Veprimtari i shquar italo-arbëresh: Klasa politike në Kosovë duhet të rishikojë vendimin ndaj Ambasadores Lama
Veprimtari i shquar për çështjen e Kosovës nga Padova e Italisë, Francesko Arnau ka reaguar me një shkrim në Facebook në lidhje me vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të larguar para kohe nga detyra ambasadoren në Itali, znj. Alma Lama. Ai e konsideron këtë një vendim të gabuar dhe të dëmshëm për shtetin e ri të Kosovës, i cili siç thotë, ka nevojë të prezantohet në mënyrë dinjitoze, siç ka bërë Ambasadorja Lama. Francesko Arnau është një veprimtar italo-arbërberesh, i cili është angazhuar në Itali që prej viteve 90 për çlirimin e Kosovës, nëpërmjet aktiviteteve të shumta politike dhe lobimit pranë institucioneve italiane. Ai gjatë luftës solli në Kosovë një numër të deputetëve dhe senatorëve italianë si dhe deputetë të Parlamentit Europian, për të parë gjendjen në Kosovë dhe për të denoncuar krimet që bënte regjimi i Millosheviqit. Arnau po ashtu ka dhënë një kontribut të çmuar në organizimin e fushatave humanitare në Itali për të ndihmuar Kosovën.
Letra e plotë e Francesko Arnau
1919-2019. Këtë vit festohet Njëqindvjetori i Panairit Ndërkombëtar të Padovas. Ishte inaguruar vitin pasardhës të Luftës së Parë Botërore në Padova, dhe që në atë kohë imponohej si një qytet i ndryshimeve të mëdha dhe predispononte rilindjen e madhe industriale pas shkatërrimit të luftës.
Sot me 1 qershor 2019, Kryetari i komunës Giordani ka rikujtuar sukseset e të shkuarës, duke uruar një ringritje të menjëhershme të panairit.
Disa gazetarë që ishin prezentë vunë re një gjë që nuk shkonte: prezencën e autoriteve politike që përbëhej vetëm nga burrat, por me një përjashtim, me pjesëmarrjen e ambasadores së Republikës së Kosovës në Itali, zonjës Alma Lama.
Fjalimi i saj u vlerësua shumë nga publiku. Fjalë të qarta e pasionante që vunë në pah karakteristikat pozitive të shtetit të Kosovës, i gatshëm sic tha ajo, për të mirëpritur investime të huaja, veçanërisht ato italiane. Kosova, pohoi ambasadorja Lama, posedon të gjitha karakteristikat e një vendi që kërkon investime të huaja, duke filuar nga të rinjtë që përfaqësojnë një numër të lartë të popullsisë, të aftë për të siguruar një të ardhme të ndritshme.
Ky fjalim i Alma Lamës është vetëm një nga aktivitetet e saj diplomatike që kanë të bëjnë me mbështetjen e ekonomisë dhe të ardhmen e Kosovës. Edhe në të shkuarën ambasadorja kishte paraqitur mundësisë dhe ofertat e vendit të saj, pranë institucioneve ekonomike në qytetin e Padovas.
Kujtojmë veçanërisht dy iniciativa të mbajtura në Dhomën e Tregtisë së Padovas që kishin zgjuar interesin e këtij institucioni komercial. Këto janë frute të të gjitha përpjekjeve diplomatike që po realizohen falë interesit që ajo ja ka dalë të zgjojë tek subjektet ekonomike tek ndërmarrësit italianë e veçanërisht ato padovanë.
Rruga që ka shtruar Alma Lama ka nevojë absolute për vazhdimësi. Marëdhëniet dhe raportet e krijuara me shkathtësi nga Ambasada e Kosovës në Itali, kërkojnë një konfirmim dhe një përforcim në rrugën e shtruar.
Një shtet i ri, i pavaruar vetëm prej rreth 10 vitesh , meriton një të ardhme më fatlume pas shumë vuajtjeve që ka përjetuar popullsia e tij gjatë një lufte të përgjakshme, plagët e së cilës mund të shërohen edhe me zhvillimin ekonomik dhe prezencën në Europë.
Alma Lama ka përfaqësur të gjithë këtë me prezencën e saj në Romë, duke përforcuar ndër të tjera edhe lidhjet historike, kujtesën dhe kulturën me etninë arbëreshe italiane. Si një qytetar italian që i përket grupit etnik arbëresh, unë konsideroj se vendimi i qeverisë së Kosovës për të mos ia vazhduar mandatin e znj.Alma Lama si ambasadore, është i gabuar dhe i dëmshëm për shtetin e Kosovës.
Kërkoj mirëkuptimin e klasës politike qeverisëse në Kosovë që të rishohë këtë vendim.
Post scriptum
Dëshiroj të sqaroj se ky shënim i imi nuk lind nga ndonjë interes personal, por nga bindjet që unë i kam zhvilluar gjatë gjithë këtyre viteve në interes të Kosovës, vend që e dua shumë dhe me të cilin jam shumë i lidhur nga rreth 20 vjet, saktësisht që nga dhjetori i vitit 1998, kur duke u nisur nga një mocion që unë kam prezantuar dhe miratuar në Këshillin Komunal të Padovas, u vendos që të angazhoheshim në mobilizimin ndërkombëtar për paqen dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.
Miratimi i këtij mocioni u pasua me dërgimin e një delegacioni në Prishtinë me 10 dhjetor 1998, i koordinuar nga unë, së bashku me parlamentarë italianë. Nëse githë kësaj i shtoj se unë jam italian që flet edhe gjuhën shqipe, normalisht do të duhej të isha krejt i painteresuar për të mbrojtuar rastin e zonjës Lama, por për interesat e Kosovës ajo duhet të rikonfirmohet në Romë.