Albspirit

Media/News/Publishing

Në botën e letërsisë së madhe ka tabu, të cilat mund të shtjellohen vetëm nga gjenialët

Fotografia e Entela Kasi

Në botën e letërsisë së madhe ka tabu, të cilat mund të shtjellohen vetëm nga gjenialët.

Nga Entela Kasi

Letërsia është mesazh hyjnor – Kadare

 

 

Ende edhe sot bota ndërkombëtare e letrave ka tabutë e saj, të cilat mund të shtjellohen vetëm nga gjenialët. Shekspiri shkroi për dilemat e mëdha ekzistenciale të qenies sonë si njerëz dje dhe sot, për përbindëshat e demonët që deformojnë ndërgjegjet tona, të cilët tragjedia mund t’i çlirojë me katarsin.

Gjithmonë në takime mes shkrimtarëve të përmasave botërore, si Kadare me mendimtarë, studiues seriozë të çështjeve të letërsisë dhe arteve, filozofë të kohëve që jetojmë, koha në vetvete si element nuk mjafton për të shtjelluar çështjet madhore të letërsisë së shkëlqyer nga antikiteti në ditët tona. Terry Carlbom, studiues, filozof, Sekretar i Përgjithshëm i PEN International (1998 -2004), një prej intelektualëve më të rëndësishëm të Europës, mbërriti nga Suedia në Shqipëri, për të takuar Kadarenë në Tiranë.

Kadare, për herë të parë shtjelloi një tezë mbi letërsinë e madhe, mbi Shekspirianizmin, e cila ende mbetet një tabu në botën e sotme. Pushkini dhe Nikolaj Gogol, të letërsisë së madhe ruse ishin Shekspirianë në veprat e tyre letrare, ndërsa Tolstoi i dha argumente letërsisë për proletariatin skllav të revolucionit, duke e zbritur letërsinë tek masat. Ndërsa letërsia është mesazh hyjnor.

Tolstoi ka një libër të tërë përçmues për krijimtarinë e Shekspirit. Kjo mësymje ndaj vlerave të patjetërsueshme nga shekujt të Shekspirit është marrë si një trill xhelozie i shkrimtarit Leon Tolstoi ndaj një titani të letrave si Shekspiri. Në të vërtetë ka diçka më ogurzezë, më të mbrapshtë. Libri i Tolstoit kundër Shekspirit fsheh një tentativë për letërsinë me program, për letërsinë me mision, me teza për t’u shërbyer filozofive, shtresave, masave, popullit etj. Para tij Pushkini dhe N. Gogoli ishin shekspirianë në konceptet e praktikat krijuese. Gogoli nga presioni i rrymës kundëreuropiane ndaj tij, si shkrimtar bëri vetëvrasje, dogji veprën, pjesën e dytë të romanit “Shpirtra të vdekura”, u thye, ra në depresion.
Libri i Tolstoit kundër Shekspirit u dha teza komunistëve si Lenini, u dha teza teorikëve të real-socializmit për letërsinë proletare etj. Tolstoi dha një libër që solli regres në mendimin dhe praktikën krijuese. Kjo tabu nuk preket edhe sot.

Carlbom dhe Kadare, në bisedën për letërsinë dhe artet, do të mbeten një prej ngjarjeve më të bukura të Tiranës të kësaj pranvere, për të cilën koha do të jetë gjithmonë e pamjaftueshme deri ditën kur Kadare të na sjellë një tjetër sprovë letrare, e cila do të ketë si kumt Shekspirianët. Një tabu së cilës mund t’i afrohen vetëm gjenialët, e në këtë rast Kadare.

Terry Carlbom, me elegancën tipike trashëguar kjo prej origjinës së tij londineze, e njëkohësisht me qetësinë e kthjellët intelektuale të mjeshtrit të filozofisë skandinave i shprehu Kadaresë mirënjohjen më të thellë jo vetëm për kohën të cilën ndanë së bashku në Tiranë, por për mesazhet e ndritura të letërsisë të cilat Kadare me gjenialitetin e tij ka pasur aftësinë për t’i përcjellë njerëzimit, ku letërsia dhe artet mbeten një pasuri e çmuar për trashëgiminë shpirtërore të botës në të gjitha kohët, pavarësisht kufijve dhe kufizimeve.

Fotografia e Entela Kasi

Fotografia e Entela Kasi

Tiranë, 9 Qershor 2019.

Please follow and like us: