Ilir Levonja: Palmer nuk di më shumë se ju
Matthews Palmer ka qënë këto ditë një nga njerëzit më prezent në diskursin shqiptar, sidomos në debatet e studiove televizive për votimet por edhe si njeriu që ia ”futi” këmbët në një këpucë Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Dhe kjo është është më se normale duke patur parasysh natyrën e përciptë shqiptare o burra Amerika, o burra Kina. Kemi një lloj ngutje për të përvetësuar sipas oreksit çdo deklaratë që na vjen për shtat, pasi të tjerët janë ata që vendosin vulën se kush ka të drejtë në grindjet tona të panevojshme dhe kryesisht të pafundme. Mirëpo po të dëgjosh me vëmendje intervistën e tij, Matthew Palmer dëshmon plot mangësi, së pari një imformim të përciptë mbi shkaqet e vendimeve radikale të opozitës për 1) heqjen dorë nga mandati i deputetit dhe 2) mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Eshtë vetë Palmer që thotë se akuzat për përgjimet janë tepër serioze dhe se duan hetime serioze. Por e pohon sikur ta dëgjoj për herë të parë, megjithëse opozita ka gati 5 muaj që proteston. Një diplomati karriere dhe autor i një sërë librash, si Wolf of Sarajevo (Ujku i Sarajevës) i thjeshtëson gjërat në nivelin e një nënpunësi administrate pa e kuptuar asnjëherë se qeveria shqiptare po demonstron forcë dhe dhunë sociale me argumentat e tij. Ashtu sikundër pohon se në një të ardhme të afërt është gjykata kushtetuese që do vendosi për këto zgjedhje. Dhe si një nënpunës administrate ai i shikon këto zgjedhje si zgjedhje të dorës së dytë, zgjedhje lokale dhe nuk ka asgjë anormale nëse voton vetëm njëra palë. Ky është një lapsus infantil pasi në vendin e Palmerit do ia shkulnin hallatet çdo shtetari që do guxonte të mbante një palë zgjedhje të tilla. Për më tepër një diplomati të Donald Trumpit i cili vazhdimisht pohon se socializmi nuk ka për ta prekur kurrë Amerikën. Shqipëria nuk po bën asgjë tjetër, votime moniste, madje duke rrezikuar edhe një përplasje civile. Dhe është më bajate për shqiptarët pasi kur kujton se këtë ditë të muajit qershor, nga ideatorët e votimeve moniste vetëm programet lokale nuk u shpalosën asnjëherë, por vendin e tyre e zuri lufta e ashpër midis Edi Ramës dhe Presidentit të Repubikës. Zgjedhësve monistë iu dha nga një karrike plastike dhe një flamur i kuq për ta valëvitur, ndërkohë që kryeministri e quante presidentin Haxho Qamili…, një kryengritës fshatar që rrëzoi dikur një qeveri pilot nga Europa, me qëllim rimëkëmbjen e vendit pas afro një vit pavarsie nga perandoria otomane. Ky fshatar rrebel e përzuri kabinetin pro europian me pretekstin se donte në krye të vendit babën e Bosforit, pra Turqinë. Më tutje e gjitha është një shesh me karrike të përmbysara dhe flamuj të hedhur duke dëshmuar dy gjëra, dëshirën dhe detyrimin në pjesëmarrje. Megjithatë akuzat që ai (Palmer) i quan serioze, ato të opozitës, për vjedhjen e votave, nuk ka kohë t’i dëgjoj, por arrin në një përfundim se kush pengon zgjedhjet është kundër Amerikës dhe se kjo do ta shpalli si non grata etj. Me një fjalë vazhdo se do e shohim më vonë këtë punë. Prandaj këto nuk janë asgjë tjetër po ca deklarata rutinë të një nënpunësi tepër të ngarkuar ndërkohë kur bota shqiptare është e mbytur katërçipërisht nga video përgjimet dhe një fushatë tejet propogandistike se kush ka të drejtë kryeministri, presidenti, apo opozita. Dhe nga ana tjetër janë shqiptarët ku sipas Palmerit u kërkohet të votohet, të shkojnë në zgjedhje edhe pse ato janë të anulluara me një dekret presidenti, pra në një apo tjetër mënyrë të anulluara me ligj. E gjitha kjo nuk përbën asgjë tjetër por vazhdën e logjikës së një administratori të ngarkuar, që përsërit go on, apo vazhdoni, vazhdoni se këtë do e zgjidh gjykata. Edhe pse Shqipëria aktualisht nuk e ka një të tillë… dhe zgjidhja më e mirë do ishte një akt xhentëlmenësh, dorëheqja e kryeministrit për t’i dhënë frymëmarrjen e nevojshme demokracisë sonë. Pra janë ca rutinizma që vetëm grafomanët e votimeve moniste i quajnë si të tilla, sikur Amerika ia ”futi” këmbët në një këpucë liderëve të opozitës. Apo ca peshkopë të propagandës si kryetari i bashkisë së Tiranës që quan arritje meremetimin e një çerdheje publike dhe televizionet kryesore e emetojnë si kryelajm për publikun. Në vendin e Palmerit një kryebashkiak të tillë e përbuzin vetëm për një fakt se nuk është duke bërë heroizëm vetëm e vetëm se kryen detyrën. Gjithsesi ata që mendojnë se Rama ka me vete Amerikën, gabohen. Ata që mendojnë se Amerika ia ”futi” dy këmbët në një këpucë Bashës, Metës, Kryemadhit dhe gjithë spektrit opozitar, gënjejnë veten. Dhe ju kujtoj se qe po kaq e prerë edhe në 21 janar 2011 kur protestonte Edi Rama. Zgjidhjet janë brenda shqiptarëve. Dhe zgjidhjet më fine janë ato me standarte që kaq mrekullisht i aplikon Greqia, Maqedonia e Veriut e plot vende të tjera në rajon. Por asesi tek ne, edhe pse po bëhen plot tre dekada. Në fakt nuk është asgjë tjetër po ai konstatimi i njërit nga gazetarët e panelit në mbylljen e fushatës së Edi Ramës mbrëmë në Vlorë, shkurt dështimi jonë si shoqëri.
Por këtë varet se si e perceptojnë shqiptarët në përgjithësi, sikur të jenë numra rendor apo qytetarë të integruar që duan mvi këdo vendin e tyre. E nesërmja do ta tregoj…