Qëndrimi europarlamentar grek i 1989-s për Kosovën, parathënie e raporteve greko-serbe të vitit 1999
U bënë njëzet vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë dhe realitetit ballkanik i është shtuar në mënyrë të pandryshueshme, ekzistenca e shtetit të dytë shqiptar. Në këtë material, si kujtesë e homazh i atyre kohëve të vështira, po sillet një diskutim i zhvilluar në Parlamentin Europian, në vitin 1989, 30 vjet të shkuara, lidhur me situatën në Jugosllavi dhe gjendjen e rëndë në Kosovë. Materiali është pjesë e botimit: “Sitting of Thursday, 13 April 1989, Debate on topical and urgent subjects of major importance”. Në: Official Journal of the European Communities, No 2-377, Debates of the European Parliament. 1989-90 Session, Report of proceedings, from 10 to 14 April 1989. Europe House, Strasbourg: (1989: 282-283). Ai ofron pikëshikimet e eurodeputetëve gjermanë, të një belgu e të një greku. Ndërsa të gjithë përmendin problemin djegës të Kosovës, përfaqësuesi grek i “qan” hallin minoritetit serb në Kosovë dhe atij grek në Shqipëri(!). Koha tregoi që ai nuk ishte qëndrimi i thjeshtë i një deputeti, por orientim strategjik i shtetit grek, që kishte lidhje me Shqipërinë dhe me Serbinë.
Procesi i lindjes së shtetit të Kosovës i kushtoi kombit shqiptar mijëra të vdekur, të plagosur e të gjymtuar, të përdhunuar e të linçuar, të zhdukur pa nam e nishan që akoma nuk dihet se ku u kanë përfunduar eshtrat. Por, Kosova lindi. Ajo pa dritën e lirisë. Një liri e pritur me shekuj. Një liri e paguar me durim, gjak dhe e fituar vetën në sajë të rezistencës unike shqiptare, – unike ashtu siç e ka treguar historia e tre mijë viteve të fundit.
Ky krahasim kaq minimal, për një problem shumë të gjerë që ka lidhje me vendin e popullsisë shqiptare në historinë ballkanike dhe në politikën e gadishullit, vlen të sillet ndër mend tash, meqë si kusht nga Greqia, për çeljen e negociatave me BE, na është vënë në mënyrë të përsëritur e të vazhdueshme, respektimi i të drejtave të minoritetit grek. Se kur nuk janë respektuar të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, i cili ka atdhe po atë Greqi që nuk njeh minoritete, këtë nuk mund ta thotë askush. Së paku, për të qenë “lokomotivë” e integrimit evropian ballkanik, siç pretendon, Greqia mund të jepte një shembull fqinjësie të mirë me shqiptarët, duke njohur shtetin e Kosovës. Kjo nuk ndodh dhe me ç’na mëson diplomacia kësaj ane, kjo nuk do të ndodhë pa u paguar, pa u blerë shtrenjtë nga shqiptarët. Për të kuptuar atë diskutim të vitit 1989 në Parlamentin Europian duhet shtjelluar gjerësia e strategjive shtetërore greke e serbe, në bashkëpunim me fuqi të tjera, si Rusia, dhe pse jo, edhe me botën e krimit. Po sjell veç disa dromca të tilla.
Pse kjo mosnjohje greke për Kosovën?
