“Filmi ndikon jashtëzakonisht shpirtin e njeriut”, Piro Milkani vizion Pekinin
Regjisori i njohur shqiptar Piro Milkani vizitoi Pekinin në mes të majit për të marrë pjesë në aktivitetin e shkëmbimeve me studentët kinezë të Degës së Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit.
Ky aktivitet është pjesë e veprimtarive kremtuese me rastin e jubileut të 70-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë.
Z. Piro Milkani vizitoi redaksinë e gjuhës shqipe të CMG-së
Para mbajtjes së ligjëratës për shqipfolësit kinezë në Pekin, z.Milkani dha një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).
Ai tha se ndihet i lumtur për jehonën që filmat shqiptarë kanë pasur te publiku kinez sidomos brezi i 60 apo 70 vjeçarëve. Por ndoshta të rinjtë e sotëm kinezë kanë pak ose aspak njohuri për filmin shqiptar. Prandaj, këtë herë, z.Milkani me ftesë të pedagoges Chen Fenghua të Univeristetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, studiuese e jehonës së filmave shqiptarë në Kinë, vizitoi Pekinin për të folur për të kaluarën dhe të tashmen e kinematografisë shqiptare me qëllim që studentët kinezë të gjuhës shqipe të kuptojnë më mirë filmin dhe kulturën shqiptare.
Regjisori Mikani solli një film të ri shqiptar dhe tha se me këtë film të rinjtë kinezë mund të njohin filmat bashkëkohorë shqiptarë dhe realitetin e tanishëm të Shqipërisë.
Gjatë intervistës, z.Milkani u shpreh se filmat shqiptarë kanë pasur ndikim pozitiv tek publiku kinez.
“Me thënë të vërtetën, Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe nuk ka ndonjë prodhim shumë të madh, por specifika e marrëdhëneve shqiptaro-kineze në ato vite ka bërë që une dhe kolegët e mi të kemi kënaqësi që këta filma janë parë nga miliona spektatorë. Për këtë arsye i kam shtruar pyetjen vetes. Çfarë shërbimi i ka bërë filmi shqiptar publikut kinez? Nga këto hulumtime kam arritur në përfundimin se në përgjithësi publiku kinez, ashtu siç thotë edhe një shkrimtare kineze që ka shkruar librin patat e egra, që tregon historinë e tre gjeneratave gjyshja, nëna dhe ajo, tregon artistikisht historinë e Kinës. Ajo tha se filmi shqiptar në ato vite për ne ishte një dritare në Europë. Më pas në Itali kam takuar një tjetër shkrimtare të njohur kineze e cila tha se në atë kohë i pëlqente veshja europiane, mënyra e sjelljes së njerëzve brenda familjes, lulet e vërteta jo lulet artificiale në familje, pra kam arritur në konkluzionin pozitiv që filmi shqiptar ka ndikuar pozitivisht në publikun kinez.”
Në vitet ’60-’70 u transmetuan në Kinë 30 filma shqiptarë dhe u pritën shumë mirë nga publiku kinez. Ndër to, filmi i regjisorit Milkani “Ngadhënjim mbi Vdekjen” është më i njohuri dhe më i preferuari i shikuesve kinezë. Gjatë intervistës, z.Milkani u kthye pas në kohë duke kujtuar procesin e xhirimit të filmit. Ai shpjegoi se si historia, personazhet, drama dhe muzika kanë ngjitur te publiku. Për suksesin e këtij filmi, z.Milkani përmendi 3 arsye:
“Sekretin nuk e kam gjetur akoma, por mendoj që ai film u realizua bukur për arsye se ne ishim të rinj në moshë dhe me shumë entuziazëm. Kur them ne ishim Peçi Dado, Gëzim Erebara dhe unë që shkuam në Gjirokastër. Dhe mendoni viti 67 ishte vetëm 20 vjet pas lufte. Aty takuam njerëz që i kishin takuar këta personazhe, morëm informacion të gjerë se çfarë kishte ndodhur me Bule Naipin dhe Persefoni Kokëdhimën në atë kohë, takuam nënën e Bule Naipit që na tregoi me shumë nostalgji për një djalë simpatik që vinte nga Tirana që quhej Qemal Stafa dhe që ishte komunist dhe përhapte idetë komuniste dhe paska pasur simpati për Bule Naipin dhe këtë simpati ia tregonte duke luajtur në kitarë. Të gjitha këto i futëm në film. Sekreti i muzikës shqiptare që pëlqehet në Kinë, sipas muzikologëve çuditërisht se muzika popullore shqiptare e ka bazën tek pentatoni dhe muzika kineze bazohet në pentaton. Pra dua të them që kjo lloj melodie u perceptua shumë kollaj nga rinia kineze që e këndon. Muzika e filmit u kompozua nga kompozitori i talentuar Fehim Ibrahimi, i cili kishte mbaruar akademinë dhe për herë të parë bëri një muzikë filmi që rezultoi shumë e bukur. Aty u kuptua që ai ishte një talent dhe unë me Fehim Ibrahimin bashkëpunova edhe në 5 filma të tjerë. Sekreti tjetër për mua është Gjirokastra, pasi ai është qytet magjik, i jashtëzakonshëm.”
Z. Piro Milkani u takua me prezantuesin e njohur televiziv kinez Cui Yongyuan
Pavarësisht se sivjet z. Milkani mbush 80 vjeç, ai nuk rresht kurrë së kontribuuari në prodhimin e filmit shqiptar sepse beson se filmi ndikon jashtëzakonisht shpirtin e të rinjve dhe shkëmbimet mes njerëzve pasi e pasuron botën e tyre dhe ndikon në forcimin e miqësisë. Filmi pa dallim, shqiptar apo kinez, është ambasador kulturor që shëtit nëpër botë. Ai shprehet i lumtur se djali i tij ka ndjekur rrugën e të atit duke vijuar ëndrrën e tij të filmit.
Disa nga filmat më të njohur të z. Milkani janë;Trishtimi i zonjës Shnajder (2008), Një shoqe nga fshati (1980), Zonja nga qyteti (1976), Shtigje lufte
Përse bie kjo daulle, Ngadhënjim mbi vdekjen etj.
Në fund të intervistës z. Milkani shprehu shpresën për prodhimin e një filmi të përbashkët kino-shqiptar. (Çang Çuo)