaj kohe, u thur një narrativë e strukturuar në dy shina: Kadareja është vërtet talent i rrallë, por e ndihu dhe fati, pa përkthimet mjeshtërore të Vrionit vështirë se do t’i pëlqente publikut freng, aq buzëhollë në shijet letrare.

Në vitet ‘90 nuk munguan tentavivat për ta rimarrë e modifikuar dukshëm narrativën e suksesit të Kadaresë në Francë dhe më gjerë. Në thelb u synua të sfumohej sadokudo roli i talentit dhe të stërzmadhohej roli i përkthimit, duke venë theks të veçantë tek mbështetja që regjimi kishte investuar në favor të njohjes ndërkombëtare të Kadaresë.

Modifikimi kësisoj i narrativës në fjalë vinte si pjesë përbërëse e përpjekjeve për të dekonstruktuar mitet e periudhës totalitare. Ishte kjo një qasje e drejtë dhe dobiprurëse, por në rastin e Kadaresë rezultoi disi donkishoteske. Koha duket se ka justifikuar diskutimet kundër dhe pro për qendrimet politike të Kadaresë në periudhën totalitare. Por, parë nga e sotmja, ngjajnë disi fëmijërore, në mos inatçore, përpjekjet për të relativizuar e mohuar talentin e tij dhe, ca më keq, për t’i bërë hije duke pompuar ndonjë shkrimtar mesatar si Kasem Trebeshina.

Të gjitha këto m’u kujtuan ditë më parë kur më rastisi të lexoj një dëshmi intriguese në ‘Peisazhe të fjalës’. Dashnor Kokonozi fliste për një kolokium ndërkombtar rreth veprës së Kadaresë, organizuar në Francë dhjetë vjet më parë. Botuesi i Kadaresë, Claude Durand, thotë Kokonozi pat folur në kolokium “për problemet që dilnin me përkthimet e z. Vrioni, që me sa dukej nuk i përgjigjeshin nivelit bashkëkohor të gjuhës dhe letërsisë frenge, se të kujtonin diçka nga gjuha e romaneve te viteve 30” dhe pastaj pat lenë të kuptohej se “mbi perkthimet e ardhura nga Shqiperia bëhej një pune e madhe” prej redaktorëve francezë.

Ky qendrim i Durand duket se ka një bazë logjike. Vërtetë Vrioni ishte njohës i mirë i frengjishtes, madje i pajosur me sens të hollë ndaj fjalës, por qysh nga fillimi i viteve ‘40 nuk kishte patur më kontakte as me frengjishten e folur dhe, përgjithësisht as me letërsinë korente frenge. Në këtë kontekst është e mundur që vlerësimet e kritikëve francezë për përkthimin e “Gjeneralit…” etj të jenë për punën në themel të Vrionit, por edhe për rifiniturat dhe përditësimet e redaktorëve frengë.

Lenë mënjanë hamendjet, siç e thotë dhe Kokonozi, mund të gjendet lehtë ç’është e Vrionit dhe ç’është e redaktorëve. Mjafton që një njeri i zanatit dhe njohës i mirë i frengjishtes të marrë versionin frengjisht të “Gjeneralit…” botuar fillimisht në Tiranë dhe ta krahasojë me versionin që pastaj u botua në Paris nga “Albin Michel”.

Por kjo kërkon punë të ngulur e të mundimshme. Eshtë shumë më lehtë të thurim mite në tezgjahun e gërmërit levantin, mite që formësohen mbi hamendje, pëlqime e mërira provinciale dhe pastaj spërkaten me dëshmi të huajsh.

5.

Përkundër kritikave të pjesëshme, kontributet e të huajve për të studjuar Shqipërinë dhe shqiptarët janë të pazevendësueshme, madje kaq të çmuara sa që jo në pak raste mund ta zhvleftësonin proverbin për birin që i tregon arat babait.

Pa albanologët e huaj të shekujve 19 dhe 20, dijes për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare do t’i mungonte një nga gjymtyrët kryesorë. Zhvillimet tona të sotme ekonomike e shoqërore, shumë më saktë dhe më thellë se sa në botime akademike shqiptare a në strategji qeveritare, i gjen të analizuara në studime dhe raporte të institucioneve ndërkombëtare si ato të Bankës Botërore, Bashkimit Europian etj.

Megjithëse duke filluar që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar qendra e studimeve albanologjike ka kaluar në Tiranë e Prishtinë, historianë të huaj si Noel Malcolm, Bernd Fischer, Oliver Schmitt etj. kanë sjell kontribute të pazevendësueshme për studimin e historisë së Kosovës, të periudhës së monarkisë, të Shqipërisë veneciane etj.

Suksesi i tyre lidhet sa me metodologjitë dhe qasjet historiografike bashkëkohore, sa me punën e ngulur prej profesionisti në arkiva gjer dje pak ose aspak të shfrytëzuara nga historianët tanë, aq edhe me faktin se autorë të tillë, duke qenë të huaj, janë më pak të ndikuar nga pasione politike dhe sterotipe vendase.

Kjo puna e stereotipeve të kujton librin interesant të Noel Malkolmi “Agjentët e Perandorisë”, përkthimi i të cilit në shqip kaloi thuajse pa u venë re, paçka se për të shkruan “The Economist”, “Finacial times”, “The Guardian” etj.

Edhe ato pak gjëra që u thanë aty-këtu dhe kalimthi në mediat tona, kërkonin shqiptaren e shqiptarësinë në një kohë që libri rreh gjetkë. Përmes historisë së dy familjeve shqiptare nga Ulqini, sjell një pamje impresionuese të botës mesdhetare të shekullit të 16, ku otomanët, venedikasit, Papati, habsburgët, spanjollët etj. jo vetëm ndeshen, por edhe japin e marrin me njeri tjetrin, bëjnë tregëti, diplomaci, konvertime, spiunllëqe. Eshtë një pamje krejt ndryshe nga ajo që japin historiografia dhe ca më britshëm letërsia dhe publicistika jonë që, të ngujuara në llogoret e qasjeve orientaliste dhe esencialiste, e kanë bërë zakon ta ndajnë botën mesdhetare në dy kampe, njeri në lindje e tjetri në perëndim, njeri i errësirës e tjetri i dritës dhe, si të tillë përjashtojnë njeri-tjetrin dhe vetëm ndeshen e përleshen.

6.

Nuk mund të mohosh faktin se jemi vend i vogël, ndikimi ynë në rrjedhat e aktualitetit europian e më gjerë është gati gati i papërfillshëm. Rrjedhimisht edhe vemendja e mediave dhe profesionistëve për problematika shqiptare është sporadike dhe jo rrallë edhe e sipërfaqshme.

Në këtë kontekst tingëllon sa fëminor, aq edhe provincial huqi i Tiranës politike dhe shpesh edhe i asaj mediatike që çdo gjë që thuhet nga media e personalitete të huaja të merret si e vërtetë 24 karatshe a të përgojohet si shpifje safi.

Kuptohet se në të dya ekstremet nuk luftohet as për të vërtetën, as për informimin korrekt. Halli është tek interesa politike të ditës dhe zeri i të huajve përdoret si tymuese për të fshehur faktin se përditë e më shumë klasa jonë politike dhe lakejtë e saj po humbasin rendshëm besueshmërinë dhe legjitimitetin, ndaj kërkojnë të çapiten sadokudo mbështetur në patericat e të huajve.

Please follow and like us: