Mimoza Koka: Revolucioni Kulturor Kinez
– Pasojat shkatërruese dhe fatale në Shqipëri.
Muaji Maj shënoi 53- vjetorin e Revolucionit Kulturor Kinez. Ky revolucion ishte një spastrim i gjërë i kryer nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste Kineze, me në krye kryetarin Mao, kundrejt intelektualëve dhe ҫdo gjëje perëndimore të krijuar në Kinë. Revolucioni filloi në Shangai, dhe pastaj u shtri në të gjithë vendin. U dogjën shumë bibloteka me libra të huaj. Në këtë ngjarje u manipuluan jashtëzakonisht studentët. Ata qëndronin në krye të turmave që po shkatërronin ҫdo gjë përparimtare në Kinë.
Përfundimi i Revolucionit Kulturor Kinez solli këto pasoja: 200 milionë njerëz vuajtën nga uria kronike në kuptimin e plotë të fjalës sepse u shkatërrua ekonomia, 20 milionë u dërguan për të punuar në fshat, 1.5 milionë njerëz u vranë apo u shtynë drejt vetvrasjes.
Po jap dy shembuj, midis mijërave të dhunës ekstreme që u ushtrua. Gruaja e një funksionari të lartë kinez, me formim perëndimor, që dinte shumë mirë anglisht dhe vishej në mënyrë perëndimore, u tërhoq zvarrë nga studentët derisa dha shpirt.
Kadareja, në shkrimet e tij tregon për faktin se ka parë në një muze, një fustan dhe këpucët e saj, për të cilat ju mor jeta. Ato ishin, thotë Kadareja, fustani dhe këpucët më të zakonshëm në botë.
Para disa vitesh erdhi për vizitë në Shqipëri një pianist i talentuar kinez, i cili kishte pasur kontakte me kulturën shqiptare në kohën kur të dy vëndet kishin marrëdhënie miqësore. Ai nuk mund t’i binte më pianos, sepse ia kishin thyer gishtat gjatë këtij revolucioni.
Autoritetet shtetërore kineze nuk kanë lejuar studimin dhe eksplorimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, që ka lënë vragë në psikikën e popullit kinez. Më tepër ky revolucion është studiuar nga të huajt. Natyrisht, segmente të ndryshme sociale nuk kanë mbetur indiferentë, por kanë reaguar. Kështu, në janar 2010-të, ish grupe studentësh universitarë u kanë kërkuar publikisht falje profesorëve që kishin torturuar aq egërsisht para 40–vjetëve. Por kjo nuk mjafton.
Udhëheqja shqiptare, përpos arsyeve të tjera, duke qenë se ishte dhe e varur ekonomikisht nga Kina, e mbështeti menjëherë revolucionin kulturor dhe e imitoi atë. Në vitin 1967, përmes një histerie kolektive u prishën kishat dhe xhamiat dhe Shqipëria u shpall vendi i vetëm ateist në botë. U shkatërruan godina dhe ndërtesa me vlera të theksuara arkitekturore. U hoqën gradat në ushtri, u zbeh rëndësia e titujve shkencorë, u promovuan fletë-rrufetë nën shembullin e “dacibaove” në Kinë. U vunë në poste të larta drejtuese përfaqësues të klasës punëtore, dhe u krijua kontrolli punëtor që kishte për detyrë të mbante nën kontroll mendimin intelektual. U larguan nga Tirana qindra intelektualë dhe u dërguan në fshatra të thella dhe të largëta, për të qënë sa më afër popullit.
Një goditje e rëndë iu dha artit dhe letërsisë. U ndalua botimi i autorëve të huaj dhe ata që do të botoheshin iu nënshtruan një filtri mjaft të rreptë. U ndalua vënia në skenë e repertorit të huaj në Teatrin Popullor, dhe në Teatrin e Operas dhe Baletit. Brezi ynë e mban mend varfërinë e pjesëve artistike në këto dy institucione gjatë viteve 70-të.
U krijua kështu një izolim shpirtëror dhe kulturor nga perëndimi në mënyrën më të theksuar të mundshme. Dhe e gjitha kjo bëhej për të krijuar “njeriun e ri”, një shpikje e përҫudnuar e sistemit. Rezultati ishte fatal. Ishte ky “njeri i ri”, që në fillim të viteve 90-të u largua në mënyrë masive me anije dhe gomone nga vendi, pa e ditur mirë se ku po shkonte.
Ndërkohë, në perëndim po ndodhte revolucioni i 68-tës, që solli një hop në zhvillimin e Europës për dhjetëvjeҫarët e ardhshëm.
Mendoj se kompleksi që Enver Hoxha kishte ndaj njerëzve inteligjentë dhe të ditur ka qënë fatale për kulturën tonë. Thuhet që Enver Hoxha, sa ishte ne krye, nuk ka shkelur kurrë në Teatrin e Operas dhe te Baletit. Ndërsa në Teatrin Popullor, ka shkuar vetëm dy herë. Herën e parë e ndaloi shfaqjen, ndërsa të dytën e la në mes. Ka qenë shfaqja e pjesës “Mbreti Lir”. Tamam kur aktori, në mos gaboj Loro Kovaҫi, luan pjesën kur mbreti Lir endet gjysëm i ҫmendur në errësirë dhe shtrëngatë, pasi e kishin përzënë vajzat, Enver Hoxha u ngrit për të ikur. “Mbreti Lir” nuk u vu më në skenë.
Ka shumë diskutime mbi raportin Diktator-Popull. Gjithmonë është shtruar pyetja: “Në rastin e një diktature, kush është më tepër përgjegjës, populli që e duartroket pafund diktatorin, apo diktatori që i bën lavazh truri popullit?” Mendimet dhe interpretimet janë të ndryshme. Personalisht, mendoj se është tejet i rëndësishëm roli i individit në shoqëri. Kadareja e shpreh këtë, shumë bukur artistikisht në mbyllje të librit “Pesha e Kryqit”, në të cilën tregon mënyrën se si Enver Hoxha u përfshi në lëvizjen komuniste. Ai shkruan:
“Komunistët e vjetër tregojnë për ditën e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Njëri prej tyre, duke u nisur për në mbledhje, kishte takuar në rrugë rastësisht Enver Hoxhën. I bukur, tridhjetetre vjeҫar, po aq sa Krishti, i veshur pas modës së fundit, me orë me qostek, dhe bastun prej dendi, që e lëvizte me gishta, i kishte dalë përpara delegatit, krejt si në përrallat e vjetra kur shfaqej djalli. Quo vadis Satanas…..
- Enver, grupit tonë komunist i mungon një delegat. A vjen ti në mbledhjen e themelimit?
- Jo…Ti e di që s’kam qejf të përzihem me politikë… Mirupafshim.
Pastaj, pas një heshtjeje të shkurtër, si i shtyrë nga një fuqi e keqe hyjnore, nga një ndëshkim i zotave për kushedi ҫ’mëkate të këtij vendi, njeriu me bastun dhe me fytyre engjëllore qe kthyer befas për të thënë: ‘po vij!’
Dhe kështu u nis për të rrënuar Shqipërinë.”