Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Koka: DEKOMUNISTIZIMI I SHOQËRISË

 

 

 Reflektime pas leximit të romanit “Ridënimi” të Fatos Lubonjës

 

 

Pas viteve 90-të lindi letërsia e ish të burgosurve politikë. Kushtet në të cilat u formua dhe shkalla e cilësisë së saj janë objekt studimi më vete. Një nga këta autorë është Fatos Lubonja. Librat e tij më të rëndësishëm janë romanet dokumentarë: “Ridënimi”, “Viti i Shtatëmbëdhjetë”, dhe “Ploja e Mbrame”.

Ndër këta do të veҫoja romanin: “Ridënimi”. Libri është ndërtuar në bazë të rrëfimit që bën një nga protagonistët, pikërisht Fatos Lubonja, mbi në gjyq të inskenuar brënda në burg, me akuzën e krijimit të një organizate kundër revolucionare, me qëllim përmbysjen e regjimit. Zanafillën gjyqi e ka tek një letër e hapur e shkruar nga Vangel Lezho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka drejtuar Enver Hoxhës, në vitin 1979-të, pas prishjes së marredhënieve me Kinën.

Në letër kërkohej ndërrimi i kursit të ndjekur nga Komiteti Qëndror me në krye Enver Hoxhën, përndryshe, sipas tyre, fundi i Shqipërisë do të ishte i afërt. Parashikimi i tyre doli i saktë.  Mënjëherë regjimi kundëveproi duke organizuar një gjyq farsë brënda burgut, ku perfshihen edhe të dënuar të tjerë, një prej të cilëve është dhe autori i librit. Të tre letërshkruesit dënohen me pushkatim, ndërsa të tjerët ridënohen me nga 20-25 vjet burg. Fatos Lubonja nga ky gjyq ridënohet me 25 vjet burg. Duhet thënë se gjyqi ishte i paligjshëm, edhe në bazë të ligjeve të kohës. Një i dënuar nuk mund të dënohej dy herë për të njëjtën akuzë. Ata ndodheshin në burg, pikërisht për mendimin ndryshe.

Dihet tashmë se në Shqipëri gjatë sistemit komunist nuk kishte një disidencë të organizuar. Terrori ishte kaq i madh, sa nuk e lejonte një gjë të tillë. Por, akte të disidencës ka patur. Dërgimi i letrës që u përmend më lart ishte një akt i tillë. Ishte viti 1979-të, kur Enver Hoxha kishte kryer krimet e tij më të egra dhe më të shumta, siç ishte dënimi i grupeve të viteve 1973-1975, të  cilat u kishin ndërkallur frikën krejt popullatës. Autorët që e shkruajtën këtë letër kanë bërë një akt të vërtetë trimërie dhe guximi. Ata e dinin që me këtë letër do të pushkatoheshin. Ndërkohë këta përmënden pak, nuk ka asnjë përpjekje për të gjetur eshtrat e tyre. Dhe një nga presidentët e vendit, ka dekoruar prokurorin kryesor që ka marrë pjesë në këtë ridënim. Pas reagimit të të denuarve politikë dhe të shoqërisë civile, presidenti u justifikua se nuk kishte patur informacionin e duhur.

Po e përmend këtë ngjarje, sepse ndërkohë është për të ardhur keq që figura që kanë qënë pjesë e lartësuar e kulturës komuniste, dhe ndonjëherë dhe funksionarë të lartë të saj, qëmtojnë nga poezitë e tyre një varg, apo disa pasazhe nga proza dhe publicistika e tyre, për të treguar kundërvënien  ndaj regjimit.  Kanë kaluar afro 30 vjet, dhe për figura të kulturës akoma përdoren tituj të sistemit komunist si “Artist i Popullit”, dhe “Artist i Merituar”.

Shqipëria ka nevojë të identifikojë, dhe të krijojë elitën e saj reale në shkencë, kulturë dhe art. Dhe për këtë duhet të kryhet me kujdes dhe objektivitet ajo që është quajtur si proҫesi i dekomunistizimit të shoqërisë.

Po përmend rastin e Gjermanisë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyqi i Nurembergut, në vitin 1945 u krye kryesisht nën drejtimin e aleatëve, dhe aty u dënuan krerët më kryesorë të elitës naziste. Pas kësaj deri në vitin 1965, në Gjermani pati një heshtje. Kishte një ndrojë të përgjithshme për të folur për atë ҫfarë kishte ndodhur. E theu heshtjen brezi i dytë. Ky brez duke qënë tejet i kompleksuar, drejtoi gishtin ndaj etërve të tyre dhe ndaj shoqërisë, me pyetjet; “Ҫfarë ka ndodhur?”,  “Ҫfarë keni bërë ju?”.

Një gjyq i organizuar në vitin 1965 mbi krimet e kryera në kampin e “Auschwitz-Birkenaut”, i drejtuar nga një prokuror i ri, hapi siparin e nxjerrjes në dritë të diellit të asaj ҫ’ka kishte ndodhur.Traumat shoqërore dhe familjare qenë të mëdha. Shumë bij ngelën të tmerruar kur mësuan se etërit e tyre kishin qënë nazistë, dhe në jo pak raste kishin kryer krime të tmerrshme. Shumë prej tyre ndërprenë marrëdhëniet me prindërit dhe familje të tëra u prishën.

Shumë sociologë mendojnë se pavarësisht këtyre traumave, kjo hapje e dosjeve, ky katarsis ishte në të mirë të shoqërisë. Gjermania pati guximin ta shihte të shkuarën e vet në sy dhe kjo ishte e shëndetshme për shoqërinë. Kjo shpjegon dhe faktin, që Gjermania Lindore pas 90-tës është nga vëndet e lindjes që e ka kryer proҫesin e dekomunistizimit dhe të hapjes së dosjeve, me mirë se ҫdo vënd tjetër, sepse kishte përvojën dhe asistencën e Gjermanisë Perëndimore.

Në këtë kontekst po përmend gjithashtu, dhe një thënie të një historiani izraelit. Sipas tij, vetëm tani mund të shkruhet saktë historia e Holokaust-it, pra, pas afro 75 vjetësh. Sepse tani është distanca e nevojshme kohore për të krijuar “ftohtësinë” dhe objektivitetin që i duhet një historiani për të shkruar saktë.  Kjo sipas tij, sepse pothuaj nuk jetojnë më të persekutuarit, nuk ekziston dhimbja e të lënduarëve, dhe pothuaj nuk ekzistojnë persekutorët, pra nuk ekziston ndjenja e tyre e fajit, kompleksi i frikës, apo bindja e verbër se kishin kryer detyrën dhe kishin zbatuar urdhërat.

Duke pasur parasysh shoqërinë shqiptare, me natyrë krahinore dhe klanore, mendoj se do të kalojnë dhe shumë vite, që të krijohet kjo distancë kohore për të siguruar “ftohtësinë”, dhe objektivitetin për të patur një proҫes të dekomunistizimit sa me të rregullt. Natyrisht, duhet dhe vullneti i politikës dhe i shoqërisë. Me këtë proҫes duhet të reabilitohen me objektivitet figurat e denigruara dhe të deformuara nga komunizimi, dhe të ҫ’mitizohen me kujdes figurat e lartësuara nga ky sistem. Të shpresojmë që kjo do të ndodhë në më të mirën e mundshme.

Please follow and like us: