Sadik Bejko: Osman Kazazi, përtej 40 viteve të burgut!
Presidenti Rugova me Osman Kazazin
Osman Kazazi, (1917-1999)
Lindi në Tiranë.
Studioi 3 vjet për infermieri në Universitetin ‘La Sapienca’ të Romës. Ndërpret studimet më 1942. Kthehet në Tiranë si aktivist i ‘Ballit Kombëtar’. Anfashist antinazit. Burgoset më 1944 për idetë e tij. Burg deri më 1991.
Shumë i vyer ky njeri…
Më 1992 kjo hije njeriu me imazhin e Osman Kazazit, hije a mbase një frymë e futur në trup njeriu, ngjante me një rrangallë njerëzore që vinte nga bota tjetër. Nuk mund të ishte njeri, por ja, ti e shihje mbi dy këmbë, e shihje të fortë e të gjallë tek shpejtonte rrugëve të Tiranës. Ishin vitet e para kur ra komunizmi. Ky ishte një i sapo dalë nga burgu. Banonte me pesë motrat e tij beqare te banesa e tij e vjetër tiranase. Ishte zgjedhur Kryetar i Shoqatës së ish – të Burgosurve Politikë.
Ky Osman Kazazi…më 1992.
Mbrëmjeve ai kishte një karrige të përhershme në llozhën e Kuvendit të Shqipërisë. Aty e gjeje jo vetëm natën, por dhe para dite, kur merreshin vendime a debate me rëndësi politike.
Pastaj ai linte karrigen dhe merrte rrugën me një lehtësi në ecje që do t’ia kishte zili dhe një balerin profesionist. Lehtësi në ecje dhe në shpirt. Ecte si me këmbët në qiell. Pa gravitet.
Ky burrë kishte bërë mbi 40 vjet burg?
Dhe figura e tij rrezatonte dritë të pakufi si prej fëmije të kënaqur në gjithçka. Kënaqësia e tij vetëm sepse komunizmi ra dhe përfundimisht e theu qafën, të bënte të harroje shumë mangësi fundamentale, me të cilat koha e re po fillonte.
Ne i ndienim. Por ai, Lala i 40 vjet burgjeve, ai Lala…siç i thoshin intimisht, vetëm gjallërohej. Ishte në prehje dhe në mirësi.
Ulej i vetëm, lart në katin e dytë, në llozhën e parlamentit, ndiqte debatet, ndiqte aprovimin e ligjeve. Ditë pas dite. Dhe pastaj ecte vetëm me këmbë, ecte me një shkathtësi atletike, si në një fluturim, në atë gjendje njeriu të rrallë…njeri që nuk kishte eshtra, as mish e as peshë. Kthehej në shtëpi te motrat lënesha që e kishin ndjekur burgjeve dhe tani në liri i shërbenin atij ushqimin, fjetjen, zgjimin.
Ai me motrat tashmë ishin bashkë si në fëmijëri, bashkë pas 40 vjetësh.
Kish gjë më të madhe!
Ndaj Lala fluturonte. Liri. Shtëpi. Familje. Ç’i duhej më tepër?
Kjo fanitje prej të burgosuri në liri, kjo përhënie…na bënte të harronim se, në disa gjëra, kaq shumë po gabonim. Ne duhet të ngrinin një shtet të ri, një shtet të së drejtës. Shtet me rregulla. Shtet me rreptësi. Shtet me mirësi…
Por Lala ngadhënjente vetëm sepse kish rënë shteti i vjetër.
Ai ishte një naiv, një foshnje 40-vjecare e dalë nga burgu. Ky i dalë nga vdekje- burgu në dalldi, tani dhe kot se koti ishte optimist. Ai nuk të ndihmonte, përkundrazi, me optimizmi i tij të çarmatoste totalisht.
Por ç’mund t’i kërkoje më shumë?
Ndaj i falem kujtimit të tij. I falem dhe nuk mund t’a harroj se sa i lumtur ishte ai njeri…pa fituar asgjë tjetër.
Vetëm Liri!