Albspirit

Media/News/Publishing

Vepra e poetit martir, Genc Leka (7)

Imazh i ngjashëm

GJURMIM PËR EMRAT E GURËVE DHE TË DHÉRAVE

Mbledhur nga Genc Leka (1975)

 

Në vazhdim të punës për mbledhjen e materialeve leksikore nga goja e popullit, duke menduar se do të jetë me interes për sektorin, kam bërë një gjurmim të vogël për emrat e gurëve dhe të dherave në fshatin Bërzeshtë.

Në këtë material të thjeshtë, siç do të shihet edhe më poshtë, bëhet fjalë për emrat e ndryshëm të gurëve dhe të dherave në zonën tonë, ashtu siç njihen në popull deri në ditët e sotme, si edhe për disa çështje të tjera me karakter gjuhësor më të theksuar, të cilat hedhin dritë për një studim më të gjerë nga punonjësit e atij sektori.

Për temën e mësipërme në tërësi kam punuar sipas udhëzimeve të dhëna nga ana e sektorit të leksikologjisë e leksikografisë dhe mendoj se ky material, me gjithë paqartësitë e të metat, që mund të ketë, shërben si njëfarë dokumenti për t’u bazuar për udhëzime më të hollësishme në lidhje me punën që duhet të bëj në vazhdim, që kontributi të jetë sa më i vlefshëm për sektorin; veç kësaj, dua që, në bazë të vërejtjeve dhe sugjerimeve tuaja, të plotësoj ato boshllëqe që unë mund t’i kem për arsye të ndryshme.

Për sistemin e materialit, me qëllim që të ketë sa më pak vështirësi studimi, kam ndjekur rendin alfabetik për secilën emër guri ose dheu, sipas përdorimit nga goja e popullit, kurse më poshtë kam regjistruar disa shprehja frazeologjike, të cilat përdoren rëndom në të folurin e zakonshëm popullor.

Synimi im gjatë përgatitjes së këtij materiali ka qenë që të mblidhet sa më shterueshëm dhe qartë, por aty-këtu mund të ketë edhe kapërcime, të cilat do të korrigjohen në të ardhmen, siç e përmendëm edhe më lart.

Duke përfunduar këto dy fjalë, shpreh bindjen e plotë se sektori do ta shohë me vëmendje këtë material të vogël dhe me udhëzimet përkatëse do të më ndihmojë që puna ime në vazhdim të jetë sa më e frytshme.

Sido që me mundësi jo të shumta, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë që ka mbledhja e materialeve të ndryshme nga goja e popullit, zotohem si gjithnjë se do të jem i gatshëm për të dhënë kurdoherë kontributin tim modest, gjithnjë i pakursyer për çdo nevojë që mund të ketë sektori dhe të mos e mohoj, kurdoherë i kënaqur e i gëzuar për vlerësimin që u bën sektori materialeve të mia, sado të pakta dhe të rralla që janë këto materiale, por gjithnjë me qëllim të çiltër dhe të ndërgjegjshëm!

A

Allí, -a f. sh. -a. Pjesa më e plehëruar dhe më prodhuese e tokës së punueshme, e cila rrëmbehet nga rrëketë në kohë shirash të fortë.

Ájk|ë, -a f. Shtresa e hollë mbas njómjes së arës së plehëruar posaçërisht për një kulturë bujqësore.

Lahet ájka. fraz. Hiqet me ujin pjesa më pjellore e tokës gjatë njomjes. (R. Kuka, 55 vj., Bërzeshtë, 1974).

B

Bigórr, -i m. sh.-a . 1. Një lloj guri me ngjyrë kafe të çelur, me gropëza e boshllëqe. Përdoret shumë për ndërtim. Prej këtej vjen fjala bigorrishtë, pjesë toke me gur bigorri. 2. Bigórr, -i. Shtresa e hollë e krijuar në fundin e enës që përdoret për ngrohje uji. 3. Guri që zënë ndonjëherë veshkat e njeriut. I gjetën bigorr (gjatë operacionit të një të sëmuri i kanë gjetur gur në veshka). (R. Kuka, Bërzeshtë, 1974).

U bë bigórr. fraz. U forcua shumë, më tepër nga sa duhet. Gjatë avullimit, p.sh. pekmezi trashet shumë. (L. Gurri, 50 vj. Bërzeshtë, 1974).

Bishtarák, -u m. sh. -ë. Një rrip i ngushtë toke are që vjen duke u ngushtuar deri në zero, me pjerrësi të lehtë.

I la një bishtarák. fraz. Përdoret kur duam të tregojmë se dikush nuk e ka qethur mirë një person apo një bagëti, duke i lënë pjesë të vogla leshi. Mirë e bëri që e qethi,por i la një bishtarak këtu prapa! (J. Muka).

Blát|ë, – a f. sh. -a. Tokë me përbërje humusi që mban lagështi të tepërt. Përdoret edhe në trajtën tjetër blatíshtë.

Bók|ë, -a f. sh. -a. Përdoret edhe në trajtën bokërrímë. Kodra të vogla me dhé të kuq të errët, kokrra-kokrra, me strukturë të dobët që nuk prodhojnë. Ato bokërrima nuk bëjnë as qiqra.

Brínj|ë, -a f. sh. – a. Vend i pjerrët prapa një kodre të madhe, në të cilën kalon një rrugë këmbësore. Kur e kam ngjitur atë brinjë, shpirti mu këtu! (në majë të hundës).

Nuk e ha brínjën. fraz. Nuk u bën dot ballë vështirësive, pasi ka hyrë në pleqëri. Ëhë, e shoh unë, nuk e ha brinjën ai, pse lodhesh kot? (Y. Gega, Karkavec).

Brúj|ë, -a f. Quhet kështu dheu i grumbulluar nga uji kur njomet ara me kultura bujqësore. Gjatë ujitjes, ara e mbjellë me misër, e plehëruar, ka vende-vende, sidomos nga fundi, një sasi dheu e plehu të përzier me mbeturina të tjera që i thonë brujë. Këtij misri i paska hipur brujëe madhe, prandaj kujdes kur ta prashitni! (Y. Gega, 47 vj., Karkavec, 1974).

E mbyti brúja. fraz. U detyrua të heshtë, ngaqë dikush tjetër foli më tepër dhe me presion rreth një çështjeje të caktuar. E mor, lëre llafin tani, atë e mbyti bruja, nuk e sheh? (R. Leka, 41 vj., Bërzeshtë, 1974).

Butónj|ë, -a f. sh. -a. Vend i punuar për mbjellje, që e përshkon ujin në thellësi. Për këtë emër sqarojmë se përdoret edhe shprehja: Ia lëshova ujin me të butuar, d.m.th. ia ndava pak nga pak, me qëllim që toka të mos gërryhet, por të njomet në thellësi. Pra, pjesorja e foljes butoj na bën të mendojmë se vjen nga ndajfolja bútë. Butë, butë, pse nxehesh, un’ çdo gjë ta kam sheshit. (J. Muka, 30 vj.,Bërzeshtë, 1974).

E paske bërë butónjë fare. fraz. Bakllavanë e ka bërë shumë të mirë, veçanërisht e ka njomur mirë me sherbet. (A. Guri, Bërzeshtë).

Ç

Çákull, -i m. Gurë të thyer në formë të çrregullt për mbushje kalldrëmesh ose mbulim kanalesh.

Hedh çákull. fraz. Ndërhyn me fjalë të ndryshme në një bisedë për të ngatërruar sqarimin e një ose disa çështjeve.

Çákullim|ë, -a f. Një lloj toke me përbërje dheu në formë çakulli të imët, që, sado ta pastrosh, nuk i mbarohen gurët e vegjël që ka.

Çetíl|e, -ja f. Një shkop 10 -15 cm, i shkallëzuar me thikë, që përdorej para 20 vjetësh për të treguar se sa killë misër ose teneqe misër futeshin në gazhdare. Misri futej i pashkoqur. Çetilja futej në tavanin e gazhdares. Po kjo gjë bëhej shpesh edhe prej guri (rráse) të butë, me qëllim që të mos humbiste dhe të shërbente për të krahasuar prodhimin nga viti në vit. Sqarojmë gjithashtu se çetile quhet edhe një shkop i çarë dhe i gdhendur si bilbil, i shkallëzuar, njërën pjesë nga të cilat e mban dërstilári (ai që merret me punimin e shajakut), kurse gjysmën tjetër e merr personi që çon leshin për ta bërë shajak; me qëllim që të mos ndodhin ngatërresa, dërstilari kërkon pjesën që ka dhënë, gjë që vërteton saktësisht se personi është zot i atij malli. Në disa raste ai (dërstilari) e bënte edhe prej guri të butë. Sot, këto përputhje nuk përdoren!

I ka humbur çetílja. fraz. Është mplakur shumë dhe jeton pa ditur as vetë se ç’moshë ka.

Çil, -i m. Lloj guri që ka ngjyrëtë hirtë në të gjelbër dhe shumë të fortë. Ngjyra ndryshon nga e gjelbër në të kaltër të hapur.

Doli çil fare. fraz. Ndesh vështirësi, pengesë, rezistencë. Tjetër pritej dhe tjetër doli. Dikush, pasi hasi vështirësi dhe nuk e sheh me vend, tërhiqet nga biseda.

Çmërç, -i m. Një lloj bigorri me ngjyrë të errët në kafe. Me këtë emër njihet në krahinën e Mokrës lugina e Shkumbinit.

Çúk|ë, -a f.sh. -a. Një kodër që përfundon me një majë të mprehtë dhe shkëmbore.

D/E

Damár, -i m.sh. – ë. Një rrip i ngushtë dheu që dallon nga shtresa tjetër e dheut, ose një shtresë e ngushtë guri në thellësi, që është më i fortë se të tjerët.

Ka gjetur damár të mirë. fraz. I është paraqitur një rast i mirë për të pasur të ardhura të shumta ekonomike.

I mblodhi degët. fraz. Me kanalizime të thella bëhet bashkimi i ujërave nëntokësore, me qëllim që të shtohen e të përbëjnë një burim të vetëm.

Djerr, -i m.(thuhet edhedjerríshtë- djerríshta- t). Toka e papunuar prej shumë vjetësh, por që dikur ka qenë e punuar.

E ka lënë djerr. fraz. Përdoret kur flitet për një burrë që nuk bën fëmijë, d.m.th. kur gruaja nuk ka lindur, sepse burri nuk është i aftë. Kur fusim në tokë një farë të dobët, ajo nuk mbin, si rezultat toka mbetet djerrë! Për atë flet ti, ehu, atë e kanë marrë vesh të gjithë që e kanë lënë djerr. (Xh.Zharri, 45 vj., Bërzeshtë, 1974).

E di botën dyst. fraz. Nuk merr vesh fare nga hallet e jetës; kujton s e çdo gjë shkon si në vaj.

Dýst|e, -ja f. sh. -e. Një pjesë toke e rrafshët në majë kodre, bregu ose vende të tjera. Quhet kështu toka e punuar ose jo.

Elbërísht|ë, -a f. sh. -a. Fjala vjen nga emri elb (kulturë bujqësore). Kështu quhet parcela e mbjellë me misër, pasi ka qenë më parë e mbjellë me elb. Kjo gjë bëhet për t’i marrë tokës dy prodhime.

E korri elbëríshtën. fraz. Kreu punën e nisur me shpejtësi të madhe, d.m.th. para se t’i dilte një pengesë e sigurt. Në lidhje me këtë shprehje sqarojmë se misri i mbjellë pas korrjes së elbit arrin të piqet, në qoftë se nuk bie brymë që nga mbjellja e tij e deri në prerje (korrje).

F

Fáq|e, -ja f. sh. -e. Një sipërfaqe e madhe toke, zakonisht në mal, me pjerrësi të madhe, por e drejtë (pa përrenj.) Zakonisht çdo faqe përfundon me një luginë të zgjatur. Faqja e Qytezës (toponim).

I doli fáqe më fáqe. fraz. I doli hapur në bisedë, ballë për ballë, por pasi e di që është superior ndaj tjetrit. Fshatarët sqarojnë se kur duhet gjuajtur ariu, i duhet dalë faqe më faqe, me qëllim që ai të mos ketë mundësi që të kundërsulmojë. Prej këtij veprimi është formuar edhe shprehja e mësipërme. Eh më të lumtë, i doli faqe më faqe, e ka tani! (R. Kuka, 1974).

Fëlí, -a f. Quhet kështu toka e punuar shumë mirë, e shkrifët, që derdhet (siç quhet në bujqësi), së cilës, veç strukturës së mirë që ka (e kundërt me të mësipërmen), i janë bërë edhe të gjitha shërbimet agroteknike. Është bërë gati për farën.

E paske bërë fëlí. fraz. Tokën e paske përgatitur shumë mirë, sa për t’i hedhur farën.

Flënc, -i m. Tokë me përqindje të tepërt uji dhe mjaft e vështirë për t’u punuar.

Fúndra, m. vet. sh.-t. Pjesët më të shëndosha të tokave të punueshme, të formuara kryesisht nga gërryerjet (erozioni) e tokave të pjerrëta, të mbjella me kultura bujqësore.

G

Gâm|ër, -a f. sh. -a. Quhet kështu një grumbull i madh gurësh, që janë mbledhur nga pastrimi për shumë vjet i arave. Po kështu quhen edhe rrënojat e vjetra të shtëpive. Kur ka shumë gurë në shpate malesh, të cilët janë mbledhur vetvetiu, quhen përsëri gâmra. I paske hequr ato dy gâmrat që kishe në mes të arës. (R.Kuka).

Gâmër u bëfsh! fraz. Thuhet me zemërim për ndonjë person, kur ai ikën pa kujdes dhe me nxitim, pa qenë nevoja.

Gërhót|ë, -a f. sh. -a. Një gur i ngulur thellë në tokë, por i gërryer në formë shpelle. Shih siqenka lopa sot, gërhotë fare dhe ti më rri si hu gardhi! (R. Kuka, 1974).

U bë gërhótë fare. fraz. Është dobësuar shumë (kryesisht thuhet për kafshët e trasha) dhe nga dobësia ka filluar të deformohet.

Gorré, -ja f. sh. -të. Vija e çrregullt në pyll apo në vende të zhveshura, e cila krijohet si rezultat i shiut të dendur, ose i ujit të lëshuar pa kujdes në ara.

Gorrík, -u m. sh. -ë. Mjet prej balte i pjekur si tullat e tjegullat, që rreth 60 vjet më parë përdorej në vend të saçit për të pjekur bukë me çerep. Deri para 15-20 vjetësh është përdorur në zonën e Hotolishtit. (Dule Osmëria, 53 vj., Fanjë, 1974).

Górxh|ë, -a f. Një gropë e thelluar në tokë e bërë nga kafshët e egra, si dhelpra, iriqi etj.

Granít, -i m. Një lloj guri shumë i fortë, në shtresa të thella të tokës, me njëfarë shkëlqimi metalik; njihet si më i forti ndër të gjithë gurët.

Granítin s’e ha rrëkeja. fraz. Është shumë i fortë si karakter, nuk njolloset nga përpjekjet e personave të ndryshëm, me qëllime jo të mira.

Gríhër, -a f. Një lloj guri mengjyrë të murrme, i ashpër, që nga fërkimi me metalin hahet. Përdoret për mprehjen e kosave, thikave, sëpatave, kizave etj.

Gríll|ë, -a f. Tokë me ngjyrë hiri, në formë petëzash që punohet lehtë; e përshkon ujin, por nuk është prodhuese.

Gróp|ë, -a f. sh. -a. Vend i punuar ose jo, që është thelluar nga natyra. Kështu quhen edhe arat që kanë pjerrësi, por që përfundojnë me njëfarë thellimi deri diku të rrafshët. Grópa e Zézë (toponim).

Grópa të gënjen. fraz. Gabohemi në përcaktimin e sipërfaqes së parcelës që është gropë, na duket më e vogël se ç’është në të vërtetë (siç u shpjegua më lart). Në çdo proces pune duhen më tepër forca në gropë, se sa në një vend me pjerrësi të lehtë.

Gropçél|e, -ja,f. sh. -e. Pjesë vendi, siç u tregua më lart, por që përfundon me një ngushtim të pjerrët.

Grýk|ë, -a f.sh.-a. Vend i thelluar që ngushtohet midis malesh, i cili përshkohet nga një rrugë këmbësore ose automobilistike. Këto njihen me emra të ndryshëm, si p.sh. Grykae Poponivës etj.

Kush i hyn asaj grýke! fraz. Thuhet kur një punë paraqet mjaft vështirësi për ta kryer me sukses.

Iu bë gjoksi gur’ i káfes. fraz. Nga dëshpërimi i madh e i vazhdueshëm i duket sikur i është bërë një gropë në gjoks, ashtu siç është gropa e gurit të kafes. Për këtë sqarojmë se shumë vjet më parë, kur ende nuk ishin vënë në përdorim mullinjtë për bluarjen e kafesë, një gjë e tillë bëhej me anën e gurit. Në një gur të madh me peshë rreth 2 kv i vendosur para shtëpisë, skalitej me daltë një gropë me thellësi rreth 1-15 cm dhe me diametër deri 10 cm. Kjo gropë shërbente vetëm për shtypjen e kafesë me anën e një guri që mbahej në dorë, i zgjedhur posaçërisht për atë punë. Ky gur gjithnjë njihej me emrin guri i kafesë. Mbahej pastër dhe nuk përdorej për asgjë tjetër si qiqra, elb, urov etj., të cilat të pjekura dhe të përziera së bashku përdoreshin në vend të kafesë. Në lagjen “Leka” në Bërzeshtë, edhe në ditët e sotme gjenden 2 gurë të tillë, por që nuk përdoren.

Në lidhje me format, madhësitë, ngjyrat dhe përdorimet e ndryshme të disa gurëve, sqarojmë se një pjesë e mirë e tyre zakonisht përdoren me emrin gur, duke i shtuar një fjalë tjetër, p.sh.: gur gëlqereje, gur llastiku, gursabéje, gur kufiri, gur varri, plloç’ e póçes, gur i bardhë, gur i zi, gur i kuq, gur i djegur, gur dhéu (që kadalë nga thellësitë e tokës) etj.

Me gur e me plis. fraz. Dikur kjo shprehje quhej si një betim i fortë në popull për të treguar drejtësinë në caktimin e kufijve të tokave. Kur dikush ngulte këmbë se kufiri kalonte në aksh vend dhe një tjetër (kufitar) nuk pranonte, por edhe argumente bindëse nuk kishte, atëherë e detyronte të parin që të shkonte në vendin e kufirit me gur e me plis, d.m.th. betimi i rremë do t’i rëndonte në jetën e përtej varrit, ashtu siç rëndon guri e plisi. Zakonisht, pas një betimi të tillë, debati merrte fund. Në të kaluarën, në këto anë ka pasur raste të tilla. Mos ki merak, mos, se ai e ka marrë atë tokë me gur e me plis dhe dikur do ta marrë vesh! (D.Osmëria, Fanjë, 1974).

Gurdyfég, -u m. Një lloj guri qëka një ngjyrë të bardhë në të kuqe të hapur, i cili përdorej për shkrepjen e armëve të zjarrit.

Gurísht|ë, – a f.Vend i punueshëm që ka shumë gurë me madhësi të ndryshme, të cilët dalin herë pas here gjatë punimit të tokës.

Gurlugát, -i m. sh. -ë. Një lloj guri me shkëlqim, në ngjyrë të kuqe të hapur dhe të errët, me madhësi të ndryshme, gjithnjë i rrumbullakosur, që ka vetinë e nxjerrjes së xixave po të përplasen me njëri-tjetrin.

Gurmullíri m. Një lloj guri me ngjyrë të murrme të errët, në formë kokrrizore, shumë i fortë, i cili përdoret vetëm për mullinjtë me ujë. Kur duam të tregojmë për ndonjë vend apo gur të fortë themi: qenka gurmullíri, d.m.th. shumë i fortë.

Paska qenë gurmullíri. fraz. Thuhet për një tokë që është shumë e fortë për punim, më tepër nga sa mendohej. Një pjesë toke ku hapet kanal ose edhe një  vend ku ka gurë të ndryshëm dhe që punohet për qëllime të ndryshme.

Gurór|e, -ja f. sh. -e. Vendi ku prodhohen gurë me anën e thyerjes ose shpërthimeve me lëndë plasëse, për furra gëlqereje për ndërtim etj.

Gurshkrépës, -i m. Quhen kështu disa lloj gurësh me ngjyra të ndryshme, që kanë aftësi të nxjerrin xixa kur goditen me masát (urór). Nga të gjithë këta, më tepër pëlqehet një lloj guri që gjendet në shpatet malore të Gjirokastrës.

Gúrr|ë, -a f. sh. – a. Burim uji me sasi të bollshme, që përdoret për t’u pirë. Quhet kështu edhe në qoftë se shteron. Gurrat njihen me emra të ndryshëm: Gurra e Picit. Gurra e Koçólit etj.

Gúrrë  që  nuk  shter.  fraz. Thuhet kur është fjala për një çështje që e ka origjinën shumë të thellë, për të cilën sado të përpiqemi është mjaft e vështirë për ta zgjidhur.

Gúv|ë, -a f. sh. -a. Gropa të çaranë thellësi të shkëmbit deri në 1 m. Zakonisht të krijuara nga gërryerjet dhe rrëketë, ato hapen ku më shumë e ku më pak.

GJ/H

Gjiríz, -i m. sh. -e. Një kanal nëntokësor, që shërben për kullimin e ujërave nga parcelat ligatina. Mbulohet me gurë të vegjël dhe halíçë.

I janë prishur gjirízet.fraz. I kanë dalë sheshit veprimet jo të mira që ka kryer dikur.

Gjóll|ë, – a f.sh. -ë. Gurë të lëmuar me lartësi deri 20 cm (50 x 40 cm) që shërbejnë për t’u hedhur kripë bagëtive të imëta (dhen e dhi).

Janë gjóllët e vjetra. fraz. Është mësuar me të ngrëna e të pira qelepir nëpër njerëz dhe kërkon të gjejë përsëri. Ashtu si edhe bagëtia që shkon te gjollët, pavarësisht se aty nuk është hedhur kripë.

Halíç, -i m. sh. -ë. Gur i vogëlme formë të çrregullt, që përdoret për mbushjen e kanaleve kulluese nëntokësore (gjirizeve). Harmurí, -a f.Tokë e shkrifët që përshkon ujin me lehtësi dhe vende-vende me disa boshllëqe të vogla. Ai vend është harmuri, seështë truall shtëpish, prandaj do mjaft ujë.

Haúz, – i m. sh. -ë. Një gropë emadhe që shërben për të grumbulluar ujë për ujitje. Ushqehet nga ndonjë rrjedhë e vogël dhe, kur është e nevojshme, i hapet gryka, ku qëndron një dru i lëvizshëm posaçërisht për atë punë.

Hedhurín|ë, -a f. sh. -a. Dhera dhe mbeturina të ndryshme që formohen në afërsi të shtëpisë gjatë një periudhe të caktuar. Shërbejnë për pasurimin e tokës. Bën një bostan kjo hedhurina që lëre mos e nga! (R. Kuka, 1974).

Húmb|ë, -a f. Një lloj toke engjyrës gri, e cila pritej në kallëpe me diametër 8 cm x 4 cm x 4 cm, futej në zjarr, digjej dhe pasi shkrihej përdorej për larjen e kokës nga ana e grave disa vjet më parë. Nga kjo larje, floku bëhet më i butë dhe merr një shkëlqim të plotë.

E ka vendin harmurí. fraz. Dikujt i krijohen lehtësira të tërthorta për një punë a veprim të caktuar.

Halíçët si halíçët. fraz. Në një çështje të caktuar, një veprim ka po atë qëllim, si më parë ashtu edhe më pas.

U bë húmbë fare. fraz. U dogj shumë dhe u njom në kohën më të përshtatshme. Toka e punuar gjatë verës digjet nga dielli dhe pastaj njomet, zbutet në thellësi dhe pi mjaft ujë. Pra, shprehja përdoret për të treguar një zbritje të madhe. Gjithashtu përdoret edhe me kuptim figurativ.

Húrdh|ë, -a m. sh. -a. Një grope e madhe e krijuar nga lumi, ose një përrua, i mbushur me ujë. Lumi ka shumë hurdha edhe këto njihen me emra të ndryshëm si: Hurdha e Maksut Kukës (ku është mbytur para disavjetësh M. Kuka). Hurdha eDókës. Hurdha e Ljólit etj.

Ishte bërë húrdhë. fraz. Ishte lagur aq shumë prej shiut, saqë dukej njëlloj sikur ishte futur në një hurdhë. Kjo shprehje përdoret shumë në të folurin e zakonshëm.

Është shejtani i hurdhës. fraz. Ka kuptimin që një person është shumë i zgjuar, por edhe pak i djallëzuar.

J/K

Jallí, -a f. Plehu i tretur me ujë, që përdoret gjatë prashitjes së misrit. Kështu quhet edhe pjesa e hollë e tokës së shëndoshë të mbjellë.

E mbyti jallía. fraz. Nga vërshimet e përrenjve kodrinorë, tokat e zallit u plehëruan shumë. Kjo ndodh zakonisht në muajt e verës, kur bien shira me rrëmbim. Shih, o mik shih, e mbytijallia, u bë zalli cerg’ e zezë.

Sqarojmë se kjo shprehje përdoret me kuptim figurativ, d.m.th. kur nuk ka fare pleh themi e “mbyti jallia” (Y. Gega, Karkavec, 1974).

Káj|ë, -a f. sh. -a. Shtresë toke me ngjyrë të kuqërremtë, ose të hirtë në të gjelbër, e cila ka si veti që ta përçojë ujin deri në njëfarë thellësie. Punohet me pak vështirësi, në formë gdhendjeje.

Poqi në kájë. fraz. Hasi në shtresën e fortë të tokës, d.m.th. i doli vështirësi në një çështje të caktuar. E pe apo jo, tani poqi nëkajë! (Xh. Zharri, Bërzeshtë,1974).

Këmb|ë, -a f. Një pjesë vendi mepërbërje shkëmbore e kufizuar nga përrenj të ngushtë e të thellë.

Këmba e Gajtanit (toponim). Nënumrin shumës përdoret në trajtën këmba-t, -ave. Tërë ditën u rashë atyre këmbave, sa u bëra teléf, por nuk i gjeta bagëtitë. (R. Kuka,1974).

Kokërdhák, -u m. sh. -ë. Një vend i ngritur në formë të rrumbullakët, në krye të një parcele apo are, me përbërje shkëmbore në thellësi.

Natë e ditë m’u bë kokërdhák. fraz. Në çdo kohë e vend më delpo ajo pengesë; sido të veprosh një person nuk heq dorë nga e tija dhe kërkon të të bindë për “të drejtën” që ka. More po paska qenë çudi e madhe ky, natë e ditë m’u bë kokërdhak. (A. Goçi, Bërzeshtë,1974). Kjo shprehje përdoret edhe kur duam të tregojmë se kemi një brengë të madhe, një shqetësim të zgjatur për çështje të ndryshme familjare.

Kopáç, -i m. sh. -ë. Një vend i pyllëzuar me dru lisi, që është prerë dhe ka rirë përsëri, por që nuk është në përdorim. Një prerje e tillë me qëllim përtëritjeje quhet pastrim pylli. I kërkova kopaçët e Sheshléhut fund e krye për 50 fije purteka. (I. Ceni, 50 vj.,Bërzeshtë, 1974).

Krást|ë, -a f. Kodër e madhe e pyllëzuar me drunj të përzier dhe me gurë gëlqerorë. Futi lopët në atokrasta dhe eja shpejt.

Krástën e bëj mall, por hall me lugjet. fraz. Një vështirësi të njohur e pranoj, por mund të dalin edhe të tjera më të mëdha e të paparashikuara. E, nuk ke ndézur ti, krastën e bëj mall, por hall me lugjet. (R. Kuka, 1974).

Krastók, -u m. sh. -ë. Gur gëlqeror që gjendet më tepër në male; gur karakteristik me ngjyrë të murrme. Kushedi se çfarë guriduhet; merr me radhë krastok dhe bëj murin.

Krep, -i m. sh. -a. Gurë të mëdhenj e të thepisur, të ngulur në tokë, me forma të ndryshme. Krep quhet edhe një shtresë e fortë shkëmbore që del në tokë gjatë punimit. Këtu ka kuptimin që është vendi gur, shumë i fortë dhe si i tillë nuk punohet.

Më hedh krep më krep. fraz. Qëllimisht më lodh me fjalë, duke bërë pyetje e përgjigje, e bie rreth e rreth bisedën për të mos vënë në dukje anën më kryesore të një çështjeje. Thuama troç bre burrë, pse më hedh krep më krep?

Kulmák, -u m. Një parcelë me tokë të trashë, por me lagështi të tepërt (ligatishtë), që njihet me emrin e barit karakteristik kulmak (Juncus effusus). Edhe pasi i bëhen kanalet kulluese dhe punohet njihet me po këtë emër.

Kulmák i gjallë. fraz. Tokë shumë e fortë, e lagësht, me përzierje rrënjësh të ndryshme, që nuk copëtohet me veglat e punës.

Kullés|ë, -a f. sh. -a. Dhéra me përzierje plehrash të ndryshme që krijohen gjatë vitit pranë shtëpive, si nga káshtërat, dushku, byku etj. Këto dhera gjithnjë drejtohen në arat pranë shtëpisë (selíshta) për plehërim. Kasollen bëje edhe pak më lart se të ikin kot të gjitha kullesat! (H.Blloshmi, 41 vj., Bërzeshtë, 1974).

Më erdhën kullésat. fraz. Thuhet kur gjatë ndarjes së ushqimit dikujt i bie pjesa më e mirë, sipas rastit. E sheh ti, apo jo, më erdhën kullesat mua, por s’ke ç’i bën, kush ndan, ja qesh ja qan!

Kum, -i m. Rërë e pastër që përdoret për ndërtim (suvatime). Kjo lloj rëre shumë e hollë, pa asnjë lloj mbeturine dhe pa gurë, quhet kum. Fryu er’ e detit, seç u ngrit ky kúmi. Prej emrit kum na kanë lindur fjalët kumíshte (sipërfaqe e madhe me kum, që nuk punohet) dhe kumsállë (arë e mbjellë me një kulturë bujqësore, por që ka strukturë të lehtë ranore dhe që punohet me lehtësi). Kumishte e nxehtë ajo, nuk prodhon. Ama re n’ at’ kumsallë ti dhe tani na bën llafe! (M. Alla, 50 vj., Bërzeshtë, 1974).

I nxori kúmin. fraz. Kur toka punohet thellë me traktor, zakonisht del shtresa e kumit. Një gjë e tillë vihej re edhe shumë vjet para se të punonte traktori. Kuptimi i kësaj shprehjeje frazeologjike është: e rrahu një çështje deri në fund, nuk mbajti rezerva. Hajde të folur që bëri, i nxori kumin, s’ke ç’i thua atij! (A. Goçi, 44 vj., Bërzeshtë, 1974).

Kurriz, -i m. sh. -ë. Vend pak ingritur dhe me një përkulje të butë në mes të një parcele të rrafshët, që zakonisht përfundon me një ngushtim në krye.

L

Lér|ë, -a f. sh. -a. Kështu quhet një grykë e thellë malore me pjerrësi të madhe, gjatë së cilës tërheqim drunj me krahë. Lera e Qershíve (toponim). Lerë quhete dhe grumbullimi i rrëkeve, pra uji i shiut i përzier me baltë pylli dhe fletë, apo mbeturina të tjera që vijnë gjatë lerë s. Bobo, ta shihjesi vinte lera: baltë e kuqe, gurë, dega, lápa, mysybet! (R. Kuka, 1974). Lerë quhet gjithashtu edhe një e papritur që na shqetëson, një turp më saktë të themi. Hap sytë moj bijë, se mos na lini lera andej! Pra një turp, qoftë me vepra, ose edhe me fjalë të pamenduara që mund të bëjë dikush e quajnë lerë.

Të pushtoftë léra. fraz. Të zëntë një rrebesh i madh, të rëntë një e keqe e madhe që të të mundojë mjaft në çdo drejtim, që të mos dish nga t’ia mbash. (L. Guri, 1974).

Lëmásh|k, -u m. sh. lëmashqe. Një lloj myshku i gjelbër në të errët, që formohet në një tokë me lagështi të vazhdueshme. Kështu quhet edhe shtresa fare e hollë e kësaj toke që sapo ka filluar të mbulohet me këtë lloj myshku.

Lëm|ë, -i m. sh. -énj. Vend i sheshuar me diametër rreth 6-8 m, i lyer me bajga të zbutura në ujë për të shirë grurin me kuaj.

Në ditët e sotme gati nuk po përdoret më, sepse makina shirëse dhe autokombajna kanë ardhur deri në skajet më të largëta. Për të lashtat që përdoren me pakicë, si thekër, tepër, koçkull, urov etj., në disa vende përdoret lëmi.

Moj e vogla në lëmë, ç’të ka mësuar jot ëmë (këngë popullore). Këtë vit nuk na nxori gjë lëmi (rendiment më të ulët nga ai i viteve të mëparshme).

Kali që zihet (kapet), shin lëmin. fraz. Thuhet kur një per-son që gjendet para faktit të kryer, përgjigjet rreth një çështjeje të caktuar.

Lëndin|ë, – a f. sh. -a. Kështu quhet toka e papunuar, që shërben për kullota, por që nuk mbrohet. Zakonisht tokat e papunuara janë me sipërfaqe jo shumë të madhe (50-60 m2). Kjo fjalë përdoret gjithashtu kur duam të tregojmë se me parmendë, apo edhe me traktor, d.m.th. kur është bërë ugar, ka në brendësi pjesë që nuk e ka zënë plugu. Shikoje mor vëlla, ti e ke lënë lëndinë. Gjithë kurbetçinjtë vijnë, burri im harroi shtëpinë. Do t’ia bëj shesh e lëndinë të lozë macja me minë (këngë popullore).

Listopák, -u m.(më tepër përdoret në njëjës, por ka raste të përdorimit në shumës: listopáqe, kur duam të tregojmë copa të shkëputura nga kjo lloj toke). Tokë e formuar thjesht nga kalbja (dekompozimi) i fletëve të drunjve të pyllit, e cila përshkohet nga rrënjë thithëse të shumta të barërave të ndryshëm brenda pyllit. Listopaku bën bereqét, por pylli është larg dhe s’të lë bryma. (A. Goçi, 1974).

Ishte bërë listopák i gjallë. fraz. Toka që do të mbillet është punuar shumë mirë dhe plehëruar në sasi të bollshme. (R. Kuka, 1974).

Livádh, -i m. sh. -e. Një pjesë toke që nuk punohet (1, 2, 3 e më tepër dynymë, sipas nevojës), me qëllim që të prodhojë bar për bagëtinë për stinën e dimrit. Livadhi réshtej (nuk futeshin bagëti), ujitej që në muajt e parë të pranverës, sipas mundësisë, i pastroheshin gurët vazhdimisht dhe çdo vit kositej 1-2 herë. Pra, vetëm për bar. Vendi i mbjellë me jonxhe nuk quhet livadh, por thjeshtë jonxhe. Tani nuk ka më pjesë për livadhe, sepse baza ushqimore në sektorin kooperativist sigurohet me forma të tjera më të frytshme, duke mbjellë parcela të tëra me bimë foragjere etj.

Po më hedh gurë në livádht.fraz. Po më nxjerr ngatërresa meqëllim të paramenduar; po kërkon t’u mbushësh mendjen të tjerëve që padrejtësisht të dal fajtor; duke mos pasur fare dijeni rreth një çështjeje. Forma e vendores livadht përdoret në popull edhe sot: do të shkoj në malt, hidh një dorë kripë në zjarrt (d.m.th. “nuk e gjen më një rast të tillë”). Unë e shoh që po më hedh gurë në livadht, por nejse, e gjetsh prej ndonjë tjetri. (Q. Leka, 55 vj., 1974).

Lug, -u m. sh. -lúgje. Vend i thelluar dhe i ngushtë, me anët e ngritura e të rrëpirëta, që vjen duke u zgjatur nga fundi, në të cilën kalon një rrugë këmbësore.

Lugu i Spathárit (toponim). Po kështu, lug quhet edhe një trung i gjatë 5- 6 m i skubuar (i gdhendur nga brenda), që përdoret për të pirë ujë bagëtitë në stane, ose që të hanë tagji. Çdo pjesë toke, që vjen sadopak e thelluar dhe me pak pjerrësi, quhet lug. Këtë fjalë e ndeshim edhe te “Muji e Halili”: ndër lugjet’ verdha. Nga goja e popullit këtëfjalë e ndeshim edhe në kuptim më të ngushtë: Seç më dhemb nëlug t’ zemrës. Po ashtu, edheshprehja më kanë rënë lugëzat përdoret për të treguar një çrregullim që ndihet zakonisht pasi kemi ngritur një peshë të rëndë, pra pasi kemi bërë një sforcim të tepruar.

Futet nëpër lúgjet. fraz. Kërkon të struket nëpër vende të padukshme; përdoret për të treguar se dikush ka tendenca t’u shmanget punëve që i takojnë, u ruhet vështirësive, ka frikë se mos i del ndonjë telash i papritur. Ruan vetëm qoshet e rehatshme, pa zhurmë e bujë. Përatë e ke fjalën ti, e di unë, ai futet nëpër lúgjet. (A. Goçi).

Ka mbetur lëndínë fare. fraz. Ugari nuk është bërë ashtu siç duhet, por vende-vende janë hedhur plisat mbi tokën e papunuar; nga pamja e jashtme duket sikur është e punuar, por në të vërtetë duhej bërë edhe më mirë. Në këtë kuptim, kjo fjalë ka një përdorim të gjerë.

LL

Llapavéc, -i m. Tokë e bërë ugar ose e mbjellë me kultura të ndryshme, që ka lagështirë të madhe, kryesisht nga shiu i përzier me dëborë. Në këtë gjendje paraqet mjaft vështirësi për punim.

U bë llapavéc i madh. fraz. Toka nuk është më në gjendje të përshtatshme për t’u punuar. Kjo shprehje përdoret kur duam të tregojmë se ka rënë njëfarë llóhe (borë e shi përzier).

Llubacák, -u m. Vend me ujë të përhershëm, ku zakonisht rritet kulmaku ose shavari (Stipapulcherrima), në të cilin, gjatë ecjes, mund të fundosesh. I futi të gjitha bishtat e lopëve në llubacak dhe tha se janë fundosur (nga një përrallë).

Si búalli në llubacák. fraz. Thuhet për dikë që ka mbetur në rrugë nga lodhja e madhe dhe përdor energjitë e fundit për të arritur objektivin. Përdoret edhe me kuptimin e shkujdesjes, çrregullimit. E mor, ç’më je nderësi bualli në llubacak? (H. Grepi, 85vj., 1974). (Dihet se bualli, sado keq që të jetë, nuk mbetet në llubacak).

Llúrb|ë, -a f. Tokë e përpunuarpër përgatitje tullash ose tjegullash; zakonisht zgjidhet një lloj dheu argjilor, pa gurë, zbutet me ujë dhe rrihet duke u përzier e ngjeshur. Kur i futim më tepër ujë nga sa duhet, me qëllim që të mos thahet nga vapa, kjo përzierje quhet llurbë. Një gjë e tillë përgatitet në qerháne (kumí).

Ç’e ke atë llúrbë? fraz. Përdoret kur duam të tregojmë se buka ka mbetur fare e papjekur, afërsisht siç është kur gatuhet. Është rasti i bukës me brúmë (të ardhur), kurse kur gatuajmë bukë me valë ose bukë çerepi, nuk gatuhet kurrë në formë të ujshme (llúrbë).

M

Máj|ë, -a f. sh. -a. Vendi më ingritur dhe i mprehtë i një kodre apo mali; maja e malit. Erdhi prilli, shkriu bora majave. Maja e Karkavecit. Maja e Krastës. Maja e Shtupëzës (toponime).

Mája ime është më e lartë. fraz. Thuhet kur dikush përpiqet me çdo mënyrë që të vërtetojë se ka më tepër të drejtë në diskutimin e një çështjeje dhe këtë e bën më shumë i shtyrë nga një ndjenjë egoizmi për t’u dukur, se sa për hir të së vërtetës. Ti gjithnjë një hall ke: maja ime është më e lartë . (N. Zharri, 39 vj., Bërzeshtë, 1974).

Mézhd|ë, -a f.sh. – a. Pjesa fundore e një are apo parcele, poshtë së cilës gjendet tjetër pjesë are a parcele. Zakonisht qëndron e mbuluar me bar, e papunuar.

Është mézhdë e pakullotur. fraz. Një vend i pashkelur, i pakërkuar; më konkretisht shprehja përdoret për të treguar se një familje është në gjendje të mirë ekonomike, sepse nuk ka pasur shumë shpenzime nga të hyrat e të dalat. Hajde mor, se e diunë, do të gjejmë vend të mirë. Ai është mezhdë e pakullotur. (R. Goçi,53 vj., Bërzeshtë, 1974).

Muçíl|ë, -a f. sh. -a. Tokë ligatinë në formë grope, që mban ujë pa e qarkulluar dhe verës mban álga; është me madhësi të ndryshme.

Doli nga muçíla. fraz. Doli nga një gjendje e keqe, prapambetje, ku ndodhej për arsye të ndryshme. Pasi u rrahën mendimet, rezultoi se nuk është fajtor për atë që mendohej. Tani e ka kollaj ai, doli nga muçila. (Ymer Gega, 1974).

Ishte bërë muçilë. fraz. Ishte dehur dhe nuk ishte në gjendje të mbante ekuilibrin; gjatë ecjes shkelte ku të mundte dhe nga kjo ishte lagur, bërë me baltë, duke rënë në sy si mos më keq. E pashë prej së largu që ishte bërë muçilë, por nuk e ngava. (S. Guri, 1974).

Múzg|ë, – a f. sh. -a. Një lloj toke shumë e ngjeshur, që nuk punohet lehtë. Gjendet më tepër në tokat argjilore. Prej ngjyrës që ka muzga në vende të ndryshme shohim se përdoret më tepër: muzgë e zezë, muzgë e kuqe dhe muzgë e verdhë. Ama ka dalënjë muzgë e zezë, që lëre mos e nga! (Y. Gega, 1974).

Nuk ke pjekur në ndonjë múzgë ti, që ta marrësh vesh sa vezë të merr shporta. fraz. Nuk e ke provuar ende veten në vështirësi, që të jesh në gjendje të bësh vlerësim më të saktë për çështje të ndryshme.

P

Plás|ë, -a f. sh. -a. E çarë e thellë në shkëmb, që vjen duke u ngushtuar nga fundi. E gjithë rrëkeja futej nëpër plásat.

Platér|e, -ja f. sh. -e. Vend pak i thelluar, i mbrojtur nga erërat, në drejtim të lindjes. Kur erdha unë, ai kishte zënë një platere dhe flinte a s’flinte.

Ka zënë ndonjë platére gjëkund. fraz. Ka siguruar një qoshe të ngrohtë e të rehatshme, duke bërë lloj-lloj manovrimesh. Duke e ditur një gjë të tillë, ai bën çdo përpjekje që të mos kuptohet se në atë vend ku ndodhet ka ardhur duke bërë shumë zigzage. Për atë pyet ti, ka zënë ndonjë platere ai, pa prit të dëgjosh më vonë për të!

Plis, -i m. sh. -a. Një copë tokë e këputur me shatë ose qyrek, që ka një sasi bari, zakonisht të gjelbër. Plisi qëndron i paprishur po ta heqim me kujdes. Gjithashtu, plís quhet edhe një tokë e hapur së pari, e cila paraqet mjaft vështirësi në punim, sepse është e fortë nga rrënjët e barit.

Plláj|ë, – a f. sh. -a. Kullotë e zhveshur në sipërfaqe të gjerë, zakonisht e pjerrët. Hajde seç ia futi Rrémja o, pllajës përpjetë (këngë popullore).

Póp|ël, -li m. sh. -la. Një gur mepeshë deri 1 kg, që përdoret për hedhje deri në 20 m. E pushtova me ca popla, që nuk pa nga iku.

Qenka bërë pópël. fraz. Thuhet për një të thatë (çiban) që është forcuar shumë (ka mbledhur) dhe nuk ka dhënë krye, d.m.th. nuk ka filluar të zverdhet. Amanmos e nga, se ai është bërë popël dhe nuk e duroj dot!

Postáf, -i m. sh. – ë. Një pjesë toke me gjerësi 3-5 e më tepër metra (sipas numrit të personave), ku punohet në mënyrë kolektive, si në prashitje, korrje, hapje toke të re etj. Një postaf ndryshon sipas vendit, numrit të personave, kulturës së mbjellë etj.

Mos hap postáf. fraz. Përdoret kur duam të mos e vazhdojmë një bisedë të nisur, nga e cila dikush mund të revoltohet për ndonjë arsye ose një tjetër. Rri or tani, se e morëm vesh, mos hap postaf dreqi e mori! (Y. Gega, Karkavec, 1974).

Prag, -u m. sh. prágje. Pjesë dheu e lartësuar në një parcelë për të ndaluar kalimin e ujit nga një vend në një tjetër. Mor po, mos kisha bërë ca pragje, m’u gërrye toka fare. (R. Goçi, Bërzeshtë, 1974).

M’u bë prag. fraz. Thuhet kur nga një hidhërim i papritur dhe i rëndë, njeriu nuk ha dot asnjë lloj ushqimi. E ku e haja dot unë atë bukë, kur e mora vesh, m’u bë prag në grykë. Shih, dystoji mirë ata pragje se duken që atje tej. (Shprehjet janë marrë direkt prej bisedave të ndryshme nga goja e popullit).

Pus, -i m. Baltë shumë e hollë, eujshme, e bërë në atë formë nga shkelja e tepërt në një vend, sidomos nëpër oborre, rrugë e lokale, atje ku njerëzit banojnë më tepër. Nuk e sheh si jam, tërë pus!

Nuk numërohen gjurmat për pus. fraz. Kur bëhet potere e madhe, është zor ta gjesh atë që bën më tepër.

Q

Qáf|ë, -a f. sh. -a. Vend ndërmjet dy lartësive, ku mali vjen e ulet dhe ku kalon një rrugë këmbësore ose makine. Në Qafën e Malit kishte afër 1 m borë dhe ishin thyer gjithë ato ahishta!

Po në një qáfë del. fraz. Kur persona prekin një çështje në forma të ndryshme, themi se po në njëqafë del, d.m.th. si ti ashtu edhe unë, të njëjtën gjë duam të vëmë në dukje.

Qét|ë, -a f. sh. – a. Faqe shkëmbore në pyll dhe e veshur me drurë të ndryshëm e shkurre.

Qeta e Dáshit (toponim).

Ishte bërë qétë e gjallë. fraz. Përdoret për të treguar se një vend nuk është pastruar nga shkurret dhe barishtet e këqija, sidomos në pemëtore ose kopshte.

Qilízm|ë, -a f. sh. – a. Tokë e punuar thellë (60 deri në 80 cm), për kultura të ndryshme, si hardhi, pemë etj. Thellësia matet rregullisht.

RR

Rrah, -u m. sh. -e. Vend i pjerrët, i prirë nga dielli, zakonisht i pyllëzuar, me gjerësi 200-300 m dhe gjatësi afërsisht 600-700 ml.

Po ngjiteshe nga rráhu i Sheshléhut (toponim). Këtë fjalë e gjejmë të përdorur edhe te De Rada: (“Milosao”) K. VIII, përkthyer nga J. Kastrati (fq. 50.), si edhe te “Vërshimet e lumenjve” fq. 122. Prej këtej vjen edhe fjala rrahíshtë (vend që përfshin disarrahe më të vegjël). Shënoj se fjala rrahë përdoret për të treguar se një pemë është shkundur me shumë forcë dhe i kanë rënë pothuajse tërë frytet në tokë, të pjekura e të papjekura. E kishte bërë rrahë manin.

U bë rráhë an’ e qosh. fraz. Janë të sëmurë me grip disa persona në një familje apo lagje, ose janë të dehur dhe nuk bien në mend (nuk e mbajnë fare ekuilibrin).

Rrás|ë, -a f. sh. -a. Shtresë guri me sipërfaqe të madhe nën tokë, me ngjyra të ndryshme, por jo shumë e thellë. Misri u dogj përujë, sepse e ka rrasën afër (d.m.th.toka nuk ka vlagë, sepse poshtë, jo shumë thellë, ka një shtresë të gurtë, që nxehet më tepër se sa toka e butë).

Doli rrásë. fraz. Thuhet kur nënjë bisedë për diskutimin e ndonjë çështjeje, haset në një pengesë që paraqet mjaft vështirësi për ta vazhduar më tej. E pe që doli rrasë dhe ia mbathe! (R. Goçi, 1974).

Rrëpír|ë, -a f. sh. – a. Një pjesë toke e zhveshur, e gjatë, e ngushtë dhe mjaft e pjerrët. Në këtë pjesë toke zakonisht nuk mbin bar apo shkurre të ndryshme.

Rrëxím|ë, -a f. sh. -a. Vend i ngushtë, i pjerrët dhe shkëmbor, nëpër të cilin kalon një rrugë këmbësore. Zakonisht kufizohet me përrenj në të dyja anët.

Rríp|ë, -a f. sh. -a. Vend i pjerrët, pa bimësi, me strukturë të dobët, me gjatësi 30-40 m, e krijuar zakonisht nga gërryerjet e rrëkeve apo përrenjve të vegjël.

Rreth, -i m. sh. rráthët. Vend i pjerrët, që vjen në formë të lakuar a gjysmë harku, i veshur me bimësi të ndryshme, i mbjellë me kultura bujqësore ose jo. Sipërfaqja mund të jetë me madhësi të ndryshme, 3-5 dynymë, ose edhe më tepër.

Kujdes mos e mbyt (d.m.th. mos e gërryej gjatë ujitjes) arën se është rreth! Rrethi i Tólës (toponim).

Rrókát|ë, -a f. Kokrrat e dheut, me madhësi të ndryshme që kanë mbetur të thata në një tokë të mbjellë, quhen rrokátë. Toka bëhet ugar, mirëpo nuk e ka vlagën e duhur për mbjellje. Në rast se vazhdon thatësia, duhet ujitur dhe pastaj të mbillet. Në qoftë se mund të bjerë pak shi, njomja nuk është bërë e plotë, ose siç i thonë në gjuhën e popullit “nuk është ngopur”. Nëse e mbjellim tokën, disa tokëla dheu (sidomos kur kemi të bëjmë me strukturë argjilore) që kanë qenë të thata, hyjnë në brendësi dhe si pasojë pengojnë mbirjen e kulturës bujqësore. Kjo sasi dheu i thatë në formë kokrrash, në brendësi të tokës së njomur me ujë ose me shi, quhet rrokátë. Aha, është rrokátë e madhe, kështu nuk mbillet misri. (R. Kuka, Bërzeshtë,1974; Y. Gega, Karkavec, 1974).

Qenka bërë rrokátë e madhe. fraz. Është shpërdorur buka simos më keq, duke lënë copa sa në një vend në një tjetër. Mor po qenka bërë rrókatë e madhe. (Ymer Gega, Karkavec, 1974).

Rrótull, -a f. sh. -a. Një copë guri limuar me dorë (mjet pune) i shpuar në mes, i cili futet në boshtin që përdoret për tjerrjen e leshit. Sqaroj se leshi tirret me furkë dhe me drugëz, kurse me boshtin që ka në majë rrótullën, jo vetëm që tirret, por, në të njëjtën kohë, i jepet një dredhje më e madhe fijes. Këto fije të përgatitura në këtë formë përdoren zakonisht për qepjen e rrobave të leshta (shajakë) etj. Guri që shërben për rrotull mund të jetë i butë (shtuf) ose në vend të tij mund të përdoret tjegulla, të cilën e rrumbullakosim dhe e shpojmë në mes me një gozhdë apo me diçka tjetër metalike. Nuk kamrrotull mor bir, prandaj i kam vënë boshtit një mollë! (P. Kuriqi, 46 vj., Karkavec, 1974).

Bëhet koka rrótull. fraz. Duke u endur poshtë e lart për punë të kota, ndien shqetësim a marramendje dhe nuk je në gjendje aktive. Atje, or vëlla, të bëhet koka rrotull, ke parë rrotull ti? Prandaj kot i bie prapa asaj pune! (F. Radiçi, 57 vj., Karkavec, 1974).

 S

Sófër. Gur i madh, me formë tërrumbullakët dhe diametër rreth 2 m, që është pothuajse i sheshtë dhe ka formën e sofrës së bukës. Kjo fjalë përdoret edhe për të treguar se një gur qosheje është shumë i madh, saqë mezi ngrihet nga dy veta për ta vendosur në mur. Ama, sofër fare, shihe, shihe kush lëviz. (Y, Gega, 1974).

Sop, -i m. sh. -e. Vend i ngritur, në faqe të një kodre të vogël, vije a rruge, i krijuar nga hedhja e dheut herë pas here, ose pjesë e vogël toke e gërryer anash. Quhet edhe pjesa e ngritur e buzës së lumit. Vinte lumi sop mësop. Shemba një sop dhe e dystova pak vendin.

Vinte lumi sop më sop. fraz. Fliste me të shpejtë dhe mjaft i inatosur, pa u përmbajtur, duke nxjerrë fjalë mbarë e prapë. Vinte lumi sop më sop or vëlla, nuk bëhet shaka aty me ata njerëz. (Y. Gega, Karkavec, 1974).

Spíc|ë, -a f. sh. – a. Pjesë guri e hollë, e mprehtë, e krijuar gjatë thyerjes me çekan ose gur me gur. Sqaroj se kur spica është shumë e vogël, 2 -10 cm e gjatë, quhet cífël – cifla, sh. cífla-t.

Strall, -i m. sh. – ë. Një lloj gurime shkëlqim të hirtë të çelur, shumë i fortë, i cili përdorej për shkrepje në armët e vjetra. Qenka tamam si strall ky misër, se nuk e bluaka as mulliri! (Y. Gega, 1974).

Është strall i rrallë. fraz. Plak i vjetër (mbi 80 vjet), por i fortë fizikisht, zakonisht jo i shëndoshë, i thatë e fytyrëhequr. Si or, rron Canoja, më habite; është strall i rrallë ai. (L. Leka, 75 vj.,Librazhd, 1974).

Sumulák, -u, m. sh.sumulékë-t. Gur me peshë 1-2 kg që hidhen me dorë në raste të ndryshme. Ia futa me ca sumulekë, që nuk pa nga vajti! (I. Vosku, 40 vj., 1974).

Ç’i ke ata sumulékë? fraz. Ç’janë ato fjalë të rënda, të mbledhura me qëllim ndaj një tjetri, në prani të disa personave të tjerë. Mor po ç’i ke ato sumulekë ti, ke tru apo jo? (L. Leka, 40 vj., Bërzeshtë, 1974).

Sýlme, -ja,f. sh. sýlmet. Mézhda e vjetër e një are që ka pasur mur përfundi dhe është trashur me dhé e bimë të ndryshme me kalimin e kohës. Këtë fjalë e kam hasur edhe në Çermenikë, me kuptimin e pjesës së sipërme të rrumbullakët të oxhakut, ose siç quhet edhe në Elbasan, fronoxhák.

SH

Shémb|ë, – a f. sh. -a. Vende që kanë sasira uji në thellësi, buzë përrenjsh, që janë zhvendosur nga njëfarë lartësie. U futa nëpërca shémba saqë nuk kalonte as gjarpri. (Y. Gega).

Të raftë shémba. fraz. Përdoret si mallkim: U bëfsh si mos më keq;u rrënofsh që nga themeli me tërësej. Kjo është një shprehje që përdoret rëndom nga goja e popullit dhe gjithnjë me të njëjtin kuptim. Po pse më re, mortë raftë shemba; ç’pate, mor t’u harroftë emri, t’u harroftë! (G. Zharri, 50 vj., Bërzeshtë, 1974).

Shërón|ë, -a f. sh. -a. Grumbull i madh gurësh gëlqerorë, me forma e madhësi të ndryshme, por që janë të lëvizshëm dhe jo të ngulur në tokë. Kecat kishin hyrë te shërona e madhe dhe nuk dilnin dot. Shërona ka një sipërfaqerreth 50 -60 m2, e grumbulluar në mënyrë natyrale. Shërona e Dáshit (toponim).

Shkáll|ë, -a f. sh. -a. Vendshkëmbor i thepisur, ku kalon një rrugë këmbësorësh me pjerrësi të madhe, në pamundësi për të kaluar në ndonjë vend tjetër. Ishte një shkallë e keqe që tëmerrte shpirtin! Shkalla e Duçes (meqë ndodhet në afërsi të fisit Duçja, në veriperëndim të fshatit Bërzeshtë).

Shpéll|ë, -a f. sh. -a. Vend shkëmbor i thelluar natyralisht në formë dhome, nën tokë krijuar nga zhvendosje të hershme të tokës. Ik’ e ik’ e zurinata dhe u fut në një shpellë, aty e zuri gjumi (nga një përrallë evjetër). Shpella e Gropës së Bishtogut (toponim).

Mbylle shpéllën. fraz. Përdoret me kuptimin fyes për të mbyllur gojën, për dikë që flet shumë e pa vend. Nuk e mbylle atë shpellë tërë natën, paske qenë çudi! (Y. Gega,Karkavec, 1974). Shprehja përdoret rëndom edhe në Bërzeshtë.

Shtrat, -i m. sh. shtrétër. Pjesa e kufizuar e një lumi ose përroi, që nuk kalohet përherë. Zakonisht shtrati është i mbuluar me bimësi të ndryshme. Më 1962 Shkumbini kaloi shtratin dhe mbyti me qindra kapule misri në zall. (D. Osmëria, 1974). Prillit fillojnë t’i gërryhen shtretërit sa vjen uji i borës. (Y. Gega).

Shtrónj|ë, -a f. sh. -a. Përzierje e kashtës së grurit ose çdo të lashte me dhé e me pleh organik, që hidhet në arë për trashjen e tokës dhe për të mbajtur ujë në ato parcela që janë të pjerrëta. E di samirë buton ai rrethi, se i kam hedhur një shtronjë. (Y.G.).

Shtuf, -i m. Një lloj guri me ngjyrë të gjelbër të çelur, në të verdhë e kafe, jo shumë i fortë, që nuk bën pjesë te gëlqerorët. Ky lloj guri nxirret kryesisht për ndërtim, sepse punohet (gdhendet) me lehtësi. Përdoret për qoshet e murit, si edhe për gurët e oxhakut (anësorët), të cilët vendosen gjithnjë të gdhendur. Ç’gur është ky shtufi, xhanëm, për ta gdhendur! (R. Goçi, 1974).

Mos i fut shtuf. fraz. Thuhet kurnjë person nxit me fjalë një tjetër për t’u zënë me dikë në lidhje me një çështje të caktuar. Kuptimi i shprehjes vjen nga veprimi i hedhjes së shtufit të shtypur në qymyrin që digjet në farkë, në çastin kur i fryhet me gjyryk për punimin e metalit. Shtufi e ndihmon nxehjen e materialit për punim.

Shull|ë, -ri m. sh. shullëje. Vend i pjerrët me tokë jo fort prodhuese, zakonisht i thatë dhe me dhé të paktë, që më tepër priret nga dielli. (Prej këndej rrjedh edhe folja) Shullëhem: U shullëve gjithë ditënti dhe tani më vjen e bën llafe, ik’ore.(A. Goçi, 1974). Nepërk’e e shullërit, zhurítur për ujë (këngë popullore).

Ai di vetëm të shullëhet. fraz. Përdoret për dikë që është dembel, që i shmanget punës dhe ka qejf të rrijë shtrirë te ndonjë rreze dielli. Mos pyet përatë, ai di vetëm të shullëhet e asgjë tjetër! (A. Goçi, 1974).

Shur, – i m. Rëra e hollë dhe e bardhë e lumit ose përrenjve, që nuk përdoret për ndërtim, sepse është shumë e hollë. Ky shur qenka mu si miell gruri. Thëllëza në shur të bardhë moj aman, aman (këngë e vjetër popullore).

Shurák, -u  m. sh. -ë. Grumbullimi i një lloj rëre të trashë e të bardhë që gjendet buzë lumenjve me pak ujë dhe në disa përrenj. U bëra qull, por dola në njëshurak dhe u thava. (Y. Gega).

Kishte mbetur në fund shurák. fraz. Thuhet për një lëndë ushqimore që nuk është kulluar mirë, p.sh. pekmezi, mjalti, apo ndonjë ushqim tjetër i këtij lloji.

T

Tarác|ë, -a f. sh. – a. Toka kodrinore të sistemuara në formë brezash me 1,5- 2 m gjerësi. Kjo fjalë ka hyrë gjerësisht në përdorim pas krijimit të kooperativave (1957). Sot do tëpunojmë te taracat e Rrethit të Tolës. (Y. Gega, 1974).

Tép|e, -ja f. sh. -e. Kodër e vogël në mes të një fushe të madhe apo zalli, e cila ka origjinë shkëmbore, me një shtresë dheu jo fort të trashë. Tepja nuk punohet. Aikishte hipur mu në majë të tepes dhe bënte sehir. (Sh. Dashballa, 44 vj.,Bërzeshtë, 1974).

Tezék, -u m. sh. -ë. Copa toke që hapet së pari (plisa) me rrënjë të dendura bari, të cilat mezi dërrmohen gjatë punimit me mjete pune. Kurse plisi që përdoret, p.sh. me bar të njomë, që nuk ka rrënjë të gjata, si dhe një pjesë dheu që mezi hiqet prej tyre, nuk quhet tezek. Gjithashtu, në lidhje me po këtë fjalë sqarojmë se tezeku nuk është i lagët, por më tepër i thatë. Kurmë t’ia priti me një tezek, që iu bënë sytë sabah!

Ishte  tezék  i  gjallë. fraz. Përdoret për të treguar se dikush është i papastër në trup prej një kohe të gjatë: i paqethur, i parruar, tërë zhul, zdramë, dryshk (të tria këto fjalë janë sinonime: djersa e përzier me pluhur e ngurosur në trup). Bobo, ta shihje, mbeteshe pa mend, ishte tezek i gjallë! (F. Llarta, Qukës, 1974).

Tul, -i m. sh. – e (përdoret rrallë në shumës). Tokë e re, e papunuar, me trashësi të madhe dheu dhe me përbërje humusi; tokë prodhuese dhe zakonisht pa gurë, në formë të shkrifët, me pak lagështirë! Traktori çan ato tuletmirë e mirë dhe tani duan vetëm farën! Ama re m’ atë tul ti, tani do të bësh edhe llafe! (Y. Gega, Karkavec,1974).

Túm|e, -ja f. sh. -e. Vend i ngritur në formë të rrumbullakët, në krye të një lugine në pyll, ose në një arë të madhe në formë grope. Sa doli në majë të tumes, e pamë dhe kthyem rrugën. (Sh. Dashballa, 1974).

Ka hipur në majë të túmes. fraz. Kujton se flet gjëra me rëndësi, fjalë me vlerë, por në të vërtetë ka vetëm fjalë boshe, që më tepër të ngjallin neveri. E dimë, e dimë, ai ka hipur në majë të tumës, por ta lëmë në të vetën! (S. Guri, 1974).

Mos shkelësh në túmët! fraz. Mos bësh ndonjë gabim të papritur në bisedim e sipër, mos hedhësh ndonjë hap të gabuar! Shiko, mos shkelësh në túmët, se pastaj e di vetë ti! (Y. Gega, Karkavec, 1974).

Tún|ë, -a f. sh.-a. Vend që ka burime uji në thellësi dhe shtresa guri që ka rrëshqitur në njëfarë distance. Shpeshherë, këto zhvendosje arrijnë deri në një gjatësi prej 500 m. Kur pjerrësia është e madhe, por zakonisht më pak se 30, 40 deri në 10 m lineare, toka hapet në thellësi prej 2-3 m dhe me gjerësi 1, 2, 3 deri në 10-15 m, pra pjesë toke me sipërfaqe të ndryshme që zhvendoset në njëfarë distance. Ai rrushi te tuna eDuçes po rrallohet shumë, prandaj të futim ca çibukë me rrënjë! (F. Marta, 1974). Tuna e Duçes ndodhet në Karkavec, kurse shkalla e Duçes në Bërzeshtë.

Tutmáç, – i m. Tokë e punuar (ugar), që përmban lagështi të tepërt dhe për këtë shkak mezi punohet; ngjitet nëpër veglat e punës, saqë nuk bëhet për ta mbjellë me ndonjë kulturë. Struktura e dheut që bëhet tutmaç, zakonisht është argjilore, në ngjyrë të kuqe të errët. Për këtë fjalë, në popull përdoret në mënyrë figurative edhe fjala mëlçi. Ç’qenka bërë faretutmaç ky flamë vend, më këputi e gjë hiç! (T. Leka, 73 vj., 1974). Desha të heq nja dy prihë (vija tëngushta) për qepët, po ai vend ishtebërë mëlçi, veç ta shihje! (R. Kuka,1974).

Tutmáçi, po tutmáç është. fraz. Thuhet për një bukë që nuk është rrahur mirë, ka mbetur e papjekur dhe misri ka qenë i njomë e si rezultat buka ka dalë si dyllë, ngjitet nëpër duar dhe është fare pa shije. (T. Grepi, Bërzeshtë, 1974).

TH

Thep, -i m. sh.- a. Pjesa më e mprehtë që ka një gur i madh në sipërfaqen e tij; të tilla pjesë shkëmbi ka me shumicë, prandaj dhe në më të shumtën e rasteve përdoret në numrin shumës. Aishkelte zbathur nëpër gurët thepa-thepa. (A. Goçi, 1974).

Thík|ë, -a f. sh. -a. Shkëmb mjaft i mprehtë, me gjatësi të madhe, në të cilin kalon një rrugë këmbësore; e përpjetë e madhe, që bie gati pingul dhe shumë e vështirë për t’u ngjitur. Ishte një shkëmb thikë, që të merrte shpirtin. (S. Guri, 1974).

U

Ugár, -i m. sh. -e Ara që punohet për herë të parë çdo vit. Për çdo mbjellje, toka më parë bëhet ugar, pastaj përzihet (me qëllim që të shkriftohet mirë dhe mbillet).

Ama u dogjën mirë e mirë këto ugaret, vetëm këtë shi deshën! (Xh. Dashhana, Fanjë 1974). Sqarojmë se në lidhje me fjalën ugar përdoret edhe shprehja tjetër për fáqe, d.m.th. kur toka nukbëhet fare ugar, por mbillet që me punimin e parë. Kjo ndodh në raste të rralla. Ku më shkon kështungadalë, breshkëz e o moj Ugarit (këngë popullore).

V

Vapém, -i m. Quhet dheu i bardhë me origjinë nga guri bigorr (shih këtë fjalë më lart). Ky lloj dheu përdoret për të “prerë” lëngun e rrushit dhe pasi është shtypur, lëngu i “prerë” bëhet pekmez. Para se të hidhet vapemi në kaden me lëng rrushi, duhet të nxehet në zjarr sa ta durojë dora, pastaj lëngu i “prérë” kullohet dhe trashet duke valuar në zjarr. Për një dorë vapem, deri atje?

E bëre fare vapém. fraz. E ka pjekur me vaj shumë mirë miellin, aq sa duhet për gjellën që do të gatuhet, duke i dhënë ngjyrën e kuqërremtë, ashtu si vapemi pasi është nxehur në tavë, para se të hidhet në lëngun e rrushit. (D. Osmëria, 1974).

Vjóll|ë, -a f. sh. -ë. Kështu quhen disa gurë me sipërfaqe rreth 50 x 60 cm dhe me lartësi rreth 20-30 cm të vendosur diku në kullotat verore, mbi të cilat hidhet kripë për bagëtitë e imëta (dhen e dhi). Në mungesë të gurëve, zgjidhet një vend i sheshtë me bar, por që toka është e ngjeshur. Bagëtitë, jo vetëm që e lëpijnë vendin për rreth 1- 2 orë, por pas çdo kullote rendin për në vjollët, edhe pse kripë nuk gjejnë. Pra, edhe guri ku hidhet kripa, edhe vendi quhen vjollë. Këta dhen më bënëtelef, tërë ditën nëpër vjollët! (G. Grepi, Bërzeshtë, 1974).

Shkon gjithnjë në vjóllët. fraz. Është mësuar gjithnjë me punë të rehatshme, privilegje, me lëshime, nëpër qoshe të rehatshme, të cilat i ka bërë të rëndomta në punën e tij. E di unë,ai shkon gjithnjë në vjollët, por tani s’ka! (S. Guri, 1974).

X/Z

Xibërrísht|ë, -a f. sh. – a. Një rrip toke shumë i ngushtë, i gjatë dhe me pjerrësi të madhe; kryesisht vendet që dikur janë punuar, por që nuk prodhojnë dhe janë lënë pas dore për kullota të thata.

Nga na fut nëpër ato xibërríshta. fraz. Na mundon kot së koti me fjalë pa vlerë, që më tepër prishin punë sesa ndreqin. Kërkon të dalë nga situata me shprehje që i quan si argumente bindëse etj. Mor po ti, nga na fut nëpër ato xibërrishta? (Y.Gega, 1974).

Zall, -i m. sh. záje. Tokë e punueshme në afërsi të shtratit të lumit, e cila ka strukturë ranore dhe që shumë vjet më parë ka qenë e mbuluar nga lumi. Pjesa më e afërt lumit, e mbuluar me gurë të limuar dhe kum që nuk punohet quhet zallishtë. Sqarojmë gjithashtu se zall quhet edhe një gur i limuar që ndodhet jashtë lumit ose brenda në të. I punoi ato zaje traktori që të ka qejf shpirti t’i shohësh. (Y. Gega, Karkavec, 1974). Përdoret dendur në rasën vendore: Do tëshkoj në zállt!

Lehe zálli. fraz. Përdoret për tëtreguar se prihët e qepëve apo të perimeve të tjera janë shumë të gjera, ashtu siç ndodh me lehet e zallit, të cilat për shkak se bëhen në tokë që nuk gërryhet, marrin edhe ujë më shumë. Hajde, léhezalli, hajde! (M. Alla, 53 vj., 1974).

Si peshku në zallt. fraz. Mbetet në gjendje të keqe dhe të papritur. Tani që mbeti si peshku në zallt, e mori vesh edhe ai, po ç’e do! (F. Marta, 1974).

ZH

Zhur, -i1m. sh. zhurákët. Gurë me madhësi mesatare që gjenden në thellësi të shtratit të lumit, të cilët me kalimin e kohës zbulohen dhe nxehen mjaft nga dielli. Këta gurë në përgjithësi qëndrojnë të ngulur në tokë pjerrësish.

Zhur, -i 2m. Dhembje shpirtërore, mall i fortë. Dëgjoje mor dëgjoje, është këngë me zhúre: shumë e përmallueshme, prekëse, që bën fjalë për mendimet, ndjenjat dhe dëshirat e një personi, i cili ka pasur vështirësi në jetë.

Qenka bërë zhur. fraz. Është bërë shkrumb (buka që është vënë në zjarr për t’u ngrohur është djegur shumë) . Pse nuk e ktheve atë bukë, qenka bërë zhur!? (N. Leka, Bërzeshtë, 1974).

Shkoi i (e) zhurítur. fraz. Vdiq me zemër të përvëluar, sepse nuk i plotësoi dot disa dëshira që kishte, me gjithë përpjekjet e shumta që bëri. Eh, të të vijë keqpër të gjorën, se shkoi e zhuritur për fëmijët që nuk arriti t’i martonte. (T. Leka, Bërzeshtë, 1974).

 

SHËNIME

Siç paraqitet edhe te materiali, emrat e gurëve dhe të dherave janë mbledhur ashtu siç njihen nga populli në ditët e sotme dhe me anë të shembujve apo shprehjeve të ndryshme frazeologjike janë treguar ndryshimet që vihen re për secilin emër gjatë të folurit të popullit, se si nga një emër janë krijuar një ose disa emra të tjerë, të cilët shprehin nocione të tjera, ose të përafërta me të parat.

Kështu, bie fjala, nga përdorimi në gojën e popullit i emrit bigórr, kemi të krijuar emrin tjetër bigorríshte. Me të njëjtin emërpopulli quan edhe fundërrinat e krijuara në enë nga kripërat e ujit gjatë zierjes për një kohë të gjatë. Po kështu mund të përmendim se me këtë emër janë krijuar edhe shprehjet frazeologjike: i gjetën bigórr, ose u bë bigórr.

Gjatë sistemimit të këtij materiali kam vënë re se disa fjalë (emra) që janë edhe në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954), si p.sh. emrat bigórr, shémbë etj. Ndonëse shpjegimi i plotë i tyre nuk jepet ashtusiç e ndeshim të përdoret në këtë zonë, apo ndonjë luhatje tjetër që nuk ia vlen ta përmend në këto shënime, qëllimi i futjes në këtë material ka qenë që të jap një pasqyrë të shtrirjes së përdorimit më të gjerë të atyre fjalëve, d.m.th. se deri në ç’zonë njihet dhe si njihet kuptimi i këtij apo atij emri; të paraqes fjalët (emrat) bazë dhe ato të krijuara prej tyre, p.sh. nga fjala elb kemi emrin elbëríshtë etj., që janë renditur në material, si edhe shprehjet e ndryshme frazeologjike që janë krijuar nga goja e popullit, kuptimet e të cilave janë dhënë ashtu siç janë dëgjuar nëpër biseda të ndryshme, si edhe nga vërejtjet e herëpashershme që janë bërë gjatë viteve. Banimi për një kohë të gjatë në një vend (si në zonën e Bërzeshtës ashtu edhe në atë Çermenikës) më jep mundësinë që t’i di saktësisht përdorimet e fjalëve në të folurin e përditshëm nga goja e popullit, si edhe kuptimet që merr çdo fjalë apo togfjalësh e shprehje në raste të ndryshme. Për këtë jam munduar që ta bëj sa më të qartë me shembuj konkretë, duke dhënë edhe emrat e personave prej të cilëve është marrë shembulli përkatës, si edhe vitin (1974), gjatë të cilit kam mbledhur pak nga pak emrat e ndryshëm të gurëve dhe të dherave.

  1. Jam i bindur se materiali duhej dhe mund të ishte më i plotë e më i qartë nga çdo pikëpamje, por theksoj se e kam grumbulluar në një formë të tillë që të jetë si pasqyrë për të parë disa veçori të përdorimit të disa emrave në këtë zonë, si nga ana leksikore, ashtu edhe nga veçoritë gramatikore në përdorim e sipër të fjalës, p.sh. nga fjala bútë kemi emrin ose fjalën butónjë, foljen butój (pjesore butúar), shprehjen më të butúar etj.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për fjalët bisht-arák, blátë-a (blatíshtë -a-t), brókë-a (brókë -urimë-a-t), çákull ( çakullímë -a -t), dyste, nga dyst, djerr (djerríshtë-a-t), elb (elbëríshtë), grópë (gropçéle-ja), gurdyfégu (gur+dyfek) fjala shqiptohet me g, prandaj e kam shënuar kështu!

Gurlugáti (gur+lugát), gurmullíri (gur+mulli), gur-ishtë, gur-ore, gurshkrépës (gur+shkrepës), hedhurínë (nga folja hedh) është krijuar njëemër i ri që zor se mund të ndeshet në ndonjë zonë tjetër, të paktën me këtë kuptim; nga emri krástë kemi emrin tjetër krastók, nga kum kemi kumíshtë, kumsállë, ose nga folja kullój kemi emrin kullésë. Me interes është folja me platítet (zjarri) “fiket pak nga pak vetvetiu”: nuk mund të themi kurrë: hidhi ujë zjarrit që të platitet, por véna (vér-na) ndonjë dru në zjarr, se nuk e sheh që u platit fare, d.m.th. nga koha e gjatë pa e ngacmuar, drutë u dogjën nën vete dhe zjarri u platit!

Mos e platit zjarrin, por luaji úrat (drutë në zjarr); nga folja platit kemi emrin platére.

Nga folja plas kemi emrin plásë, apo nga folja me rrëzój kemi emrin rrëxímë (në të folurën e vendit përdoret me x e jo me z); nga folja shemb kemi emrin shémb| ë-a; nga folja shtroj kemi emrin shtrónj|ë-a. Kurse ndryshe ndodh me emrin shúllë, prej të cilit vjenfolja shullëhem. Nga emri shur-i kemi emrin tjetër shur-ák. Gjithashtu sqarojmë se nga fjala me tund (në gojën e popullit tun, me asimilimin nd > n) kemi emrin túnë-a etj.

Nga fjalët çil-i, çíle, çilák, u formua edhe folja çílem“thinjem”, por edhe emri çil, si ngjyrë, prej nga dhe ka marrë emrin guri çil.

Prej ndajfoljes dyst (rri dyst, vjen dyst etj.) kemi emrin e vendit dýst|e-ja. Prej emrit damár (damarët e trupit, damari i ballit) kemikuptimin e ri “një rrip i ngushtë dheu që dallon nga shtresa tjetër e dheut, ose një shtresë e ngushtë guri në thellësi që është më i fortë se të tjerët”; nga emri fáqe që ka aq kuptime (faqe e njeriut, faqe elibrit, faqe e jorganit etj.) kemi faqe e malit.

Po kështu mund të përmendim edhe plot emra të tjerë si: grýkë, këmbë, kokërdhák, kurríz, qáfë etj., të cilët kanë kuptimet e tyre direktedhe ato figurative në vende të ndryshme, sipas formës madhësisë, ngjyrës, përbërjes etj.

Ndërsa për fjalën (emrin) rráh-u dua të sqaroj se kemi një ngjashmëri të madhe midis fjalës rráh (folje) rráh (emër) dhe rráhë (ndajfolje). Siç e kam theksuar edhe te vendi përkatës, ky emër është përdorur prej shumë vitesh në të kaluarën nga kjo zonë, sepse jo vetëm që përdoret prej personave në moshë të shkuar, por e gjejmë edhe në toponimet e fshatit, p.sh. Rráhu i Shéshlehut. Këtë fjalë e gjejmë të përdorur edhe në letërsinë artistike si te “Lufta e paqja” e Leon Tolstoit, përkthyer në shqip prej Sotir Tacit, te “Vërshimet e lumenjvet” e Konstantin Paustovskit, përkthyer prej Dhimitër Paskos, por ajo që ka më tepër rëndësi e gjejmë te Kënga VIII në veprën e poetit tonë arbëresh, Jeronim de Rada “Milosao”, e përshtatur në gjuhën shqipe prej prof. Jup Kastratit. “Dreq rráhjet é detit / Gëzoi ditta e káljthërëz”.

Nga ky fakt na jepet mundësia të mendojmë se fjala rrah-rráhu më tepër ka rëndësi si fjalë e vjetër e shqipes sesa si emër vendi apo si figurë letrare.

Prej emrit rreth (e rrumbullakët e mbyllur) kemi emrin e vendit (shih më lart), kurse nga emri rrótë-a, kemi emrin rrótull-a, që përdoret për boshtin e tjerrjes së leshit.

Po kështu janë edhe emrat e tjerë qóshe, spícë, sófër, shkállë, shtrat,thíkë etj., që, veç kuptimit të tyre të parë, përdoren edhe me kuptimeqë kanë të bëjnë me gurët e dherat.

  1. Edhe çështja e formimit të shprehjeve frazeologjike me anën e shumicës së emrave të grumbulluar në këtë material, mendoj se ia vlen të kihet parasysh, për arsye se shërben jo vetëm si fakt për një studim leksikor të thjeshtë, por më tepër për atë që emrat me të cilët janë formuar shprehjet kanë një kohë relativisht të gjatë që përdoren nga goja e popullit, pra, janë fjalë bazë në fondin themelor të gjuhës së popullit dhe veç karakteristikave të mësipërme nuk kanë pasur ndryshime të tjera fonetike që meritojnë për t’u shënuar.

Në këtë material të thjeshtë përfshihen 127 emra gurësh e dhérash, si edhe 88 shprehje frazeologjike, përveç emrave dhe shprehjeve të tjera plotësuese.

Duke përfunduar këto pak shënime, pohoj edhe një herë se jam përpjekur që materiali të jetë sa më i qartë, me qëllim që të ketë njëfarë vlere për sektorin e leksikologjisë dhe leksikografisë.

Të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet në lidhje me këtë material, do të vlejnë për ngritjen e cilësisë së punës sime në të ardhmen.

Dëshiroj që të mbetem gjithnjë një bashkëpunëtor i devotshëm dhe modest, kurdoherë i gatshëm dhe i palodhur për zhvillimin dhe përparimin e gjuhës sonë!

Genc Leka, Më 14.04.1975

 

 

Letërkëmbimi i Genc Lekës me Prof. Androkli Kostallari

 

I nderuar profesor!

Në radhë të parë më lejoni t’ju sjell përshëndetjet e mia më të sinqerta. Ju ndoshta nuk e prisnit këtë letër, po ja që unë e mora një iniciativë të tillë që t’ju shkruaj më përpara. Jam arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën 7-vjeçare Zdrajsh të lokalitetit të Çermenikës. Para disa ditësh muarëm një letër të datës 10.X.1963, e cila më nxiti më tepër që ta shkruaj këtë letër. Jam dakord me ato që shkruani, vetëm se dua të theksoj se Seksioni i arsimit të rrethit tonë, deri tani nuk na ka njoftuar mbi sa ju na shkruani. Sidoqoftë, një punë të tillë unë e kam nisur vetë pa më thënë ndokush, vetëm e vetëm se jam i pasionuar pas gjuhës shqipe. Për këtë qëllim, u interesova dhe mora disa sqarime nga disa studentë t’Universitetit…

 

 

Republika e Shqipërisë Universiteti Shtetëror i Tiranës Instituti i Historisë e Gjuhësisë

Nr. ___ Prot. Tiranë më 12.XI.1963

Shokut Genc Leka,

Zdrajsh

Ju njoftojmë se morëm letrën tuaj të datës 28.X.1963. Presim materialet leksikore mbledhur prej jush në lokalitetin e Çermenikës, të cilat do të shpërblehen. Po ju dërgojmë udhëzuesin për mbledhjen e fjalës së rrallë në terren, i cili ju mëson se si duhet mbledhur dhe regjistruar fjala. Provimet e studentëve me korrespondencë zhvillohen në janar të vitit të ardhshëm.

 

I nderuar profesor!

Letrën tuaj të datës 8.XI.1963, e mora dhe për sa më shkruani, po jua dërgoj. Këtë radhë po dërgoj një pjesë të materialit të mbledhur dhe të përgatitur pa ndihmën e udhëzuesit. Për pak ditë ju dërgoj edhe pjesën tjetër, të cilën s’pata mundësi ta dërgoja këtë radhë (për çështje postare). Po vazhdoj të mbledh fjalë, sipas udhëzimeve që më dërguat. Ju lutem shumë, studioni me kujdes materialet e mia dhe mundësisht më shkruani (sado shkurt), nëse paraqesin interesin e duhur ose jo. Sidoqoftë, në t’ ardhmen do të sjell materiale leksikore më të pasura.

Mbetem në përgjigjen tuaj!

Nderime, Genc Leka

Zdrajsh 18.XI.1963

 

I nderuar profesor!

Para pak ditësh ju kam dërguar një letër dhe një pjesë të materialeve leksikore që kam mbledhur. Nuk di nëse e keni marrë letrën time ose jo dhe nëse materialet e dërguara paraqesin interesin e duhur. Sidoqoftë, po ju dërgoj edhe një pjesë tjetër të materialeve leksikore (që pata mbledhur më parë), duke shpresuar se do të më përgjigjeni për sa më sipër ju shkruaj! Pres çfarëdo sugjerimi në lidhje me materialet e dërguara.

Përfundoj, duke mbetur në përgjigjen tuaj.

Nderime e respekt, Genc Leka.

Zdrajsh, 25.XI.1963

 

 

Republika e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës

Instituti i Historisë e Gjuhësisë

Nr. ___ Prot.   Tiranë më 4.XII.1963

Shokut Genc Leka

Zdrajsh, Çermenikë – Librazhd

Ju njoftojmë se materialet leksikore dërguar prej jush më datë 18.XI.1963 dhe 25.XI.1963 u vlerësuan. Një pjesë e mirë e materialit tuaj është mjaft i vlefshëm për kartotekën e leksikut të shqipes. Lutemi që në mbledhjen dhe regjistrimin e fjalëve e frazave të rralla shqipe të keni parasysh udhëzimet e dhëna nga ne me letrën tonë të datës 27.XI.1963.

Po ju dërgojmë faturën me shpërblimin tuaj prej 445 lekësh, të cilën duhet ta firmosni dhe të na e dërgoni përsëri.

Presim gjithnjë bashkëpunimin tuaj të rregullit.

Drejtori: Androkli Kostallari.

 

I nderuar profesor!

Duke mbetur i kënaqur për vlerësimin e materialeve leksikore, të dërguara prej meje deri tani, më lejoni edhe një herë t’ju shpreh sinqerisht falënderimet e mia më të përzemërta. Me këtë rast, po ju dërgoj edhe një pjesë tjetër të materialeve të mbledhura në këtë zonë, të cilat besoj se janë sistemuar sipas kërkesave të udhëzuesit mbi mbledhjen e fjalës së rrallë. Aty-këtu në këtë material do t’ju bien në sy edhe fjalë të mbledhura në lokalitetin e Qukësit dhe kryesisht në fshatin Bërzeshtë, prej nga jam edhe vetë. Disa fjalëve, ndonëse të pakta, përbri u jap edhe sinonimin e kësaj abeje. Besoj se nuk sjell ndonjë çrregullim, sa i takon kërkesës së udhëzuesit. Sidoqoftë, ju lutem, në letër bëni hollësisht vërejtjet e sugjerimet tuaja, në mënyrë që të mund t’i jap Institutit ndihmën time sa më të madhe. Vazhdoj për mbledhjen e fjalës së rrallë, shprehjeve frazeologjike, materialeve të ndryshme historike (sidomos nga periudha e sundimit turk, kryengritjet e kësaj zone) materiale folklorike, gjëra që besoj se do t’u vlejnë. Pas një sistemimi të nevojshëm, do t’i nis materialet e sipërpërmendura. Me këtë rast, më lejoni i nderuar profesor, t’ju sjell urimet e mia më të mira: shëndet, jetë të gjatë e të gëzuar dhe suksese të mëtejshme në punën tuaj fisnike për vitin e ri 1964.

Me respect: Genc Leka.

Zdrajsh, 28.XII.1963

 

 

I nderuar profesor!

Letrën tuaj të datës 21.I.1964, e mora. Ju falënderoj për vlerësimin e punës sime. Me këtë rast, më lejoni t’ju premtoj se do të jap një ndihmë akoma më të madhe për pasurimin e kartotekës së leksikut të shqipes. Sipas letrës suaj, materialet leksikore këtej e tutje, do t’i dërgoj më të shumta, të cilat, si zakonisht, besoj se do të jenë të vlefshme. Lutem më njoftoni nëse doni t’ju dërgoj një kopje të “Historikut” të fshatit Zdrajsh, sipas udhëzimeve që jep në fund kuestionari. Me këtë letër po ju dërgoj edhe faturën e firmosur me numrin e serisë së pasaportës sime. Këto ditë ju nis si zakonisht…………

 

I nderuar profesor!

Para disa ditësh ju kam dërguar një letër, me të cilën edhe faturën e firmosur dhe me numrin e pasaportës sime. Besoj se këtë letër do ta keni marrë. Në letër ju thosha se do t’ju dërgoja për pak ditë materialet leksikore që kam mbledhur. Me këtë letër po ju dërgoj një pjesë të materialit të mbledhur deri tani. Siç do ta shihni, fjalët janë të fshatrave të ndryshëm dhe kryesisht të fshatit Funarës. Ju lutem më njoftoni rreth cilësisë së këtij materiali. Materialin tjetër do e nis së shpejti.

Duke ju uruar shëndet, Genc Leka, Zdrajsh, 3.II.1964.

 

Republika e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës

Instituti i Historisë e Gjuhësisë

Tiranë më 3.III.1964

 

Shokut Genc Leka

Zdrajsh, Çermenikë

Ju njoftojmë se morëm letrën tuaj të datës 3.II.1964 bashkë me materialin leksikor që na dërgonit. Theksojmë se materiali juaj i përmbush pothuajse të gjitha kërkesat e udhëzuesit. Si i tillë, ky material është i vlefshëm për leksikografinë shqipe. Disa udhëzime dhe vërejtje më speciale që po jua shkruajmë më poshtë, do t’ju ndihmojnë në punën e mëtejshme. Ne duam që në materialin tuaj të ardhshëm të pasqyrohen edhe disa kategori të tjera të leksikut të shqipes. Ju duhet të kërkoni në popull edhe leksikun abstrakt që shprehet në foljet, mbiemrat, ndajfoljet etj. Ju edhe vetë e dini se materiali që na keni dërguar përbëhet më shumë prej emrash dhe aty-këtu ndonjë folje a mbiemër. Në shënimet përkatëse që kërkohen tek emrat, nuk është e nevojshme që të tregoni lakimin e tyre, të qenit konkret a abstrakt, i parmë a i prejardhur, i përgjithshëm a i përveçëm. Këto karakteristika dalin të qarta edhe pa na i thënë ju. Gjatë punës për mbledhjen e leksikut do të hasni edhe emra që përdoren më shumë në shumës. Ju duhet të verifikoni mirë nëse folësi e përdor apo nuk e përdor në njëjës. Kur nuk përdoret në njëjës të shënohet se fjala e dhënë përdoret vetëm në shumës. Format e njëjësit nuk duhet të ndërtohen nga mbledhësi kur nuk e dëgjon në popull. Për këto që u thanë më sipër shih fjalën: gështarje, të cilën e ke dhënë në materialet tuaja. Gjithashtu jumund të hasni gjatë punës suaj edhe fjalë që zakonisht përdoren në njëjës. Përdorimi i tyre në numrin shumës duhet verifikuar mirë, p.sh. në fjalën dërguar nga ju pispilaq. Fjalën gjeçje ju e keni dhënë në krye si emër, në shembullin e paraqitur më poshtë del si mbiemër. Për përdorimin e fjalës kolomec si emër ju keni dhënë shembull, ndërsa për përdorimin e saj si mbiemër në kuptimin që nuk keni dhënë. Shembulli për këtë rast është i . . . . . . . . . . . .

 

I nderuar profesor!

Mora letrën tuaj të datës 3.III.1964. Në përgjigjen e saj, para së gjithash, më lejoni t’ju shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për vërejtjet dhe sugjerimet e bëra në dobi të punës sime këtu në Çermenikë, për mbledhjen e fjalës së rrallë. Vërejtjet e bëra janë me vend dhe ju vë në dijeni se do t’i kem parasysh për të ardhmen, në vazhdim të punës sime. Siç e theksoni edhe vetë në këtë letër, unë po përpiqem, me sa më lejojnë mundësitë, që t’i përmbahem sa më shumë udhëzuesit për mbledhjen e fjalës së rrallë. Në materialet që do t’ju dërgoj këtej e tutje, do të kem parasysh që të jenë nga të gjitha kategoritë dhe të verifikuara mirë. Besoj se edhe ju do ta ndiqni me po këtë sy punën time dhe se do të më ndihmoni, aty ku do të jetë e nevojshme, si deri tani. Me këtë letër po ju dërgoj faturën e firmosur, si edhe një pjesë tjetër të materialit, pjesën më të madhe, mbledhur në fshatin Bërzeshtë, si edhe në fshatrat e Çermenikës.

Mbetem në përgjigjen tuaj

Falënderime

Genc Leka

Zdrajsh, 16.III.1964

 

Republika Popullore e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës Tiranë, më 16.IV.1964 Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë

Nr. ____ Prot.

Sh. Genc Leka

Zdrajsh (Çermenikë), Librazhd

Po ju përgjigjemi për materialet tuaja të shkruara më datë 16 mars 1964.

Materiali juaj pasqyron një punë më të ngritur nga ana cilësore për mbledhjen e fjalës së rrallë e të frazeologjisë shqipe. Ne shpresojmë se puna juaj do të shkojë edhe më tej nga caqet e nivelit të tanishëm. Ju keni filluar t’i zgjeroni kërkimet tuaja në lëmin e leksikut abstrakt. Këtë duhet ta vazhdoni edhe më tej. Për mbledhjen e frazeologjisë popullore shqipe të krahinës suaj keni bërë gjithashtu hapat e parë. Për t’u thelluar në këtë sferë dhe në sferat e tjera për mbledhjen e leksikut dhe frazeologjisë shqipe, ne ju rekomandojmë që të studioni dispensën “Leksikologjia shqipe” e hartuar nga J. Stefi për studentët e institutit. Aty thellohuni veçanërisht në kapitullin e Semasiologjisë dhe të Frazeologjisë.

Duke e bërë këtë, ju do të mund të zbuloni në popull mjaft materiale të vlefshme.

Këtu më poshtë po ju bëjmë nja dy shënime konkrete për leksikun e mbledhur:

Fjalën hurúpe e keni dhënë hurúpe – hurúpka. Forma e pashquar hurupe na bën që të mendojmë për një formë të shquar hurupja ashtu si fshatare – fshatarja dhe forma e shquar hurupka na bën që të mendojmë për një formë të pashquar hurupkë, ashtu si fshatarkë – fshatarka. Ju në shembull e keni dhënë këtë formë të pashquar hurupkë (Të pafsha hurupkë!), kurse në krye e vini hurupe. Ju duhet të verifikoni nëse ekziston forma hurúpe – hurupja, kurse forma hurupkë – hurupka del e qartë se ekziston.Fjalën laskuner e jepni me shënimet përkatëse të një emri dhe mbiemri. Ne, duke u nisur nga shembujt që jepni, arrijmë në përfundimin se përdoret si mbiemër, djalë laskuner, por nuk e dimë nëse përdoret në gjininë femërore. Këtë nuk e keni dhënë. Nga shembulli tjetër që keni dhënë, duket që kjo fjalë përdoret edhe si emër, të cilin ju e jepni me shënimet e duhura.

Në fshatin tuaj është aktivizuar për mbledhjen e fjalës së rrallë edhe Zoi Kote. Ne kërkojmë që ju ta ndihmoni me udhëzime dhe të konsultoheni shpesh me njëri-tjetrin, në mënyrë që të dy të arrini rezultate të mira në punën e mbledhësit të leksikut dhe frazeologjisë. Kjo do të jetë në dobi të punës sonë të përbashkët. Ne kërkojmë gjithashtu që ju t’u shtini dashurinë për punën edhe arsimtarëve të tjerë të rrethit tuaj dhe t’i nxisni ata që të kontribuojnë në mbledhjen e leksikut. Instituti ynë ka udhëzuar Seksionin e Arsimit të rrethit tuaj për të ndjekur punën për krijimin e fletores së fjalës së rrallë në çdo fshat. Ne duam që eksperiencën tuaj t’ua jepni edhe të tjerëve. Në letrën tuaj ju shfaqnit dëshirën për t’u abonuar në Buletinin e Universitetit. Abonimet bëhen njëkohësisht në kohën e fushatave për organet e tjera të shtypit tonë. Pra, ju mund ta bëni që në 6-mujorin II të vitit 1964. Po ju dërgojmë faturën me shpërblimin tuaj, të cilën pasi ta firmosni e të vini përbri numrin dhe serinë e pasaportës, na e dërgoni përsëri.

Ju falënderojmë për bashkëpunimin.

Drejtori: Androkli Kostallari.

 

I nderuar profesor!

Nëpërmjet kësaj letre, përsëri më lejoni që të shpreh falënderimet e mia për përgjigjen e letrës sime të datës 16.III.1964. Para së gjithash, dua të theksoj se vërejtjet dhe sugjerimet tuaja të bëra në përgjigjen e datës 16.IV.64 janë sa të drejta aq edhe të nevojshme për ngritjen e punës sime dhe të cilësisë së saj për mbledhjen e fjalës së rrallë e të frazeologjisë në terren. Unë jam dakord me gjithë sa më shkruani ju. Në të ardhmen do të kem mjaft materiale leksikore për pasurimin e kartotekës së leksikut shqip, të një cilësie të mirë dhe të studiuar. Po kështu, do të përpiqem që të aktivizohen edhe mësues të tjerë, siç është aktivizuar Zoi Kote. Ju vë në dijeni se po studioj gjithashtu edhe dispensën “Leksikologjia shqipe”, si edhe lëndët e tjera të fakultetit. Në mënyrë të veçantë, si më udhëzoni edhe ju, kujdes i kam kushtuar kapitullit të semasiologjisë e frazeologjisë. Sa u takon vërejtjeve në lidhje me fjalët e shënuara në letër prej jush dhe kërkesat për to, gjithashtu është e udhës të bëj një sqarim të vogël. Siç e kam theksuar edhe në një letër më parë, punën për mbledhjen e fjalës së rrallë, ashtu si na rekomandon edhe udhëzuesi, po e zhvilloj në bazë të një plani të caktuar. Në sajë të kësaj forme dhe të udhëzimeve tuaja, shpresoj se në të ardhmen bashkëpunimi ynë do të jetë akoma më i vlefshëm për Sektorin e Leksikografisë shqipe. Mund të them se me një kujdes më të madh në shkrimin e fjalëve të mbledhura nuk do të më shpëtojnë as edhe një nga gabimet e vogla. Fjala hurúpe – hurúpka (dhënë prej meje në këtë formë) sikurse e theksoni edhe vetë, është hurúpkë – hurúpka; karakteristikat e tjera për këtë fjalë janë ato që kam shënuar. Pas një verifikimi që bëra, rezulton se përdoret, ndonëse pak më rrallë, edhe për gjininë mashkullore: hurúp – hurúp-i. Ai mbetethurúp, tani që i vdiq edhe djali. Ndërsa forma tjetër ekziston hurúpe – hurúpja (e afërt me fjalën hurúpkë, por përdoret për një gruaplakë, të shkuar nga mosha). Pra hurúpkë-hurúpka për grua të re nga mosha dhe hurúpe – hurúpja, për grua plakë.

Fjala laskunér-i përdoret si mbiemër. Në disa raste përdoret edhe i pashoqëruar me emër: Ik mor laskunér. Kam harruar të shënoj në letër se kjo fjalë përdoret edhe për gjininë femërore: laskunére – laskunérja. Vajzë laskunére si kjo s’kam parë.

Nëse do të vëreni gabime të kësaj natyre në materialet që do t’ju dërgoj këtej e tutje, lutem që nëpërmjet letrave tuaja të më kërkoni sqarimet përkatëse dhe unë do të bëj çdo verifikim, megjithëse, siç e theksova më lart, do të mundohem që të mos përsëriten të tilla gjëra. Më falni nëse u rizgjata pak, por besoj se janë në dobi të punës këto fjalë.

Duke pritur gjithnjë përgjigjen tuaj, ju falënderoj:

Genc Leka, Zdrajsh 30.IV.1964.

 

Republika e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës

Instituti i Historisë e Gjuhësisë

Nr. _____ Prot.           Tiranë, më 1.VI.1964

Shokut Genc Leka,

Zdrajsh (Çermenikë), Librazhd.

Morëm materialin tuaj të datës 30.IV.1964. Komisioni e vlerësoi atë dhe vë në dukje se puna juaj është e mirë. Gjatë shqyrtimit të materialit dalin edhe disa fjalë të tjera që ju i përdorni kur shpjegoni fjalën dhe shprehjen e caktuar. Këto nuk i keni shpjeguar dhe ilustruar, p.sh. rrapsall (te fjala mustaqezi), zallahie (te fjala splatit), trashanik (te fjala tundë), ftiri (te fjala tundë), rrëvamë (te fjala zorrë kali). Po ju dërgojmë disa fjalë që na kasjellë nxënësi Ferit Fixha. Këto i shihni edhe ju. Sipas kërkesave tona, plotësoni atë pjesë të materialit që është i vlefshëm. Ju do të shihni ato fjalë që janë shënuar në të kuqe, pastaj na i ktheni përsëri. Po ju dërgojmë faturën me shpërblimin tuaj, të cilën, pasi ta firmosni e të vini përbri numrin dhe serinë e pasaportës suaj, na e dërgoni përsëri.

Ju falënderojmë për bashkëpunimin.

Drejtori: Androkli Kostallari.

 

Republika Popullore e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës

Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë

Nr. ____ Prot.   Tiranë, më 29.9.1964

 

Shokut Genc Leka

Katundi Bërzeshtë – Qukës

Librazhd

Morëm materialin tuaj të datës 3.VII.1964. Komisioni e vlerësoi atë dhe vë në dukje se puna e juaj është e mirë. Në shpjegimin e materialit kanë dalë edhe fjalët shtarë (te fjala dollak) dhe postaf (te fjala gërxhall), që nuk është dhënë plotësisht kuptimi i tyre.

Nxënësi juaj F. Fixha ka shënuar edhe fjalën ginë – i fryrë. Na e shpjegoni edhe këtë fjalë.

Komisioni vë në dukje se të gjitha kontekstet dhe shembujt që jep personi nga i cili dërgohet fjala, duhet të shkruhen ashtu si i shqipton ai, pa ndërruar as formën e fjalëve dhe as konstruktin. Po ju dërgojmë faturën me shpërblimin tuaj, të cilën pasi ta firmosni e të vini përbri numrin dhe serinë e pasaportës suaj, na e dërgoni përsëri. Shpërblimin për materialin e F. Fixhës menduam t’ia bashkëngjitim shpërblimit tuaj.

Ju falënderojmë për bashkëpunimin.

Drejtori: Androkli Kostallari

 

Shokut Genc Leka

Katundi Bërzeshtë, Qukës – Librazhd 7.X.1964

Ju njoftojmë se materiali leksikor i dërguar prej jush më dt. 30.VII.1964 u vlerësua. Komisioni që e vlerësoi materialin tuaj vëren se gjatë shpjegimit të kuptimit të disa fjalive të rralla dalin nganjëherë edhe fjalë që nuk i ka Fjalori i gjuhës shqipe (1954), p.sh. shtarë dhe ginë (në materialet e F. Fixhës). Lutemi të na i dërgoni kuptimin e këtyre dy fjalëve. Po ju dërgojmë faturën me shpërblimin tuaj (së bashku me shpërblimin për materialet e dërguara nga F. Fixha), të cilën pasi ta firmosni dhe të vini përbri numrin e serinë e pasaportës suaj, të na e dërgoni përsëri.

Presim gjithnjë bashkëpunimin tuaj të rregullt.

 

 

I nderuar profesor!

Ndonëse me vonesë, po i përgjigjem letrës suaj të datës 7.X.1964 në lidhje me vërejtjet e bëra për materialin e mëparshëm që ju kam dërguar, për të cilat jam dakord. Për fjalët shtárë dhe gínë po jap sqarimet e duhura.

Shkaku i vonesës së materialit ka qenë preokupimi me disa probleme të tjera të ngutshme. Megjithëkëtë, për periudhën në vazhdim do të jem akoma më i rregullt në dërgimin e materialeve. Po kështu, dëshiroj që të më përgjigjeni edhe ju, duke më theksuar të metat që konstatoni në to. Materialin që po ju dërgoj, si zakonisht, jam munduar që ta paraqes të plotë dhe të qartë; nuk e di nëse i përmbush si duhet kërkesat. Unë dua që të jem një “bashkëpunëtor”, nëse mund ta quaj kështu, i Institutit të Histori-Filologjisë, ose më mirë një mbledhës i rregullt i fjalës. Për këtë kam besim se do të jap kontributin tim në sajë të ndihmës suaj. Mora edhe ftesën që më dërgonit me rastin e sesionit shkencor organizuar në kuadrin e 20-vjetorit të çlirimit. Do të ishte ngjarje e madhe për mua sikur të mundja të merrja pjesë, por letra erdhi më datë 3.XI, kështu që mbeta pa ardhur. Megjithatë ju falënderoj sinqerisht nga zemra për konsideratën.

Materialin që po dërgoj, e kam mbledhur pjesërisht në Zdrajsh dhe pjesërisht në Bërzeshtë gjatë këtij viti. Disa fjalë i kam mbledhur edhe me ndihmën e F. Fixhës. Në përgjigjen e kësaj letre, lutem të më dërgoni edhe vërejtjet tuaja. Ju premtoj, e përsëris, bashkëpunim të rregullt në sajë të ndihmës suaj. Me këtë letër po kthej edhe faturën e shpërblimit të materialit të dt. 30.VII.1964 të firmosur. Nuk e di nëse i keni marrë të gjitha faturat në rregull ose jo. Për ndonjë fjalë që mund të dalë e paqartë, më vonë ju kthej përgjigje dhe sqarimet përkatëse, por,

siç e përmenda edhe më lart, jam munduar të sjell shënime të mjaftueshme. Jo shumë vonë do të dërgoj një pjesë tjetër të materialit të mbledhur. Meqë kjo është letra e fundit për vitin 1964, ju lutem pranoni urimet e mia më të sinqerta për Vitin e Ri, shëndet, lumturi dhe suksese të vazhdueshme në punën tuaj në lëmin e gjuhësisë shqiptare!

Duke përfunduar këtë letër, mbetem në përgjigjen tuaj!

Nderimet e mia: Genc Leka

Zdrajsh, 15 dhjetor 1964

 

P.S.: Edhe këtë vit shkollor jam në Çermenikë (Zdrajsh), prandaj letrat dërgojini me këtë adresë:

Zdrajsh – Çermenikë

Librazhd

 

I nderuar profesor!

Para disa ditësh mora letrën tuaj të datës 8.VI.1964, në të cilën më dërgonit edhe materialin e nxënësit Ferit Fixha. Vërejtjet dhe sugjerimet tuaja në lidhje me materialin tim dhe të të lartpërmendurit janë me vend dhe në këtë material që po ju dërgoj, jam munduar të jap sqarimet e duhura. Siç e shihni, unë e vonova pak përgjigjen e letrës, por megjithatë jam përpjekur të mbledh materiale si zakonisht. Nja dy fjalë në lidhje me materialin e F. Fixhës: iniciativa e tij është e mirë, pavarësisht nëse ka mundur t’ia arrijë qëllimit plotësisht, ose jo. Gabimi i tij konsiston në faktin që unë kisha marrë udhëzimet e duhura prej jush për këtë punë. Megjithëkëtë unë kam shpresë se ai, duke qenë se ka dëshirë për të vazhduar, do të japë njëfarë kontributi. Për vitin e ardhshëm shkollor mund të mos jem në Çermenikë, por kudo që të jem, si Zoi Koten, Ferit Fixhën edhe të tjerë, do t’i ndihmoj në mbledhjen e fjalës së rrallë. Unë po vazhdoj të mbledh fjalë dhe frazeologji dhe besoj se në t’ ardhmen puna ime do të jetë më rezultative. Dëshiroj që ju të më ndihmoni me udhëzimet t’uaja në këtë drejtim, si deri tani. Jam interesuar pranë zyrës PTT të rrethit tonë për t’u abonuar në Buletinin e USH, por zyra e lartpërmendur nuk ma plotësoi një kërkesë të tillë duke m’u përgjigjur se nuk kanë në plan organ të tillë. Po qe e mundur të më abononi ju për periudhën e 6-mujorit të ardhshëm me ndonjë farë mënyre do të jetë shumë mirë. Duke përfunduar, mbetem në përgjigjen tuaj sa më të shpejtë. Ju falënderoj e ju përshëndes nga zemra.

Genc Leka

30.VII.1964

 

Adresa: G. Leka

Kat. Bërzeshtë, Qukës – Librazhd

 

Republika e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës

Instituti i Historisë e Gjuhësisë

Nr. _____Prot.            Tiranë më _______1964

 

Shokut Genc Leka

Zdrajsh, Çermenikë – Librazhd

Ju njoftojmë se morëm letrën tuaj të datës 18.XI.1963 bashkë me materialin leksikor që na dërgoni. Në udhëzuesin që ju dërguam më datën 8.XI.1963 ju vetë mund të gjeni përgjigjen e vërejtjeve tona mbi këtë material. E meta kryesore është se pothuajse 1/3 e materialit që na dërguat figuron në fjalorin e gjuhës shqipe, v. 1954, p.sh., amisi, botë, vardak, dajë, malcim etj. Theksojmë se duam fjalë të rralla e frazeologji që nuk figurojnë në fjalorin e gjuhës shqipe. Çdo fjale duhet t’i vihet theksi. Nuk duhet të mblidhni variante fonetike të fjalëve që s’kanë interes për leksikologjinë, si p.sh. any, acosh, dro etj. Forma acosh është një variant fonetik i përemrit dëftor ajo në rasën rrjedhore shumës. Kërkojmë fjalë që plotësojnë kërkesat e udhëzimit, që në masën emërore paraqesin një element të ri leksikor. Do të ishte mirë që në fund të çdo fjalie bashkë me fshatin të vinit edhe emrin e atij nga goja e të cilit e keni dëgjuar fjalën. Megjithatë, në këtë material gjenden edhe fjalë e frazeologji me vlerë. Shpërblimi i këtij materiali do t’ju vijë bashkë me shpërblimin e atij materiali të cilin ju do të na e dërgoni siç bëni fjalë në letrën tuaj.

Ju falënderojmë për bashkëpunimin.

Drejtori: Androkli Kostallari.

 

 

Republika e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës

Instituti i Historisë e Gjuhësisë

Nr. _____Prot.            Tiranë më _______1964

 

Shokut Genc Leka

Zdrajsh, Çermenikë – Librazhd

Ju njoftojmë se materialet leksikore dërguar prej jush në datën 28.12.1963 u vlerësuan. Të gjitha materialet ishin të vlefshme për kartotekën e leksikut të shqipes. Vazhdoni të na ndihmoni me materiale të tilla, për të cilat leksikografia shqipe ka nevojë. Në qoftë se ka mundësi, na dërgoni materiale të tilla njëherë e mirë, në sasi më të mëdha. Po ju dërgojmë faturën e shpërblimit tuaj dhe pasi ta firmosni e të shënoni përbri numrin e serinë e pasaportës suaj, na e dërgoni përsëri. Ju vëmë në dijeni se materialet historike dhe ato folkloristike nuk i vlejnë kartotekës së leksikut të shqipes. Për materiale folkloristike duhet të mbani lidhje me Institutin e Folklorit Tiranë.

Vazhdoni të na dërgoni materiale si ato që na keni dërguar, duke rënë në kontakt me popullin, nëpër dasmat ose zakone të tjera.

Ju falënderojmë për bashkëpunimin.

Drejtori: Androkli Kostallari

 

I nderuar profesor!

Me anën e kësaj letre ju vë në dijeni se e mora letrën tuaj të datës 10.IV.1965, me anën e së cilës më njoftonit për të marrë pjesë në ekspeditat leksikografike, organizuar prej Institutit të Historisë e Gjuhësisë. Para së gjithash, unë, duke menduar rëndësinë e këtyre ekspeditave dhe vlerën e punës sime gjatë një kërkimi më të madh në këtë drejtim, shpreh dëshirën time që të marr pjesë në njërën nga ekspeditat në fjalë. Më vonë (përpara datës 1.IV.1965) do t’ju njoftoj me ekzaktësi se në cilën ekspeditë do të marr pjesë, me që tani rezervohem, për shkak të disa problemeve që kam për të zgjidhur.

Një çështje tjetër: para disa ditësh i kam dërguar Institutit (Sektorit të Etnografisë), planin e punës shkencore individuale për vitin në vazhdim për aprovim. Plotësimi i këtij plani (në dy kopje) u bë sipas kërkesave përkatëse drejtuar nga ai sektor. Deri më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe nuk e di pse! Prandaj, ju lutem, nëse keni mundësi më vini në dijeni nëse ta vazhdoj studimin e temës që kam marrë ose jo (dua të them a ka interes për Sektorin e Etnografisë studimi i temës “Dasma në Dervén”, – lugina e Shkumbinit, nga Librazhdi deri në kufi me Mokrën dhe në Çermenikë)? Në qoftë se po, sektori në fjalë le të më dërgojë një kopje të planit ose më mirë aprovimin e tij, që unë të mund ta mbaroj këtë studim brenda afatit të parashikuar. I lutem edhe një herë personit tuaj, po qe se do t’ju duket i drejtë ky mendim, të lajmërojë Seksionin e Arsimit e të Kulturës së rrethit të Librazhdit për çështjen e pjesëmarrjes sime në ekspeditë, me qëllim që të mos na nxjerrë ndonjë pengesë në lidhje me planifikimin e lejes vjetore. E kam fjalën të mos na planifikojnë me ndonjë aktivitet tjetër në rreth gjatë muajit korrik. Siç e përmenda, po qe se do ta shihni me vend. Edhe diçka tjetër, para se ta përfundoj këtë letër: Po ju dërgoj edhe një pjesë të materialit leksikor, të mbledhur kryesisht në Bërzeshtë e Zdrajsh. Pasi ta shqyrtoni në sektor, lutemi më njoftoni si zakonisht.

Ju uroj shëndet e punë të mbarë,

Genc Leka

Zdrajsh më 10.V.1965

 

 

Republika Popullore e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës Tiranë, më 25.?.196? Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë

Nr. 18/14 Prot.

Shokut Genc Leka

Zdrajsh, Librazhd

Ju njoftojmë se materiali leksikor dërguar prej jush me dt. 15.XII.1964 u vlerësua.

Po ju dërgojmë faturën me shpërblimin tuaj, të cilin pasi ta firmosni e të vini përbri numrin dhe serinë e pasaportës suaj na e dërgoni përsëri.

Presim bashkëpunimin tuaj.

Drejtori: Androkli Kostallari

 

Republika Popullore e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës Tiranë, më 28.5.1965 Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë

Nr. 18/14 Prot.

Shokut Genc Leka

Zdrajsh, Librazhd

Morëm letrën tuaj të datës 10.V.1965 dhe ju njoftojmë se jeni planifikuar për të marrë pjesë në ekspeditat leksikologjike që organizon Sektori i Leksikologjisë e Leksikografisë gjatë muajit korrik të këtij viti. Për këtë vëmë në dijeni edhe Seksionin e Arsimit e të Kulturës të Rrethit të Librazhdit. Lutemi të na njoftoni kur të çliroheni nga detyrimet shkollore që t’ju njoftojmë datën e nisjes dhe veprimet që duhet të kryeni para nisjes. Ju vëmë në dijeni gjithashtu se plani juaj lidhur me Sektorin e Etnografisë është aprovuar dhe mund të filloni përgatitjen e temës që keni zgjedhur. Një kopje e planit e aprovuar ju vjen me postë.

 

Republika Popullore e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës

Instituti i Historisë e Gjuhësisë

Nr. 18/15 Prot.            Tiranë më 28.V.1965

 

Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit (Seksionit të Arsim-Kulturës)

Librazhd

Meqenëse bashkëpunëtori i jashtëm aktiv i këtij Instituti, arsimtar i rrethit tuaj, Genc Leka, është planifikuar të marrë pjesë në ekspeditat kërkimore leksikologjike që organizon ky Institut gjatë muajit korrik, lutemi që nga ana juaj të mos pengohet dhe t’i jepet për këtë periudhë leje e zakonshme.

Drejtori: Androkli Kostallari.

 

 

Republika Popullore e Shqipërisë

Universiteti Shtetëror i Tiranës Tiranë, më 5.VI.1965 Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë

Nr._________ Prot

Sh. Genc Leka,

Zdrajsh, Çermenikë

Librazhd

Ju njoftojmë se morëm materialin leksikor dërguar prej jush më datë 10.5.1965 dhe e vlerësuam. Komisioni që e vlerësoi atë, bën këtë vërejtje. Në rast se brenda shprehjes frazeologjike, njëra nga gjymtyrët është fjalë e panjohur, duhet më parë të shpjegohet kuptimi i saj veçan, pastaj kuptimi i gjithë frazeologjizmit, p.sh. te shprehja ka shkuar nëpër veshat e gjilpërës duhet të shpjegohet më parë kuptimi i fjalës veshat. Po ju dërgojmë faturën me shpërblimin tuaj, të cilën, pasi ta firmosni e të vini përbri numrin dhe serinë e pasaportës suaj, na e dërgoni përsëri.

Drejtori: Androkli Kostallari.

 

 

I nderuar profesor!

Ju vë në dijeni se mora letrat tuaja, dërguar më datë 4.VI. dhe 7.VI.1965. Sa bëhet fjalë në to, i kuptova. Nga detyrimet shkollore, me sa kemi marrë vesh deri tani, lirohemi mbas datës 21-VI-65. Ndonëse ju thosha që të më planifikonit në ekspeditën II me telegram, unë do të paraqitem aty në afatin e caktuar dhe do të kryej formalitetet që më këshilloni në letrat. Materialin leksikor që ju dërgova më 10.V.1965 me sa munda, e paraqita sipas kërkesave të zakonshme. Për vërejtjen që vini në dukje, jam dakord. Ky gabim më ka shpëtuar, si të them. Fjala veshat do të thotë: dy anët metalike të boshllëkut ku futet peri në gjilpërë. Me këtë letër po ju dërgoj edhe faturën e shpërblimit, të firmosur.

Vizita ime në sektorin e . . . . . . . . . . .

 

I nderuar shoku drejtor!

Para së gjithash më lejoni që t’ju sjell nga larg përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe t’ju uroj nga zemra shëndet të mirë e suksese gjithnjë e më të mëdha në punën tuaj shkencore për përparimin e historisë dhe gjuhësisë sonë. Me anën e kësaj letre, dua t’ju vë në dijeni se qysh prej 2 vjetësh të kaluara e kam prerë bashkëpunimin tim me Institutin e Historisë e Gjuhësisë (Sektorin e Leksikografi-Leksikologjisë), për shkak se jam duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Siç jeni në dijeni, unë, për një periudhë prej më se 2 vjetësh pata një bashkëpunim të rregullt, duke i dërguar atij sektori materiale leksikore, të cilat, siç e keni pohuar nëpërmjet letrave që më keni dërguar, kanë qenë të vlefshme. Unë kam përfunduar dhe një studim të vogël në lidhje me zakonet e traditat e dasmës në zonën e Çermenikës, sipas planit individual shkencor dërguar prej Sektorit të Etnografisë, të aprovuar prej jush, por edhe këtë nuk munda ta mbaroj në afatin e duhur për shkakun që përmenda më lart. Dua t’jua shpreh me zemër të hapur, shoku drejtor, se dëshira ime e zjarrtë është dhe do të mbetet gjithmonë që të kem një bashkëpunim të rregullt dhe të përhershëm me ju, si për Sektorin e Leksikologjisë, ashtu edhe për atë të Etnografisë, prandaj ju premtoj me besim në forcat e mia, se do të vazhdoj të mbledh materiale sa më të vlefshme, duke mos e menduar aspak vlerën materiale që kam marrë (pagesën modeste) prej atij instituti për sa ju kam dërguar materiale leksikore.

Një ngjarje e paharruar për mua dhe shumë e vlefshme, do të ishte edhe pjesëmarrja ime në Konferencën e Dytë Albanologjike që po zhvillohet në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë të madh, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Sot, që kjo konferencë e çmuar albanologjike (unë ju uroj me gjithë zemër suksese juve dhe gjithë punonjësve shkencorë të historisë e gjuhësisë për vitet e ardhshme) po përfundon punimet e saj të frytshme, edhe unë e ndiej veten krenar dhe shpreh edhe një herë dëshirën time të zjarrtë për të rifilluar së shpejti bashkëpunimin tim të rregullt sapo të lirohem nga radhët e ushtrisë.

Prandaj, ju lutem shoku drejtor, më njoftoni për sa më sipër, nëse dëshironi që unë ta vazhdoj një punë të tillë për periudhën që vjen dhe nëse e shihni të vlefshëm bashkëpunimin tim, më udhëzoni me sa t’ju lejojnë mundësitë tuaja, se në çfarë drejtimesh ta përqendroj më tepër punën time kërkimore. Duke përfunduar, më falni që u zgjata kaq, më lejoni t’ju uroj edhe një herë shëndet të mirë e suksese të mëdha në jetë e në detyrën tuaj shkencore.

Mbetem duke pritur përgjigjen tuaj!

Me nderime Genc Leka, Cërrik.

Datë 17 janar 1968

P.S. Adresa ime është kjo:

N.B.SH.U/C

 

Institutit të Historisë e Gjuhësisë

(Sektorit të Leksikologjisë e Leksikografisë) Universiteti Shtetëror

Tiranë

Mora letrën tuaj të datës 20 tetor 1971 dhe pa humbur kohë, në lidhje me sa kërkonit për shpjegimin e kuptimit të fjalëve, po ju bëj të njohur se të tria fjalët që përmenden në letrën tuaj përdoren edhe në këto anë, në të folurën e zakonshme, por deri tani nuk i kam hasur në ndonjë botim.

  1. Për fjalën e pare álbër, dua të theksoj se përdoret mekuptimin cifël, çikël, siç shkruani edhe ju, por në këtë zonë, e konkretisht në Bërzeshtë, përdoret me kuptimin áshkël, pjesëz druri që del nga të rënët e sëpatës shumë herë në një vend, ku ka një nyç të fortë. Kurse kur pritet (shkurtohet) druri, pjesët që dalin nga sëpata quhen buláshka. Pra, kuptohet se álbërat janë pjesë më të vogla dhe më të imëta se buláshkat. Ato përdoren për të ndezur zjarrin në fillim (si pjesë që marrin flakë menjëherë, ngaqë janë të holla), kur këto janë të thata. Theksoj se fjala álbër nuk përdoret për rastin cifël guri a diçka tjetër. Vendi ku çahen drutë me sëpatë, tek i cili qëndron një tjetër dru i fortë me kllápë për të mbështetur drurët e tjerë që do të shkurtohen apo çahen, si edhe për të mos rënë sëpata në tokë quhet albërishte, sepse aty vazhdimisht nga çarja e druve bien álbëra. Kurse kur drutë priten me sharrë (shkurtohen), ose edhe kur çahen për dërrasa, nuk kemi álbëra, por miell sharre (tallásh, siç quhet në terminologjinë e sharrave, shën. im).

Shembuj: 1) Dil nga lëmi dhe na merr ndonjë álbër të thatë, satë ndezim zjarrin. 2) Prej një álbëre trembesh ti? (Me kuptimin enjë druri të hollë, kur do të transportohet në krahë!) 3) Nuk kalondimri vetëm me albërishtën, mor bir, jo! (d.m.th. dimri kërkon meshumë dru e jo me mbeturinat e druve që janë çarë e djegur herë mbas here). (Sipas bisedës me G. Lekën, mars 1971). Por, dua të theksoj se fjala álbër ka edhe një kuptim tjetër, që mendoj se ia vlen ta theksoj, ndonëse përdoret pak rrallë. Quhet álbër ajo cipa e hollë që mbështjell viçin e sapolindur. Lopa, fill mbas lindjes, duke nxjerrë edhe një britmë (pállje) të mbytur, e lëpin viçin dhe me gjuhë ia heq álbërën, me qëllim që viçi të ngrihet sa më parë për të pirë qumësht (kulloshtër) . Për ta lehtësuar këtë veprim që bën lopa, mbi trupin e viçit hedhim një dorë kripë, sidomos kur lopa e ka lindjen e parë. Pra, álbërën lopa e ha gjatë lëpirjes dhe viçit i krijon frymëmarrjen e lirë, si edhe një farë ngrohtësie. Shembull: Tashti po i heq álbërën, pastaj do tëngrihet. (N. Leka, qershor 1971, Bërzeshtë). Po kjo fjalë përdoretedhe për kafshët e tjera (dhen, dhi etj.). Me álbër, thotë biseduesja, është e mbështjellë edhe fëmija kur lind. Raste të tjera të përdorimit të kësaj fjale nuk kam hasur deri tani në bisedat e lira me njerëzit.

  1. Për fjalën anësóre, si pjesë përbërëse e parmendës, dua tëpërmend sa vijon:

Në zonën tonë, pjesa për të cilën bëhet fjalë, quhet me të vërtetë anësóre, por për këtë objekt, përdorim më të gjerë ka fjala véshas dhe në të shquarën véshast (kjo trajtë përdoret gjithmonë nga bujqit me përvojë te ne). Shembuj: a) Këto véshasjanë shumë të mbyllura dhe nuk e derdhin dheun e brazës. b) Prit mor njëherë, sa të ndreq véshast e parmendës, çudi e madhe me ty!

Shembujt janë marrë nga biseda me Rustem Kukën, kooperativist, Bërzeshtë, maj 1971.

 

 

 

Image result for parmenda

 

PARMÉNDA

  1. Bishti i dorëzës
  2. Dorëza
  3. Thémbra e dorëzës
  4. Thúmbi i dorëzës
  5. Mája e dorëzës (thika e dorëzës)
  6. Plori
  7. Véshast
  8. Kumi i parmendës
  9. Thumbi i sqápthit
  10. Sqápthi
  11. Hékurat e parmendës
  12. Thumbi i hekuravet
  13. Otréshi (shih materialet e mia)
  14. Zgjédha
  15. Thumbi i kulárit
  16. Kulari
  17. Kozhciku
  18. Qafa e kulárit (në zgjédhë)

 

Shënim

Quhet anësor (em. mashk. shm. -ë) drunj të trashë e të gdhendur për të formuar lúgjet ku transportohen trupat e sharrës gjatë rrokullisjes. (Ymer Gega, Karkavec).

Quhet anësóre pjesa metalike te plugu (pjesa më e ngushtë që hedh dhéun).

Në mjaft raste përdoret fjala anësóre në vend të véshasve, por siç e theksova edhe më lart, në Bërzeshtë e fshatrat përreth më tepër përdoret fjala véshas. Fjalën anësóre e hasim edhe me kuptim tjetër: drurët e gdhendur e paksa të lakuar që bashkojnë kaptéllin me koçaxhikun (pjesën e përparme të samárit me atë të pasmen.

Do të shkoj në malt të nxjerr anësórët e samarit, se kaptellin e koçaxhikun i kam gati. (H. Dashi, Bërzeshtë, maj 1971).

III. Dhe tani dy fjalë për të tretën, për fjalënágull:

Për sa i takon kësaj fjale, mund të theksoj se përdoret më tepër me shprehje frazeologjike. Kuptimi i saj (sipas përdorimit te ne) është paqartësi, diçka e përzier me dritë dhe hije, midis ditës e natës. Sipas kuptimit del se kjo rrjedh nga fjala ag dhe prej këndej ka ardhur fjala agullímë. Ta vesh një herë syvet të t’bëjnë sytë águll. (A. Goçi, Bërzeshtë, maj 1971). Nuk e shquaj dot gjer tek lumi, më duket águll fare. (G. Blloshmi, Bërzeshtë, qershor1971). Për fjalë agullímë, që përdoret për të treguar kohën para zbardhjes së dritës, po citoj dy vargje nga një këngë lirike popullore, e cila, me sa kuptohet, ka hyrë në këtë zonë prej vitesh të shkuara, nga ana e jugut: Të më ngresh që n’ agullímë léle, mojnëné, të mbush ujë në rrëzimë léle, moj nëne! Ai është águll nga mendja (d.m.th. është mjaft i shqetësuar, saqë e ka mendjen tëpërçarë, shën. im). (C. Blloshmi, Bërzeshtë, maj 1971). Me pak fjalë, këto ishin sqarimet për fjalët anësóre, álbër dhe águll. Megjithëkëtë, unë do të përpiqem që të gjej ndonjë material tjetër plotësues në lidhje me përdorimin e fjalëve të mësipërme, qoftë nga goja e popullit, qoftë në ndonjë botim çfarëdo.

Duke përfunduar, dua të theksoj se fjalët e sipërshënuara, si edhe disa fjalë të tjera të rralla e shprehje frazeologjike, i kam mbledhur e regjistruar në fletoren e veçantë në gjysmën e parë të këtij viti, por për mungesë kohe, nuk kam mundur t’i dërgoj në Sektorin e Leksikologjisë e Leksikografisë. Arsye tjetër është edhe fakti që gjatë kësaj periudhe jam marrë me regjistrimin e toponimeve të fshatit, material të cilin e kam gati në përfundim dhe mendoj ta dërgoj pranë atij sektori nga mesi i muajit nëntor 1971.

Sidoqoftë, do të prisja me kënaqësi çdo vërejtje apo sugjerim tuajin, si edhe çdo kërkesë që mund të më bëhet nga ana e sektorit, për përsosmërinë e punës shkencore gjatë hartimit të fjalorit të gjuhës së sotme shqipe.

Me këtë rast ju uroj edhe një herë suksese në punën tuaj krijuese dhe gjithë të mirat që dëshironi!

Të fala të përzemërta Genc Leka

Bërzeshtë Datë 25.X.1971

 

P.S.: Në qoftë se hasni në ndonjë paqartësi në shpjegimet e mia, ju lutem më njoftoni. Idem.

 

 

Sektorit të Leksikologjisë dhe Leksikografisë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë Tiranë

Mora letrën tuaj të datës 3.XII.1975 dhe sa më shkruani, i kuptova.

Pa humbur kohë po ju përgjigjem për sa kërkoni për sqarimin e kuptimit të fjalës anësorët. Gjithashtu ju falënderoj përzemërsisht për vlerësimin që u keni bërë materialeve të mia. Në lidhje me fjalën e mësipërme, u interesova dhe pyeta per-sona që kanë punuar në sektorin e sharrave, të cilët më dhanë sqarimet e nevojshme. Për t’i bërë sa më të qarta të dhënat gojore, kam përgatitur një skicë, ku tregohet lugu me anësorët. Për këtë shihni edhe skicën me sqarimet përkatëse. Jam munduar që kuptimin e kësaj fjale ta bëj sa më të qartë. Deri tani, bashkëpunimin me sektorin e kam pasur afërsisht sipas të dhënave tuaja, prandaj, për vitin në vazhdim (1976), dua të di se në ç’drejtim mund t’ju ndihmoj më konkretisht. Për këtë pres përgjigjen tuaj. Nga fillimi i vitit 1976 dëshiroj që t’ju dërgoj një material leksikor, kryesisht me shprehje frazeologjike, por puna e përditshme nuk më lejon aq sa duhet. Siç e kam theksuar edhe disa kohë më parë, do të më ndihmonte sadopak një farë dokumenti që të dëshmojë bashkëpunimin tim me këtë sektor, për punën e mbledhjes së materialit leksikor. Sidoqoftë, unë jam i gatshëm (dhe kështu do të jem gjithmonë) që të jap ndihmën time modeste në çdo drejtim që do të ndihet e nevojshme. Duke mbetur në pritje të përgjigjes suaj, ju përshëndes dhe ju uroj Gëzuar Vitin e Ri 1976!

Sinqerisht i juaji, Genc Leka, Bërzeshtë, 11.XII.1975

Please follow and like us: