Yzedin Hima: “Me Xhymertin”, libri i ri i Namir Lapardhasë
Yzedin Hima
Një libër i sapobotuar, që pret “të shkruhet”
…Absurdi i mjedisit shqiptar është absurdi i absurdit universal: Biseda normale është vrarë dhe personazhet flasin si në jerm, duke i dhënë zë një pjese të mendimit a përjetimit. Pikërisht ky absurd i mjedisit zhvendoset në gjuhë, ku copra mendimi , bisedash, përjetimesh, protestash, hallesh a problemesh formojnë mozaikun gjuhësor të këtij teksti…
Libri i ri i Namir Lapardhasë “Me Xhymertin”, i ndërtuar në formën e një kronike, synon një marrëdhënie disi të veçantë, natyrisht të njohur, receptues – tekst, ku teksti lipset të ndërtohet nga dhe te lexuesi, gjatë dhe pas leximit. Ky libër në duart e lexuesit është një tekst ende i pambaruar dhe njëkohësisht i kryer. Lexuesi nëpërmjet sentencave të protagonistit, Xhymertit, që sjellin nje përvojë sa personale aq edhe të përgjithshme përjetimi dhe veprimi, ndërton realitetin artistik dhe nëpërmjet tij kupton realitetin e njëmendët.
Protagonisti i tekstit, Xhymerti, herë është rrëfyesi, herë është lexuesi, herë është vepruesi, herë është përjetuesi, herë futet në turmë, herë del nga turma, herë kërkon popullin, herë gjen turmën. Xhymerti nuk është thjesht vetja jote te tjetri, por vetja jonë e shndërruar në turmë nga dhuna gjithëformëshe si gënjeshtra, varfëria, mashtrimi i veshur me rroba të bukura prej shprese. Rrjeta e merimangës që endet e endet nga propaganda mbi turmën e ka kthyer individin në mizë, ngecur në këtë rrjetë, ku idetë, veprimi shpresa e tij janë fijet e rrjetës së endur me mjeshtëri nga pushteti dhe dhuna, nën moton e fshehtë dhe perverse “m..t do mileti, m..t’i japim”.
Xhymerti nuk tregon ngjarjen, por efektin, ndërsa lexuesi ndërkohë e ndërton vetë ngjarjen, të cilën në botën e njëmëndët e ka përjetuar dhe e përjeton përditë.
Xhymerti është një përsonazh ku dallohen të gjitha tatuazhet e kohës, nga e cila është bërë, deformimet e përjetimet e kësaj kohe e çojnë atë deri në ekstremin sa që i rëndohet vetja, të cilën është i detyruar me mjaft dhimbje ta mbajë e përcjellë nga e sotmja tek e nesërmja.
“Populli, – tha Xhymerti, – jo vetëm që s’ka përgjigje, por ka filluar të mos ketë më as pyetje…!” – në përgjigje të pyetjes se çfarë mendon populli për gjendjen dhe veprimet në kohën që jeton. Në vetdijen e lexuesit, ky konstatim sa ironik aq edhe tragjik, plazmon linja veprimi, personazhe, metamorfoza të individit, të turmave të tëra për shkak të dhunës së varfërisë, diktaturës, mashtrimit, urisë, injorancës, që e kanë përcjellë banorin e këtij trualli ndër kohëra.
Te personazhi kryesor gjen edhe arrivistin, edhe filozofin, edhe poetin edhe qytetarin e thjeshtë të mbetur në rrjetën e propagandës së përditshme që thur merimanga politike. Ai shfaqet edhe si Hamlet, teksa recion tekste nga tragjedia e famshme: “Koka më zjen nga idetë, por nuk e di a do të kem kohë t’i vë në jetë”. Ironia është e qartë, një shoqëri si e sotmja , e ndërtuar me një anarki të tillë tregu, ku tregu i ideve qendron ku e ku më poshtë se tregu i dobishëm i Gabit, nuk ka vend për njerëz që kanë pasuri të tyre të patjetërsueshme mendjen dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj vulgares, të ultës, çnjerëzores, por ka hapësira për kokëbunkerë , ku lulet e ideve nuk mund të mbijnë e kultivohen.
Mjedisi ku lëviz personazhi i kësaj vepre është një mjedis absurd, ku “90% e banorëve të qytetit mendojnë se mjafton të kesh lindur në qytet dhe e merr titullin qytetar për jetë”, ku “kërkohen njerëz të poshtër për të bërë punë të poshtëra”, ku partia në pushtet ka krijuar një institucion të ri të quajtur drejtoria e përgjithshme e pëlqimit, paguar me taksat e qytetarëve, ku militantë djem e vajza të rinj futen në rrjetet sociale dhe u bëjnë komente pozitive dhe lajke(a) zyrtarëve të lartë të pushtetit dhe komente negative dhe mospëlqime opozitarëve të pushtetit, ku të rinjtë e një krahu mezi presin të zënë vendin e të tjerëve të punësuar nga partia kundërshtare, ku zotëron frika se mos edhe Dielli jepet me koncension nga qeveria, ku personazhi ende nuk ka takuar njerëz normalë, ku dita më e vërtetë nga gjithë ditët e vitit është 1 prilli, ku personazhi kryesor një mëngjes gdhihet i shndërruar nga njeri në veting etj. etj. Absurdi i mjedisit shqiptar është absurdi i absurdit universal: Biseda normale është vrarë dhe personazhet flasin si në jerm, duke i dhënë zë një pjese të mendimit a përjetimit. Pikërisht ky absurd i mjedisit zhvendoset në gjuhë, ku copra mendimi , bisedash, përjetimesh, protestash, hallesh a problemesh formojnë mozaikun gjuhësor të këtij teksti.
Dhe në fund sërish diçka hamletiane dhe antihamletiane te protagonisti, Xhymerti. Ai largohet nga mjedisi absurd për një shkak absurd. Ndihet i bërë pis nga mjedisi, si një antihamlet, pra pa u përballuar me realitetin për ta ndrequr atë, por shkaku është gjithsesi hamletian, largohet nga vendi sepse i bën reaksion budallallëku që ka mbërthyer të gjithë vendin: “Kam ikur. Kam kërkuar azil politik për arsye shëndetsore. Më ka bërë reaksion budallallëku aty, ndaj zgjodha të iki…”.