Në raport me shqiptarët, në Ballkan grekët kanë vetëm një frikë: bashkimin dhe fuqizimin e tyre. Ata e shohin elementin shqiptar si kërcënim, edhe pse kurrë nuk ka pasur asnjë veprim apo strategji shqiptare kundër tyre. E kundërta, ka ndodhur! Disa përgjigje të lidhura me këtë frikë dhe me miqësinë (strategjike) greko-serbe e sjell arvanitasi Takis Michas në librin e tij: Unholy Alliance: Greece and Miloševi?’s Serbia (College Station: Texas A&M University Press, 2002). Sipas tij, me rënien e “perdes së hekurt” dhe ndarjes Lindje-Perëndim, u projektuan linja të tjera ndarjeje, të cilat i zhvillon edhe Huntington në teorinë e tij të përplasjes së qytetërimeve. Greqia e sheh veten si pjesë e linjës ortodokse Rusi-Serbi-Greqi që i kundërvihet linjës myslimane turke, përfshirë edhe Shqipërinë në të. Ashtu siç Hantington vë në dukje, Greqia ka qenë gjithnjë një “anomali”, e cila nuk ishte kurrë e aftë që të pranonte “parimet dhe traditat” e NATO-s dhe të BE-së, ndërsa “udhëheqësit e saj shpeshherë dalin nga rruga e tyre, duke devijuar nga normat e Perëndimit dhe të antagonizojnë qeveritë perëndimore”. Një shembull thelbësor i kthesës së politikës së jashtme greke, pas ndarjes së Europës sipas linjave të civilizimeve, është ai i konfliktit në ish-Jugosllavi. Sipas Hantingtonit, politika greke ishte tërësisht e ndryshme nga ajo e NATO-s dhe e partnerëve të BE-së: mbështeti në mënyrë aktive serbët, kundërshtoi idenë e NATO-s për veprime ushtarake kundër tyre dhe, theu embargon e naftës së Kombeve të Bashkuara. Ky afrim me Serbinë shoqërohet njëkohësisht edhe me një afrim me Rusinë, duke bërë që me kalimin e kohës politika grek të ketë, sipas Hunatingtonit, “një orientim të fortë ortodoks”. Megjithatë, duket se teoria e Hantingtonit nuk e shteron përgjigjen për sjelljen greke në politikën e jashtme, përderisa Maqedonia edhe pse ortodokse, nuk u favorizua në politikën e jashtme greke; nga ana tjetër lidhjet e forta greke me Muamar Kadafin apo Ushtrinë Çlirimtare të Palestinës, përsëri, e zbehin atë linjë.
Politika e jashtme greke është më gjakftohtë se sa kjo linjë që ngre Hantington, e cila mbahet si frymë shoqërore atje, por në skenën politike ajo nuk është e vetmja shtysë. Nafta e Greqisë kalonte përmes Shqipërisë duke thyer embargon dhe gjente rrugën për Serbi, që nga Shkodra. Dy të tretave të eksporteve të naftës nga Greqia, në atë kohë, Shqipëria u dha statusin “Jo të rregullta”, por ato nuk u frenuan nga Greqia. Një raport sekret i Komisionit Europian, i vitit 1995, vinte në dukje shkelje të njëpasnjëshme të sanksioneve tregtare, nga Greqia. Që nga viti ’92 e këtej në Glifadha, lagjen e pasur të Athinës, vunë bazat e tyre mafiozët serbë, të cilët ishin të lidhur me mafien ruse. Ato ishin qendrat e operacioneve financiare të mafies ruso-serbe. Një multimiliarder prej tyre ishte Vladimir “Vanja” Bokan, mik i ngushtë i Arkanit, i cili sipas raporteve franceze udhëhoqi trafikun e naftës, cigareve dhe armëve dhe u rekrutua nga shërbimet sekrete greke “për kontrabandën e naftës për llogari të Micotaqisit dhe Millosheviçit”. Qeveria greke në këmbim i dha nënshtetësi greke dhe e bëri syrin qorr për aktivitetin e tij kriminal. Sipas raporteve të ndryshme, ai përfaqësonte liderin Millosheviç përmes llogarive të shumta në Greqi (llogaritë e Vanjas kishin degëzime deri në Panama, Qipro etj.). Por, në Glifadha e kishte rezidencën edhe Milorad “Legija” Ulemek, shef i Forcave Speciale serbe, i cili urdhëroi vrasjen e ish-kryeministrit serb, Gjingjiç. Po në këtë lagje greke kanë qëndruar Damjan dhe Srdana Dudiç, fëmijët e Dragan “Fric” Dudiç, personit kyç të kartelit të drogës Sharriç, etj. Lidhjet e shumta të krimit të organizuar serb me mafien ruse dhe me shtetin grek e shtetin serb, të atyre viteve, nuk ka si të mos kenë pasur efekt te kombi shqiptar i të gjitha trojeve etnike. Ato lidhje, mbase do të zbardhen një ditë të largët a të afërt dhe do sqarojnë shumë enigma politike.
