Poezia e Kostas Uranis në shqip nga Arqile Garo
Kostas Uranis: Skica të fundit
Unë asnjë frut nuk kam këputur
nga pemë e jetës, gjë s’ kam marrë,
veç mblodha thjesht ato ç’ ka gjeta
të rëna tokës përmbi bar…
Tani që kokën e kthej mbrapa
bie në mend një jetë të tërë:
– mos qe i madh vrulli që mora,
– a mos kërcimi qe beterë?!
Shqipëroi: Arqile Garo, nga libri “Pelegrin në ujëvarat e poezisë Helene”
Kostas Uranis: E dashurisë
Ta dije si e prisja unë, e dashur ardhjen tënde,
që gjer më sot nuk e kam ndjerë, dhe pres i mbushur mall,
pret qënia ime me tërbim e shpresë, me shpirt e mendje,
siç tokë e tharë pret me llahtarë një shi që ta mbajë gjallë!
Edhe sa here, oh vaj medet, tek po gëzoja, prore
se kishe ardhur më në fund! Po vallë kush të pengonte?
Porsi bajamen që ca ditë me rreze dimërore
thjesht e mashtrojnë, dhe shpirti im ngutej të lulëzonte.
Po ti mënoje si përherë e ditët venin, vinin,
lule që dridheshin në ngricë vajtonin, iknin, binin…
e ndjen thëllimin shpirti i mjerë rënkon e ngashërehet
sot, që rinia perëndon e koha shkon e s’ kthehet,
e ardhjes tende shpresë e gjorë nis e venitet mike:
Druaj se më kalove pranë, s’ të pashë… dhe ti më ike!…
Shqipëroi: Arqile Garo, nga libri “Pelegrin në ujëvarat e poezisë Helene”