Brunela Beshaj: Të punosh apo të pushosh?
Ardhja e verës shënon edhe fluksin më të madh të pushuesve, të atyre që hyjnë në vendin tonë apo edhe të shtetasve shqiptarë, të cilët preferojnë të largohen drejt malit apo bregdetit, që konsiderohet dhe destinacioni më i pëlqyer prej vizitorëve. Numri më i lartë i turistëve vendas dhe të huaj, shënohet zakonisht rreth muajit Gusht, duke sjellë si rezultat “braktisjen” e qyteteve të tjera dhe mbipopullimin e gjallërinë kryesisht në qytetet bregdetare.
Nëse do të shëtisim rrugëve të kryeqytetit në një mëngjes të shtune apo të diele, gjëja e parë që të bie në sy është boshatisja e rrugëve nga makinat, lëvizjet e rralla të njerëzve nëpër rrugë apo lokale. Shumica prej nesh tentojnë t’i largohen diellit përvëlues, duke u drejtuar freskisë së detit apo malit. Por jo të gjithë janë me pushime…
Ndërkohë që planifikojnë pushimet dhe destinacionet drejt të cilave do të largohemi është edhe një kategori njerëzish të cilët zgjedhin të bëjnë diçka krejt tjetër nga ajo që të tjerët bëjnë, ata zgjedhin të punojnë edhe në muajt e verës.
Dikujt mund t’i duket e çuditshme kjo lloj zgjidhje apo zgjedhje, ndoshta… Të punosh atëherë kur të tjerët pushojnë mund të mos duket e përshtatshme për veshët e shumë prej nesh, të cilët në një mënyrë apo tjetrën fillojnë të komentojnë këtë “zgjedhje të çuditshme”, a thua se ke bërë krim ndaj vetes.
Vera edhe pse duket e qetë, e mbushur me relaks e plazh , në të vërtetë është piku i punës për shumë kategori profesionesh, duke nisur nga mjekët, policia, gazetarët dhe deri tek ajo që ndoshta tingëllon si puna më e thjeshtë, kamarierët. Vlen të përmenden këtu edhe një pjesë e konsiderueshme e studentëve, të cilët preferojnë të punojnë në call-center apo si kamarierë e banakierë nëpër beach bar , në lokalet e Tiranës dhe qyteteve me fluksin më të lartë të turistëve, në mënyrë që të sigurojnë të ardhura shtesë, pasi dihet vera sjell më shumë turista dhe ata deri diku janë më zemërgjerë.
Të punosh në muajt e verës nuk është diçka e panjohur apo e “frikshme” edhe pse ne si popull nuk mbahemi si njerëz që kemi shumë dëshirë të punojmë, sidomos të rinjtë, duke parë edhe rezultatet e studimeve të fundit.
Nuk duhet të harrojmë që faktori kyç, i cili kushtëzon pushimet tona është faktori ekonomik. Shumë prej nesh i bëjnë këto pushime, thjesht edhe për “sytë e botës”, fenomen ky që ka ndikuar ne jetët e shqiptarëvë prej shumë kohësh….
Të gjithë kanë të drejtë të pushojnë por a nuk duhet të ndodh kjo kur kemi arritur të punojmë dhe të sigurojmë të ardhurat e mjaftueshme për ta bërë këtë gjë, atëherë kur e ndjejmë dhe e shohim të arsyeshme ne dhe jo kur i bëjnë të gjithë pushimet sepse kështu është krijuar tradita e “duhet të shkojmë të gjithë me pushime në Gusht”.
A nuk do të ishte më mirë sikur të punojmë edhe atëherë kur të tjerët zgjedhin të pushojnë sepse kushtet e tyre ekonomike ua lejojnë , ashtu siç ndodh në çdo vend të zhvilluar të botës, ku pushimet nuk kanë një stinë të caktuar, por kanë një buxhet që mundëson se kur mund të bëhen. Edukata e punës duhet të implementohet që në moshë të vogël, në mënyrë që të rritet përgjegjshmëria dhe dashuria ndaj saj. Ndoshta duke edukuar në këtë drejtim, do të bëhet e mundur deri diku që vendi ynë të mos etiketohet si një ndër shtetet me numrin më të lartë të të rinjve që shtyjnë kohën nëpër kafene./koha jone/