Koha e luftës së Kosovës ishte koha kur media greke i hidhte benzinë zjarrit, duke deklaruar se ushtarët turq do të vendoseshin në kufirin greko-shqiptar për të ruajtur Shqipërinë nga Greqia; se NATO po planifikonte një luftë të tretë ballkanike; se “Klintoni, kasapi ndërkombëtar kishte hapur dritën jeshile për një masakër”, etj. Fryma ishte e gjitha antiperëndimore dhe anti-NATO; audienca greke ishte një viktimë e propagandës së thellë serbe, e cila shpërndahej përmes medies greke. Ky “kasap” amerikan, për shqiptarët është një hero. Kuptohet se çfarë na ndan me grekët, në këtë pikëshikim; ashtu siç na ndan me pikëshikimin e peshkopit Sebastianos, i cili në maj 1994 bënte thirrje që të futeshin tanket greke në “Vorio Epir” dhe në tetor të po atij viti, MAVI sulmonte e vriste ushtarakët e pafajshëm shqiptarë në postën e Peshkpisë. Nga shtypi i Dioqezës së Dimitrias ata paramilitarë vrasës, u quajtën “heronj”. Për ne shqiptarët, ata janë “kasapë”. Kjo gjë na ndan e do na ndajë përjetë me të dy popujt e tjerë të Ballkanit, serbët e grekët: shtysa e akteve heroike. Kjo gjë besoj se e sqaron edhe qëndrimin e eurodeputetit grek, z. Çunis, në vitin e largët, – por jo dhe aq, – 1989.
Eurodeputeti belg, Willy Kuijpers: “Asimilimi i arvanitëve në Greqi – po aq tronditës sa edhe rasti i Kosovës”
Në vijim po jepet diskutimi i zhvilluar në Parlamentin Europian, në vitin 1989, lidhur me situatën në Jugosllavi dhe gjendjen e rëndë në Kosovë. Qëndrimi grek i atyre ditëve ishte sinjali fillestar për veprimet që u kryen më pas në ndihmë të Serbisë dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s atje.
HÄNSCH (S). – (DE): Z. President, zonja dhe zotërinj, dua të flas mbi Jugosllavinë dhe situatën në Kosovë. Ky debat nuk ka të bëjë me ofrimin e ideve të thjeshta lidhur me zgjidhjen e një problemi kompleks. Por, nëse në një shtet evropian të lidhur ngushtë politikisht, ekonomikisht, kulturalisht dhe gjeografikisht me Komunitetin Europian, ashtu si Jugosllavia; nëse, në një shtet nënshkrues të Aktit Final të Helsinkit, lindin konflikte etnike dhe shtypen me forcë, atëherë duhet t’i kushtojmë vëmendje.
Për shumë vite politika e Jugosllavisë ndaj pakicave të saja etnike paraqiste një shembull për shtetet e Ballkanit. Dhe, as nuk e mendojmë se tani do të shpërthejë një luftë civile. Në këtë kontekst, meqë ra fjala, ekziston një gabim në rezolutën e përbashkët lidhur me përdorimin e ushtrisë. Por, ne jemi të shqetësuar, se reforma kushtetuese mund të çojë në një përpjekje shumë të gjerë duke i vendosur provincat autonome serbe, përfshirë edhe Kosovën, në të njëjtën linjë. Ne jemi të shqetësuar se një konflikt tjetër i dhunshëm mund të lindë në Evropë, përveç Irlandës së Veriut, vendit të baskëve dhe Armenisë. Meqenëse ne në Evropë, ndikohemi drejtpërdrejt ose indirekt nga shpërthimi i këtyre konflikteve, ne e mirëpresim ftesën e Presidentit të parlamentit jugosllav për një delegacion të parlamentit tonë për t’u informuar në vend. Këtë debat, nuk po e zhvillojmë ngaqë mbështesim shpërbërjen e Jugosllavisë.
Ne duam të ruajmë dhe forcojmë shtetin shumetnik jugosllav. Ne jemi në favor të dhënies së të drejtës së autonomisë për Kosovën. Por, nga tjetër, nuk harrojmë as që minoritetet serbe në Kosovë, duhet të mbrohen dhe nuk duhet të margjinalizohen. Ne nuk e shohim shqiptarizimin total të Kosovës si një zgjidhje për konfliktin, madje edhe më pak akoma mund të mbështesim lëvizjet separatiste. Por, shtypja me forcë e kërkesave të justifikuara për pavarësi etnike, dhe në veçanti kulturore brenda Jugosllavisë nuk çon në integrim, ashtu siç e dimë nga të gjitha përvojat tona evropiane. Kjo është arsyeja se përse bashkëjetesa paqësore midis popujve nuk mund të sigurohet në terma afatgjatë nga tanket dhe nga bajonetat, por vetëm nga mirëkuptimi i ndërsjellë, toleranca dhe lejimi të dy popujve në hapësirën jugosllave për vetëzhvillim.KUIJPERS (ARC). – (NL): Z. President, zonja dhe zotërinj, jam i lumtur të flas këtu, në emër të popullit të vetëm ilir të Evropës, – përkatësisht popullit shqiptar, – të shpërndarë në katër shtete: Shqipëri, Jugosllavi, Greqi dhe Itali. Është vërtetë shumë e çuditshme që provinca e Kosovës, në Jugosllavi, sapo është zbuluar, pasi gjendja e popullsisë shqiptare në Itali apo në Greqi, sigurisht që nuk është më pak e dhimbshme. Tjetërsimi/asimilimi i arvanitëve në Greqi, për të cilin nuk ekziston asnjë statistikë, është relativisht po aq tronditës sa ç’është edhe rasti i Kosovës në Jugosllavi. Tani është përdorur dhuna. Sipas të drejtës kushtetuese, shqiptarët kanë pësuar diskriminim të konsiderueshëm. Ç’kemi bërë dhe ç’vlerësim praktik do të bëjmë? A do të japim bursa për shqiptarët që nuk marrin grante nga Beogradi? Isha në zonën për të cilën flasim, në Jugosllavi, dhe dëgjova se diplomatë të ndryshëm tregonin se me mbështetjen e SHBA-së dhe me pëlqimin e Bashkimit Sovjetik, po ndërtohej një Serbi e fortë, një Serbi që synohet të formojë një digë Perëndimore kundër botës komuniste. Kjo është një teori. Nuk mund ta provojmë kurrë këtë si e bardha mbi të zezë [shënim A. H. : të dokumentojmë]. Hapja e këtyre dokumenteve mund të jetë e mundur pas 100 vjetësh, por jo për momentin. Nacionalizmi serb, nacionalizmi shtetëror është duke u mbështetur në këtë mënyrë, nga Komuniteti Europian. I kemi dhënë Jugosllavisë kredi, vit pas viti, jo vetëm për lidhjet rrugore me Greqinë, por edhe për promovimin e mundësive të eksportit të Jugosllavisë. Kjo është gjë e mirë në vetvete, por ne duhet t’i vëmë kushte. Është kryer dhunë kushtetuese në Kosovë. Thjesht, le të mos përbuzim ata që kanë vdekur dhe tanket që janë atje, por gjithashtu të ndiejmë keqardhje që është ndryshuar kushtetuta, dhe, që populli i vetëm ilir i Europës, si rrjedhim, ka pësuar diskriminim. Si duhet të veprojmë? Komisioni duhet të përgjigjet me një veprim të prerë!
TZOUNIS [ÇUNIS] (EPP). – (GR): Z. President, zonja dhe zotërinj, ngjarjet në Kosovë dhe numri tragjik i të vdekurve dhe i të lënduarve dëshmojnë sërish për natyrën shpërthyese të nacionalizmit ballkanik dhe për nevojën e gjakftohtësisë dhe të maturisë, në trajtimin e tij. Eksploziv, për shkak të emocionalitetit dhe fanatizmit që e udhëheq atë, dhe gjithashtu, për shkak të atyre që u nxiten pasionet, shpeshherë nga jashtë, e që mund të sjellin destabilizim politik në rajone të tëra, për shkak të tyre apo nën ndikimin e sloganeve hipokrite. Për më tepër, ndërhyrjet johistorike, siç është ajo e parafolësit, nuk japin ndonjë ndihmë për zgjidhjen e problemit. Pra, pa marrë parasysh se si shihen ngjarjet në Kosovë, nuk mund të shpërfillim faktin se shumica shqiptare në rajon ka një përgjegjësi të madhe për shkak të shtypjes së përgjithshme që i bëhet pakicës serbe në rajonin autonom të Kosovës. Ne, nuk duhet të harrojmë se bashkëqytetarët e tyre përtej kufijve, që supozohet se veprojnë në mbështetje të së drejtave të pakicave të bashkëqytetarëve të tyre, shtypin pakicat që jetojnë brenda kufijve të tyre në mënyrën më brutale, përfshirë këtu edhe pakicën greke vorio-epirote të njohur ndërkombëtarisht, të cilëve u ndalohet madje edhe pagëzimi i fëmijëve e tyre me emrat që tregojnë besimin e tyre fetar. Nga ana tjetër, dhuna, edhe në terma afatgjatë, kurrë nuk ka zgjidhur ndonjë problem, veçanërisht ato që lindin nga ndërgjegjja kombëtare dhe kulturore e një kombi. Shembujt e Lindjes së Mesme, Armenisë, Baltikut dhe së fundi Gjeorgjisë, na kujtojnë çdo ditë se vetëm dialogu i zhvilluar në një atmosferë vetëpërmbajtjeje dhe qetësie mund të ngjallë shpresën e sjelljes së zgjidhjeve që kanë ndonjë shans qëndrueshmërie. Draft-rezoluta e propozuar për kompromis, para nesh, përmban disa “kumbulla të tharta” që EPP i përçmon. Sidoqoftë, ajo ka përparësinë e madhe të shmangies së përfshirjes në konfliktet e brendshme politike të Jugosllavisë dhe që trajton ekskluzivisht respektimin e të drejtave të njeriut dhe rivendosjen e një klime të denjë dhe qetësie, si parakusht thelbësor për çdo lloj dialogu të sinqertë. Për këtë arsye, pavarësisht nga disa rezerva, EPP do të votojë për të.
HABSBURG (EPP). – (DE): Z. President, edhe unë do të doja të flisja gjithashtu, rreth propozimit të përbashkët për një rezolutë mbi Jugosllavinë, pasi padyshim që është detyra jonë, që të paktën, të formulojmë disa parime, meqenëse në fund të fundit kemi përgjegjësi të madhe ndaj Jugosllavisë. Siç theksoi edhe z. Hänsch tanimë, ne kemi lidhje shumë të forta me atë vend dhe është mjaft e qartë, se për ne, shumë gjëra varen nga paqja dhe stabiliteti i atij vendi. Megjithatë, lejomëni të qartësoj diçka. Së pari, kjo trazirë vjen nga Serbia. Dhe, është një njeri i tillë si Millosheviçi, i cili është një diktator totalitar në të vërtetë, që ka sjellë këto gjëra. Nuk po përpiqem të them se shqiptarët janë “të bardhë borë”, por nuk duhet ta harrojmë përgjegjësinë serbe. Së dyti, ngjarjet në Jugosllavi shfaqen pikërisht si të njëjta me ato që po ndodhin në Bashkimin Sovjetik: një paqe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes vetëvendosjes dhe aty ku vetëvendosja nuk është e mundur, vetëm përmes tolerancës më të gjerë ndaj grupeve gjuhësore të ndryshme, – refuzoj t’i quaj ato minoritete, sepse ato janë grupe gjuhësore, të cilat mund të kenë të drejtat e tyre në një sistem demokratik. Kështu që, unë mund veç ta mirëpres faktin që u ftuam të dërgojmë një delegacion të tërë për të studiuar situatën në vend. Shpresoj se kjo do të ndodhë në një të ardhme jo shumë të largët dhe gjithashtu, se individët që shkojnë atje, do të dinë diçka mbi vendin dhe do të përzgjidhen, për t’i vajtur në thelb çështjes.