Ekskluzive/Qershori i Bekim Fehmiut 1.06.1936 – 15.06.2010; intervistë me Branka e Bekim Fehmiun
Nga Kozeta Zavalani
Pas 31 vjetësh është kthyer në Shqipëri aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu, shumë i njohur në skenën dhe ekranet ndërkombëtare, partner i aktoreve të shquara si Ava Gardner, Klaudia Kardinale apo Irene Papas. I ftuar nga zonja Vera Grabocka për të nderuar spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë”, ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij zonja Branka Petriç-Fehmiu edhe ajo aktore, që shkelte për herën e parë tokën aq shumë të dëshiruar të burrit dhe djemve të saj. Mbas 56 vjet karierrë artistike të suksesshme, ai falënderon publikun shqiptar, për emocionet e këndshme që i kanë sjellë artistit, që për vite të tëra u ka shkaktuar emocione të fuqishme të tjerëve, fatkeqësisht në gjuhë të huaj dhe asnjëherë në gjuhën shqipe. Dhe për këtë ai guxon të qortojë vetveten, duke folur gjuhën e nënës së tij, që ai e vlerëson shumë. Nga skena e spektaklit të Pallatit të Kongreseve ai ka vlerësuar shumë femrën shqiptare, të personifikuar tek zonja Vera Grabocka, duke e përcaktuar atë si “një fuqi të madhe kulturore, botërore”.
Kjo më intrigoi për ta takuar menjëherë pas koncertit, së bashku me të shoqen, që ishte e mrekulluar nga mikpritja shqiptare.
Unë përgjithësisht intervistoj femra të shquara, që me punë, këmbëngulje e pasion kanë lënë gjurmë në jetë, por do të më pëlqente që t’iu intervistoja të dyve ju, çifti Fehmiu; që zonjën Branka t’a njohin bashkatdhetarët e bashkëshortit të saj, nëpërmjet përshtypjeve për Shqipërinë.
Bekim Fehmiu: Edhe unë kam shkruar. Nuk jam shkrimtar, por një libër që më ka lindur vetvetiu, ia kam kushtuar nënës sime Edije Xërxa Fehmiu, bashkëshortes së babait tim Ibrahim Fehmiut. Por nuk ia kam dedikuar vetëm sakrificave të jetës së saj, por të gjitha nënave, jo vetëm shqiptare, jo vetëm ballkanase, por të gjithë nënave të botës. Ka një thënie se, një vepër e një gjenerate vlerësohet me atë se çfarë ata kanë lënë në kulturë, p. sh. Fransua Miteran do të mbahet mend nëpërmjet një piramide të ngritur para Luvrit në Paris, Pompidu do të mbahet mend për qëndrën Pompidu, etj. Por gruaja është ajo që duhet të vlerësohet mbi gjithçka në çdo vend të botës, pasi ajo lind njerinë. Ndaj edhe si grua që jeni ju, unë nuk mund t’ju refuzoj. Duke të respektuar ty, respektoj edhe bashkëshorten time, që për herën e parë shkel në tokën që e ka pasur ëndërr, në Shqipëri.
Zoti Bekim, si ndjeheni në Shqipëri?
Bekim Fehmiu: Unë ju them se ku ka shkelur këmba ime, ka qenë Shqipëri. ”Ska gjë më të fuqishme se dashuria” ka thënë Bethoveni i madh. Ndaj edhe unë me dashurinë për Shqipërinë në zemër e në shpirt, kam qenë në çdo hap e në çdo vend ku kam shkuar. Kudo kam dashur të le gjurmët e mia si shqiptar, që edhe kur të mos jem në jetë, të ketë mbetur vepra ime. Dhe për këtë së pari duhet të falënderoj nënën time.
Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?
Bekim Fehmiu: Me sa duket fati im ka qenë që çdo 30-31 vjet të jem në Shqipëri. Për herë të parë kam qenë në vitin 1939 së bashku me familjen time dhe pas 10 vjetëve më 1949 jam kthyer në shtëpinë time në Kosovë. Në vitin 1972 kam qenë i ftuar nga Pirro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti si mysafir në Kinostudion “Shqipëria e re”. Falënderoj gjithashtu edhe Ramadan Sokolin, që më ka falur një kasetë magnetofoni me incizime të interpretimeve të Aleksandër Moisiut dhe të librit “16 shekuj”, që fillon me kapitullin “Njihe vetveten”. Dhe unë e njoha vetveten nëpër botë duke filluar nga shekulli III me inxhinierin e parë në historinë e Evropës, fotografia e të cilit gjendet në monedhën 20 shilinga austriake, deri tek mjeshtrit që kanë ngritur Pjacën San Marko në Venedik apo Taxhmahallë. Por çfarë kemi bërë për vetën tonë këtu në Shqipëri? Mos e keni dëgjuar Bekim Fehmiun në ndonjë nga filmat e tij të flasë shqip? Jo. Unë tani po përsëris në shqip poezinë e flamurit;
– “O flamur gjak, o flamur shkabë
O vend, o vatër, o nënë e babë.
Lagur me lot, djegur me flakë
Flamur i madh për vegjëli”.
Sa e kini ndjerë peshën e faktit që kini interpretuar gjithmonë në gjuhë të huaj, kur në dejet tuaja rrjedh gjak shqiptar?
Bekim Fehmiu: Pikë së pari Bekim Fehmiu është shqiptar dhe ai dashje pa dashje, këtë emër e merr me vete, kudo. E kam pas një babë të mençur që më ka dhënë dy këshilla; E para: “Nuk ekzistojnë popuj të mirë e të këqij, religjione të mirë e të këqij, por ekzistojnë vetëm njerëz të mirë e të këqij”. Dhe e dyta: “Nëqoftëse nuk e do popullin tënd, nga i cili rrjedh, me të gjitha të metat, marrëzirat apo të mirat që ai ka, nuk mundet me dashtë askënd”.
Po si ia ka mbërritur Bekim Fehmiu të fitojë këtë famë e sukses në kinematografinë e huaj?
Bekim Fehmiu: Nuk ka qenë aspak e lehtë. Ju duhet ta dini se jam i pari shtetas nga të gjitha shtetet lindore, komuniste, që nuk kam pranuar ta ndërroj emrin tim shqiptar. Kam qenë në Romë për xhirimet e filmit “Aventurierët”, pas pesë javësh xhirimi, më thërrasin dhe më urdhërojnë të ndërroj emrin. -Jo-u them prerë. -Ky është emri im dhe unë vetëm me këtë emër do të punoj, nëqoftese nuk pranoni ju, unë e prish kontratën e filmit me ju… Atëherë pata ndërhyrje e presione nga me të ndryshmet, pasi u shkaktoja shumë dëme financiare po të largohesha nga xhirimi, sepse ishim në mes të filmit dhe ai duhet të përfundonte sa më parë. Kështu ata u detyruan të më imponohen me emrin tim shqiptar.
Çfarë do të veçonit nga karakteristikat e shqiptarit, që ju i vlerësoni më shumë?
Bekim Fehmiu: Krenarinë, vendosmërinë dhe shpirtin e paepur. Po ju tregoj një shëmbëlle nga jeta ime artistike. Kam qenë me xhirime në Itali dhe isha vendosur në ‘Grand Hotel’ në Romë. Aty ishte edhe i madhi Çarli Blludon, që shëtiste çdo natë me yjet e kinematografisë. I kishte bërë përshtypje mungesa ime dhe më kishte kërkuar, por unë atëherë në kohën e lirë studioja gjuhën angleze dhe nuk kisha kohë, megjithatë, për këmbënguljen e tij i le takim në orën 16. 30. Jam shumë korrekt në orar dhe shkova pak minuta para orarit dhe e prita në holl. Kaluan 10, 30 minuta, kaloi një orë, dy orë dhe unë më në fund nuk durova. I shkrova një letër ku i thosha se, koha ime e lirë kishte kaluar dhe unë nuk kisha më tepër se dy orë kohë për ta pritur zotërinë e tij. Të nesërmen ai më kërkon të falur dhe më lutet për ta pritur në një tjetër ditë, por unë siç iu thashë nuk kisha më kohë e iu përgjigja: “Unë ju respektoj, por ajo ishte dita ime e vetme e lirë”. Doja që gjithkush të respektonte vendimet për lirinë time, për jetën time. Kështu që u desh të kalonin shumë muaj deri në Krishtlindjet, kur unë së bashku me gruan time Branka isha në Bogota dhe zoti Çarli organizoi një pritje madhështore për ne, ku na mbuluan me peshqeshe. Dhe gjithçka ia dedikoj krenarisë sime dhe punës së palodhur e cilësore, që u ka imponuar të gjithëve respekt.
Po ju, zonja Branka, si ndjeheni, që jeni për herën e parë në Shqipëri?
Branka Fehmiu: Së pari dua t’ju them se jam shumë e lumtur që jam në vendin e origjinës së burrit dhe njëkohësisht të djemve të mi dhe që morra pjesë në koncertin e organizuar nga zonja Vera Grabocka në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Më pëlqyen shumë këngëtarët dhe aktorët e mrekullueshëm shqiptarë. Kisha dëgjuar për ta por tani i pashë vetë nga afër dhe jam e lumtur, që jam këtu.
A kini dëgjuar më parë për Shqipërinë?
Branka Fehmiu: Babai im e ka dëgjuar me ëndje Radio Tiranën që nga viti 1945 e deri në vitin 1967 kur ai ndërroi jetë. Edhe unë duke dëgjuar babanë, që e pëlqente shumë muzikën dhe këngët shqiptarë, më duket sikur jam rritur me ketë muzikë.
Cili është profesioni juaj dhe ç’mund të më thoni për jetën tuaj?
