Çështja e armëve: Demokratët “okupojnë” Kongresin
Anëtarë të Partisë Demokratike po qëndrojnë ulur në tokë në Dhomën e Ulët të Kongresit amerikan, duke kërkuar kontroll më të fortë të armëve në Shtetet e Bashkuara.
Një kongresist, John Lewis, u ka bërë thirrje kolegëve që të mos dorëzohen edhe pas disa orësh protestë.
Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, i cili vjen nga Partia Republikane, e ka cilësuar protestën si “akt për publicitet”.
Demokratët dhe disa kolegë republikanë kërkojnë miratimin e një ligji, i cili do të ndalonte shitjen e armëve për njerëzit që ndodhen në listat për terrorizëm.
Ligji pritet të dalë sot para Senatit amerikan.
Ai vjen dhjetë ditë pasi një person, shtetas amerikan me prejardhje afgane, ka vrarë 49 veta në një klub nate në Orlando të SHBA-së.
Sulmuesi Omar Mateen ka shprehur besnikëri ndaj grupit militant Shteti Islamik.
Shoqata Kombëtare e Pushkëve në SHBA lobon fuqishëm kundër kufizimit të armëve.