SANXHAK 2018, mbrëmje poetike në Petnjica
Nga muaji prill 2018, miku im Ali Daci, mësues, autor librash, veprimtar kulturor në Rozhajë të Malit të Zi, më kërkoi që me poezitë e mia të mbahej një orë poetike në Petnica, Komunë në skajin verior, në zonën e Sanxhakut.
Takimi do të bëhej në gusht 2018.
Aliu ngulmoi prapë e prapë me telefonata, e maile, mesazhe…dhe unë e pranova takimin, edhe pse…edhe pse për Petnicën atëherë nuk dija, nuk kisha dëgjuar asgjë.
Përgatitjet e mëtejshme të takimit u arritëm nëpërmjet postës elektronike.
Banorët e Petnicës flasin boshnjakisht, ndaj miku ynë Smajl Smaka, poet e përkthyes i mirënjohur në Prishtinë, pati mirësinë të përzgjedhë dhe të përkthejë disa poezi të miat që do të recitoheshin në takimin e Petnicës.
Nga kërkimet në Google, nuk mësova kushediçfarë për Petnicën, (ku binte ky vend, si ishte, sa banorë kishte?) ndaj vajtja ime atje po më bëhej një kuriozitet gati në kufijtë e aventurës. Më ka ndodhur të recitoj në një universitet të Tokios, në salla në Budapest a në Beograd, të mbaj leksione në Universitetin ‘Shën Cirili e Metodi’ në Shkup, të kumtoj në Universitetin e Kalabrisë a në Prishtinë… dhe ja, do të recitoja në një vend të panjohur matanë Alpeve të Shqipërisë.
Prapë emocioni nuk më mungoi, madje më nxiti të shkoj atje thellë në prapamalet e Ballkanit.
Nga fundi i gushtit 2018 u nisa herët nga Tirana me autobus. Në Pejë më priste Smajl Smaka. Me autobusin e linjës nga Peja mbërrijmë në Rozhajë ku takuam miqtë tanë Ali Dacin e Safet Hadroviçin, poet i njohur në gjuhën boshnjake, banor i Rozhajës.
Nga sa shihet, i gjithë ky udhëtim ka qenë i prirë e i përgatitur nga miq të çmuar për mua.
Pse po e bëja këtë udhë? Cili ishte motivi që të nisem e të shkoj për një mbrëmje poetike deri në Petnica. Mendoj se poetët nuk duhet të përtojnë kur është fjala për të takuar lexuesin. Poetët duhet t’i gjurmojnë lexuesit, duhet t’i zgjojnë ata, duhet ta ‘krijojnë’ lexuesin e tyre. Ky ishte motivi im për të qenë mysafir në Petnica. Jo ata, por unë mundësisht në një orë duhet t’i bëja mysafirë, të ftuar të bekuar në odën e poezisë. Nuk po kërkoja lavdi në Petnica, as ndonjë lloj shpërblimi, as që mendohen këto. Atje vetëm do të ndizja kandilin tim të artit poetik… një qiri në mbrëmjen mes banorëve të panjohur për mua. Dhe këtyre duhet t’u isha mirënjohës që më kishin ftuar.
Shoqëruar nga Aliu, Smajli, Safet Hadroviçi nga Rozhaja udhëtuam më tej mes maleve, mes peisazheve me pyje të larta halorë, pyje me arinj, me vatra boronicash të pjekura, me kërpudha të famshme për shijen…
Pas rreth 40 km nga Rozhaja, mbërritëm në një mbrëmje gushti me diell të ëmbël në bjeshkët e Petnicës. Them mbrëmje gushti me diell se gjatë rrugës nga majëmalet mbi ne vareshin herë retë e një shiu të hollë si halat e pishave, herë na e ndërprisnin vështrimin mjegullat.
Një mjedis i shtruar si pëllëmba e dorës, me shtëpi të hijshme, me rrugë të pastra, me njerëz të kthyer nga mërgimi për të veruar në vendlindje, kjo ishte Petnica e asaj mbrëmjeje.
Megjithëse kisha udhëtuar gjithë ditën pa pushuar, më mbante në shqetësim të mprehtë pengu se si do të mbyllej kjo ditë. Do vinin njerëz? Si do të dilte takimi?
Qendra kulturore ishte e përgatitur për takimin, kishte postera që të ftonin për mbasditen.
Takuam drejtuesit kulturorë dhe një vajzë të re, të pashme që do të monitoronte takimin. Njerëzit e mbushën sallën, u bë përshëndetja, u lexua CV-ja ime…poezitë i lexoi boshnjakisht monitoruesja, ndonjë prej tyre unë e lexova shqip. Pastaj pyetjet nga salla dhe përgjigjet e mia. Pyetje mbi jetën, mbi poezinë, mbi letërsinë shqipe. Në krahun tim Smajl Smaka përkthente.
Mbasditja do të vazhdonte po aty me këngë e valle shqiptare. Në skenë u ngjitën artistët e një shoqatë kulturore e malësive tona në Mal të Zi, të shoqatës “Maja e karafilit”… Ky vazhdim tej pjesës poetike të takimit, fliste për delikatesë e seriozitet të organizatorëve Petnicas: pra, një mbasdite me poezi e folklor të gjallë shqiptar në një komunë boshnjake të Malit të Zi.
Pjesa zyrtare kishte mbaruar. Misionin e kisha kryer. I falënderova mikpritësit e mi. I dhashë intervistë gazetares së një radioje lokale. Dhe ajo ishte kurioze se a ia vlente të vije në Petnicë për të lexuar poezi. Po, i thashë, poetët duhet t’i lëvizin këllqet nga qendrat. Mbase këtu në thellësi lexohet më shumë. Pastaj këto treva të Bosnjës të Malit të Zi janë me një traditë të gjallë orale dhe të shkruar, traditë mbi dy-tre -qindvjeçare të poezisë epike.
Në sallë më takojnë burra dhe dy zonja me librat e tyre poetikë në duar. Dy a tri prej grave pjesëmarrëse më folën shqip. Më thanë se gjyshen a ndonjërin nga prindërit i kishin pasur shqiptarë.
Pergjithësisht isha i rrethuar nga njerëz të ngrohtë, që po jepnin miqësi, vlerësim.
Po me këtë frymë dashamirëse u mbyll ajo mbrëmje me një darkë shtruar nga komuna. Ishin aty dhe këngëtarët e valltaret e bukura të malësive alpine shqiptare, të “Majës së karafilit”. Në muret e restorantit kishte foto të banorëve të hershëm të krahinës. Të gjithë me qeleshe të bardha. Aliu më thosh se në Petnica e përreth saj kanë banuar shumë shqiptarë dikur. Nuk e zgjata me këtë argument. Kush e di (?) mund të kenë qenë, por unë kisha ardhur për ata që ishin sot, për këta që i shihja e i dëgjoja.
Kryetari i Bashkisë, një personalitet me profil politikani, më foli për projektet për të ardhmen e asaj komunë. Ai mbajti dhe një fjalë për vazhdimin marrëdhënieve të ndërsjellta kulturore mes entiteteve në këto zona. Ushqimi me prodhime vendi ishte vërtet i mirë. U këndua, dolën në valle të rinjtë, recituan poezi poetët…Ishte bukur.
Edhe një herë më duhet të falënderoj gjithë ata që ma dhanë këtë takim të paharruar. Të falënderoj banorët e Petnicës së largët por që, prej asaj dite, për mua mbeten të afërt e të dashur.