Albspirit

Media/News/Publishing

Baftjar Dobi, ky bir i denjë dhe i çuditshëm i Gjirokastrës

Baftjar Dobi, ky bir i denjë dhe i çuditshëm i Gjirokastrës

Zylyftar HOXHA

Në kujtimet e jetës sime të mbledhura në një libër, të cilin në një kohë të caktuar edhe mund ta botoj, një vend të rëndësishëm zënë kujtimet mia në Gjirokastër, kur unë,në rrethana të caktuara, kam qenë në këtë qytet rreth dy vjet, në vitet 1969 – 1970. Para Gjirokastrës, kam qenë në Berat, ku për katër vjet me radhë kreva shkollën e mesme. Pra mund ta quaj fat që një pjesë të mirë të rinisë time e kalova në këta dy qytete historikë, më të bukurit dhe më të lashtët në Shqipëri, të cilët kanë ndikuar jo pak në në formimin tim kulturor, por edhe shoqëror, duke u lidhur me njerëz të moshave dhe kategorive të ndryshme, së tepërmi me qytetarë të thjeshtë mes të cilëve jetoja.

Dhe një nga këta ka qenë Baftjar Dobi, episodet e njohjes me të cilin po i shkëpus nga kujtimet e mia, me kërkesë të së bijës së tij, Nildës.

E mbaj mend si tani Baftjarin, që atëhere ishte një djalë i ri, i sapo kthyer nga shkolla e lartë. Ishte ekonomist a financier (në atë kohë të dy këta profesione më dukeshin e njëjta gjë) në ndërmarrjen tregtare, që edhe kjo ndahej nëdy degë, NTSH dhe NTU, por qëunë nuk e pyeta asnjë herë se në cilën nga këto punonte.

Baftjari në atë kohë kishte një profil fizik të dallueshëm nga vërsnikët e tij në tërë Gjirokastrën, që i vinte jo më shumë nga ceni i dorës së prerë apo shenjat e ciflave të bombës në fytyrë, të cilat i kishte “kujtim” nga paslufta në vogëli, se sa nga shtati i lartë, i drejtë; nga flokët bjond në të kuq; nga veshja e gjetur, zakonisht bezhë me të bardhë;nga energjia që zotëronte në të gjithë qenien e tij; nga një dritë e përhershme dashamirëse e fytyrës dhe një buzëqeshje e sinqertë rrezatuese.

Por më shumë se të gjitha këto që thamë më sipër, atë e bënte të dukshëm dhe të dallueshëm protagonizmi i tij, aktivizimi pothuajse në të gjitha veprimtaritë politike, sociale, historike, kulturore e artistike të qytetit. Baftjari ishte pjesë e çdo botimi, i çdo ekspozite, i çdo grupi teatror, grupi folklorik apo edhe i aktiviteteve sportive.

Duke qenë në tregti, ai merrte informacion për çdo njeri që hynte e dilte në Gjirokastër dhe bënte të pamundurën për t’i krijuar komoditetin më të mirë të mundshëm për fjetje, për ushqim, madje edhe për shoqërim. E kisha parë shpesh në krye tëg rupeve me turistë vendës dhe të huaj, duke bërë rolin e ciceronit  nëmuzeume, Kala, Qafën e Pazarit, kodrën e Obeliskut, shtëpitë karakteristike të Pllakës, Cfakës dhe Palortosë etj. Ishte kjo arsyeja që ai kishte miq të shumtë në të gjithë Shqiërinë. Krahas kësaj, për shkak të pozicionit të punës si drejtues tregtie, ai kishte informacion për çdo ngjarje familjare, e gëzueshme apo e hidhur në Gjirokastër. Brenda, ndonjëherë edhe jashtë mundësive, ai u qëndronte njerëzve pranë, në radhë të parë për t’u plotësuar nevojat më imedjate për mallra që atëhere ishin të kufizuara.  Në raste vdekje: rrobat e errëta, kafe, ushqime; në raste dasmash: rroba dhëndërrie dhe nusërie, ushqime, lokale ceremonish etj.

Pas më shumë se 15 vitesh, u habita kur e pashë Baftjarin në Çorovodë, në qytetin ku unë banoja, në krye të një grupi njerëzish. Pasi u takuam përmallshëm, i ftova mysafirët për kafen e mikpritjes dhe po mendoja se si mund t’i kënaqja sa më mirë ata. Të them të drejtën, edhe u shqetësova pak, se e dija se çfarë bënte Baftjari në këto raste. Por ai sikur e lexoi shqetësimin tim, kur unë thirra një mikun tim dhe po i jepja porosi për hotelin dhe restorantin ku do të bujtnin.

-Mos u shqetëso, Zylo – më tha – është çdo gjë në rregull, na ka thirrur Elmazi.

Dhe më tregoi se pse kishte ardhur. Elmaz Puto, në atë kohë sekretar i parë në Skrapar, i ishte lutur që ta ndihmonte për ringritjen e një lokali në qendrën e qytetit. Dhe ai kishte marrë projektues, arredues, inxhinierë, mercologë për të bërë projektin. Nuk kaloi shumë dhe pas tre muajsh lokali u ngrit.

Ky lokal, i ndërtuar prej gjirokastritëve me gurë të Dropullit, është edhe sot në Çorovodë. Buzë lumit, nën hijen e rrepeve, ai ështëlokali më i bukur, më i freskët dhe më i frekuentur i qendrës së qytetit. Quhet “Verori”. Këtë emër mban edhe sot qëështë privatizuar. Sa herë shkoj në vendlindje, ulem e pi kafen aty, që, krahas shumë të tjerave, më kujton edhe mikun tim të mirë, Baftjar Dobin, që pak njerëz të këtij qyteti e dinë se “Verori” është vepër-dhuratë e këtij njeriu të mrekullueshëm.

Pas kësaj, nuk ma priste kurrë mendja se do të takohesha përsëri me Baftjarin. Në vitin 2000, bashkë me djalin tim, Eraldin, po interesoheshim për të blerë shtëpi në zonën e 21-it në Tiranë, që unë e kam patur shumë për zemër, pasi kam patur një hallën time dhe vija shpesh aty. Pra e njihja mirë si zonë. Prapa ish-Uzinës “Enver” sa kishin filluar të ndërtohej një grup pallatesh. Shkojmë aty, kur para një pallati që ishte akoma në në gropë, mbi një pirg dheu shoh Baftjarin që bisedonte me një grup njerëzish dhe bënte me dorë nga pallati. E pritëm sa mbaroi, pastaj u takuam, natyrisht të përmalluar, por edhe paksa të çuditur për këtë rrethanë në të cilën u takuam.

Mësova se ai aty kishte marrë dy vende për ndërtim pallati. Nuk e zgjata, i thashë nëse kishte hyrje të pa zëna. “Për të mirë, ka” – më tha. Dhe shkuam te zyrat që ishin te pallati që quhej “Melrose”, ku konkretizuam marrëveshjen.

Edhe sot jam në këtë pallat. Kam komshi dy vajzat e Baftjarit. Sa herë këmbehem me to nëpër shkallë, më kujtohet i ati i tyre, miku im i vyerë që tani nuk jeton më, por që ka lënë pas kujtimin e mirë.

Kush ishte Baftjar Dobi

Kishte lindur më 7 mars 1946 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Ishte diplomuar për Mercologji dhe Gjuhë – Letërsi. Që nga viti 1967 kishte drejtuar në mënyrë të sukseshëm sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si ndërmarrje tregtare, në komitetin ekzekutiv të rrethit etj.

Që nga viti 1991 e deri sa u nda nga jeta në korrik të 2013-ës ishte në krye të dy firmave në fushën e tregtisë dhe të ndërtimit.

Për Baftjar Dobin është botuar një libër i tërë monografik, ku shumë miq dhe shokë të tij intelektualë kanë shkruar kujtimet e tyre. E gjeta të udhës që për të njohur më mirë jëtën dhe veprimtarinë e Baftjar Dobin, të paraqes më poshtë shënimet e Moikom Zeqos në këtë libër:

“Nga tërë njerëzit që kam njohur, Baftjar Dobi qe për mua një nga më të veçantët, nga më të vërtetët si pakush. Takimet dhe bisedat tona ma modeluan profilin e tij të spikatur dhe të pafalsifikueshëm dot. Ai qe një shqiptar i shkëlqyer me karakter të fortë, me vizion kulturor. Bir i denjë dhe i çuditshëm i Gjirokastrës, Baftjar Dobi shkroi librin e tij, nga më të bukurit dhe interesantët për Gjirokastrën. Libër i shkruar me mjeshëtri të lartë. Një libër që do të mbetet. Baftjari qe sekretar i Komitetit për Mbrojtjen e Vlerave dhe Monumenteve të Gjirokastrës. Së bashku me të botuam revistën “Gjirokastra”, me disa numra, dëshmi e lartë e vetëdijes kombëtare për Gjirokastrën, metropolin e Jugut.

