Shaban Murati: Korrektësia e Rumanisë dhe pakorrektësia atlantike e Hungarisë
Shaban Murati
Në një akt mburravecërie tipike ballkanike presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç organizoi në 29 korrik një paradë ushtarake në bazën ushtarake të Nishit me kontigjentin e sapombërritur të tankeve dhe autoblindave, që Rusia i ka dhuruar Serbisë. Në praninë e shpurës më të lartë ushtarake serbe dhe të ambasadorit të ri rus në Serbi, antishqiptarit të stazhionuar Aleksandër Botsan-Harçenko, presidenti serb deklaroi:
“Faleminderit presidenti Putin! Gjëja më e rëndësishme është që ne ia mbërritëm ta realizojmë transportin e tankeve në Serbi. Si dhe në çfarë mënyre, është puna jonë”.
Te shprehja “puna jonë” qendron edhe thelbi i intrigës diplomatike lidhur me transportimin e kontigjentit të tankeve dhe autoblindave ruse për në Serbi. Një intrigë diplomatike, që përfshin jo vetëm marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë, por edhe marrëdhëniet e shteteve anëtare të NATO-s me Rusinë dhe marrëdhëniet e shteteve anëtare të NATO-s me njeri-tjetrin.
Në datën 26 korrik Ministria e Jashtme e Rumanisë njoftoi se nuk i kishte dhënë lejen e tranzitit nëpërmjet lumit Danub trasportit të kontigjentit prej 30 tankeve dhe 30 autoblindave ruse të destinuara për në Serbi. Në shpjegimin e saj Ministria e Jashtme e Rumanisë argumentonte qendrimine saj të drejtë në përputhje me detyrimin për respektimin e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga BE në vitin 2014.
Sanksionet u vendosen si dënim për agresionin rus kundër Ukrainës dhe aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia. Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Ramona Manesku, e shpjegoi qartë qendrimin e Rumanisë dhe deklaroi në 25 korrik se “marrëdhëniet e Rumanisë me Rusinë duhet të jenë në linjë me politikën e NATO-s dhe të BE”.
Rumania ka mbajtur një qendrim dinjitoz atlantik edhe në raste të tjera. Në vitin 2017 Rumania nuk i dha leje-kalimi avionit të zëvëndës kryeministrit rus Dmitrij Rogozin, që të kalonte nëpër hapësirën ajrore rumune, sepse zyrtari i lartë i Kremlinit ishte në listën e sanksioneve të BE.
Në vitin 2017 Rumania dhe Bullgaria nuk lejuan tranzitimin në hapësirën e tyre ajrore të gjuajtësve rusë MIG, që Rusia i dha Serbisë, dhe Moska u detyrua t’i kthente mbrapsht në Rusi t’i çmontonte dhe pastaj t’i dërgonte në kanale të tjera në Serbi, duke i montuar edhe njëherë atje.
Në vitin 2015, kur Rusia nisi dislokimine forcave të saj ushtarake në Siri, Bullgaria nuk lejoi përdorimin e hapësirës së saj ajrore nga avionët transportues ushtarakë rusë, që çonin armatime në Siri.
Që Rusia ndodhet në regjimin e sanksioneve nga BE, e dinë edhe Moska, edhe Beogradi. Ndaj dhe Rusia nuk paraqiti ndonjë protestë ndaj vendimit të Rumanisë për bllokimin e transportit të tankeve dhe autoblindave ruse për në Serbi. Si shtet, që ka si taktikë diplomatike përplasjen e këmbëve, Serbia protestoi ndaj Rumanisë dhe madje e akuzoi atë se po shkel Konventën e Lundrimit të Danubit, gjë që nuk ka lidhje me vendimin e drejtë të Rumanisë.
Por Rusia e zgjidhi shpejt në kanal tjetër gjeografik çeshtjen e transportit të tankeve dhe të autoblindave të saj, gjë për të cilën u mburr presidenti serb në paradën butaforike të 29 korrikut.
Agjencia amerikane e lajmeve “As.Press”, duke raportuar për paradën e mësipërme serbe, shkruante në 29 korrik se njoftimet e mediave bëjnë të ditur se transporti i këtij kontigjenti të tankeve dhe autoblindave ruse është bërë nëpërmjet Hungarisë. Këtë e konfirmojnë edhe burime diplomatike.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “TASS” njoftonte në 29 korrik vetëm se “kontigjenti iu dorëzua Serbisë në rrugë ajrore”. Ajo, për tëcilën mburret presidenti serb se “është puna jonë se si erdhën”, është thjesht çeshtja për të mbuluar se kontigjenti i tankeve dhe i autoblindave ruse i shkoi Serbisë nëpërmjet lejes që mori Rusia te qeveria hungareze për të përdorur hapësirën e saj ajrore.
Këtu vijmë te një çështje e rëndësishme diplomatike, politike, gjeopolitike dhe strategjike. Është pikëpyetja përse një shtet anëtar i NATO-s dhe i BE si Hungaria vë në dispozicion të Rusisë hapësirën e saj ajrore për armatosjen e ethëshme të Serbisë me armë të fuqishme ruse.
Është e ditur se kryeministri i Hungarisë Viktor Orban është një fans politik i presidentit rus Putin dhe i ka kritikuar sanksionet e BE ndaj Rusisë. Duhet theksuar se në rastin konkret nuk është fjala për eksportin e grurit rus në Serbi. Është fjala për kontigjent tankesh dhe autoblindash për të fuqizuar ushtarakisht një shtet armiqësor ndaj NATO-s.
Nëse kryeministri i Hungarisë mendon se ka të drejtë që të shkelë sanksionet e BE ndaj Rusisë, kur është fjala për NATO-n dhe për armatimet e rivalit të saj rus, çështja ndryshon. Ndryshon, sepse bëhet fjalë për një rajon, ku ndodhen tetë shtete anëtare të NATO-s, shumica e të cilëve kufizohen me Serbinë.
Serbia është një shtet, i cili çdo vit celebron zyrtarisht një ditë anti NATO. Serbia është shteti që në doktrinën e vet kombëtare të mbrojtjes përcakton Kroacinë dhe Shqipërinë si kërcënim ndaj saj. Serbia është shteti që ka ngritur një bazë ushtarake ruse në Nish kundër vendeve të NATO-s në rajon dhe po bëhet gati t’i japë një bazë tjetër ajrore në Vojvodinë.
Megjithë të ashtuquajturin neutralitet, të cilin Serbia e aplikoi nën diktatin rus për të bllokuar ndonjë përpjekje brenda saj për integrim atlantik, Rusia po e armatos në mënyre të ethëshme Serbinë me armë të sofistikuara për të destabilizuar rajonin dhe për të krijuar tensione e konflikte. Serbia në muajin qershor organizoi në territorin e saj manovra të përbashkëta të forcave desantuese ushtarake të Rusisë dhe të Bjellorusisë, të koduara “Vëllazërimi sllav”, me një simulim zbarkimi në Ballkan.
Në një situatë të tillë, nga pikëpamja e interesit të bashkësisë atlantike është vërtet i papranueshëm qendrimi i qeverisë së sotme të Hungarisë, që lejon trasportin e armëve ruse dhe fuqizimin ushtarak të Serbisë nëpërmjet hapësirës së saj ajrore.
Qeveria hungareze e ka të qartë se në bazë të nenit 5 të Traktatit themelues të NATO-s ajo është e detyruar që të rreshtohet me Kroacinë, me Shqipërinë, me Rumaninë, me Bullgarinë, etj. në rast të një lufte të tyre me Serbinë, dhe do të ndeshet me armët, që ka lejuar nga territori i saj. Qeveria e sotme hungareze duhet te mos devijojë nga niveli historik i ndërgjegjes atlantike të qeverisë hungareze të vitit 1999, e cila nuk lejoi kalimin e armëve dhe forcave ruse nëpër territorin e saj në kohën e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë.
Ndaj pakorrektësia atlantike e Hungarisë është një rast për ta analizuar edhe BE, edhe NATO, sepse sjell implikime të rrezikshme në drejtim të ndryshimit të situatave dhe të raporteve të forcës në rajon në dëm të interesave të sigurisë së Aleancës Atlantike.
Siç thamë edhe në fillim të shkrimit, kjo që ndodhi nuk është raport dypalësh i Hungarisë me Serbinë, por është një raport i shteteve anëtare të NATO-s me njeri-tjetrin. Kemi një zhvillim, i cili kërkon reagim nga BE, nga NATO dhe nga shtetet e rajonit anëtarë të NATO-s, përfshirë edhe Shqipërinë.
Nëse presidenti serb organizon në mënyrë sfiduese paradë ushtarake me tanket dhe autoblindat ruse dhe kërcënuese ndaj rajonit, Brukseli duhet të ndjehet e të thotë një fjalë për t’i tërhequr vëmendjen atij shteti, me të cilin BE ka hapur bisedimet e pranimit, sepse edhe bufi e di përgjigjen se për kë dhe kundër kujt armatoset Serbia.
Është absurde kur dëgjon burokratët diplomatikë të BE, që në çdo takim për Ballkanin zhurmojnë për “apokalipsin” e taksës së Kosovës ndaj mallrave serbedhe nuk thonë një fjalë për armatosjen e ethëshme të Serbisë nga Rusia. Të paktën të shprehen se kush e kërcënon më shumë stabilitetin e Ballkanit, stabilitetin e vendeve të BE dhe të NATO-s: taksa e Kosovës apo tanket e raketat ruse, që po mbushin Serbinë.
Symbyllja e BE ndaj këtij realiteti kërcënues në zhvillim e sipër në rajon është vërtetë shqetësuese, sa që krijohet përshtypja se influenca e Rusisë nuk është vetëm te qeveritë e Hungarisë, Sllovakisë apo Qipros, por është edhe në shtabet qendrore të diplomacisë së BE.
Ka një pyetje një milion dollarëshe: Si i hapi BE bisedimet e pranimit me Serbinë pa i kërkuar abrogimin e rezolutës së parlamentit të Serbisë të 12 prillit 1999, që kërkon bashkimin e Serbisë me Rusinë, rezolutë e miratuar pak ditë më vonë nga Duma ruse në 17 prill 1999, dhe kur as Serbia dhe as Rusia nuk i kanë abroguar rezolutat e bashkimit të dy shteteve?
Rasti i Hungarisë bëhet interesant dhe nga një element konkret, që ka të bëjë me Kosovën. Në bazë të marrëveshjes me NATO-n të vitit 2014 Hungaria kontrollon hapësirën ajrore të Kosovës. Kjo marrëveshje ka skaduar në prill të këtij viti, por është shtyrë për një afat të pacaktuar.
Por ka një kontradiktë strategjike midis faktit që Hungaria lejon nëpërmjet territorit të saj furnizimin e Serbisë me armatime ruse dhe nga ana tjetër Hungaria kontrollon qiejt e Kosovës, e cila rrezikohet nga armatimet dhe nga rivendikimet koloniale serbe.
Këtë kontradiktë duhet ta shqyrtojë me urgjencë NATO dhe Shqipëria duhet ta shtrojë atje, sepse është anëtare e NATO-s dhe duhet të ketë ndjeshmëri më të madhe se të tjerët për pasojat e qëndrimeve antiatlantike të qeverisë hungareze.
Edhe Kosova mund t’i drejtohet KFOR-it dhe NATO-s për zëvëndësimin e Hungarisë, në rast se ajo do të vazhdojë këtë pakorrektësi atlantike, e cila prek direkt Kosovën.
Zhvillime të tilla nuk duhet të lenë neglizhente apo indiferente qeverinë e Shqipërisë.
Që nga viti 2000, kur erdhi në fuqi në Beograd e ashtuquajtura qeveri demokratike serbe, e deri në ditët e sotme, nuk ka një qeveri të Shqipërisë që të ketë protestuar njëherë për armatosjen e ethëshme të Serbisë, as për raketat e bazat ruse në Serbi, kur dihet se objektivi numër 1 i garës së çmendur të armatimit serb është Kosova, është kombi shqiptar.
Është rasti të protestohet edhe ndaj qeverisë së Hungarisë për tolerancën e saj antiatlantike, që godet kombin shqiptar.
Situatat nëBallkan dhe rreth Ballkanit lëvizin me ditë dhe me orë dhe kësaj dinamike duhet t’i përshtatet në mënyrë aktive qeveria dhe shteti shqiptar./gazeta dita/