Branka Fehmiu: Unë jam aktore prej shumë vitesh. E dua profesionin tim dhe vazhdoj ende të punoj. Mendoj se është shumë mirë si për mua edhe për Bekimin puna jonë, sepse jemi të dy në të njëjtin profesion, studiuam të dy njëkohësisht dhe u përgatitëm të dy për teatrin, filmin dhe televizionin. Nuk është e lehtë të kuptosh problemet e aktorit, por ne e kemi kuptuar mjaft mirë njëri tjetrin.
Kur jeni njohur me Bekimin dhe a ka qenë dashuria ajo që ju ka lidhur në martesë?
Branka Fehmiu: Unë do të thoja se për një kohë të gjatë ne kemi qenë shokë në Akademinë e Arteve në Beograd, ku edhe jemi njohur, pastaj u bëmë miq, por ende nuk kishim rënë në dashuri. Kur jemi njohur, më kanë prezantuar për të luajtur së bashku. Mësova që ai ishte kolegu im dhe njëkohësisht partneri im në rolin që do të interpretonim. Kështu filluam karrierën artistike së bashku për pesë vjet, thjesht si kolege dhe miq, nga viti 1963 dhe në vitin 1968 u martuam. Do të përmendja vitin 1967 kur ne ishim në festivalin e Kanës në Francë, ku u luajt filmi “Cigani i lumtur” nga zoti Sasha Petroviç. Ai film pati sukses dhe Bekimi u duartrokit shumë veçanërisht në momentin kur, në rolin e tij të ciganit, gjakos duart me copat e xhamit. Të gjithë e duartrokitën këtë film, të interpretuar bukur në gjuhën frënge. Pas suksesit të filmit ne i shfaqëm dashurinë njëri tjetrit dhe vendosëm, që dashurinë tonë ta kurorëzonim në martesë. Mbas Festivalit të Kanës ai luajti Uliksin në filmin “Aventurat e Uliksit”, që pati një sukses të madh, por të gjitha filmat e tij kanë qenë në gjuhë të huaj. Ndaj u gëzova shumë kur e pashë Bekimin krenar të recitonte në sallën e Pallatit të Kongreseve në gjuhën shqipe, që ai e do kaq shumë.
Po ju a dini pak shqip?
Branka Fehmiu: Po, pak- me flet ajo të vetmet fjalë në shqip, pasi bisedën e zhvilluam në anglisht. Jam përpjekur të mësoj gjuhën shqipe në kohën kur ishim së bashku në Itali për një film. Mësonim të dy; ai gjuhën angleze, unë italianen dhe në pushim ai merrej me mua për mësimin e gjuhës shqipe. Më pëlqen, është një gjuhë shumë e bukur, madje kur kam folur me ekspertë të gjuhës shqipe, që e njohin mirë prejardhjen e saj, kam kuptuar që ajo është një gjuhë krejt e veçantë dhe shumë e vështirë njëkohësisht. Po të dish pak latinisht e ke të lehtë të mësosh italisht, frëngjisht madje edhe gjermanisht, por me shqipen është krejt ndryshe… Pastaj për një kohë të gjatë Bekimi mungonte në shtëpi, për shkak të filmimeve në vende të ndryshme, madje edhe kur kishte kohë të lirë ai merrej me gjueti, pasioni i tij. Pastaj mbas martese u rritën vështirësitë, lindën djemtë dhe unë më pak kohë kisha.
Ju keni dy djem, po ata e kanë mësuar gjuhën shqipe?
Branka Fehmiu: Po, të dy djemtë flasin shqip, veçanërisht i madhi e di shumë mirë. Bekimi është i talentuar në mësimin e gjuhëve dhe djali i madh i ka ngjarë shumë të atit dhe është aktor, ashtu si ne. Ai ka mbaruar Akademinë e Artit në Beograd dhe ka filluar një karrierë të shkëlqyer si aktor, por mbas ngjarjeve të tmerrshme të luftës në Jugosllavi u largua në New York. Pas pesë vjetësh u largua edhe djali i vogël. Djali i madh është martuar dhe kanë lindur një vajzë, Anikën, që është gëzimi ynë.
Çfarë mendoni për gratë shqiptare?
Branka Fehmiu: Për gratë shqiptarë kam dëgjuar shumë nga Bekimi, që e adhuronte nënën e vet. Tani që i kam parë në rrugët e Tiranës dhe në teatër, grate shqiptare i pëlqej pasi janë shumë të bukura, të gjalla, të dashura dhe inteligjente. Në përgjithësi gratë mbajnë shumë peshë mbi vete dhe gjithmonë ia dalin me sukses.
Do t’ju pëlqente të vinit sërish në Shqipëri?
Branka Fehmiu: Po. Nëqoftëse do të kem kohë, do të vij me kënaqësi së bashku me Bekimin në muajin shtator. Shqipëria ka vende kaq të bukura dhe unë nuk munda t’i shoh, për kohën e shkurtër që qëndruam. Gjithsesi më lejoni t’ju jap nëpërmjet jush përshëndetjet e mia të nxehta gjithë shqiptarëve.