Albspirit

Media/News/Publishing

Veprimtari për 99 vjetorin e Luftës së Vlorës 1920 dhe nderim për gruan labe

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Kronik për aktivitetin

Në kuadrin e 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut, Muzeun Historik Kombëtar, Shoqata Kulturore Atdehtare “Labëria” “Nderi i Kombit”, Organizata e Veteranëve të LANÇ-it dhe Shoqata e Historianëve Ushtarak organizuan një veprimtaria me objekt “99 vjetorin e Luftës së Vlorës 1920 dhe nderim për gruan labe”.

Fjalën e hapjes e mbajti Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut i cil theksin e vuri tek rëndësia e përkujtimit të përvjetorëve të Luftës së Vlorës dhe të Çlirimit të Atdheut, si dhe në nderimin e gruas labe.

Më tej moderatorët Kastriot Hadëraj dhe Anxhelina Zholi drejtuan të gjithë veprimtarinë. Për disa veçori dhe karakteristika të Luftës së Vlorës diskutoi Bashkim Qeli, historian ushtarak; për Luftën e Vlorës si vendimtare për sigurimin e pavarësisë, diskutoi Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, si dhe për rolin e gruaja shqiptare në Luftën e Vlorës, diskutoi Dr. Asllan Zemani.

Në nderimin për për gruan labe nga shoqata “Labëria”, ju dha “Mirënjohja e Labërisë”, Sibe Shefit Zotaj (pas vdekjes) nga Prof. Dr. Ago Nezha, kryetari i shoqatës “Labëria”, i cili bëri një vlerësim për veteranen, gruan patriote, gruaja bujare, të edukuar dhe respektuar në Smokthinën e Vlorës. Ndërsa anëtari i kryesisë së shoqatës “Labëria”, Dr. Neki Dredha, solli kujtime nga jeta e saj. Duke marrë dekoratën në emër të familjes përshendeti vajza e saj Argjiro Shurdhaj (Zotaj), ku falënderoi shoqatën për vlerësimin që i bëhet nënës së saj. Diskutoi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Veteranëve të LANÇ-it, Odise Porodini, i cili vlerësoi lart veteranen e nderuar dhe theksoi rëndësinë që ka përkujtimi i 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Pastaj u kënduan këngë nga grupi lab i Fushë-Bardhës me në krye Trifon Golemi, kënduan Mira Qatipi, me fyell interpretoi Përparime Lefter Çipa dhe recitoi Anxhelina Zholi. Për të pranishmit Familja Zotaj shtroi dhe një koktejl.

Fisnik dhe trima të shquara të Luftës së Vlorës

Lufta e Vlorës filloi dhe mbaroi si luftë e fisnikëve dhe luftëtarëve popullor që u hodhën mbi pushtuesin, e që përfaqësonte vendosmërinë e patriotizmin e lartë, të ngritur politikisht e me një vetëdije të pjekur kombëtare. Ajo ishte, gjithashtu, një luftë e organizuar dhe e drejtuar në rrafsh lokal e kombëtar. Ishte bërë traditë organizimi i manifestimeve popullore para fillimit të luftimeve, kështu u veprua dhe me luftën e Vlorës.

Atdhetaria për kombin nuk pranon fillim dhe mbarim, as lokalizëm, por ka vetëm dashuri dhe vetëflijim në vazhdimësi. Zjarrin e luftës për liri e mbajti të gjallë i gjithë populli, që u organizua, u drejtuan dhe u udhëhoq nga parësia e krahinave të Vlorës dhe të Shqipërisë. Emrat që përmenden në këngët labe tregojnë se të gjithë ishin të pasur, se parësia e vendit, që këngëtari popullor i ka quajtur bejlerët dhe agallarët, e që luftuan kundër pushtimit italian ishin patriot e atdhetar. Parësia luftoi së bashku me popullin e thjeshtë. Emrat e fisnikëve dhe trimave, të cilët luftuan dhe dhanë jetën, u përjetësuan, në këngët popullore, në kujtesën e kombit. Këngët e popullit mjaft studiues, me shumë të drejtë, i quajnë “arkiv i gjallë i historisë së popullit shqiptar”.

Lufta u drejtua politikisht nga bijtë e shkolluar të qytetit dhe të fshatrave të zonës së Vlorës, nëpërmjet Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, këshillit të luftës dhe të veprimtarëve të shquar të organizatave politike dhe ushtarake, kurse fshatrat u bënë baza e luftës dhe që ju dha forcën kryesore, luftëtarët popullorë.

Kuvendi i Barçallasë e mbledhja e Beunit më 2 qershor 1920, me organizmat e ndryshme që u krijan, që nga komisioni i të 12-ve e deri te komandantët e çetave, përfaqësojnë organizimin ushtarak dhe politik të luftës së armatosur. Kuvendi i Barçallasë zgjodhi një Këshill Kombëtar me 35 anëtarë, si dhe Komitetin e Ri të “Mbrojtjes Kombëtare” me Osman Haxhiu – kryetar dhe anëtarë të sprovuar si Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzarai.

Të gjithë këta burra ishin me shkollë të kohës, ushtarak, jurist, ekonomist, disa kishin qenë prefekt, kryetar bashkish e krahinash, firmëtarë të pavarësisë, komandant çetash patriotike, kryepleq dhe bujarë që ju dëgjohej mendimi dhe u vlerësohej gjykimi në popull. Këta në themel të kësaj lufte vendosën dinjitetin dhe karakterin luftarak të zonës së Vlorës dhe Labërisë, për të qenë të lirë në trojet e veta.

Dhe bukur del ideja e këngëtarit popullor kur shprehet:

O djem na iku vatani,

Vlorën me gjak ta lani,

Të na njohë italiani.

Luftëtarët e palcës së stërrallit, bijtë vlonjatë dhe të Shqipërisë, ju derdhën vdekjes si fëmija gjirit të nënës, për të mbetur ata zotër të qiejve dhe rrënjëve të maleve të tyre, me lavdinë dhe emrat që i kërkonte koha, si Zigur Lelo, Sali Vranishti, Sado Koshena, Selam Musai e Kana Maze, për të ngelur përjetë në altarin e lirisë së bashku me 150 luftëtarë dëshmorë të kësaj lufte epope.

Lufta e Vlorës, për heroizmin që treguan fisnikët dhe luftëtarët, për fitoren e tyre shumë të rëndësishme mbi pushtuesit italianë, mbeti dhe qëndron në mendjen e popullit si një shembull i lartë i luftës për ruajtjen e lirisë e të pavarësisë së vendit, shembull i qëndresës së tij të vendosur. Lufta e Vlorës e vitit 1920, mbetet mësim për të sotmen…

Nderim për gruan labe, Sibe Shefit Zotaj

Ajo lindi më 12 mars 1902 në fshatin Karbunarë të Vlorës në një familje me histori të lavdishme, njerëz të penës dhe të pushkës. Babai i saj, Shefit Xhafaj dhe xhaxha Pelivan Xhafaj, të shkolluar, morën pjesë në Luftën e Vlorës 1920. Babai i saj ra dëshmor në luftë. Sibja ishte 3 muajshe, kur babai i saj ra në fushën e luftimeve. Sibja u rrit te xhaxhallaret e saj në Karbunarë dhe në Vlorë, deri sa në vitin 1940 u martua me Hiqmet Zotaj nga Ramica e Vlorës. Në shtëpinë e Zotajve u ambjentua shpejt dhe ndoqi rrugën dhe edukatën që gjeti, ashtu siç dhe e trashëgonte nga fisi Xhafa.

Sibja gjatë LANÇ-it ka shërbyer pranë komandës së Qarkorit të Vlorës, që ndodhej në Ramicë, e në shtëpinë e Zotajve. Ka dhënë një kontribut të veçantë për gatimin e ushqimeve për drejtuesit dhe udhëheqësit, si dhe ka shërbyer në Spitalin Partizan të Ramicës. Në çlirimin e vendit ajo vijoi punën duke u shërbyer të gjithë të deleguarave që vinin në fshat. Dhoma e Agait e shtëpisë së Zotajve ishin gjithmonë strehë për të deleguarit. Bashkë me Hiqmetin e kthyer shtëpinë e tyre në derë të hapur për të gjithë mësuesit, mjekët dhe agronomët që vinin, për të prurë të renë dhe për të bërë ndryshimin.

Sibja së bashku me Hiqmetin, lindën dhe rritën 10 fëmijë, të edukuar dhe të arsimuar. Të dy sa ishin gjallë shpreheshin si veteranë, se puna dhe buka e dhënë gjithmonë të shpërblehen dhe të kthehen në jetë, në të mirë. Ata e panë Shqipërinë nga Tropoja, Puka, Shkodra, Tirana, Elbasani, Lirazhdi, Durrësi, Berati dhe Vlora, vende ku fëmijët u sistemuan me punë pas përfundimit të studimeve të larta. Të dy ishin veteranë të LANÇ-it. Rrugën e prindërve, besnik të idealeve të LANÇ e vazhdojnë fëmijët, si dhe niprit e mbesat e tyre që janë të shumtë. Sibja ndërroi jetë në vitin 2000, në moshën 80 vjeçe, duke lënë pas emër të nderuar të veteranit. Për Sibe Zotaj është shkruar një monografi “Malli për nënën”, është vlerësuar nga veteranët e LANÇ-it, si dhe është shkruar në gazetat “Kushtrim Brezash” dhe “Labëria”.

Në vlerësimin për “Mirënjohjen e Labërisë” për Sibe Shefit Zotaj (pas vdekjes), me motivacion “Veprimtare e shquar e gruas Antifashiste Nacionalçlirimtare në fshatin Ramicë të Vlorës, që u kthye në simbol të gruas atdhetare, në krahinen e Mesaplikut, organizatore e përsosur për furnizimin me ushqime, veshëmbathje, medikamente mjekësore dhe materiale luftarake, shtëpi bazë e LANÇ-it dhe pas çlirimit të vendit, derë e hapur për intelektualë që shërbyen dhe punuan në fshat, veterane e respektuar dhe e nderuar, nënë dhe gjyshe shembëllore”.

Please follow and like us: