TEKNOLOGJIA E ARRITJES SË NORMALITETIT DEMOKRATIK
Dr. Astrit Gjunkshi
Nisur nga situata e tensionuar politike dhe sociale, po sjell disa opinione, me dëshirën për të ndihmuar modestisht në zgjidhjen e krizës politike dhe sociale, si ushqim për mendjet e atyre që nuk paragjykojnë emocionalisht.
Mazhoranca dhe opozita janë produkte të një sistemi politk demokratik që kemi vendosur prej afro tre dekadash. Përvoja e demokracive të vjetra perëndimore ka treguar se është bekim për progresin e popujve të tyre ekzistenca e dy palëve politike dhe kalimi i tyre me rotacion politik në qeverisje përmes votime periodike të lira dhe të ndershme. Fatkeqësisht, ajo që në vendet e tyre është bekim, për popullin shqiptar është kthyer në mallkim. Ndoshta mund të mumërohen me gishtat e dorës ata njerëz që, pavarësisht pëlqimeve politike, nuk mallkojnë apo minimalisht shprehin pakënaqsinë e tyre jo vetëm për palën politike me të cilën janë më afër, por edhe për palën që pëlqejnë. Sidoqoftë, krahas militantëve përkatës të partive, shumica e njerëzve e hedh votën për atë parti që e sheh si të keqen më të vogël për vendin apo për interesat e tij. Pak vota hidhen për parti të tjera të vogla.
Megjithatë, po të funksiononte plotësisht kështu, do të ishte gjysma e së keqes. Gjysma tjetër, akoma më e keqe, është deformimi i votës që, artificialisht, ia shton votat njërës palë dhe ia heq palës tjetër. Kështu defaktorizohet vota e votuesit dhe vetë votuesi. Mashtrimi zë vendin e votës në mekanizmin demokratik të rotacionit të pushtetit. Kjo ka bërë që palët politike, në të gjitha zgjedhjet, të mos pranojnë rezultatin. Si rrjedhojë, ata kanë ndërtuar aksionin e tyre të protestës brenda parlamentit dhe shumë shpesh në rrugë. Këto janë armë demokratike që mund dhe po i shfrytëzon opozita edhe këto muajt e fundit. Kur opozita arrin të bindë një pjesë të madhe të elektoratit, atëhere protesta merr përmasa të mëdha që rrit tensionet politike. Jo vetëm në perspektivë, por edhe aktualisht, nga ky tension nuk fiton asnjëra palë por humb i gjithë populli. Humb në aspektin ekonomik, në aspektin e ngadalësimit të perspektivës së integrimit evropian, në aspektin moral, humb shpresën. Të gjitha këto ngadalësojnë zhvillimin tonë të gjithanshëm dhe plotësimin e objektivave, rrisin papunësinë dhe rritjen e emigracionit. Të gjitha këto dobësojnë fuqinë tonë kombëtare.
Tensioni aktual politik është ndër më të ashprit që kanë ndodhur këto dekada tek ne. Në fokus të ngërçit politik janë zgjedhjet vendore të 30 qershorit të këtij viti. Opozita, që ka djegur mandatet e deputetëve, ka dy kushte kryesore: dorëheqjen e kryeministrit dhe përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve vendore dhe të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare nga një qeveri teknike. Kjo gjë hidhet poshtë në mënyrë të prerë nga mazhoranca, e cila këmbëngul që zgjedhjet të zhvillohet nx datën e caktuar dhe pa dorëheqjen e kryeministrit, me arsyetimin se nuk mund të shkelë kushtetutën. Ky i fundit ka ftuar opozitën në bisedime pa kushte për zgjidhjen e krizës, ftesë që opozita e refuzon. Ndërkombëtarët, pavarësisht komenteve, këmbëngulin që palët të zgjidhin vetë krizën. Edhe ata priren të mbështesin mosdorëheqjen e kryeministrit, në mënyrë që të mos krijohet një preçedent, i cili do t’i hapte rrugë zbatimit edhe në të ardhmen të kërkesës për dorëheqjen e kryeministrave edhe opozitat e tjera që do të vijnë. Do të shërbente si precedent
edhe për shtete të tjera në Evropë dhe më gjërë.
Çfarë pritet të ndodhë? Pretendimi i opozitës se nuk do të lejojë që të zhvillohen zgjedhjet e 30 qershorit dhe pretendimi i qeverisë se nuk do të lejojë prishjen e normalitetit, nuk të shpien gjëkundi. Sado optimist që tregohet secila palë, një gjë është e sigurt: do të rritet tensioni politik dhe social, do të ketë shumë incidente dhe secila palë mund t’ia arrijë qëllimit në zona të caktuara të vendit, sipas një harte që do t’i ngjante hartës së copëtuar të Bosnjë-Herzegovinës! Rezultati do të ishte një Shqipëri e bërë copa-copa, që nuk premton asgjë të mirë për të ardhmen. Tensioni aktual do të merrte përmasa më të mëdha pas zgjedhjeve dhe rezultatin e tyre nuk do ta gëzonte asnjë fitues.
Unë shpresoj në zhvillimin e bisedimeve midis palëve, të cilat do të ishin të vështira për të arritur kompromis. Ogur i keq do të ishte edhe një kompromis në formë pazaresh për të ruajtur status-quonë e elitave politike të të dyja palëve, pa i hapur rrugën një perspektive të vërtetë të konkurencës së pastër për çdo subjekt politik që mund të prishte monopolin tridhjetë
vjeçar të qeverisjes nga PD, PS… dhe LSI.
Një zgjidhje e qëndrueshme duhet të mbajë parasysh parametra të tillë themelorë si: mos cënimi i kushtetueshmërisë së funksionimit të shtetit, garantimi maksimal i shmangies së manipulimeve në zgjedhjet aktuale vendore përmes mekanizmave sa më të besueshëm, përmirësimi radikal i Kodit Zgjedhor dhe sistemit elektoral për zgjedhjet e ardhëshme, pastrimi i politikës nga politikanë të korruptuar dhe ndarja e prerë nga krimi.
Këto 5 kushte duhet të jenë vija të kuqe në bisedimet që duhet të zhvillohen sa më shpejt. Një marrëveshje premtuese dhe me perspektivë në të mirë të popullit duhet të mbajë parasysh këto 5 kushte, por ata duhet të zbatohen dhe kombinohen sipas një “teknologjie” që mban parasysh një rradhë të caktuar të disa hapave që duhet të ndërmerren rigorozisht, me një tolerancë të përllogaritur të afateve kohore për zbatim.
Cila mund të ishte një zgjidhje e arsyeshme kompromisi që do të kënaqte të gjitha palët dhe do t’i shërbente perpsektivës. Duke patur parasysh të gjithë analizën e mësipërme, zgjidhja që propozoj si më optimalen e mundëshme do të duhej të arrihej sipas kësaj “teknologjie”:
1. Zgjedhjet lokale të zhvillohen më 30 qershor pa ndryshuar kryeministrin, por me një garanci të besueshme të vëzhgimit të tyre ndërkombëtar dhe nga komisione zgjedhore me anëtarë që kanë integritet.
2. Të kufizohet mandati i të zgjedhurve lokale për 9 muaj. Për të shmangur shkurajimin apo shpërdorimin e detyrës afatshkurtër prej tyre, t’u premtohet nga partitë se ato do të jenë sërish kandidatë edhe në zgjedhjet pasuese, bazuar në performancën dhe pastërtinë në vetingun e pritshëm.
3. Zhvillimi njëkohësisht i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendore pas 9 muajsh mbi bazën e një Kodi të ri zgjedhor dhe sistemi të ri elektoral (afërsisht në prill 2020). Plotësohet kështu kërkesa e opozitës.
4. Vendosja e një qeverie teknike menjëherë pas 30 qershorit. Detyrë e saj do të jetë qeverisja pa tensione e garantuar nga të dy palët, përgatitja e kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e lokale pas 9 muajsh dhe menaxhimi i tyre sipas standardeve të demokracive perëndimore.
5. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe funksionimi i Gjykatës së Lartë në afate sa më të shpejta. Gjykimi pre saj i kushtetueshmërisë së hapave elektorale dhe, në veçanti zgjidhja e problemit të funksionimit të Kuvendit, duke patur parasysh zgjidhjen e kontradiktës midis opozitës që ka dorëzuar mandatet dhe ‘opozitës së re” të krijuar aktualisht.
6. Vetëpastrimi i rradhëve të partive nga të inkriminuarit, krahas veprimit të vetingut.
7. Përfundimi i ngritjes të të gjithë strukturave të parashikuara për kryerjen e reformës zgjedhore dhe zbatimi i procesit të vetingut të politikanëve dhe të kandidatëve për zgjedhjet e ardhëshme, tre muaj para zgjedhjeve.
8. Kryerja me standardet ma të larta të zgjedhjeve të ardhëshme demokratike, të pranuara me konsensus.
Natyrisht, kjo teknologji e zgjidhjes që kam sugjeruar nuk do të kënaqte plotësisht asnjërën palë, por do të ishte në favor të stabilitetit e vendit tonë tani dhe në të ardhmen. Do të mundësonte fillimin e një ëndrre të re për perpsektivën tonë si vend evropian.
16 Maj 2019.