Ruben Avxhiu: ‘Ligji i luftës’ është problem i Greqisë jo i yni
Nuk e kuptova shumë shkrimin e fundit, nga Ditmir Bushati, apo të parin që boton prej kohës që nuk është më ministër i Jashtëm.
Nuk e di pse duhej të citonte libra që në fakt kundërshtojnë në vend që të mbështesin pikëpamjet e tij për zhvillimet në Ballkan.
Nëse vërtet rendi ndërkombëtar liberal është në rrezik për jetën, atëhere në vend që të jemi kundër marrëveshjes me Serbinë, duhet ta heqim qafe veriun e Kosovës të cilin nuk e mbajmë dot vetë dhe ta mbyllim konfliktin me Serbinë sa më shpejt që të jetë e mundur. Përpara se amerikanët të mbledhin rraqet e të ikin, apo përpara se të bëhet e qartë se nuk do të luftojnë për asnjë centimetër sipër lumit Ibër. Se kushdo që pret që Gjermania e Mbretëria e Bashkuar të fillojë luftën me një Serbi të armatosur nga Rusia për të mbrojtur Kosovën është thjesht duke ëndërruar.
Po pika që më bezdis më shumë është ligji i stërpërmendur i luftës në Greqi.
Kemi mbi 20 vjet që në bisedimet me Greqinë, ne ngremë çështje që janë thjesht boshe, ata ngrenë çështje që janë praktike dhe me pasoja për të ardhmen. Ligjin e luftës le ta mbajnë. As nuk e përdorin dot e as ka ndonjë vlerë praktike. Është një turp që vazhdojnë ta mbajmë, tha ish-ministria Kotsias. Shumë bukur, le ta heqin ose le ta mbajnë turpin mbi vete.
Shqipëria ka për detyrë që t’ia tregojë gjithë botës se si Greqia mban ende një ligj lufte kundër saj.
Po jo që të pranojmë që ta fusim në paketa zgjidhjesh si bëri Bushati kur ishte ministër. Kjo është diçka që Greqia duhet ta bëjë vetë për të mirën e saj. Jo në shkëmbim të një lëshimi nga Shqipëria.
Nëse duan lëshime e lëvizje positive nga ana jonë, le të njohim spastrimin enik të çamëve. Le t’i njohin si qytetarë të Greqisë që u dhunuan në mënyrë të paturpshme nga nacionalistë shovinistë fashistoidë e pastaj krimi u mbulua nga shteti dhe historografia greke.
Vetëm ky lëshim duhej të kishte sjellë ndonjë tolerancë ndaj varrezave ushtarake greke në Shqipëri.
Çamët jetonin në trojet e tyre autoktone. Këta ushtarë grekë erdhën si pushtues. Ata nuk e çliruan Shqipërinë, por thjesht zhvendosën kufirin për t’ia përshtatur orekseve të pangopura shoviniste greke. Ata nuk kanë faje në nivelin individual, po Shqipëria nuk u detyrohet asgjë. Sidomos jo një trajtim prej çlirimtari si ai që u bëhet, fjala vjen, ushtarëve amerikanë në Francë.
Unë i kuptoj lëshimet për pakicën greke në jug të vendit. Në fund të fundit, çdo nënshtetas i Shqipërisë duhet të ndjehet i lirë të flasë e të shërbehet në gjuhën e komunitetit të tij. Nganjëherë kjo bëhet politike, nganjëherë tolerancën e përdorin element radikalë apo kriminalë, kjo është pjesë e pandashme e njerëzores. Zbatimi i ligjit do të gjejë më në fund rrugën e duhur.
Po që në vend të kësaj, Shqipëria pranon të rishkruajë të kaluarën, për të kënaqur narrativën e sëmurë nacionaliste greke, të cilën as majtistët e Syriza-s nuk guxojnë ta sfidojnë, kjo është e papranueshme.
Nga Athina duam ndryshime reale, njohje të tragjedisë çame, të drejtat e njeriut për çamët, arvanitët e mërgimtarët nga Shqipëria, mosndërhyrje në Kishën Shqiptare, të drejtat tona shtetërore, në detin Jon etj – “ligji i luftës” është thjesht një letër pa vlerë që Greqia ka 30 vjet që premton ta grisë e kur ta bëjë nuk do të ndryshojë asgjë në jetën tonë
Le të mos flasim pra më për ligjin e luftës, ju lutem. Përveçse kur u tregojmë grekëve vetë dhe palëve të treta, sidomos kolegëve të tyre në BE dhe NATO sesa qesharake është kjo marrëdhënie, ku njëra palë ende është në luftë ndërsa i predikon paqe të tjerëve.
Po Shqipëria nuk humbet asgjë nga ky ligj lufte. Ai nuk duhet vënë në kandar në anën tonë, në mënyrë që Greqia ta heqë në shkëmbim të ndonjë varreze tjetër, të ndonjë abuzimi për mafiozët e politikës e biznesit, që hiqen si mbrojtës të pakicës në jug, apo për kilometra katrorë më shumë në detin Jon. Le ta mbajnë ligjin. Bashkë me paketën e Bushatit dhe Kotsias, që sipas gjasave, është një tjetër fryt negocijimi nga pozitat e përhershme të dobëta të Tiranës karshi Athinës.
Qeverisja e Syrizës ishte një shans i madh për Shqipërinë e Kosovën. Një thyerje nga linjat e përhershme tradicionale nacionaliste greke, kjo qe një dritare për të arritur diçka. Dritaren e zuri Maqedonia. Ne të tjerët do të na mbetet hipoteza se çfarë mund të ishte bërë, si dhe librat me kujtime nga ish-ministrat e Jashtëm.