Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Zgjedhjet në Shqipëri apo kur fshati rrethon qytetin

Fotografia e Cerciz Loloci

Çerçiz Loloçi

 

Përgjimet e fundit të gazetës më të madhe gjermane “Bild” ku blerja e votës në bashkinë e Peshkopisë shkon nga kreu i maxhorancës, njëheri kryeministër i vendit, te deputetët socialistë e deri te zyrtarë të tjerë të niveleve të ndryshme, përpos shumë çështjeve të tjera, flet se popullsia e fshatit vazhdon të jetë përcaktuese në raundet zgjedhore në Shqipëri, si ato të përgjithshme parlamentare ashtu edhe ato administrative.

Pra, fshati siç thoshte dikur udhëheqësi komunist kinez, Mao Ce Dun, po mund qytetin. Ai voton herë për PD-në, më shumë herë për PS-në, por edhe për LSI-në dhe kjo në varësi të asaj se cila forcë politike paguan më shumë. Sepse zgjedhjet nuk janë grabitur vetën në këtë rast, por edhe mjaft herë të tjera, nga pozita dhe opozita dhe popullsia fshatare ka dhënë verdiktin për fituesin.

Me përjashtim të zgjedheve të 22 Marsit 1992 (në maxhorancë ishte Partia Socialiste) dhe referendumit të parë për kushtetutën (në maxhorancë ishte Partia Demokratike) të gjitha përballjet e mëvonshme zgjedhore kanë pasur grabitje votash.

Në Tiranë po edhe në qytetet kryesore shqiptare, për shkak të zhgënjimit të madh nga tri partitë kryesore, përfshi edhe partiçkat e tjera ku kryetari është njëkohësisht edhe kryesi dhe anëtarësi, pjesa më e madhe e zgjedhësve bojkoton zgjedhjet, pra nuk merr pjesë dhe maxhorancat përcaktohen nga mënyra se si voton fshati dhe kujt ia jep votën administrata publike që kërcënohet me vendin e punës.

Me ndarjen e re territoriale që çuditërisht opozita dhe kryesisht Partia Demokratike nuk mori pjesë, fshati mori një rëndësi parësore duke u bërë përcaktues për fitoren e thellë të socialistëve në pjesën më të madhe të 61 bashkive.

Natyrisht ky është rasti më skandaloz dhe normale do të ishte që politikanët dhe zyrtarët e shtetit të identifikuar në përgjime me zërin e tyre origjinal, edhe kur nuk veprojnë organet e drejtësisë, së paku duhet të jepnin dorëheqjen. Por dorëheqja bëhet më e vështirë kur zinxhiri i tjetërsimit të votës shkon nga drejtori i shkollës, te zyrtari i lartë i policisë e deri te kryeministri dhe kur palë me të bëhen të gjitha institucionet e tjera, përfshi ekspertët e OSBE dhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri.

Megjithatë kjo nuk ka ndodhur dhe s’ka për të ndodhur ende në vendin tonë, por përtej kësaj ne jemi sërish të kërcënuar nga vota e fshatit që nëse nuk bëhet ndonjë reformë e thellë zgjedhore përsëri kështu do vijohet, do vidhet vota në fshat, herë me lekë, herë me vende pune apo me ushqime.

Ndoshta ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të detyrohet me ligj pjesëmarrja në votime, ashtu siç ngjet në vendin fqinj, Greqi dhe kjo gjë mund të eleminonte grabitjen e votës për faktin e thjeshtë sepse popullsia në qytet është më vështirë të blihet apo të mashtrohet nga sharlatanët e politikës.

Por kjo masë nuk është e vetme. Edhe KQZ si institucion i ndarë mes tri apo më shumë palëve është një rudiment dhe ka ardhur koha që ai të jetë pjesë e Ekzekutivit, mundësisht pranë Ministrisë së Brendshme, ashtu siç e kanë shumë shtete me standarde demokratike.

Please follow and like us: