Kina kundër Amerikës, modeli i ri i ‘Luftës së Ftohtë’
Si duhet të menaxhohet rivaliteti në rritje midis Amerikës dhe Kinës
Mosmarrëveshjet ndërmjet Kinës dhe Amerikës nuk lidhen vetëm me luftën tregtare. Ato kanë mosmarrëveshje në çdo fushë, që nga ajo e gjysmëpërçuesve deri te nëndetëset dhe nga filmat e suksesshëm deri në eksplorimin e Hënës, shkruan The Economist.
Sot këto dy superfuqi nuk kërkojnë vetëm fitoren e tyre, por edhe shkatërrimin e tjetrës, një kolaps që do ta bënte Kinën gjithmonë të varur ndaj rendit amerikan ose një Amerikë të përulur që tërhiqet nga Paqësori perëndimor. Kjo tablo është një lloj i ri i Luftës së Ftohtë që mund të përfundojë me asnjë fitues në fund.
Marrëdhëniet ndërmjet dy superfuqive janë përkeqësuar. Amerika ankohet se Kina, nëpërmjet mashtrimeve të ndryshme apo vjedhjeve teknologjike, po ia vështirëson asaj rrugën drejt suksesit. Kina, duke ndërtuar ishuj artificialë në detin e Kinës Jugore dhe duke vendosur atje pajisjet e saj ushtarake, po frikëson demokracitë e vendeve si Kanadaja dhe Franca dhe po shndërrohet në një kërcënim për paqen në të gjithë globin. Aktualisht, Kina ndodhet mes ëndrrës së saj për të rifituar vendin që me të drejtë i takon në Azi dhe frikës se Amerika e lodhur dhe ziliqare do t’ia vështirësojë asaj realizimin e saj, sepse nuk mund të pranojnë disfatën e saj.
Mundësitë për shpërthimin e një Lufte të re të Ftohtë po rriten gjithnjë e më shumë. Në qoftë se Kina dhe Amerika i japin fund konfliktit me njëra-tjetrën, bota do të jetë ajo që do të vazhdojë të përballet me pasojat e këtij konflikti, duke qenë se rritja ekonomike po vazhdon të ngadalësohet dhe problemet duket se po shtohen, si pasojë e mungesës së bashkëpunimit. Të dyja palët kanë nevojë të ndihen më të sigurta, por duhet të mësohen që të jetojnë së bashku me njëra-tjetrën edhe në një botë ku besimi është në nivelet më të ulëta. Por askush nuk mund të mendojë se realizimi i një gjëje të tillë do të jetë i lehtë dhe, mbi të gjitha, do të realizohet në një kohë të shkurtër.
Tundimi i Amerikës është që ta bllokojë Kinën thuajse në çdo drejtim në të njëjtën mënyrë siç veproi edhe me Bashkimin Sovjetik, dhe jo të bllokojë vetëm kompaninë Huawei ndaj së cilës u ndërmorën disa masa javën e kaluar, por ndaj së gjithë teknologjisë kineze. Megjithatë, nëse ajo vepron në të njëjtën mënyrë edhe me Kinën, pasojat do të ishin më të rënda, gjë të cilën politikëbërësit po mundohen ta shmangin me çdo kusht. Zinxhirët e furnizimit global mund të krijohen për të anashkaluar Kinën, por kundrejt një kostoje të lartë.
Në terma nominalë, tregtia sovjetiko-amerikane në fund të viteve 1980 arrinte në 2 miliardë dollarë në vit, ndërsa tregtia midis Amerikës dhe Kinës në ditët e sotme arrin në 2 miliardë dollarë në ditë. Në disa prej sektorëve më të rëndësishëm të teknologjisë, si prodhimi i çipeve apo teknologjia 5G, është shumë e vështirë të thuhet se ku përfundon tregtia dhe ku fillon siguria kombëtare. Ekonomitë e aleatëve të Amerikës në Azi dhe Europë varen nga tregtia me Kinën.
Vetëm ekzistenca e një rreziku të vërtetë dhe e një kërcënimi të qartë mund t’i bindë ata që të ndërpresin lidhjet me Kinën. Edhe nëse diktaturat janë më të brishta sesa demokracitë, Presidenti Xi Jinping ka rivendosur kontrollin e fortë të partisë së tij kudo në Kinë dhe ka filluar të projektojë që pushteti kinez të përhapet në të gjithë botën. Pikërisht këto arsye i kanë bërë së bashku republikanët dhe demokratët, të cilët besojnë se Amerika duhet të veprojë sa më parë kundër Kinës. Por si?
Për të pasur një fillim të mbarë, Amerika në vend që të përqendrohet vetëm në pikat e saj më të dobëta, duhet të përqendrohet edhe në pikat më të forta dhe të përpiqet që t’i forcojë ato. Duke marrë në konsideratë faktin se emigrantët janë një faktor i rëndësishëm në drejtim të inovacionit, pengesat e administratës së z. Trump ndaj emigracionit janë një lëvizje e gabuar në dëm të Amerikës. Po në të njëjtën mënyrë, i gabuar është edhe qëndrimi i tij denigrues ndaj çdo shkence që nuk përputhet me axhendën e tij dhe mbi të gjitha, shumë i gabuar është qëndrimi për të shkurtuar financimin ndaj shkencës.
Një prej atyre pikave të forta të cilat i përmendëm edhe më sipër ka të bëjë me aleancat, institucionet dhe normat që Amerika ka krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Por ekipi i Presidentit Trump ka shkelur një pjesë të madhe të këtyre normave të vendosura, në vend që t’i forconte ato dhe të mbështeste institucionet. Ai ka sulmuar si Bashkimin Europian ashtu edhe Japoninë në drejtim të tregtisë, në vend që të bashkëpunonte me to për ta detyruar Kinën që të ndryshonte.
Fuqia ushtarake e Amerikës në Azi është një ndër faktorët që krijon siguri tek aleatët e saj, por Presidenti Trump duhet të përqendrohet edhe në drejtime të tjera. Në vend që të merret në pjesën më të madhe të kohës me funksionimin e shtetit ligjor brenda vendit dhe të përqendrohet në negociatat për ekstradimin e një prej drejtuesve të kompanisë Huawei, ai duhet të tregojë më shumë vëmendje ndaj mbikëqyrjes që Kina ka vendosur ndaj minoritetit të Uighurit në provincën perëndimore të Xinjiangut. Përveç përqendrimit në pikat e saj më të forta, Amerika duhet t’i kushtojë mbi të gjitha vëmendje edhe mbrojtjes së saj, sidomos në fusha si hapësira kozmike dhe ajo kibernetike, në të cilat Kina po përparon me hapa të shpejtë. Por kjo do të thotë krijimin e një ekuilibri ndërmjet mbrojtjes së pronësisë intelektuale dhe mbështetjes së fluksit të ideve të reja, njerëzve, kapitalit dhe mallrave.
Edhe pse Amerika dhe aleatët e saj kanë kompetenca më të gjera në drejtim të tregjeve, sidoqoftë Perëndimi ka shumë pak njohuri në drejtim të investitorëve kinezë, partnerëve të sipërmarrjeve të përbashkëta dhe lidhjet që ata kanë me shtetin. Përballja me Kinën do të thotë edhe gjetjen e mënyrave që kjo e fundit të krijojë besim ndaj Amerikës, sepse veprimet që Amerika i konsideron si mbrojtëse ndaj shtetit të saj, në këndvështrimin kinez mund të duken si sulme të paramenduara për t’i vënë fre avancimit kinez.
Nëse Kina mendon se duhet t’i përgjigjet me luftë këtyre veprimeve, përplasja detare në Detin e Kinës Jugore mund të përshkallëzohet. Një mbrojtje më e fortë kërkon edhe një axhendë, e cila të nxisë bashkëpunimin e përbashkët, duke qenë se Amerika dhe Bashkimi Sovjetik kanë folur për reduktim të armëve, ndërkohë që kërcënonin shkatërrimin reciprok të njëra-tjetrës. Ndërsa, sa i takon Kinës dhe Amerikës, ato nuk kanë nevojë të bien dakord me njëra-tjetrën, sepse e dinë fare mirë se veprimi sipas normave të caktuara është në interesin e tyre të përbashkët.
Projektet për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën nuk mungojnë, dhe këtu mund të përmendim Korenë e Veriut, rregullat për hapësirën kozmike, luftën kibernetike, ndryshimet klimatike, por të gjitha vetëm në rast se z. Trump do ta pranonte këtë gjë. Por realizimi i axhendës kërkon aftësi të larta politike dhe vizion, të cilat asnjë prej liderëve të dy superfuqive fatkeqësisht nuk i kanë. Z. Trump e ironizon të mirën globale, ndërkohë që të shumtë janë ata që lanë lodhur nga një Amerikë, e cila vepron si “gjykatësi i botës”. Ndërkohë, Kina ka një President që dëshiron të shfrytëzojë ëndrrën e madhështisë kombëtare si një mënyrë për të justifikuar kontrollin absolut të Partisë Komuniste. Në Kinë, Amerika po përballet me një numër të madh rivalësh, të cilët kanë aspirata të larta për t’u shndërruar në më të mirën.
Lidhjet e biznesit dhe fitimet, të cilat dikur janë përdorur si elemente për të ruajtur këto lidhje, sot janë shndërruar në disa prej pikave kryesore për të cilat luftohet. Si Kinës ashtu edhe Amerikës, i duhet që të krijojnë rregulla për të ndihmuar veten dhe njëra-tjetrën në mirëmenaxhimin e evolucionit të kësaj epoke të re të konkurrencës ndërmjet superfuqive. Fatkeqësisht, tani për tani, këto dy superfuqi i shohin rregullat si diçka që duhen thyer./monitor/