Nga Baftjari kam mësuar shumë. Bisedat me të ishin të pazakonta, plot detaje dhe dituri. Baftjari përfaqësontë një kulturë proverbiale, sa popullore aq edhe intelektuale. Baftjari qe njeriu i dialogut. I mrekullueshëm në dialog.

Baftjari qe i hapur, një mendje e kthjellët, krenar dhe gazmor. Teka ai mishëroheshin tiparet më të mira njerëzore. Ai jepte dashuri dhe e shumfishonte dashurinë te të gjithë. Baftjar Dobi krijoi një shëmbëlltyrë frymësuese. Një shëmbëlltyrë që grish nderim të madh.

Është vështirë për ta portretizuar posmortum figurën e Baftjar Dobit me disa rreshta dhe stil epigramik, sepse njeriu është (dhe do të jetë) shumë më tepër se sa vdekja e papritur fizike. Baftjar Dobi nuk do të harrohet asnjëherë”, mbyll shënimet e tij akademiku Moikom Zeqo.

Porta të braktisura

Baftjar Dobi kishte një kontribut të veçantë, jo vetëm si organizator dhe dashamirës arti, por edhe si botues dhe krijues. Në vitet 2000 ai themeloi dhe drejtoi një revistë kulturore, ku pasqyroheshin vlerat historike dhe etnokulturore tëGjirokastrës dhe rrethinave të saj. Kjo revistë u botua për disa vite me radhë. Si një mecenat arti, ai sponsorizonte veprimtari kulturore, botime librash dhe gazetash.Shkruante edhe vetë. Janë dhjetëra artikuj, analiza, opinione, studime në shtypin kombëtar dhe atë lokal të shkruara nga dora e tij.

Por vepra që e bëri të njohur dhe e radhiti Baftjarin ndër intelektualët krijues më në zë të Gjirokastrës, ishte libri“Gjirokastra jonë”, një libër unikal, që pa frikë vjen pas, dhe në disa raste edhe plotëson, veprën e Ismail Kadaresë, “Kronikë në Gur”. Libri, i shkruar me dashuri dhe mjeshtëri është një guidë e vërtetë letraro – historik edhe turistike e qyteti, ku çdo banor i Gjirokastrës që është aty apo edhe ai që është i larguar prej vitesh, gjen aty veten, gjen shtëpinë dhe njerëzit e tij të dashur; gjen rininë, por edhekujtimet e të parëve.

Veç librit “Gjirokastra jonë”, Baftjari kishte në proces përfundimtar një tjetër libër me një titull paksa të dhimbshëm “Porta te braktisura”. Kuptohet që nga titulli, bëhet fjalë për largimet e kohëve të fundit të gjirokastritëve drejt metropolit dhe jashtë Shqipërisë, duke e braktisur qytetin, duke i venitur atij jetën, duke i zbehur gjallërinë, zërat njerëzorë, duke e tharë e shkretuar.

Edhe këtu, si në librin e parë, ai tregon madhështinë e dikurshme të Gjirokastrës, por më tepër i mëshon të sotmës dhe të ardhmes së këtij qyteti, duke ngritur alarmin për atë braktisje apokaliptike që po i bëhet kësaj perle historike dhe turistike.

Gjirokastra në UNESCO: “I lumtur, që firma ime u bë historike”!

Baftjar Dobi ishte iniciatori i ngritjes së Forumittë Intelektualëve të Gjirokastrës dhe një ndër drejtuesit kryesor të tij. Që nga krijimi i këtij forumi e deri sa u nda nga jeta ai mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të tij. Ishin përpjekjet e tij personale dhe të shumë intelektualëve të tjerë të shquarë gjirokastritë që Gjirokastra u pranua në UNESKO.

Kjo ka qenë nga ngjarjet më e rëndësishme të jetës së tij, madje kurora më e lartë dhe më e bukur e nderit, siç e pohonte vetë, kur thoshte: “Kam hedhur me mijëra firma në jetën time, por firma që zyrtarizoi pranimin e Gjirokastrës në UNESCO është për mua firma më e paharruar, historike, do të thosha dhe jo vetëm për qytetin tonë, por për mbarë kombin”./gazeta dita/

Please follow and like us: